Tregoni varret o te pa Shpirte

download (7)

Nga dr. Rrahim Çota (deputet)

Ato nuk janë varre faraonësh, por janë varre njerëzish të pafajshëm, të cilët kanë nevojë për nderimin e një shoqërie të emancipuar, që kanë nevojë për njerëzit e tyre të dashur, që kanë nevojë për ta pastruar ndërgjegjen njerëzore. Në varret e tyre nuk fshihen thesare, por në të është mbuluar me gurë, me harresë dhe me diktatin e një shteti që ishte kundër njerëzve të tij, njëra nga pafajësitë më të mëdha të shoqërisë njerëzore – nevoja për liri. Ata kanë nevojë për të pasur një varr, ashtu siç është kodi i përjetshëm i shqiptarëve. (ekstrat) Që ditën e parë, kur u njoftua se në periferinë e Tiranës është gjetur një varrezë masive, në qindra familje shqiptare kujtesa për njerëzit e tyre të dashur, të cilët nuk kanë akoma një varr, u kthye në një sensibilizim të ri, në një dhimbje të re, për të përndjekurit politikë, shoqërinë shqiptare dhe për qeverinë e vendit. Ndërsa për persekutuesit e tyre dhe të gjithë strukturën e krimit, në kushtet e një shoqërie demokratike, ky moment u kthye në apel për të treguar ku janë vrarë ata që ende sot nuk kanë një varr. Të gjitha qëndrimet dhe qëllimet konvergojnë në një angazhim aktual, që mijëra njerëz të persekutuar, të vrarë dhe të zhdukur, për të cilët nuk është dhënë asnjë njoftim, të mund të gjenden dhe për ta të ketë një vend për t’i respektuar, për t’i kujtuar, ashtu siç bëhet për të vdekurit dhe ata që nuk jetojnë më. Është njëri nga problemet që “nyjëton” dhe e bën të domosdoshme njërin nga ngërçet e akumuluara jo nga vitet ‘90, por nga 50 vjetët e sundimit diktatorial në Shqipëri, i cili kërkon t’i zbardhet një nga misteret e kobshme të tij. Cilitdo që i është rrëmbyer në mesnatë babai, vëllai, bashkëshorti apo njeriu i tij i dashur, kërkon të dijë ku ai ka hedhur frymën e fundit, ku ai është ekzekutuar, ku ai ka lënë eshtrat e tij. Eshtrat e të vrarit dhe të vdekurit janë një prej kolonave më të qëndrueshme të raportit që shqiptari ka pasur me vdekjen, me kanunin, me faljen si njërin nga fondamentet më të qëndrueshme të konceptit, që lidhet me të drejtën dhe efektin e saj në të gjithë hierarkinë e marrëdhënieve shoqërore. Kur u njoftua se në periferi të Tiranës gjendej një varrezë masive (dhe për çudi ky term na u duk i freskët, pasi në kujtesën tonë akoma nuk është shuar lajmi se si makina e shovinizmit serb veproi me vëllezërit tanë në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare gjatë viteve ‘90 –‘99), Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, vendosi ta shpërblente atë që kishte njoftuar dhe kishte treguar vendin se ku ndodhej varreza masive, tregoi se ndodheshim të gjithë përpara një situate të “komplikuar” dhe të ndjeshme, e cila duhet të stimulohet që të vrarët dhe të mbeturit pa nam dhe pa nishan, që nga vitet ‘45 e deri sot, të mund të zbulohen. Jo vetëm në Kanunin e Lekë Dukagjinit, atë të Skënderbeut, por në të gjithë të drejtën zakonore shqiptare, çështja më problematike dhe më e kujdesshme është ajo në raport me vdekjen. Çdo kanun dhe e drejtë zakonore, madje dhe e drejta në kushtet e shoqërisë moderne e çdo vendi të botës, e dënon të fshehurit e vendit ku ekzekutohet i dënuari, qoftë me të drejtë apo pa të drejtë. Kufoma as nuk fshihet dhe as dënohet me burg. Ka kaq informacion dhe mundësi për të gjithë atë që ka ndodhur në Shqipëri, që nga 40 e ca vjet, sa nuk ka asnjë vështirësi për të mundësuar që e fshehta e dhunshme dhe barbaria e diktaturës të dalë mbi tokë. Ka qenë gjithmonë e pamundur të realizohet në kushtet e një fshehtësie të plotë, qoftë dhe një i vrarë i vetëm dhe një i ekzekutuar i vetëm. Në kushtet e një totalitarizmi tipik, përtej barbarisë dhe egërsisë, qoftë dhe të një pushtuesi te egër, ekzekutimet me gjyq dhe pa gjyq, komunizmi i pati shndërruar në fushata propagande dhe demonstrimi të forcës. Dënimet me vdekje ishin formulimi i parë dhe formula e parë e cilitdo propagandues dhe njeri të ligjit apo të forcës të sistemit, si pjesë e kauzës dhe se ideologjia komuniste do ta sundonte shoqërinë njerëzore. Kështu, ka shumë mundësi dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë që për secilin njeri të vrarë të ketë një varr dhe një nderim. Në Shqipëri vazhdon të ketë një vakum dhe gjendje hutie, tek çdo familje që ka humbur një njeri apo më shumë, në diktaturë. Kanë kaluar nga 20 vjet dhe makina e heshtjes dhe e mosrrëfimit të gjithë strukturës së tmerrit diktatorial hesht. Ish-diktatura nuk jepet, qoftë për instinktin e saj, qoftë për zakonin e saj, qoftë për vullnetin e saj njeringrënës. Unë, sot, si përfaqësues i trevës së Librazhdit, kam arsye që të di ku është vrarë dhe varrosur Hajdar Balla nga Babja, vëllezërit Nezir, Kadri, Sadik dhe Qerim Muzhaqi nga Polis Vilan, Ali Cekani dhe Rexhep Kasa nga Polis Gurshpata, Halim Hasa nga Qarrishta e shumë të tjerë. Persekutorët e totalitarizmit kanë pasur një hierarki të çuditshme për vdekjen, sa ajo me të drejtë i ka ngjarë një labirinti dhe duhet të konsiderohet e tillë. Diktatura e ka besuar gjithmonë veprën e vet, e ka besuar fshehtësinë e saj. Ajo u besonte njerëzve të saj. Apeli për t’i nxjerrë nga humbëtira mijëra të vrarë sot, është njëri nga apelet më qytetare që ka bërë Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, dhe qeveria e tij. Ende janë gjallë, madje dhe aktivë, rojtarët e varrezave të fshehta, varrhapësit, njerëzit që derdhën plumbat mbi trupat e të pushkatuarve etj. Kuptohet, deri sot janë fshehur me qindra varre, me qindra trupa njerëzorë të ekzekutuar pa gjyq dhe në sadizmin e njerëzve dhe mekanizmit të dhunës, mbeti fshehja e varreve. Zakoni më barbar në historinë njerëzore ka qenë dhe mbetet, ai që fsheh varret. Në traditën e lashtë shqiptare, të cilën e ka sjellë deri në ditët tonë kodi zakonor, kodi burrëror i shqiptarëve, nuk lejohet as dhe dhunimi i kufomës, i të vrarit për hasmëri dhe jo më të fshihej trupi i tij, të varrosej dhe ta humbte atë. Fshehja e varreve duket se ka qenë dhe ka mbetur njëri nga motivet më të kobshme të diktaturës dhe mekanizmave të saj, i ngjashëm me maninë dhe mekanizmin e pushtuesit, ashtu si zakoni i barbarëve dhe serbëve. Asnjë tokë ballkanase, asnjë tokë evropiane, qoftë në kohët e hershme, qoftë dhe ato të vona, nuk është mbjellë me varre masive, kryesisht me varre shqiptarësh. Në Kosovë i ka praktikuar një pushtues kolonial dhe në Shqipëri diktatura komuniste. Dhe në njërin rast dhe në tjetrin viktimat kanë qenë shqiptarët. Nëse dje ju morën jetën, ju morën dritën e syve, ju shkatërruan familjet e ç’patën mundësi t’ju bënin, ata që dje shpërbleheshin dhe ndiheshin krenarë për krimet, sot duhet t’ju tregojnë eshtrat, gjërat më të shenjta që shqiptarët i kanë respektuar që në kohët pagane. Sindromi i paepshmërisë, jo vetëm për krimet, jo vetëm për dhunën dhe barbarinë, duket se vazhdon të mbetet aktiv në Shqipëri. Është përcjellë si një stafetë tek bijtë e etërve të krimit, të cilët nuk kanë pranuar asnjëherë të dënohen krimet e komunizmit në Shqipëri. S’ka kaluar shumë kohë ku e veja e ish-diktatorit, si të ishte në ditët e saj më të mira, nuk e pranonte pendesën, por shpallte një protagonizëm të verbër, çka tregon se zgjatimet e diktaturës janë aktive sot në Shqipëri, janë në politikë dhe deri në tempullin e drejtësisë dhe të vendit ku bëhet politikë. Eshtrat e të vrarëve dhe kufomave të humbura duhet të kthehen. Njerëzit që kanë fshehur dhe vazhdojnë të fshehin varret, janë gjallë. Ata duhet të rrëfejnë, madje qeveria e sotme ka vendosur t’i shpërblejë. Ato nuk janë varre faraonësh, por janë varre njerëzish të pafajshëm, të cilët kanë nevojë për nderimin e një shoqërie të emancipuar, që kanë nevojë për njerëzit e tyre të dashur, që kanë nevojë për ta pastruar ndërgjegjen njerëzore. Në varret e tyre nuk fshihen thesare, por është mbuluar me gurë e me dhe, me harresë dhe diktatin e një shteti, që ishte kundër njerëzve të tij, njëra nga pafajësitë më të mëdha të shoqërisë njerëzore – nevoja për liri. Ata kanë nevojë për të pasur një varr, ashtu siç është kodi i përjetshëm i njerëzimit. Dhe të gjithë ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet ta bëjnë. Apeli im qytetar është: Tregoni varret!

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s