NENE TRYSNINE TOTALITARE

FB_IMG_1446295395531

Sipas ideologjisë marksiste-leniniste të PPSH, objektivi final i zbatimit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri, ishte ndërtimi i një shoqërie ideale, e cila, në qendër të vemendjes do të kish jetën e lumtur të njeriut, lirinë, të drejtat, barazinë e mirëqenjen e tij. Për t’a bërë sa më të besueshëm atë mision të shenjtë, në çdo hap të jetës, kudo e kurdoherë, individi ndodhej vazhdimisht nenë trysninë e propagandës idealizuese, sipas së cilës, ai duhej të besonte vazhdimisht se, vendi i tij lulëzonte e ai ish me fat që jetonte në shoqërinë socialiste. Në një shoqëri ku, pushteti e vullneti i popullit, qenë bërë realitet. Ku të gjithë, të bashkuar grusht rreth Partisë, punonin e sakrifikonin gjithëçka, për realizimin e ambicjeve të saj… Por, në realitet, ideologjia e PPSH – së nuk ish veçse një pseudo-ideologji e cila, vërtet kish në qendër të vemendjes ( shenjestrës ) shoqërine e njeriun, por në një sens tjetër. Në shpërfytyrimin, cfilitjen e tjatërsimin e tij të plotë. Në krijimin e një ateljeje industriale gjigande, ku realizohej prodhimi në seri i njeriut të ri. Për instalimin dhe konsolidimin e një strategjie të tillë diabolike, Enver Hoxha me shokë, më tepër se prej mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndër të tjera, përfituan me mjeshtëri edhe nga shumë aspekte primitive të shoqërisë shqiptare. Nga rivalitetet e xhelozitë klanore, ndarjet e armiqësitë fisnore, ndryshimet fetare e krahinore, mercenarizmi e zelli për t’i shërbyer më të fortit etj. Pikërisht, mbi bazën e defekteve të tilla të trashëguara në shekuj, udhëheqësit komunistë shqiptarë projektuan Përçarjen e Madhe, e cila, e realizuar nëpërmejt Luftës së Klasave, do sillte pasoja katastrofale për mbarë shoqërinë dhe vendin. Qëllimi final i asaj kryqëzate, e cila përgjaku e vrau jetën e brezave të tërë, qe një e vetëm një: ruajtja me çdo kusht dhe përjetësisht e pushtetit, zhdukja pa mëshirë e kundërshtarëve, poshtërimi dhe shtypja totale e njeriut, glorifikim i Partisë e, mbi të gjitha, i patriarkut të saj eternel, Enver Hoxhës. Megjithatë, në Shqipëri, komunizmi ndryshonte mjaft nga ai i vendeve të tjera të Lindjes. Ndryshe nga ato, tek ne, ai nuk ishte thjesht komunizëm stalinist i importuar nga Bashkimi Sovjetik, por mbi të gjitha, produkt specifik i vetë përvojës shqiptare të krye-marksistit orgjinal, Enver Hoxha. Stalinizmi enverist, pra, sipas shumë analistëve të huaj perëndimorë, nuk ishte gjë tjetër veçse, një amalgamë, fuzion i një ideologjie të veçantë nacional-socialiste, unike në Europë. Ja, pse, ndryshe nga shumë vende të tjerë, ku tradicionalisht nacionalizmi qe kundërshtar i betuar i komunizmit, në Shqipëri, ai doli në plan të parë. Enver Hoxha me shokë, u bënë idhtarë të flakët të tij, duke i dhenë edhe emrin e ri patriotizëm socialist. Në fakt, qëllimi i asaj krijese egzaltuese, qe ruajtja, forcimi dhe hymnizimi i sistemit, Partisë e pushtetit të saj absolut totalitar. __________________________________________________ _________________________________________________ 1) Sipas Ismail Kadaresë “… në Shqipëri, para së gjithash, bëhej fjalë për një totalitarizëm pasional, i cili nuk kish as një farë logjike e nuk i përgjigjej as edhe një lloj “ideologjie” totalitare. Ai ishte më tepër një pasion totalitar i udhëheqësve të atij vendi. (…) Ne ishim të nenështruar të jetonim nenë influencen e gjendjes së tyre shpirtërore. Të paranojës dhe semundjeve të tyre mendore. . . “. ( Ismail Kadare ” Temps barbares “. Editions L’Archipel. 1999 )

