Beteja me Sigurimi e Shtetit dhe zbardh vrasjen e Alush Lleshanakut

“E vërteta e vdekjes së parashutistit që do të rrëzonte Enver Hoxhën”

Zef Luka rrëfen nga SHBA betejën me Sigurimi e Shtetit dhe zbardh vrasjen e Alush Lleshanakut

(Vijon nga shkrimi i kaluar http://www.gazetajone.com/?p=2630)

Si shkoi filli i Alushit dhe çetës së tij? – e pyes Zef Lukën Ka qenë dhjetor i vitit 1950. Isha çuar për të marrë shërbimin, isha roja i parë. Natën kisha pa një ëndërr të tmerrshme; një gropë të madhe, përreth saj 9 kufoma me gojë hapët. O, Zot, ç’tmerr ajo ëndërr! Në orën 9, sipas rregullit të përditshëm thërrisnim Romën. Ata na thanë se kishin me na dhënë një radiogram të rëndësishëm. Po e prisnim me ankth e shqetësim të thellë. Radiogrami erdhi. Në të thuhej se “Radio Tirana ka dhënë lajmin se Alush Lleshanaku ishte vra, na jepni hollsina”. U habitëm dhe u ligshtuam. Mu më dhembi shpirti. E kisha idhullin tim, mësuesin tim që më udhëhiqte në këtë luftë të ashpër. I kisha dhanë besën. Menjëherë shkuam në katund, takuam priftin, morëm “Zanin e Popullit” dhe menjëherë i konfirmuam Romës lajmin për sa shkruante gazeta: Ai ashtë vra në ora 4 të natës, si pati kaluar urën tek shkalla Broshkë. Rinia, një pjesë e të cilëve ishin dhe komunistë, kur e panë, thanë: Alush, ç’t’u desh që erdhe?” Shumë prej tyne kishin qenë edhe nxënës të Alushit.
Si e përcollët vdekjen e Alushit, si ndikoi ajo në luftën tuaj kundër komunizmit, ç’vendim morët më pas?
Ta kam thanë dhe në fillim të bisedës, Alushi ishte i veçantë. Ai e donte Shqipërinë më shumë se nënën e vet. Nuk e di se sa e shpreh kjo që po ju them vendosmërinë e tij për t’u vetëflijuar për Atdheun. Grupi i veriut u prek shumë nga humbja e tij, ai i Elbasanit, edhe më shumë. Por, meqë Alushi kaloi disa herë në veri, pati punuar profesor në Shkodër, pati zbarkuar në veri për furnizim me radio, i vetmi ngushëllim yni ishte që atë nuk e gjet e keqja në veri; ndryshe do të na mbeste plumb në shpirt. Me vdekjen e Alushit, u ndaluan dhe grupet e tjera me u hedhë në Shqipëri, si: Xhevdet Blloshmit, Shyqyri Bicakut…
Mësuat ndonjë lajm të vërtetë se si u sollën komunistët me trupin e pajetë të Alushit?
Shteti komunist e ka vënë në një shtyllë te rrapi i Bolbollës që ta shikonin njerëzit. Kanë njoftuar edhe të shoqen, po ajo nuk ka pranuar që të shkojë.
Ju mendoni se Alushi u vra apo ka ndonjë version tjetër?
Unë e kisha shkruar historinë me imtësi në ditarin tim, por u detyrova që t’i heq në çastet e fundit. Fëmijët e Alushit nuk ishin të mendimit që të vendoseshin emrat e atyre që mendohet se i morën jetën Alushit, e dorëzuan atë, apo e helmuan më parë…
Ju, sikur po thoni shumë variante njëherësh, cila është e vërteta?
Alush ishte njeri i rrallë, ishte trim, por i zgjuar, shok kishte vetëm veten, ai nuk binte kollaj në kurth, por Sigurimi i Shtetit arriti që të depërtonte në radhët e luftëtarëve nacionalistë, ai helmoi një pjesë prej atyre që arriti të kapte, i bëri për vete, disa u dorëzuan në torturat e egra dhe pranuan të bashkëpunojnë e të luajnë lojën e Sigurimit. Kështu ka ndodhur edhe me ata që e dorëzuan Alushin, e prenë në besë shqiptarin e mirë që nuk e njihte besëprerjen…

