Terrori Komunist mbi Gra e Vajza,;

FB_IMG_1446295395531

Dhjetëra gra janë arrestuar vitet e komunizmit për akuza, si tentativë arratisjeje, agjitacion e propagandë si dhe armiq të popullit, ndërsa mijëra të tjera janë persekutuar se kanë pasur burrin në burg politik, ose kanë vuajtur kampeve të internimit.

30 gra të dënuara gjejmë në librin e Tomor Alikos “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar”, si dhe 18 të rinj të pushkatuar që në vitet e para të çlirimit. Lista e të rinjve është më e gjatë. Janë 138 të rinj, që në kohë të ndryshme vuajtën burgimin se kishin ide jo komuniste.

Akuza
Ajo ishte vetëm 25 vjeçe kur u dënua me 10 vjet burgim, por me një akuzë shumë të rëndë; armike e pushtetit. Bardha Bici, vajza e bajraktarit Gjon Marka Gjoni, e kishte vulën e vuajtjes të skalitur në origjinën e saj. Pasi vuajti dënimin, bashkë me familjen u internua deri në vitin 1990. Si armike të pushtetit u dënuan dhe Azize Ferhati, Dylbere Zeneli dhe Makbule Frashëri. Për agjitacion e propagandë, një akuzë fare lehtë e përdorshme, u dënuan Shega Këlcyra, Adile Buletini, Ana Daja, Fatime Dega, Tefta Tasi, Zybejte Alizoti, Drita Ahmeti, Fatbardha Qorri, Afërdita Starja, Bice Pistuli, Beatriçe Berati dhe Behije Zdrava, që bënë relativisht nga 4 deri në 10 vjet burg. Por pushteti nuk kursente as të vegjlit, që s’e kishin mbushur moshën. Donika Doko, motra e Bujar Dokos, u arrestua vetëm kur ishte 14 vjeçe, por pas dy vjetësh burg u lirua me kusht për arsye të moshës. Në listën e akuzave të grave ishte dhe ajo e tentativës për arratisje, siç u dënuan Qerime Bome dhe Jolanda Karbunara, apo Sanie Doko, e ëma e 14-vjeçares së burgosur që u dënua me akuzën si strehuese e të arratisurve.

Jashtë
Kur e kujtojnë pas kaq kohësh se si kanë jetuar në atë periudhë, mundohen ta heqin nga mendja. Të mbyllura në rrethin e pashmangshëm të kujdesit nga gjithçka e gjithkush, ato shumë halle i bluanin natë e ditë me veten. Bashkëshortin e kishin në burg për arsyen e mirënjohur tashmë, arsyen pa arsye, agjitacion e propagandë, ndërsa të vetme duhet të përballonin presionet e frontit, spiunllëqet dhe frikën se çdo të ndodhte me fëmijët e tyre. Liri Beliu është njëra nga gratë që kanë vuajtur mbi shpinë terrorin komunist. I shoqi, Eqerem Beliu (Mëniku) mbahej si njeriu i urtë i lagjes. Ashtu të dobët, me sytë që flisnin shumë, me zërin e avashtë, por bindës, e kujtojnë edhe sot të gjithë burrin që s’kish bërë kurrë asgjë të keqe në jetën e tij, por që mbarte një vulë nga pas, vulën e të qenurit biri i Mahmut Mënikut, i ekzekutuar me vdekje më 1946, si një nga anëtarët e Bashkimit Demokrat. Këtë fakt komunistët s’mundën ta harronin. Eqeremi u dënua me akuzën agjitacion e propagandë. Nëna dhe gruaja e tij kishin dëgjuar për rrahje e tortura nga më të tmerrshmet në burg, madje dhe për helmime brenda qelive, dhe shoqja bashkë me nënën zemërdjegur për të dytën herë, kalonin netët pa gjumë, a thua se mund të largonin nga shtëpia ogurin e zi. Dy djemtë e tij në moshë fare të re, ndjeheshin të kërcënuar çdo ditë. I mjaftonte vetëm një sebep i vogël frontit për të të degdisur në kampe internimi apo edhe për të futur në burg me akuzën standarde. Për vite me radhë deri sa i shoqi doli nga burgu, jeta e Lirisë ishte ferri tokësor. Eqerem Mëniku u shua vitet e para të demokracisë nga një sëmundje që iu instalua në shpirt birucave çnjerëzore të komunizmit.

