Ne Vendin tim,Ne vendin tend.Nje i çmendur te gjithe i çmend;

turku ardPershendetje miq te fb. Para dy ditesh kam botuar nje shkrim ne gazeten Panorama. Meqenese disa miq me keshilluan, po e bashkangjis me poshte per te gjithe ju.

Më duket se po çmendem.
Kam dëgjuar e parë shumë gjëra në jetën time jo të shkurtër tashmë dhe në karierën time profesionale e politike gjithashtu jo të shkurtër e jo aq modeste. Kam dëgjuar e parë të pasur e të varfër, të mirë e shumë të mirë, të këqinj e shumë të këqinj madje kriminelë, punëtorë e shumë punëtorë, dembelë dhe kokrra dembelësh, të ndershëm e maskarenj, të pafjalë e llafazanë, të vuajtur e të përkëdhelur, kokëulur e kokoroçë, të ditur e të aftë dhe të paditur e të paaftë, të larë e të palarë, politikanë e jopolitikanë, të padorë dhe gjashtëduarsh (jo gjashtëgishtash) etj etj.
E meqenëse mendoja se i kisha parë e dëgjuar të gjitha, edhe pse e kam ditur që një pjesë vërtetë është dinjitoze, që një pjesë tjetër e tepron me vlerësimet që vetes i bën, që një tjetër pjesë tjetër bën e tjetër predikon e më tej ca të tjerë as shtinë e as kërcasin se kush flet e çfar flet veç kanë rrasur lopatën e jo lugën në brez pa iu dridhur qerpiku e kështu me radhë, isha i sigurtë në stabilitetin tim mendor.
Por edhe pse mendohem gjatë, nuk po kujtoj dot, në atë kohë të shkuar, të kem njohur individë a grupim që edhe pse firmato në cdo detaj të veshjes të hiqen si të varfër, që edhe pse gjashtëduarsh të hiqen si të virgjër, që edhe pse dembelë të hiqen sikur po iu bëhet nëna nga puna, që edhe pse arrogantë hiqen si të përunjur, që edhe pse kriminelë në vend të burgut kërkojnë të drejtojnë këtë vend, që edhe pse gënjeshtarë hiqen sy për sy si të keqkuptuar, që edhe pse të paaftë hiqen si të rënë nga qielli, që edhe pse po krijojnë parajsën e pakicës absolute shumë të pasur, hiqen sikur iu djeg shpirti për shpërndarjen e të mirave, që edhe pse kanë krijuar rrumpallën e burgut të sigurtë për 95 % të popullsisë hiqen sikur po bëjnë shtet (burgoshtet). Në fund të fundit, nuk po kujtoj dot për aq sa mbaj mend nga e shkuara e pas nëntëdhjetës, individ a grupim të tillë që ti mishërojë të gjitha këto sëbashku e me një shpejtësi marramendëse në një trup të vetëm. E thënë pa doreza, të mishërohen tek ky kryeministër, tek kjo qeveri dhe gjithë çfarë ka poshtë saj.ard turku
Bash në vitin tashmë të tretë qeverisës të kësaj mazhorance unë, duke parë e dëgjuar çdo ditë pothuaj çdo gjë, nuk po i besoj më as syve e as veshëve të mij e për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh po mendoj se mos po çmendem, sepse, po e kam të vështirë të mendoj që e gjithë qeveria, për mos me thënë edhe të tjerë rreth saj e poshtë saj, është çmendur dhe unë qenkam në rregull. Me siguri është e kundërta.
1. Në një konferencë për qeverisjen vendore, e cila në fakt nuk u organizua nga të zgjedhurit vendore (ata ishin të ftuar), kryeministri ynë deklaroi se kryetarët e bashkive, antarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për arsye se kishin bërë konstituimin paszgjedhor të shoqatës së tyre, na e kishin bërë shoqatën e bashkiakëve me dy koka. Dhe unë që kujtoja se me dy koka e kishte bërë vetë Edi Rama në 2010-tën kur shkëputi të majtën dhe krijoi një shoqatë të re, me kryetar ish kryebashkiakun e Pogradecit, sot këshilltar të vetin. Të mos ishte kryeministri ynë i nderuar do të mendoja se ky është një gënjeshtar, më keq, një mashtrues, madje më keq, një mashtrues që veprën e vet të keqe ia vesh të tjerëve, madje akoma më keq sepse e bën në dritë të diellit, madje akoma shumë më keq, sepse duket sikur e beson edhe vetë gënjeshtrën e vet.
E nëse është kështu, po të mos ishte kryeministri im, do të thoja që është i çmendur. Meqë është kryeministri im, me siguri që ai është normal, unë kam filluar të dyshoj se mos po çmendem.rama

