Muaj: Dhjetor 2015

COPËZA LAJMESH NGA FUNDVITI 2015. Nga Tanush Kaso;

Tanush Kaso

COPËZA LAJMESH NGA FUNDVITI 2015 (Vazhdim)

Edhe pse sot, më 31 dhjetor, ditën e fundit të vitit 2015, nuk pati gazeta në shitje, vazhdon jehona e lajmeve të fundit, disa prej të cilave tingëllojnë si “shaka pa kripë”. Ndër ato është shpallja e disa personave “të vitit”. Bëhet fjalë për lëvdata e përkëdhelje të ndërsjella midis disa gazetarëve dhe politikanëve, që na kujton atë shprehjen latine “Asinus asinum fricat” (“Gomari fërkon gomarin”). Kështu, sipas gazetës “Koha Jonë”, të Nikoll Lesit, datë 30 dhjetor 2015, “Politikani i Vitit” na del Erion Veliaj: ndërsa kolegun e tij, Andi Bushati, Nikolla e ka shpallur “Gazetari i Vitit”. Ka dhënë edhe një çmim “inkurajues” për Blendi Fevziun, të cilin e ka nderuar si “Drejtuesi i emisionit televiziv të Vitit”. Por, për gazetën “Telegraf”, dt. 30 dhjetor 2015, “Politikani i Vitit” është Ilir Meta; ndërsa Sali Berisha, “Politikan i karrierës”. Mirëpo, nuk është i njëmendjeje me këta Filip Çakuli i “TOP Channel”, i cili çmimin “Politikan i Vitit” ia ka dhënë Koço Kokëdhimës!! Dhe për këtë nuk bën shaka, por tregon dy nga “meritat e tij”: shtyrjen e Kongresit të PS-së dhe propozimin për lënien e lirë të prodhimit të kanabisit!! (Shih gazetën “Panorama”, dt. 29 dhjetor 2015).Një tjetër çmim special, atë “Histori suksesi”, e ka dhënë “ALBANIAN EXELLENCE” për ministrin Blendi Klosi. Por, çmimi më i çuditshëm i këtij viti, ka qenë ai që iu dha Rita Petros, për “kryeveprën” e fundit pornografike të letërsisë së Shqipërisë, të ashtuquajtur “poemë”, me titullin e turpshëm “VRIMA”… Këto lajme, mund t’i komentoni si të doni. GËZUAR VITIN E RI 2016!

Advertisements

O Zot Ndihmoje Shqiperine . Kujtim Cekani .

20150801_222533_12924

Sonte Nata e fundit e nje Viti 31.12.2015

E cfar rendesie ka nje dite si te tjerat ,nje nate si cdo nate ,
Cfar mund te them tjeter kur cdo gje qe ndodh ne kete vend nuk ben me pershtypje, nje lajm me shum nje lajm me pak ,Vdes nje foshnje nga te ftohtet ,e kujt i ben pershtypje nje lajm ishte ,dikush grabiti gjysmen e Bankes prap nje lajm ,Babai i nje familjeje var vete ne burg per nje fature dritash tridhjet mije lekeshe ,prap nje lajm , Ne parlament na kan hyre deputete kriminele drogaxhinje ,nje lajm , lajm dhe vetem lajm .Ska me dinjitet ,as atdhedashuri ,as sentiment ,as burreri ,Ku po shkon keshtu Vendi Im , Vendi i Rilindasve te Medhenj .Me ke eshte zevedesuar Ismail Bej Vlora ,apo Qazim Mulleti ,Aqif Pashe Elbasani apo Vellezerit Frasheri ,Cfar mallkimi e zuri kete vend qe prej 75 vjetesh konceri komunist nuk din ti ndahet ,

1990, Sa u gezuam sa lot gezimi dhe alegri sa shum u perqafuam dhe uleritem , U gabuam u gabuam rende , nje semundje nuk iken po nuk e kurove , Nje vend nuk purifikohet po nuk cove ne vend amanetin e te vdekurve , Te vdekurit tane qe kan vetem emra ,te vdekur pa varre ,te vdekur qe renkojne ,qe shpirtrat e tyre nuk gjejne paqe , Ne i harruam te vdekurit tane , Ata dhan jete dhe deshtem ta gezojme Demokracine , e deshtem keshtu falas pa asnje sakrifice ,e deshtem keshtu bashke me vraresit me te mallkuarit me ata qe nuk lan krim pa bere ,

Cfar Populli jemi bere , Krimineli mbush tavolinen me djersen e vjedhur ndersa femijet vdesin nga te ftohtet .Kriminelet mbushin parlamenti ndersa te ndershmit marrin arratine , cdo gje eshte lajm asgje me nuk ben pershtypje ,200 mije Shqiptare ikin dhe braktisin Vendi prap asgje nuk ndodh.

O Zoti Im

Te lutem mos na bej me qe ne te behemi nje lajm, te lutem mos na bej me qe nje bande hajdutesh te na qeverisin , te lutem mos na bej me qe te braktismim vendin e te pareve tane ,te lutem mos na bej me qe shitemi per nje thes miell te prishur ,

O Zoti Im ..

Na bej qe Ky Vend me Emrin Shqiperi te kete njerez me emrin Shqipetare ashtu si ka patur gjithmone ,te kete Politikane ashtu si ka patur gjithmone .
Ky vend ka patur Rilindas burra te vertete ,qe Rilindja me kurverite e tyre duan te ndyjne kete emer ,

O Zoti Im ..

Nuk mund te lutem me ndihmo mua pa tu lutur qe te me ndihmosh gjithe familjen Time.Nuk mund te lutem Ndihmoje Shtepine Time pa tu lutur qe te ndihmosh gjithe lagjen time e smund te lutem te me ndihmosh lagjen time pa tu lutur qe te me ndihmosh gjithe qytetin tim e smund te lutem ndihmoje o Zot Qytetin tim pa tu lutur, O Zot Ndihmoje Shqiperine .