Këtu përfundon intervista me Zef Lukën, i cili pas vrasjes së Alushit e ndiente veten të vetmuar dhe dhimbja gati i çante gjoksin. Kishte ardhur koha që të linte malet dhe ta quante të përfunduar detyrën ndaj idealit të vet. Në ditarin e tij ai do të shkruante: “Gusht 1951…Përgatitemi me e lanë misionin. Alush Lleshanakut ia mbajta fjalën; sa qe ai gjallë, unë isha zotue mos me e lëshue Shqipërinë. Gjendja sa vinte përditë keqësohej. Populli na thoshte se prej jashtë ishin duke na spiunuar. Ata të KKSHL-së, i zinin të gjallë, porsa vinin këmbën në Shqipëri, siç ndodhi me Hamit Matjanin, shok i Alushit, ndër djemtë më të mirë të Shqipërisë”.
Zef Luka mori rrugën e kthimit dhe së bashku me Pashko Letën, Pjetër Gjonin me gruan, Katerinën, Vat Stakën, Fran Sokolin, Preng Keqanin me Gjinin, Fran Kolën; këta të fundit i vrau Sigurimi gjatë rrugës, në terren. Odiseja e vuajtjeve vazhdoi edhe pasi kapërcejnë kufirin. UDB-ja nuk iu nda, por Zefi i kishte thënë “jo” bashkëpunimit me armiqtë e Shqipërisë. Ai kaloi me burrëri e trimëri të patreguar të gjitha provokimet, madje edhe arrestimin e priti gjakftohtë. Madje dhe ditët e vështira të burgut, që nga dhjetori i vitit 1951 e deri në mars të vitit 1952. Me kurajo, Zefi i përbuz ata që bashkëpunuan me UDB-në.
* * *
Por le të rikthehemi sërish tek Alush Lleshanaku duke shfrytëzuar burime të tjera për të ndjekur rrugën e aktivitetit të tij antikomunist, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, ku përpjekjet e tij për të bashkuar rezistencën antikomuniste deri në çastin fatal, kur jeta e tij u këput, ndoshta ngaqë për herë të parë ai besoi më shumë se ç’duhej dhe ra në kurthin e pabesisë.
Lulëzim Petrela ka arritur që përmes dokumentacionit dhe dëshmive të ndjekë gjurmët e luftës antikomuniste në Shqipërinë e Mesme, zonë ku vepronte Alushi. Në botimin “Qëndresa e armatosur antidiktatoriale në malet e Shqipërisë së mesme në vitet 1944-1950” të nënshkruar nga Fiorito Petrela, sillen detaje për organizimin e grupeve të armatosura, ku shquheshin aftësitë organizative të Alush Lleshanakut për t’i bashkërenduar forcat që kishin zënë malet me armë në dorë për të rrëzuar regjimin komunist.