– 2 –

Ndërsa, përsa i përket tezës së njohur të Karl Marksit mbi diktaturën e proletariatit, në Shqipëri zbatimi i saj, në fakt, u kthye në diktaturë mbi proletariatin. 1) Në diktaturë absolute ndaj mbarë shqiptarëve. Diktaturë e pakicës mbi shumicën. Ushtrimi i egër i saj nga PPSH-ja, sidomos nëpërmjet luftës së klasave, përveç dhunës, vuajtjeve, privacioneve, përçarjes e shkatërrimit të kodeve tradicionale të shoqërisë, solli për pasojë edhe ndarjen e saj në grupime të veçanta. Kështu, në krye, ndodhej Nomenklatura e lartë. ( Partia, Shteti, Sigurimi ). Ndërsa, në skajin tjetër ekstrem, armiqtë e popullit të ndarë në kategori, sipas rrezikshmërisë. ( Në burgje, internime apo në gjendje të lirë, por nenë vëzhgimin e policisë sekrete). Së fundi, midis dy grupimeve të mësipërme, ndodheshin ata që përbënin shumicën e shoqërisë: masat e gjëra të popullit. Ata, të cilët, s’ishin as të privilegjuar e as të denuar. Këto ndarje apo shtresëzime të diferencuara sociale, vërtetonin të kundërtën e asaj që propagandonte me të madhe ideologjia marksiste, e cila pretendonte se, shoqëria që ajo ndërtonte nuk kish klasa. 2) ( Në fakt, ajo kish pjesërisht të drejtë. Kategoritë e mësipërme, nuk përbënin klasa në kuptimin e strukturave sociale kapitaliste të shekullit të XIX-të. Ato ishin thjesht kasta të privilegjuarish e grupime njerëzish të destinuar të vuanin përjetësisht ). Ndërkohë, ndarja në kasta shoqërohej me një fenomen tjetër, i cili konsistonte në faktin që, edhe vetë brenda tyre, kish diferenca. Një anëtar partie i thjeshtë, për shembëll, s’mund të kish të njëjtat atribute si ato të një instruktori të Komitetit të Partisë apo, të një drejtori ndërmarje. Po ashtu, një anëtar i KQ të Partisë, nuk qe në një rang me një anëtar të Byrosë. Ndërsa, pushteti i një polici përmblidhej në rrogën e tij ordinere, uniformën blu dhe rrobat e brendëshme gratis, ndërkohë që operativi i Sigurimit gëzonte privilegjin e një shpërblimi mujor shumë më të madh e, veshëmbathjen civile gratis, pa folur pastaj për pushtetin e tij autoritar dhe avantazhe të tjera speciale. Nga ana tjetër, lëvizjet apo kalimi nga një kastë në tjetrën, kishin edhe rregullat e tyre të lojës. Kështu, jo rrallë herë, ndodhte që dikush e niste karrierën nga shtresat më të ulta për t’u ngjitur pastaj në majat më të larta. Shpesh, ndër ta, njerëz mediokër, shoferë, karrocierë, mekanikë, mjelse lopësh e saldatorë, qenë ngjitur gjer në instancat më të larta drejtuese të Partisë e shtetit. Por ndodhte edhe e kundërta. Pra, që të kaloje nga kasta më e lartë, në një tjetër më të ulët. Apo, më keq akoma, të bije direkt e në humnerë. __________________________________________________ ______________________ 1) Sipas Enver Hoxhës “diktatura e proletariatit ishte demokracia më e gjerë, më e thellë dhe më e plotë se çdo demokraci tjetër “. ( Nga fjala mbajtur në Kongresin e VII – të. 1976 ) 2) Diferencimi klasor ishte aq ekstrem, sa që ai e ndiqte individin dhe pas vdekjes. Si kudo, edhe varrezat publike të qytetit të Vlorës, qenë të ndara në “parcela”, ku të vdekurit vendoseshin sipas postit që kishin mbajtur në nomenklaturën partiake e shtetërore apo kontributit të dhenë në ndërtimin e shoqërisë “socialiste”. Në hyrje të tyre, në një pozicion të dukshëm, ndodhej “Parcela e Kuadrove”. Më poshtë, vijonin varret e njerëzve të rendomtë e, në fund fare, të atyre të “deklasuar”. ( Ndërkohë, ata që vdisnin nëpër burgje, nuk kishin të drejtë të kishin varre! ). Në “Parcelën e Kuadrove”, varroseshin zakonisht kuadro të partisë e shtetit në rreth, Heronj të Popullit e të Punës Socialiste, ish-drejtues të formacioneve partizane, veteranë të luftës etj. Kësisoj, edhe mbas vdekjes Partia mendonte për bijtë e saj besnikë. Ata vërtet nuk ndodheshin në Varrezat e Dëshmorëve, aty lart në kodrën e Kuzbaba – it, por ama, ishin në një “parcelë” të nderuar. Veç nga turma, nga njerëzit e rendomtë. Edhe aty, pra, në atë vend të heshtur ku bëhej gjumi i përjetshëm “njerëzit e dekoratave”, mbeteshin gjithmonë të dalluar nga të tjerët. Si gjithmonë në “tribunë “… ( Shenim i autorit )

