Hija e diktatorit dhe dënimi i krimeve të komunizmit nga Xhafer Rakipllari

  • FB_IMG_1446295395531

    Nuk kanë kaluar shumë javë nga dita kur New York Times i kushtonte një artikull të gjatë në faqen e parë, ish-komandantit komunist Alexandru Visinescu, i akuzuar për krime monstruoze në Rumani, deri në shembjen e regjimit të Çausheskut. E, megjithatë, sipas ekspertëve, Visinescu duket se do t’ia hedhë paq. Ai jo pa qëllim është akuzuar për gjenocid. Duke pasur parasysh që gjenocidi aplikohet për rastet e asgjësimit, pjesërisht ose tërësisht, të një grupi etnik ose fetar, dhe jo për represion politik, akuza sipas ekspertëve duket si një mjet për ta mbyllur dosjen pa asnjë rezultat. E megjithatë, Rumania, që ashtu si Shqipëria janë ndër të vetmet vende në Europën Juglindore dhe Qendrore që nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit, duket se ka një shoqëri civile dhe intelektualë që po përpiqen të vënë përposhtë kulturën e mosndëshkimit, e cila ka nxitur korrupsionin e papërmbajtur në shoqëri dhe ka ngadalësuar përparimin e vendit. A mund të thuhet e njëjta gjë në Shqipëri? Përulja para monumentit të “Nënës Shqipëri” më 29 Nëntor, me foton e diktatorit më të egër të Europës Juglindore në sfond, është një shenjë e qartë që jo. Sigurisht që kryeministri i vendit, apo aleati i tij në qeverisje, nuk e kishin parashikuar një gjë të tillë, çka padyshim do t’i dëmtojë jo pak në imazh, por protokolli neglizhent dhe mungesa e theksuar e vëmendjes tregon edhe një herë sa nevojë kemi për të shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën tonë makabre 50-vjeçare komuniste. E pra, sot, kur vazhdimësia midis elitës komuniste dhe postkomuniste na çukit vazhdimisht në kokë përmes medias apo formave të tjera, ky i djeshmi duket një fakt kokëfortë që e shpjegon qartë se pse në Shqipëri ekziston ende një rezistencë e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist. Në këtë situatë, nëse të gjitha palët, duan të dalin të lara, është koha për të marrë një nismë serioze për të dënuar krimet e regjimit gjakatar komunist. Rënia e regjimit që përdhunoi masivisht të drejtat e njeriut përmes vrasjeve dhe ekzekutimeve individuale e kolektive, vdekjeve në kampet e përqendrimit, vdekjeve në tharjet e kënetave, vdekjeve nga uria e torturat; me dëbime, internime, terror fizik dhe psikologjik, nuk u pasua me një hetim të krimeve; aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë me drejtësinë dhe nuk u kërkuan as falje viktimave të krimit komunist. Jo më kot, dy rezoluta të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht: Rezoluta 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe Rezoluta 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, kërkojnë me ngulm dënimin e këtyre krimeve. Ky dënim është tejet i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e brezit të ri për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Vetëm njohja dhe denoncimi i këtyre krimeve do të miredukonte brezat e rinj, do të respektonte sadopak viktimat e krimeve të regjimit totalitar komunist, si dhe familjet e tyre, si dhe do të ish një shenjë mirënjohjeje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës. Të mos harrojmë: ky dënim do të siguronte edhe vlerësimin e atyre figurave që vërtet luftuan për idealin e lirisë së vendit, por u lanë në harresë, u retushuan nga propaganda e regjimit, ose akoma më keq u eliminuan nga pushteti i diktatorit. Vetëm kështu mund të mësojmë kush ka qenë vigan, e kush pigme. Ka ardhur koha që klasa politike të dënojë krimet e komunizmit, e tok me median, shoqërinë civile e botën akademike të nisin një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë së sëmurë komuniste, duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeve, rivlerësimin e figurave të asaj periudhe, si dhe ngritjen e memorialëve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërshtinë e rezistencën ndaj regjimit totalitar. Gabimi më i madh nuk është rënia në kllapi, por moszgjimi prej saj.