2. Disa ditë më parë, në një konferencë për shtyp, edhe me përfaqësuese nga ndërkombëtarët, kryeministri deklaroi kënetën mediatike që nuk do të tolerohej. Të nesërmen në Kuvend u depozitua amendimi për kodin penal (kodi penal është bërë si lista e borxheve në dyqane, ku disa herë në ditë mund të shkarravisësh çfar të duash) ku shpifja ndaj zyrtarëve të lartë konsiderohej vepër penale, as mw shumw e as mw pak, gjobë e burg. E thënë direkt me gojë dhe e hedhur e zeza në të bardhë, nuk linte vënd për dyshime a interpretime. Por ja që kryeministri e përgënjeshtroi, nuk e kishte pasur për median por për opozitën. Ai ishte korrekt por lukunia e gazetarëve, opozitarëve, shoqërisë civile madje Këshilli I Europës dhe OSBE-ja e kishin keqinterpretuar e keqkuptuar. Faji ishte i të tjerëve, që nuk e kuptojnë e megjithatë kryeministri, me përulësi, e tërheq për riformulim. Të mos ishte kryeministri im do e shaja gënjeshtar, mashtrues, frikacak që edhe në frikacakëri e sipër mbetet mashtrues dhe i keq, e pse jo, sa dinak aq edhe i çmendur. Madje edhe legen.
E meqë është kryeministri im, me siguri që ai nuk është i tillë, unë po çmendem, në mos tani jam çmendur. Po po, me siguri që po.

3. Kryeministri pati premtuar shëndetësi falas, taksa të ulta, jetesë më të mirë për 95 % të shqiptarëve, rishpërndarje të drejtë të të mirave, drejtësi sociale, mirëpërdorim të fondeve publike, administratë moderne e të pakorruptuar, shkatërrim të monopoleve, qetësi dhe siguri, integrim Europian me hapa të shpejtë etj. Dhe mos më thoni se nuk ia ka arritur. Nëse mendoni të kundërtën jeni infektuar nga broçkullat e ShQUP-it, se ju me siguri jeni më të lire e më të sigurtë, keni më shumë para, hani më mirë, paguani më pak energji e taksa për shkollim, shëndetësi, pronën, biznesin etj. Dhe duhet ta besojmë kryeministrin. Se është ekonomist dhe jurist, filozof e psikolog, piktor e politikan. Por edhe nëse nuk e besojmë, të paktën për sa provojmë në përditshmërinë tonë, ai prap na e mbush mendjen se ne duhet të mendohemi mirë se cdo të thotë shëndetësi falas, se reformat (që në shumicën dërmuese nuk janë reforma por aksione) nuk i japin efektet menjëherë, se mesa duket duhet të presim disa mandate, dhe se duhet ti besojmë se burgu për biznesin e vogël, ku mund të mblidhen disa kacidhe më tepër, do të mbushë gropat që qeveria e skalionet e saj hajdute në tatime e dogana hapin me zell me eskavator. Por fajin na e kishte nafta. Por nëse e ka nafta, çfar faji kanë të shkretët shefa doganash që po i pushon nga detyra? Apo po i dërgon edhe këta me leje lindjeje? Duhet ti besojmë kryeministrit se shpërdorimi i parave publike është trillim kënetash, se kërdia e tenderave me negocim nuk është shkelje dhe as shpërdorim e krim, se fajin e ka drejtësia për korrupsionin dhe jo ai si kryearkitekt. Kisha filluar tw mendoja se Tahiri, Beqja, gjiknuri e tw tjerw duhet tw fillojnw tw kenw frikw. Më çmerit mbi të gjitha lehtësia arrogante e justifikimit të situatës. Bash edhe pa folur fare, vetëm me gjestin sfidues të mbajtjes në të dy krahët të Tahirit dhe Beqes, në një shfaqje publike të kryeministrit. Vetëm abuzimi me procedurat do të mjaftonte për ti thënë burgut hapu. Sepse pasojat tashmë janë të pallogaritëshme. Nëse nuk po çmendem, ai dhe ata mendojnë se do të rrinë në pushtet si Enveri, me metodat e Enverit. Por mbi të gjitha është orator dhe në oratori e sipër di edhe të të përkëdhelë edhe të të fshikullojë, edhe të të joshë edhe të të denigrojë, edhe të të këshillojë edhe të të kërcënojë. Ka një difekt të vogël, që nuk e korigjon dot, kurrë nuk di të qeshet por vetëm të ngërdheshet. Duhet të përulemi para “mendimit të tij ekonomik brilant” dhe praktikës ekonomike perverse që edhe pse është e tillë, pretendohet të bëjë historinë, sepse për herë të parë “po bëhet shtet dhe ai po bën historinë”. Ai, vetëm ai. Meqë është kryeministri im, me siguri që ai është normal, unë po çmendem, në mos tani jam çmendur. E meqë kjo histori po shkon larg edhe ju të tjerët duhet të jeni çmendur, gjithnjë nëse mendoni si unë.