Kujtime
Në kujtimet e shkruara nga Agim Musta, autor i shumë librave me kujtimet rrëqethëse nga burgjet e tmerrshme të kohës së komunizmit, vjen e përshkruar vuajtja e grave të dënuara. Terrori komunist në Shqipëri nuk kurseu as gratë shqiptare, të cilat u dënuan me internime, burgje dhe deri te dënimet kapitale. Referuar kujtimeve qysh në kohën e luftës, u pushkatua në Ramicë të Vlorës më 1944, Ramize Gjebrea, një nga luftëtaret e para antifashiste, që shquhej për zgjuarsi dhe guxim. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste u arrestuan shumë gra, që regjimi i Enver Hoxhës i kishte vënë në shënjestër, si Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, Musine Kokalari, Qefsere Begeja, Hava Golemi, Dhora Leka, Marije Medicina e shumë të tjera, që u dënuan me burgime të rënda. Me mijëra gra të tjera vuajtën në kampet shfarosëse të internimit, si në Tepelenë, Levan, Seman, Gradisht, Plug… Në shtator të vitit 1951 u pushkatua anëtarja e Institutit të Shkencave të Shqipërisë, Sabahete Kasimati, nga Libohova, e diplomuar në Francë për shkencat biologjike, e akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike. Më 1956 u pushkatua Liri Gega, ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë kohës së luftës, megjithëse ishte shtatzënë. Gratë e burgosura mbaheshin në kushte çnjerëzore, nëpër qeli e burgjeve, duke mos përjashtuar as burgun shfarosës të Burrelit. Më 1957 ato u grumbulluan në burgun e artizanatit, në periferi të Tiranës. Më 1961 për herë te parë u krijua në afërsi të Kuçovës kampi me punë të detyruar për gratë. Në një barakë shumë të keqe dhe mjaft të ngushtë, vendosen 60 gra të dënuara politike. Ato punonin në bujqësi e shpyllëzim. Për thyerjen më të vogël të rregullores ose mosplotësimin e normës së punës, ato lidheshin me hekura dhe torturoheshin nga gardianët. Më 1970 kampi u shpërngul në katundin Kosovë të Dumresë, 50 km në jugperëndim të Elbasanit. Kampi ishte vendosur në një gropë që i ngjante kraterit të vullkanit, ku në verë temperaturat mbërrinin gjer në 45 gradë C. Përveç grave shqiptare, në këto kampe kishte edhe shumë gra të huaja, të martuara me burra shqiptarë, si italiane, jugosllave, ruse, hungareze, polake, gjermane, franceze, të ngarkuara me dënime të rënda. Në kampin e Kosovës mbi 110 të dënuara detyroheshin të punonin në bujqësi dhe grumbullim gurësh.

MARIE TUÇI

Lindur në 1928 në Mirditë (Orosh). Kryen studimet në shkollën e Motrave Stigmatiane, Shkodër. Ka punuar për vite me radhë në arsim. Arrestohet në ngjarjet e vitit 1949 në Mirditë. Torturohet në hetuesi dhe vdes nga torturat në vitin 1950.

MARTA DODA

Lindur në Austri, 1884, mbesë e princit Preng Bib Doda. Në 1912 krijon në Shkodër “Shoqatën e Gruas Shqiptare”. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 12 vjet burg. Kundërshtare e vendosur e diktaturës. Lirohet në vitin 1954 në agoni të jetës së saj.

HAVA GOLEMI

Lindur në Golem më 1912. Arrestohet në vitin 1946. Akuzohej për komplot për vrasjen e Shefqet Peçit. Dënohet me 20 vjet burgim politik. E torturuan çnjerëzisht, por ajo qëndroi burrëreshë. Lirohet nga burgu në vitin 1957.

SHANISHA DOSTI

Lindur në Gjirokastër më 1922. Me arsim të mesëm. Internohet familjarisht. Arrestohet në vitin 1962 dhe dënohet me 5 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1966, më pas internohet deri në vitin 1990.

RITA KOÇI (KOKA)

Lindur në Tiranë, 1932. Kryen shkollën e mesme shkëlqyeshëm, i mohohet e drejta për shkollën e lartë. Arrestohet në vitin 1951 dhe dënohet me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Lirohet nga burgu në vitin 1959.

MARIE MEDICINA

Lindur në Korçë më 1925. Kreu studimet në një kolegj mjekësor në Firence, Itali. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me vdekjeë për krime kundër shtetit. I falet jeta. Dënohet me 25 vjet burgim, lirohet në vitin 1966.

MESHAN ÇINIU

Lindur në Delvinë, 1925. Gjimnaziste. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me 20 vjet burg për tentativë arratisjeje. Lirohet në vitin 1962.

Nr.3006, datë 23.11.1959

Shifrat e diktatures

Grate e denuara

1 MARIE TUÇI
2 MARTA DODA
3 HAVA GOLEMI
4 SHANISA DOSTI
5 MESHAN ÇINIU
6 AGIME PIPA
7 RITA KOÇI
8 MARIE MEDICINA
9 DRITA KOSTURI
10 VERA DEMA
11 BARDHA GJON MARKU
12 AZIZE FERHATI
13 SHEGA KËLCYRA
14 ADILE BULETINI
15 QERIME BOME (STARJA)
16 ANA DAJA
17 DYLBERE ZENELI
18 FATIME DEGA
19 JOLANDA KARBUNARA
20 MAKBULE FRASHËRI
21 TEFTA TASI
22 ZYBEJTE ALIZOTI
23 SANIE DOKO
24 DONIKA DOKO
25 DRITA AHMETI
26 FATBARDHA QORRI
27 AFERDITA STARJA
28 BICE PISTULI
29 BEATRICE BERATI
30 BEHIJE ZDRAVA

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s