  • Urim Gjata
    14:22

    Urim Gjata

    Dëshmia e 82-vjeçarit Haziz Toro, lidhur me historinë tragjike të familjes së tij nën regjimin komunist. Nga arratisja e vëllait, Qaniut, ekzekutimi i Rrushitit dhe burgosja e tre nipërve

    “Si e ekzekutuan vëllanë tim para naftëtarëve të Patosit”

    ——————————————————————————–

    Dashnor Kaloçi I vetmi që mundi të shpëtonte nga familja jonë në atë kohë pa u internuar, ishte ëllai im, Qaniu, i cili qëndroi në arrati nëpër male për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve të cilët e kishin shpallur atë armik që pa mbaruar Lufta. Aty nga fillimi i vitit 1946, Qaniu së bashku me dy shokët e tij intelektualë të njohur që ishin diplomuar në Perëndim: Taho Baci dhe Ramadan Velmishi, u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në Republikën Federale Gjermane. Në këtë kohë, vëllai tjetër, Rrushiti, pasi bëri pesë vjet internim me gjithë familjen e tij në Krujë, u lirua dhe shkoi në Patos ku filloi punë si punëtor në një nga ndërrmarjet e Naftës të asaj zonë. Por ajo punë nuk zgjati shumë se pas pak ditësh atë e nxorrën përpara kolektivit dhe i bënë një demaskim publik duke e quajtur armik dhe akuzuar si sabotator që kishte shkuar aty për të djegur puset e naftës. Në fund të asaj mbledhje kur të gjithë prisnin që Rrushitit t’i viheshin hekurat, ndodhi diçka tjetër akoma më e kobëshme. Një nga oficerët e Sigurimit me gradën e togerit (L.S.) nxorri pistoletën nga brezi dhe e qëlloi tre herë pas koke, duke e lënë Rrushitin të vdekur në vënd, aty përpara të gjithë naftëtarëve që ishin në atë mbledhje”.

    Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 82-vjeçari Haziz Toro me banim në qytetin e Fierit, i cili rrëfen të gjithë historinë tragjike të familjes së tij me origjinë nga Kurjani i Mallakastrës, që për afro gjysëm shekulli me radhë u masakrua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Po kush është, Haziz Toro, cila është e kaluara e familjes së tij gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë? Përse regjimi komunist që erdhi në fuqi në fundin e vitit 1944 filloi hakmarrjen ndaj tyre dhe cili ishte fati i pjesëtarëve të asaj familje mallakastriote nga viti 1944 e deri në shëmbjen e regjimit komunist? Torot, mbështetës të Monarkisë Haziz Toro u lind në vitin 1920-të në fshatin Kurjan të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Një ndër burrat më të dëgjuar të asaj familje, ka qenë Emin Toro, i cili u lind rreth viteve 1850-të dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Turqi ku dhe u diplomua në Jurisprudencë. Në atë kohë që Emini studjoi në Turqi, po në degën e Jurisprudencës të Universitetit të Stambollit, ishte dhe një nga kushërinjtë e tij, i quajtur Salih Toro. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera, Salihu u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1921 ai u thërrit në Tiranë dhe u caktua në funksionin e Kryetarit të Degës Civile në Gjykatën e Diktimit, siç quhej Gjykata e Lartë asokohe. Në vitet e fundit të jetës, Emini u kthye në vëndlindjen e tij në Mallakastër ku dhe ndërroi jetë rreth viteve të para të shekullit të kaluar. Ai la dy djem: Rizain dhe Hazbiun, të cilët pas vdekjes së të jatit, u morën me administrimin e pasurisë së familjes së tyre që ishte mjaft e madhe. Nga të dy djemtë e Emin Toros, vetëm Rizai bëri emër të madh pasi u mor me politikë dhe në atë kohë ka qenë tepër i njohur në të gjithë krahinën e Mallakastrës. Ndërsa djali tjetër i Eminit, Hazbiu, pasi vazhdoi studimet dhe u diplomua për Financë në Turqi, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbeu si toger i Financave në doganën e fshatit Bllatë të Prefekturës së Dibrës. Rizai që ishte dhe djali i madh i Emin Toros, pati tre djem: Rrushitin, Qaniun e Hazizin dhe të tre vëllezërit, studjuan e u diplomuan në shkollën Teknike amerikane të Harry Fultzit në Tiranë. Ndërsa pas diplomimit në atë shkollë, Qaniu me Rrushitin filluan punë të ndryshme, në fundin e viteve ’30-të, Hazizi fitoi një të drejtë studimi nga qeveria Monarkiste e asaj kohe dhe shkoi në Itali ku u regjistrua në Fakultetin e Agronomisë pranë Universitetit të Bolonjës. Por pas mbaroi vitin e parë me rezultate shumë të mira, Hazizi i ndërpreu mësimet dhe u kthye në Shqipëri, me synim për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste. Familja Toro e gjitha me Luftën Gjatë periudhës së Luftës, në vitet 1939-1944, e gjitha familja Toro e Kurjanit, e cila asokohe bëhej rreth 12 shtëpi, u lidh me Lëvizjen Antifashiste. Ajo familje në atë kohë kishte miqësi të ngushtë me disa nga shtëpitë e para të Mallakastrës, si atë të Bektash Bej Çorushit, Bektash Bej Cakranit, Sheh Ismail Çorushit (babai i Mehmet Shehut) Cfirët, Klosët etj. Po kështu përveç këtyre familjeve të njohura mallakastriote, familja Toro e kishte shtrirë miqësinë e saj edhe me familje të tjera të njohura si me Sefat e Lushnjes, Rexho Plakun e Konispolit, e deri me atë të Ali Maliq Agollit në Dibër. Lidhur me këto e qëndrimin e asaj familje gjatë periudhës së Luftës, 82-vjeçari Haziz Toro, dëshmon: “Që në prillin e vitit 1939-të, e gjithë familja jonë e shprehu hapur indinjatën kundër pushtimit fashist të vëndit dhe aty nga viti 1942, vëllai im Qaniu, u muar me organizimin e Grupit të Parë partizan të krahinës sonë të Mallakastrës, duke u emëruar dhe komandant i atij formacioni të armatosur. Në atë kohë në përbërje të atij grupi, u bashkuan dhe Mehmet Shehu me Xhelal Staraveckën, të cilët më pas u bënë udhëheqës kryesorë të formacioneve më të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Gjatë periudhës së Luftës, familja jonë kishte disa hasmëri të vjetra me