Serbia Albania
Albanian Prime Minister Edi Rama reacts during an interview with The Associated Press in Belgrade, Serbia, Monday, Nov. 10, 2014. Rama arrived on a two-day official visit to Serbia the first by an Albanian leader in 68 years. The prime ministers of Serbia and Albania pledged Monday to put their differences aside and focus on their mutual desire to join the European Union — but the detente between the Balkan rivals didn’t even last until the end of their joint press conference. (AP Photo/Darko Vojinovic)

4. A e keni dëgjuar fjalën reformë? Po fjalën sistem? Edhe pse kam besuar që jam mjaftueshëm i shkolluar, kam filluar të mos i kuptoj. Ndoshta edhe po budallepsem. Sepse kryeministri, ministrat dhe jo pak shpurë rilindase, nga përdorimi fare pa vend i kanë kthyer këto terma në opinga që nuk arnohen më. Sepse puna e reformat për këtë qeveri janë shfaqjet televizive, regjia e suksesshme shtuar përdorimin e termave “po bëjmë shtet”, “nuk do lejojmë më”, mori fund ajo kohë”, nuk jemi si ata”. Në momentin që mbaron shfaqja, produkti televiziv u duket si produkt i reformës. Pjesa e mbetur është lukunia e taks-forcave, gjobat, burgu dhe largimi nga atdheu. Dhe çudia më e madhe është se edhe pse rriten taksat dhe gjobat, të ardhurat pakësohen. A nuk është për tu çmendur? Punë e madhe. Vetëm kryeministri e qeveria të jenë mirë, se pastaj nuk ka se kush na bën shtet.

5. Nuk mjaftojnë këto por na bën edhe Blushi një libër. Hedh një “budalla” një gur në lumë dhe mblidhemi të gjithë e s’e nxjerrim dot. A është Kadimi vërtetë Kadimi, dhe a e pranon se është apo jo. Të jetë kjo do e qetësoja veten sepse cdo gjë do më dukej në rregull. Problem sipas meje është kadimizimi i shoqërisë, është fenomeni. Sikur nuk e dimë ne se votat në Basen fillimisht u joshën me miell. A nuk u përdor pilafi dhe paraja në 2005-ën? A nuk vazhdoi në 2007-tën? A nuk u perfeksionua blerja për vota partishë në 2009-tën dhe u rrit në progresion në 2013-tën? A nuk ka fituar blerja e votës të drejtën e qytetarisë, për aq kohë sa qyteti e di se fiton ai që paguan dhe të pyet se sa para do japësh për çdo votw? A nuk u përdorën punësimi e pushimi nga puna, presioni e kërcënimi, shkopi dhe karrota, para publike e para krimi në 2011-tën dhe kulmuan në 2015-tën? A nuk janë shpërblyer e vazhdojnë të shpërblehen me vende drejtuese e para publike, zanatçinjtë, matrapazët, horrat e drogaxhinjtë votëmbledhës deri në ngritjen e konsolidimin si një sistem që tashmë zor se shkulet edhe për shumë kohë? A e keni të qartë se kush konsiderohet si model suksesi? Pa asnjë analizë reale? Po mediat, a nuk janë vënë para togës së pushkatimit? Lokalisht e kombëtarisht? Dhe ne hiqemi si të prekur në nderin e qytetit. Dhe mos më thoni se është çështje emrash të përveçëm, kush fitoi e kush humbi. Kjo është gjëja më e parëndësishme sot. Eshtë shitur shpirti, madje më duket se është malli më i lirë në treg, sot për sot. Qofsha i çmendur por me dhimbje e them se qyteti ka ndaluar të mendojë ose së paku përton të mendojë, për të mos thënë se ka frikë të mendojë. E në këtë klimë, fitimtarët e krenaristët e rrumpallës lokale e kombëtare thonë vetëm një gjë, “më do qyteti, më do populli”. Ndoshta shoqëria shqiptare në përgjithësi është në këtë gjendje. Por a e di kryeministri këtë? Mu thaftë goja si e bëj këtë pyetje. Nëse vazhdon kështu ai do rrojë 100 vjet në fron, i lumtur e i gëzuar. Dhe nuk është i çmendur. Unë po çmendem. Ne jemi të çmendur. Mbetet vetëm 2017-ta që përfundimisht ky kryeministër të na çertifikojë si të tillë.

Ardjan TURKU
18.11.2015

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s