* * *
Alush Lleshanaku ishte ndër ata luftëtarë antikomunistë që impononte besim në kauzën e vet, jo vetëm tek bashkëpunëtorët e tij, por edhe tek nacionalistët e tjerë që vepronin në treva të tjera të Shqipërisë. Një ndër shembujt që ilustron këtë ide është dëshmia e gjallë e Zef Lukës, i cili, pasi Alushi kishte humbur jetën, vendosi që ta lërë jetën e malit nga që nuk shihte më dritare për të vazhduar misionin. Zefi, në emër të nacionalistëve të veriut pohon: “Ne na ngushëllonte fakti që Alushi nuk u vra në veri të Shqipërisë, ndryshe do të na vriste ndërgjegjja për gjithë jetën se ishte vrarë në “shtëpinë tonë”. Alushi vërtetë e kishte Shqipërinë e Mesme si zonën e aksioneve të veta, por ai shpesh u ndodh në veri, në mes të parashutistëve, që kishin zbarkuar asaj ane, me të cilët pat kaluar së bashku në kampet e Greqisë dhe Italisë. Në zonën e tij të veprimeve luftarake, Alushi gëzonte një besim të jashtëzakonshëm. Ai ishte iniciatori i një mbledhjeje të përgjithshme e të arratisurve në malet e Shqipërisë së Mesme. Ky takim tepër i rëndësishëm për fatet e mëtejshme të luftës antikomuniste, u mbajt me 28 korrik 1946 në vendin e quajtur Kroi i Zogut në fshatin Allajbeg të Belshit, krahinë e Dumresë, rrethi i Elbasanit. Në fakt, sipas Fiorito Petrelës, ky takim me përmasat e një kuvendi, u thirr pas pritës që i ishte bërë çetës së Sul Selimes, e quajtur ndryshe edhe si “çeta e hekurt”, e cila qe gjakosur në një pritë që i pati organizuar Sigurimi. Mbledhja qe thirrur nga Alush Lleshanaku, i cili ishte në njëfarë mënyre, truri i bashkërendimit të veprimeve antikomuniste në Shqipërinë e Mesme (Tiranë-Durrës-Elbasan-Lushnje-Peqin-Shijak-Kavajë). Ndërkohë që luftëtarët e çetës së Sul Selimes mjekonin plagët e marra në pritë, Sula merr njoftimin nga Alushi për t’u takuar me të në Papër-Sollak (Dumre), në shtëpinë e Hysë Haxhiut. Atje u organizua takimi. Alushi ishte së bashku me Ali dhe Ibrahim Çelën. Objekti i këtij takimi ishte pikërisht organizimi i kuvendit të 28 korrikut që do të mbahej në Allajbeg. U ra dakord që takimi me të gjithë të arratisurit në Shqipërinë e Mesme, të bëhej pikërisht tek Kroi i Zogut, për faktin se aty pranë ishte edhe një pyll i dendur, dhe sido që të vinte puna, të kishte një mundësi ikjeje në rast rreziku. Sa për temën e kuvendit u ra dakord që të bisedohej për bashkërendimin e veprimeve në të ardhmen, veprime që synonin rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Kuvendi i Allajbegut synonte nga ana tjetër që t’i paraprinte edhe një takimi tjetër me përmasa më të mëdha se ky. Ishte fjala për një kuvend më të zgjeruar që ishte paralajmëruar të mbahej në shtator 1946, ku do të diskutohej për mundësitë e organizimit të një kryengritje të armatosur, e cila do të ishte e njëkohshme edhe me forcat që vepronin në veri të Shqipërisë dhe do të çonte në rrëzimin e diktaturës komuniste që po instalohej në Shqipëri. Pra bëhej fjalë për kryengritje të përgjithshme. Takimi mes Alushit dhe Sulë Selimes u zhvillua pa asnjë incident. Forcat e ndjekjes nuk arritën që të binin në erë të bashkimit të dy çetave, ndryshe ata do të kishin sulmuar për t’i hequr qafe dy nga armiqtë më të betuar të tyre, të cilët kishin kohë që i kërkonin si me qiri.

Me 28 korrik 1946 u organizua takimi i paralajmëruar i Allajbegut, ku mendohet se kanë marrë pjesë më shumë se 200 të arratisur të asaj zone, të cilët prej kohësh kishin lënë vatrat familjare dhe kishin rrokur armët për të rrëzuar komunizmin. Në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe Hamit Matjani, një ndër luftëtarët më të rrezikshëm antikomunistë. Hamiti shoqërohej nga Hima, i vëllai i tij, Ibrahimin, i cili do të vritej më vonë e do të jepte jetën në luftë kundër komunizmit, mbeti i vrarë me të tre nipat: Hasanin, Dalipin dhe Hajdarin. Nuk do të mbaronte me kaq flijimi i familjes Matjani në emër të antikomunizmit; në përpjekje do të binin edhe vëllai tjetër i Hamitit, Asllani, dhe djali i xhajës së tij, Veliu. Ndër emrat e njohur të luftës antikomuniste, pjesëmarrës në takimin e Allajbegut do të ishin edhe Nuri Plaka e Ramadan Kelmendi. Hamiti ishte nga fshati Matjan i Lushnjës, Nuri Plaka nga Gfostima e Cërrikut, Elbasan, ndërsa Ramadan Kelmendi, ishte prej Kosove. Në shënimet e Fiorolos, shkruhet se të tre këta: Hamit Matjani, Nuri Plaka dhe Ramadan Kelmendi do të binin në kurthin e Sigurimit të Shtetit, të tradhtuar nga Xh. Mema, D. Kurti dhe B. Hoxha, pa harruar kontributin e Zenel Shehut, që prej kohësh kishte pranuar dhe ai të luante lojën e Sigurimit të Shtetit.

