“GJUETIA KOMUNISTE E SHTRIGAVE” VAZHDON DËNIMI DHE EKZEKUTIMI I GRUPIT TË DEPUTETIT RIZA DANI

FB_IMG_1446295395531
Pas mundit, sakrificës e gjakut të derdhur, Shqipëria ishte çliruar nga okupatorët e huaj, por mjerisht do të robërohej sërish nga një sistem që me aq egërsi e mjeshtëri do të aplikohej nga tirani i Tiranës. Me 10. janar të vitit 1946 hapet Asambleja Kushtetuese ku në një sallë të përbashkët ishin mbledhur përfaqësuesit e parë të popullit shqiptar të dalur nga zgjedhjet e 2. dhjetorit 1945. Në këtë Asamble ka përfaqësues të Partisë Komuniste, ka përfaqësues të Frontit Demokratik ashtu siç ka edhe nacionalist, demokrat e patriot të dalë si kandidat të pavarur. Me 12. janar 1946 – mbahet mbledhja e katërt e kësaj Asambleje e cila drejtohet nga Tuk Jakova dhe si pikë të dytë të rendit të ditës ka zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë. Riza Dani kundërshton listën e propozuar në emër të 5. (pesë) deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh fiton të drejtën të paraqes edhe ai një listë të re. Riza Dani ka futur në listë Ibrahim Karbunarën, Aleksandër Gjuvanin, Kol Kuqalin etj. nacionalist e patriot në vend të disa komunistëve. Në atë listë mungonte emri i Enver Hoxhës.

 

Me 21. janar 1946 diskutohet projektrregullorja e Asamblesë.

 

Riza Dani me guxim replikon me Koçi Xoxen dhe Enver Hoxhën, ai kërkon që procesverbalet e plota të botohen e të shpallen në Gazetën Zyrtare. Me 6. mars 1946 mbledhja e 9. (nëntë) e Asamblesë Kushtetuese. Diskutohet projektstatuti. Riza Dani kundërshton projektstatutin e paraqitur i cili ishte jo kombëtar dhe i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste. Me 16. mars 1946 Asambleja Kushtetuese kthehet në Kuvend Popullor. Që këtu e tutje Riza Dani është në epiqendër të kritikave e goditjeve.

 

Me 23. dhjetor 1946 – Riza Danit dhe 3. (tre) deputetëve të tjerë u hiqet mandati i deputetit . Si koincidencë jo e rastësishme po atë ditë në seancën tjetër, sipas rendit të ditës merret në shqyrtim ligji “Mbi dispozitat e përgjithshme penale”, kreu i tretë i të cilit “Mbi dënimet e masat tjera” do të sanksiononte dënimin me vdekje ( Varje e Pushkatim) që do të përbënte “Shpatën e Demokleut” mbi kurbanat e sapo caktuar si dhe mbi sa e sa të tjerë në të ardhmen. Çka meriton vëmendjen në këtë rast është fakti se jo më vonë se 4. (katër) ditë, me 27. dhjetor 1946 bëhet Ratifikimi i Marrëveshjes Jugosllave dhe Traktati mbi koordinimin e planeve ekonomike sipas Protokollit të bërë në Beograd nga përfaqësuesit e RPSH-së Nako Spiro dhe nga RPFJ Boris Kidriq. Kështu mbyllet ky sesion i Kuvendit Popullor me këtë akt që Shqipërisë do të i sjellë dëme të pakrahasueshme.

 

BIOGRAFIA E SHKURT E TË BURGOSURVE DHE TË DËNUARVE NË GRUPIN E RIZA DANIT
Riza Dani i lindur në Shkodër, mbaron teologjinë në Medresenë turke dhe studimet e larta në Stamboll, zotëron gjuhët turqisht, italisht e gjermanisht, me profesion nëpunës. Që në rininë e hershme i përkushtohet Lëvizjes Kombëtare. Në vitet 1908-1911 e gjejmë me At Gjergj Fishtën e Luigj Gurakuqin anëtar në shoqërinë “Klubi i gjuhës shqipe” themeluar nga Marubi, Deputet i Parlamentit të parë më 1924 dhe Kryetar i Prefekturës së Durrësit në Qeverinë e Nolit. Nga shtëpia e tij lëshohet gjëma për mikun e familjes Plakun e Maleve Bajram Curri dhe në krahët e tij jep frymën e fundit “Vigani liberator” Luigj Gurakuqi i sapo dal nga restoranti “Cavour” në Bari të Italisë. I dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut dhe i detyruar të emigroj plotë 15. vjet. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare, Kryetar i Këshillit për Qarkun e Shkodrës, Deputet i Legjislaturës së parë të Kuvendit Popullor dhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Shkodrës, dënohet me vdekje pushkatim.