familjen e Isa Toskës dhe ato u shtuan akoma dhe më shumë, pasi vëllai ynë, Qaniu, doli në mal në krye të Grupit të Parë partizan të Mallakastrës. Nisur nga ky fakt, IsaToska i cili kishte edhe mbështetjen e italianëve, shfrytëzoi rastin dhe na i dogji shtëpitë tona në fshatin Kurjan. Aty nga vjeshta e vitit 1943, kur Enver Hoxha denoncoi Marrëveshjen e Mukjes dhe filloi përplasja e hapur në mes forcave partizane dhe atyre nacionaliste, familja jonë u tërhoq nga Fronti dhe u distancua nga forcat partizane. Pas kësaj ne mbajtëm anën e forcave nacionaliste dhe vëllai ynë, Qaniu, qëndroi me disa forca nacionaliste ku bënte pjesë dhe Ismail Çorushi, të cilat kishin ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi me partizanët”, kujton 82-vjeçari Haziz Toro, lidhur me periudhën e Luftës, ku familja e tij mbajti anën e forcave nacionaliste. 1945, internimi i Torove Menjëherë pas mbarimit të Luftës, regjimi komunist që erdhi në fuqi e shpalli familjen Toro, armike dhe reaksionare, e filloi ta luftonte atë me të gjitha mënyrat. Lidhur me këtë, Haziz Toro dëshmon: ” Menjëherë pas mbarimit të Luftës, që në dhjetorin e vitit 1944, familja jonë u gjend nën terrorin e komunistët që erdhën në pushtet, të cilët menjëherë filluan hakmarrjen ndaj familjes sonë. Që në fillimin e vitit 1945, ne na internuan familjarisht në qytetin e Krujës, ku bashkë me shumë familje të tjera, na mbanin nën kontroll të vazhdueshëm. I vetmi që mundi të shpëtonte nga familja jonë në atë kohë, ishte ëllai im, Qaniu, i cili qëndroi në arrati nëpër male për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve të cilët e kishin shpallur atë armik që nga viti 1943 kur ai u distancua nga partizanët dhe u bashkua me forcat nacionaliste. Pasi qëndroi disa kohë nëpër male, aty nga fillimi i vitit 1946, Qaniu së bashku me dy shokët e tij intelektualë të njohur që ishin diplomuar në Perëndim: Taho Baci dhe Ramadan Velmishi, u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në Republikën Federale Gjermane. Aty nga viti 1950-të, Qaniu u inkuadrua në rradhët e Kompaninisë 4000, e cila ishte instaluar në disa kodrina në periferinë e qytetit të Mynihut. Ajo kompani që kishte një efektiv prej 4000 personash nga të gjitha vëndet e Europës Lindore, kishte dhe dy batalione me 250 shqiptarë, të cilët stërviteshin nga anglo-amerikanët për të zbarkuar në Shqipëri. Qaniu qëndroi në atë kompani deri aty nga viti 1954, kur ajo u shkri fare pas tradhëtisë që kishte bërë, Kim Filbi, agjenti britanik që punonte për sovjetikët. Pak kohë më vonë, vëllai im, Qaniu, u largua nga Gjermania dhe u vendos në SHBA-ës ku jetoi deri në vitin 1982″, kujton Haziz Toro atë kohë pas mbarimit të Luftës, kur komunistët filluan hakmarrjen ndaj familjes së tyre dhe i internuan në qytetin e Krujës. Ekzekutimi i Qaniut në Patos Deri aty nga viti 1950-të, familja Toro vazhdonte të qëndronte në internime së bashku me shumë familje të tjera të cilat komunistët i kishin shpallur armike dhe reaksionare. Por në vitin 1950-të, kur Qani Toro u inkuadrua në formacionet e bazave ushtarake që stërviteshin nga anglo-amerikanët për t’u hedhur si diversantë në Shqipëri, ndaj asaj familje filloi një goditje akoma dhe më e ashpër. Lidhur me këtë, Haziz Toro dëshmon: “Në fillimin e vitit 1950-të, pasi plotësuam pesë vjetëshin e parë të dënimit në internim, ne na hoqën nga Kruja dhe na internuan përsëri duke na shpërndanë nëpër vënde të ndryshme. Mua me gjithë familjen time më çuan në Kalanë e Porto-Palermos, ndërsa vëllai tjetër, Rrushiti, pasi u lirua shkoi në Patos, ku filloi punë si punëtor në një nga ndërrmarjet e Naftës të asaj zonë. Por ajo punë nuk zgjati shumë, sepse si duket iu mësua biografia që ai nuk e kishte treguar. Pas kësaj Rrushitin e nxorrën përpara kolektivit ku kishte filluar punë dhe i bënë një demaskim publik duke e quajtur armik dhe sabotator që kishte shkuar aty për të djegur puset e naftës. Në fund të asaj mbledhje kur të gjithë prisnin që Rrushitit t’i viheshin hekurat, ndodhi diçka tjetër akoma më e kobëshme. Një nga oficerët e Sigurimit