Në radhën e pjesëmarrësve të kuvendit të Allajbegut ia vlen të përmenden edhe luftëtarë të tjerë antikomunistë si: Latif Karafila, Adem Tafani, Veiz Gjolena, Fetah Shabani; tre vëllezërit Sefer, Shaban e Pasho Gjika nga Shalësi i Elbasanit; Emin Lamçe; Cen Graceni, Mersin Muzhaqi; ishte ai që quhej heroi dhe trimi i Shpellës së Zgoshtit të Librazhdit, Isak Alla me të vëllanë, Kamberin. Isaku kishte hyrë në këngë për luftën dhe qëndresën heroike që kishte bërë tek Shpella e Zgoshtit në vitet 1945-46. Nuk kishin mundur që të vinin në kuvend Azis Biçaku dhe Xhevdet Blloshmi, të cilët kishin patur pengesa në rrugëtimin e tyre. Qe një takim i rregullt, ku diskutuan jo vetëm krerët. Në procesverbalin e atij takimi është ruajtur edhe fjala e organizatorit dhe drejtuesit të atij kuvendi, Alush Lleshanaku, i cili hapi takimin. Ai u tregoi të pranishmëve për përpjekjet që po bëheshin nga luftëtarët e maleve për të rrëzuar komunizmin. Ai tregoi për takimet që kishte patur në veri të vendit me kryetarin e Komitetit të Maleve të Veriut, Llesh Gjonmarkaj, si dhe me Jup Kazazin e Shkodrës, i cili, pas një muaji do të ishte në krye të kryengritjes së Postribës. Lushi hodhi kushtrimin se duhej bërë një organizim i shpejtë, se nuk kishte kohë për të humbur; ishte fjala për një kryengritje të njëkohshme e të përgjithshme në të tërë Shqipërinë. Lushi tha se në shtator do të organizohej takimi tjetër që do të mbahej me 1 shtator në Belsh. Fjala e Alush Lleshanakut u pëlqye dhe u miratua. Pas tij foli Sul Selimja që ishte bërë tmerri i forcave të ndjekjes. Ai u shtoi fjalëve të Alushit mendimin e tij: “Me aksione, atentate dhe sabotime nuk do të kishim ndonjë interes, sepse do të shkatërrohej vendi dhe do të merrej më qafë populli”. I ashpër ishte në fjalën e tij Pasho Gjika, fjalët e tij ranë si bomba në kuvend: “Të rrokim armët të gjithë, për të përmbysur këta antikombëtarë që janë të gjithë me frymën e serbit”. Por nuk kaluan as dy ditë nga takimi dhe Pasho Gjika u vra nga forcat e ndjekjes në shtëpinë e tij.

Alushin e kishte mësuar jeta e dyfishtë që bënte si njeri dhe si luftëtar, si udhëheqës grupi dhe si armik i shpallur nga komunistët, të ishte syçelët. Në këto rrethana ai ishte i pajisur me një intuitë të jashtëzakonshme. Alushi duket se gaboi vetëm një herë, por mjerisht gabimi ishte fatal, i pariparueshëm, i kushtoi jetën. Pasi kishte përfunduar kuvendi i Allajbegut, Alushi dhe Sul Selimja shkuan në shtëpinë e Hysë Haxhiut. Me intuitën e tij, gjysmë me shaka, gjysmë me të vërtetë, Alushi u thotë të pranishmëve: “Duhet të shpejtojmë rrëzimin e diktaturës se do të vijë koha që ky strehuesi, që kemi këtu (Hysë Haxhiu) do të lidhet me Sigurimin e do të na kapin të gjithë një nga një…” Po sipas Petrelës, i cili ka takuar bashkëluftëtarë të Alushit të mbetur gjallë, Hysa ka reaguar ndaj fjalës së Alushit, duke bërë një shenjë mohuese me dorën e djathtë: “Nuk ju tradhtoj kurrë”, – donte të thoshte me atë shenjë të pashoqëruar me zë Hysi. Por e vërteta qe ashtu siç e parashikoi Alush Lleshanaku. Ai u lidh më vonë me Sigurimin dhe ngriti “leqe” për shokët e Alushit.