 

Faik Shehu i lindur në Peshkopi me profesion tregtar, udhëheqës i Grupit të ” 80. Dibranëve” që me 6. Prill 1939 zbret vullnetarisht në Durrës për të ju kundërvënë okupatorit italian, dënohet nga Italia fashiste me burgim dhe dërgohet në Ventotene të Italisë, pas kapitullimit të Italisë arrin të kthehet në Shqipëri ku e vazhdon luftën kundër okupatorit Gjerman, gjermanët ja djegin tri shtëpi dhe një dyqan, Kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për Qarkun e Dibrës, delegat në Përmet dhe Berat, Deputet i Legjislaturës së Parë për Qarkun e Dibrës, mik i ngushtë i Shefqet Bejës, Riza Danit, Sheh Ibrahim Karbunarës etj. proteston kundër masakrës së përgjakshme të mbledhjes së armëve në Dibër (1946) kur vetëm brenda një nate pushkatohen dhjetëra banor pa gjyq, dënohet me vdekje pushkatim.
Islam Radovicka lindur në Radovickë e banues në Tiranë, ka pasur të kryera studimet në Akademinë Ushtarake në Itali, birë i një familje të njohur patriotike, internohet nga pushtuesit italian në ishullin Ustika së bashku me të vëllain Kasemin ish-deputet në parlamentin e Nolit me 1924, pas kapitullimit të Italisë arrin në Shqipëri dhe në vitin 1943 inkuadrohet në radhët e LNÇ-së, dy herë i plagosur gjatë luftës, Komandant i Zonës I Operative si dhe Komandant i Divizionit të Tretë, të Parë dhe së fundit shef i Seksionit Operativë në Komandën e Përgjithshme me gradën e Kolonelit, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Frontit, Deputet i Legjislaturës së parë për krahinën e Konispolit, arrestohet në mars të vitit 1947 e dënohet me vdekje pushkatim.
Uran Filipi lindur në Fier e banues në Tiranë, të kryer shkollën e mesme në Shën Demetrio-Korone dhe Fakultetin e Mjekësisë në Napoli, bashkëpunëtor dhe i rreshtuar në plejadën e patriotëve demokrat si Riza Cerova, Hysni Lepenica etj. , aktivizohet në Lëvizjen e Fierit për të cilën dënohet me vdekje në litar nga regjimi i Zogut që më vonë dënimi i kthehet në burg të përjetshëm, Drejtor i Strehës Vorfnore në Tiranë, dënohet me vdekje me pushkatim. Hilmi Hysi lindur në Skrapar e banues në Tiranë, me Fakultetin Juridik të kryer, gjykatës në Gjirokastër, nxënës, student dhe universitar i shkëlqyer, në Francë ishte shok shkolle me Abaz Ermenjin, ndërsa qortonte Enver Hoxhën për mungesë korrektësie gjatë studimeve në Francë, arrestohet dhe dënohet me vdekje pushkatim.

 

Syrja Selfo lindur në Gjirokastër e banues në Tiranë, ka kryer Liceun Frëng në Gjirokastër dhe një shkollë të mesme në Itali, njeh mirë gjuhën italiane dhe frëngjishten, merret me tregti në Tiranë dhe ndihmon materialisht LNÇ, ka lidhje familjare me Enver Hoxhën, një hallë e tij është e martuar me axhën e E. H. një hallë tjetër ishte nëna e Bahri Omarit dhëndërrit të Enver Hoxhës, si shpërblim të krushqisë pushkatohen i nipi Hajredin Selfo i vëllai Reis Selfo (për bombën në ambasadën Sovjetike ) edhe Syrja Selfo dënohet me vdekje me pushkatim, dyshohet dhe dëshmohet se ai ka vdekur që në birucat e hetuesisë nga torturat.
Hasan Reçi lindur dhe banues në Tiranë, ka pasur të kryer Normalen e Elbasanit, Normalen e Tiranës dhe Shkollën e Fulcit, ngreh konviktin “Vaso Pasha”, aktiv në njësitet guerile të Tiranës, gjatë një aksioni me Hamit Shijakun kapet dhe dënohet me vdekje, i falet jeta por internohet në Ventoteno të Italisë, pas kapitullimit të Italisë arrin të kthehet në Shqipëri ku bashkohet me çetat partizane ne Himarë, dënohet me vdekje pushkatim. Kostë Boshnjaku nga Tirana me profesion nëpunës, ekonomist dhe financier i aftë, Drejtor i Bankës së Shtetit, deputet i legjislaturës së parë të Kuvendit Popullorë, dënohet me burg të përjetshëm.
Isuf Hysenbegasi lindur në Pogradec dhe banues në Gjirokastër, kryen me sukses të shkëlqyer Liceun e Korçës dhe pastaj Fakultetin e Mjekësisë në Romë, i përket një familje të njohur patriotike i ati i tij ishte mik e bashkëpunëtor i Themistokli Gërmenjit, Spiro Ballkamenit e Mihal Gramenos, i vëllai Ferid Hysenbegasi jurist, gjithashtu i diplomuar në Itali, vdes dhe zhduket gjatë procesit hetimor pa ju ditur as varri, Isuf Hysenbegasi dënohet me burg të përjetshëm, kalon nëpër kampet e Vlloçishtës, Beden, Orman, Pojan etj. vdes në vitin 1988.