të Degës së Brendshme të Mallakastrës, i cili mbante gradën e togerit, (L.S.) nxori pistoletën nga brezi dhe e qëlloi tre herë pas koke, duke e lënë Rrushitin të vdekur në vend, aty përpara të gjithë naftëtarëve që ishin në atë mbledhje. Ajo vrasje i terrorizoi të gjithë ata puntorë që i kishin mbledhur apostafat aty, por asnjëri nuk mund të reagonte pasi i gjithë vëndi ishte i rrethuar që më përpara nga forca të shumta policore”, kujton Haziz Toro, lidhur me vrasjen tragjike të vëllait të tij, Rrushitit, në fillimin e vitit 1950, kur atë e ekzekutuan barbarisht në sy të naftëtarëve në periferitë e qytezës së Patosit. Burgoset Çezari, Qazimi e Ylviu Vrasja barbare e Rrushit Toros në atë kohë, e rëndoi akoma dhe më shumë gjëndjen e fisit të tij, pasi të gjitha familjeve Toro që në atë kohë ishin të internuara, u përmëndej shpesh duke u thënë se kishin një njeri të pushkatuar nga Partia. Lidhur me këtë, Haziz Toro, dëshmon: “Pas vrasjes së Rrushitit, unë qëndrova i internuar në Porto-Palermo,deri në vitin 1956. Në atë vit, mua më çuan në fshatin Plug ku dhe u krijova familje duke u martuar me vajzën e Ali Maliqit (Agollit) me të cilët ne kishim miqësi të vjetër. Në atë fshat ne qëndruam të internuar deri në vitin 1967 dhe në atë vit ne na liruan nga internimi e na kthyen në fshatin tonë Kurjan. Në atë kohë aty u grumbulluam të gjitha familjet e fisit tonë që kishim qenë nëpër internime. Edhe në fshatin tonë Kurjan, ne na çuan si të internuar dhe lufta ndaj nesh ishte akoma dhe më e fortë pasi aty na njihnin të gjithë. Si rezultat i kësaj, aty nga viti 1976, regjimi komunist filloi edhe një goditje tjetër ndaj familjes sonë. Në atë vit u arrestua nipi im, Çezar Toro, (djali i Qaniut) i cili punonte në kooperativë dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Pas arrestimit dhe dënimit të Çezarit, u arrestua dhe u dënua po me dhjetë vjet burg, edhe Qazim Toro, djali i kushëririt tim të parë. Hakmarrja e komunistëve ndaj familjes sonë nuk mbaroi me kaq, sepse pas tyre u arrestua dhe u dënua po me dhjetë vjet burg politik, edhe një kushëri tjetër i yni, Ylvi Toro. Ai u bashkua me Çezarin dhe Qazimin në kampin e Spaçit, ku të tre vuajtën dënimet deri aty nga viti 1986”, kujton Haziz Toro atë kohë kur u burgos, nipi i tij, Çezari dhe dy kushërinjtë e tjerë: Qazimi dhe Ylviu. Vazhdon persekutimi i familjes Edhe pas daljes nga burgu të Çezarit, Qazimit dhe Ylviut, persekutimi dhe lufta e klasave ndaj asaj familje të njohur mallakastriote vazhdoi përsëri deri në rrëzimin e regjimit komunist në fillimin e viteve 1990-të. Në atë kohë e gjithë familja Toro, i mbështeti pa rezerva ndryshimet demokratike që u bënë në vënd dhe djemtë e asaj familje filluan të integroheshin disi në jetën shoqërore. Në atë kohë, djali i Hazizit, Kastriot Toro, që kishte lindur në vitin 1957 dhe kishte punuar rreth 18 vjet në koperativë, me sakrifica të mëdha mundi që të shkollohej duke mbaruar studimet e larta. Lidhur me këtë, Hazizi dëshmon: “Djali im, Kastrioti, u diplomua si oficer dhe shërbeu në organet e Ministrisë së Rendit, duke u punuar si Shef-Qarkullimi dhe Shef Rendi në qytetin e Peshkopisë. Duke pasur rezultate të larta në punë, ai u dërgua dhe bëri disa specializime jashtë vëndit dhe kur u kthye u emërua me detyrën e Shefit të Komisariatit në rrethet e Mallakastrës dhe të Lushnjes. Në ato qytete ai shërbeu deri në fillimin e vitit 1977 kur filluan trazirat për shkak të rënies së firmave piramidale. Në atë kohë ai pati disa kërcënime nga bandat e armatosura që kishin mbështetjen e disa segmenteve të majta, të cilat i bënë dhe një atentat duke e qëlluar me snajper nga pallatet që ndodheshin përballë Komisariatit të Lushnjes. Kastrioti shpëtoi për mrekulli nga që ishte në një makinë të blinduar dhe pas kësaj ai u detyrua e u largua përfundimsiht nga Shqipëria së bashku me gruan e fëmijët”, e mbyll rrëfimin e tij, 82-vjeçari, Haziz Toro, lidhur me persekucionin e familjes së tij, i cili filloi që në vitin 1945 dhe për të, vazhdon ende.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s