Nga ana tjetër, Sigurimi, në takimin e të arratisurve të Shqipërisë së Mesme, kishte futur një përgjuesin e vet, bashkëpunëtor, vullnetar i Sigurimit, Xh. Sh, nga Kuqani i Elbasanit, i cili bëri punën e vet dhe në të gjithë zonën plasi një terror i ashpër dhe i paparë. Takimi i dytë, ai i shtatorit, që do të synonte bashkërendimin me veriun, nuk u bë, jo vetëm nga terrori që plasi, por edhe nga depërtimi i bashkëpunëtorëve të Sigurimit, të cilët ishin shtuar shumë aso kohe dhe dekonspiruan të gjitha veprimet që do të ndërmerreshin. Arsye tjetër që se kryengritja e Postribës filloi para kohe, në gusht të 1946-s, ndërkohë që mendohej të niste në shtator, pas takimit të arratisurve të Shqipërisë së Mesme, i paralajmëruar për të filluar me 1 shtator. Duke mbetur e veçuar, Postriba u shtyp me gjak nga shteti komunist, që sigurisht e pati më të lehtë të vepronte në kushtet e moskoordinimit të forcave antikomuniste.

Pas dështimeve që erdhën pas shtypjes së Postribës, Alushi u përpoq që të bashkërendonte edhe një herë forcat. Për këtë qëllim ai shkoi në Zgosht të Librazhdit për t’u takuar me Isak Allën dhe Azis Biçakun, pastaj shkoi në Okshtun të Dibrës për t’u takuar me Fiqiri Dinen, por atje mësoi se Fiqiriu, së bashku me Prenk Previzin dhe Hysni Demën kishin dalë në Greqi. Nuk i mbeti gjë tjetër veçse të kalonte dhe ai në Greqi gjatë ‘47-ës,(atje në kampe u takua edhe me Zef Lukën e të tjerët). Alushi do të rikthehej sërish në Shqipëri për të vazhduar misionin e tij më 15 shkurt 1949 dhe dhjetor 1949.

Por çfarë i ndodhi Alushit në bazën ku kishte shkuar për të kaluar natën? Siç treguam në numrin e kaluar, ai ishte përcjellë nga Gon Gjinaj dhe Zef Luka. Pasi kaluan të gjitha shtigjet e rrezikshme, Alushi me shokët e tij, nën hundën e forcave të ndjekjes, arritën në Elbasan. Ka qenë dhjetori i vitit 1950. Bashkë me Alushin ishte dhe një nga besnikët e tij të betuar, Rexhep Kasa. Që të dy shkuan tek baza ku do të ndodhte ngjarja tragjike.

Ka dy variante të përcjella deri tani; njëri variant është ai i helmimit përmes ushqimit. Alushi ishte muskuloz dhe ia kishin frikën që të ndesheshin trup me trup me të, kështu që më parë mendohet se e kanë vënë në gjumë. Varianti tjetër tregon se Alushi ka dyshuar se diçka po luhej në atë shtëpi, ku përveç një shoku të Alushit, ishin dhe dy të tjerë që ishin paraqitur si miq të zonjës së shtëpisë. Ka mundësi që Alushi, pasi ka dyshuar, ka bërë përpjekje që të largohet, por ka qenë vonë; ata kanë qëlluar dhe e kanë vrarë. Këto variante janë përfolur edhe në shtypin e Tiranës që nga viti 1992 e këtej. Por le të sjellim si dëshmi të variantit më të besueshëm, atë që rrëfen R. Krasniqi, i cili ndryshe nga sa është shkruar deri më tani, rrëfen se Rexhep Kasa, miku besnik i Alushit, pjesëtar i çetës së tij, nuk është vrarë atë natë siç shkruante gazeta “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi”, por ka mbetur i gjallë dhe ka dëshmuar të vërtetën e dyzuar në dy variante. Nga ana e tij, Kasa, sipas Krasniqit, është izoluar në birucën e kampit të grekëve,në Naraç të Zadrimës. Ka treguar Rexhep Kasa: “Pasi qemë ndarë nga Gjon Gjina, Alushi më zgjodhi vetëm mua për ta shoqëruar. U futëm në Elbasan pasi Alushi donte që të riorganizonte punën në atë zonë. Shkuam tek një mik i Alushit. Mbaj mend, – ka thënë Rexhepi, – se në atë shtëpi, u shtruam për të ngrënë darkë. Mirëpo pas ngrënies Rexhepin e ka zënë një gjumë i thellë, që nuk ka marrë vesh se çfarë është bërë aty. Ai i ka kujtuar Krasniqit faktin se kur është zgjuar, e ka parë veten të lidhur në qeli, si dhe kur ndodhi lidhja e tij, atij nuk i kujtohej asgjë. Nuk e di, – ka shtuar ai, – se çfarë i kishte ndodhur trimit Alush Lleshanaku. Ndofta ka pësuar dhe ai fatin e Rexhepit, ndofta e kanë vënë në gjumë, ndofta ai është vrarë në përpjekje me ta, ndofta…? Të gjitha mbeten hamendje. Kur është ftilluar, Rexhep Kasa ka kujtuar se në atë shtëpinë elbasanase ku qenë strehuar, ai bashkë me Alushin, kishte parë tre burra dhe një grua, kjo ishte e zonja e shtëpisë, ndërsa njëri prej tre burrave ishte mik i Alushit; të tjerët, që ishin të panjohur nga Alushi dhe Rexhepi, ka mundësi që të ishin të Sigurimit.