– 3 – Ky fenomen, quhej ndryshe: përjashtim nga Partia, deviacion, veprimtari armiqësore ose tradhëti. Kështu, qenë të shpeshta rastet kur, ish-luftëtarë të orëve të para apo militantë të shquar të Partisë, binin papritmas nga majat e Olimpit në birruca, qeli e burgje ku pjesa më e madhe e tyre eleminoheshin fizikisht. Përsa i përket njeriut të thjeshtë, pra atij që s’bënte pjesë as në kastën e nomenklaturës e as në atë të armiqve apo të njerëzve të dyshimtë, ai bente jetën e tij të përditëshme: me strese pa mbarim, shoqëruar me frikë, dyshime, dëshpërim, pasiguri e ngushticë të madhe ekonomoke. Në rrethana të tilla, pra në kushtet e fatalitetit, izolimit e trysnisë totalitare, për të siguruar një lloj mbijetese të lirisë së tyre të brendëshme, një kategori e caktuar individësh, i përshtateshin realitetit duke ndërtuar një strategji sjellje dhe personaliteti të dyfishtë. Ajo konsistonte në dyzimin e vullnetshëm të vetvehtes. Në mbajtjen e një lloj maske e cila fshihte prapa saj, mendime, ide, sjellje e qendrime të dyfishta. Ca për konsum publik e ca për vete. Ato për konsum publik, ishin në unison të plotë me propagandën e atmosferën politike në vend. Me orientimet e përditëshme dhe ideologjinë e Partisë. Pra, konform me fjalorin shabllon zyrtar, sloganet e shtypit, radios e televizionit.Me direktivat e mbledhjeve të organizatave të partisë, rinisë, frontit etj. Faqja tjetër e maskës, ajo e fshehta, e padukshmja, personalja, konsistonte në mbajtjen gjallë të mendimit të lirë nëpërmjet dialogut të brendshëm, d.m.th. duke vëzhguar, interpretuar e përjetuar çdo fenomen e ngjarje, nëpërmjet një analize tërësisht personale, larg çdo ndikimi, influence a deduksioni të jashtëm. Por, që të arrije të realizoje e të ruaje me sukses, një ekuilibër e një pozicion sa më të besueshëm, midis shfaqjes në publik dhe asaj çka ishe në të vërtetë, ajo ishte një torturë e vërtetë e tepër cfilitëse. Diçka që kërkonte një mobilizim kolosal forcash të brendëshme. Një pjesë individësh arrinin të i’a delnin mbanë, por s’ishin të pakët ata që dështonin. Këta të fundit, shpejt a vonë, përfundonin në kthetrat e Sigurimit dhe e kalonin jetën që u mbetej në burgje, internime a në ndonjë spital psikiatrik. Një fund i tillë shkatërrues, qe krejt i natyrshëm. Në një shtet totalitar, ata që mendonin ndryshe nga të tjerët, cilësoheshin pa mëdyshje, armiq ose të çmendur. Të ishe kundër Partisë e pushtetit, do të thoshte të ishe kundër normave, kundër rrymës, pra të ishe anormal. E, ndërkohë që, një kategori e caktuar njerëzish arrinin t’a përballonin asfiksinë e jetës duke thithur oksigjen nëpërmjet dyzimit të vetvehtes, pjesa dërmuese e popullsisë, masat e gjera: punëtorët, blegtorët, kooperativistët, njerëzit e thjeshtë kudo që ndodheshin, në malsi apo në bregdet, në fshatra apo qytete, jetonin në konformizëm të plotë me realitetin. Në çdo çast e kurdoherë, ata duartrokisnin fort e pa mëdyshje çdo thirrje, veprim e direktivë të regjimit. Nenëteksti i atij fenomeni tipik të një shoqërie totalitare, shprehje e një lloj skizofrenie kolektive, ishte ky: Besojmë pa asnjë rezervë te Partia dhe mësimet e saj. Pra, rrjedhimisht, jemi dakord me diktaturën. Jo në aparencë e me fjalë. Përkundrazi ! Jemi me të në thellësi të shpirtit. Me ndjenja, zemër e bindje…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s