 

 

Mestan Ujaniku lindur në Ujanik e banues në Tiranë, në vitin 1920 gjendet përkrah vullnetarëve të Tomoricës në Luftën e Vlorës, përkrah Revolucionin e Qershorit, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, kandidat për deputet, arrestohet nga Kadri Hazbiu, dënohet me burg të përjetshëm, vdes pas një viti në burg pas torturave çnjerëzore.
Nexhmi Ballka lindur në Delvinë banues në Tiranë, me profesion Mësues, dënohet me burg të përjetshëm, sot ende është gjallë.
Ivzi Kokalari lindur në Gjirokastër e banues në Tiranë, ka kryer Gjimnazin e Gjirokastrës dhe vazhdon studimet në Kozenca të Italisë dhe i përfundon në Torino, qysh në nëntor të vitit 1944 i burgosen dy vëllezër, Salim Kokalari dënohet me vdekje në gjyqin e deputetëve, Ivziu dënohet me burg të përjetshëm, vdes në burgun e Burrelit në dhjetor të 1962.

 

Demir Kallarati lindur në Vlorë e banues në Tiranë, pjesëmarrës në Qeverinë e Nolit dhe në kryengritjen e Fierit më 1935, Intendant në Komandën e Përgjithshme dhe pjesëtar në Brigadën e 23-të, dënohet me burg të përjetshëm, vdes pas një viti në burg pas torturave çnjerëzore.
Ibrahim Hasnaj ishte sekretar i Komitetit Bektashian, dënohet me 20. vjet burg, pasi kryen dënimin internohet me familje, është gjallë.
Arif Gjyli lindur në Shkodër banues në Tiranë, deputet i legjislaturës së parë të Kuvendit Popullor, dënohet me 20. vjet burg, lirohet pas dy vjetësh me pafajësi, pas burgosjes së Koçi Xoxës.
Adem Beli lindur në Korçë e banues në Berat, me arsimim të lartë, studimet universitare i kryen në Tuluzë të Francës, agronom, pjesëmarrës në LNÇ-në, pjesëmarrës në Luftën e Gjormit, dënohet me 20. vjet burg, nga torturat çnjerëzore kalon në gangrenë të këmbëve dhe ashtu i çalë është ende gjallë dhe bartë kujtime të tmerrshme të jetës së gjymtuar nga diktatura komuniste.
Bexhet Shehu lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, ka kryer studimet në Akademinë Tregtare në Lincë të Austrisë, në vitin 1927 punon në Ministrin e Financave e pastaj në Drejtorin e Pensioneve Civile, njohës dhe përkthyes i gjermanishtes, pas çlirimit ekspert i Financave në Korçë e Tiranë, arrestohet nga Skënder Kosova e Skënder Konica, 14. muaj torturë gjatë hetuesisë, dënohet me 20. vjet burg, kalon odisejadën e vuajtjeve nëpër kampe nga Këneta e Maliqit në Burgun e Burrelit, kampet e Vlloçishtit, Bedenit, Ura Vajgurore, Rinasi etj. vdes në nëntor të vitit 1965.
Halit Gjolena lindur e banues në Durrës, ka studiuar në Akademinë Ushtarake në Itali, komandant i Forcave Kufitare në Gjirokastër, pastaj në Shkodër dhe Kukës, pjesëmarrës aktiv në LNÇ-në, Kapiten i parë me detyra ushtarake në Elbasan, Shkodër e së fundit në Ministrin e Mbrojtjes, arrestohet në korrik të 1947-tës e dënohet me 15. vjet burg, lirohet me pafajësi pas burgosjes së Koçi Xoxës, por nga torturat dhe gjymtimet vdes pas 3. vjetësh dhe Kamber Backa me detyrë polic dënohet me 15. vjet burg.

 

Letër me litar në grykë
“MOS HUMBË NË LOTË. . . “
Lidja ime e dashur,
Je ti vajza më e madhe ; je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta! Dhe unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtyjnë të shkruaj.
E mendoj, dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do të vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë. . . Që ju nuk do të njihni çë është lumturia, se do të ju mungojnë të gjitha !
Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos të vij keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjithë të kqiat, nga të gjitha vuajtjet.
Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurisht mundë të them se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lus : të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ja moho këtë të drejtë.
Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara ; shoh lotët e tua, Lili. Derdhi lotët, qaje lumturin e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humbë në lot. Harroi këto dhe fillo detyrën tënde Lili, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e ler veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë, dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.
Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.
Me mall të puthë yt atë.
Hilmi Hysi
Tiranë ditë para ekzekutimit janar 1948

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s