“Të gjithë njerëzit e asaj shtëpie për mua ishin të panjohur”, – ka thënë Kasa, i cili ka kujtuar edhe një detaj tjetër. Në kohën që ky po hante me uri, Alushi vazhdonte e bisedonte me njerëzit e panjohur. Në fakt, Alushi kishte treguar para se të vinte ushqimi diçka që i tërhoqi vëmendjen; atij i bëri përshtypje vonesa shumë e madhe e darkës dhe e kishte shprehur hapur shqetësimin dhe dyshimin. Ndoshta Alushi e bashkoi më vonë dyshimin e tij për vonesën e tejzgjatur të darkës me gjumin e thellë që e kishte përpirë Rexhepin sapo ai kishte kapërdirë ca kafshata dhe është orvatur të shtjerë mbi ta ose është përpjekur t’u ikë, dhe pikërisht atëherë ndofta e kanë vrarë… Kësisoj, edhe pas këtyre fakteve e dëshmive, vdekja e Alush Lleshanakut mbeti një enigmë, të cilën e mbështolli me një vel misterioz Sigurimi i Shtetit. Në ndihmë të këtij mendimi vjen dëshmia e mëvonshme e Rexhep Kasës, i cili kujtonte se në burg i kishin çuar kastën që ta shihte gazetën “Zëri i popullit”, që shkruante për vdekjen e Alushit. Në të shkruhej: “Alush Lleshanaku u vra në përpjekje, diku afër Elbasanit, bashkë me shokun e tij, Rexhep Kasa(?!). Ai nuk u ka besuar syve, kur ka parë edhe emrin e tij, ndër viktimat e asaj nate të përgjakshme, ku tradhtia dhe kurthi kishin marrë me vete jetën e njërit prej nacionalistëve intelektualë, njërit prej trimave që veçohej prej të tjerëve.

Por çfarë ndodhi me Rexhep Kasën? Ai vetë ka dëshmuar: “Ka disa vjet që më mbajnë në izolim, këtu në birucën e grekëve në Zadrimë, duke më pyetur për çdo veprim, si brenda dhe jashtë shtetit. Për Alushin ka afër një vit që më pyesin. Ka ardhur të më pyes edhe vetë Kadri Hazbiu…”

* * *
Zef Luka ende i ndien dhimbjet për mikun e tij të vjetër Alush Lleshanaku dhe për asnjë çast nuk e heq nga mendja mendimin se Alushi e donte fort Shqipërinë. Ai nuk iu shmang rrezikut edhe pse i kishte mundësitë që ta ndërtonte jetën ndryshe dhe të kërkonte lumturinë e vet dhe të familjes në Perëndim. Për atë, Shqipëria ishte mbi gjithçka, ndaj nuk e braktisi. Tani në pleqërinë e vet, Zef Luka, i cili jeton në Cleveland, i shkojnë ndërmend bashkëluftëtarët, miqtë e idealit. Është ndër të vetmit e mbetur gjallë dhe kërkon që historia e luftës së tyre të mos shtrembërohet. Secilit t’i jepet haku. Shpesh më bie fotografi të futura në zarfe dhe pas fotove shënon data dhe përkushtime. Shiko, mos ma harro Hamid Toshin, ishte burrë i mirë, trim.

Ne shkonim mirë me njëri-tjetrin, veriorë e jugorë, myslimanë dhe katolikë. E donim shumë Shqipërinë. Komunistët na quanin diversantë, por unë mendoj se ne ishim shqipe që fluturuam me sjellë lirinë. Nuk më harrohen fjalët e një malsori, që u tha njerëzve të familjes: “Këta kanë lënë jetën e Romës me gjithë të mirat dhe kanë ardhë me na shpëtue ne… Zefi jeton me kujtimet e atyre viteve të vështira.
Marrë nga gazeta “Dielli”

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s