Kujtim Cekani .

Gjermani .

Krijuesi im, Ismail Kadare! Letër e padërguar.Nga Vaso Papaj;

Vaso Papaj

Vaso Papaj.

.Une kam njohur te tille njerez fsnik, qe megjithese vuajten tere jeten, nuk ndermorren dhe nuk shfaqen asnje shenje hakmarrje, sepse ata deshen me shume perparimin e vendit .Nje hakmarrje e tille do ta conte edhe nje here vendin ne humnere.Po pala tjeter s duket, me gene te shprishura akoma nuk po heq dore nga lufta e klasave.Bastardet nuk ndryshojne.Po bastardet as s mund ta perparojne vendn.Ndaj ndodhemi ketu.Kadare eshte i ftohte.Inteligjent, ka luajtur me pushtetin, me te gjitha pushtetet si meskin.Nen hijen e nje shkrimtari te madh(besoj nuk mjafton per mesazhet qe ka dhene dhe sjelljen e tij) s mund te quhet i madh.Mendoj se dy romanet e Visar Zhitit dhe deshmia e At Zef Pllumit mjaftojne per nje cmim Nobel qe Shqipera e meriton per vuajtjet por edhe per rezistencen ne ruajtjen e dentitetit.Koha do ta tregoje.Po askush nuk ka nvestuar .V.Papaj.

Krijuesi im, Ismail Kadare!
Letër e padërguar

Sapo kisha nisur një punë të re. Drejtor i Komunales së Plazhit. Gusht 1991. Vazhdonte stina e ndërrimit të pushteteve. Sidomos në qytetet e mëdha, ku opozita kishte fituar zgjedhjet. Kisha marrë një ndërrmarrje të shkrehur. Drejtori i shkarkuar as kish pritur të më dorëzonte çelsat. Kishte qenë një drejtor nga ata që durrsakët i quanin skiftera. Kishte patur më parë detyra të rëndësishme në organet e partisë dhe të pushtetit vendor. Por kariera e tij kishte nisur të zbriste dhe si dukej ky kishte qenë stacioni i fundit. Thuhej, do të dilte në pension.
Ishin muaj ikanakësh. Secili kërkonte të largohej. Drejt Durrësit kishin vërshuar nga të gjitha anët. Ishin rrëmbyer përsëri vaporët, po këtë herë, pjesën më të madhe të të ikurve e kishin kthyer. Me avionë, me anije… Kishim vendosur pluralizmin tashmë, nuk kishim më diktaturë. Refugjatët s’mund të ishin më politikë, shteti italian po zbatonte vendimet e OKB-së.
Pikërisht, në këtë klimë, pritja në zyrë me dhjetra qytetarë në ditë. Vinin nga të gjithë anët e vendit. Kërkonin kabina plazhi. Kishte mjaft të përndjekur politikë që vinin direkt nga burgu ose nga vendet e internimit të familjes. Kishte dhe pa familje. I kisha marr udhëzimet nga të parët e qytetit. Kujdes të veçantë për ish të përndjekurit. Një kabinë për të futur kokën. Më e pakta që mund të bënim. Atëhere dhe u njoha me Nadirin. Duhej të ishte aty mbi pesëdhjet vjeç. Kishte pritur gjersa mbaroi rreshti i njerëzve.
-Do ta pimë një kafe. – më tha si me detyrim – Mora vesh se edhe ti je njëlloj si unë. Një kabinë. S’kam njeri. Vij nga burgu, drejt.
S’ kisha si ta refuzoja. Kishte ca sy të kaltërt të zbardhëllyer. Mbaruam shpejt formalitetet. Një kabinë tre me tre, me banjë të përbashkët.
– Do të shkosh tek shoqata në Durres, – i thashë – kërko ndihma. – I dhashë emrin e një miku tim. – Do të të ndihmojë. – shtova.
Rutina e punëve na ndau. E takoja rrallë. Përshëndeteshim. E ftova dhe unë një herë për kafe. Kishte gjetur një grua moshatare. Punonte pastruese në një ndërmarrje shtetërore. Dikur e ndihmova të niste një punë në Ndërmarrjen e peshkimit. Por punoi ca muaj dhe iku. Nuk e duronte dot detin. Me të keq. Me të shtyrë pas kësaj. Po një të shtunë më kish marrë edhe tek kabina. Më njohu me gruan. Po fliste pak. Sytë i hidhte gjithnjë prapa krehëve të mi. Shikonte larg. Thuajse nuk e ngacmova asnjëherë. Pas disa vjetësh u largova nga ajo ndërmarrje. Shkova larg. Por gjithsesi, vazhdonim ndonjë shkëmbim urimesh. Nga fundi i vitit 96 kisha celular. Ma kërkuan një herë numrin dhe unë ua dhashë. Mbase donin një mbështetje. Por Nadiri nuk të bezdiste kurrë. I shihja ndonjë herë duke shëtitur buzë detit. Buzëqeshja. I përshëndetja nga larg. Nuk kishte asnjë gjurmë kokorrithesh në kokë. Rruhej me brisk. Por në 97- ën mora vesh që nuk i kishin dhënë shtëpi të re. Kishte ndarë mbi njëqind apartamente shoqata dhe atij nuk i kishte dhënë. Ishte mërzitur. Shkaku: sikur ishte pa fëmijë… Shpesh ecnin për krahu të dy, buzë detit. Ngadalë. Po sa herë që i shihja edhe më ngadalë.
Kur një natë, celulari vonë. Mezi e njoha zërin e gruas.
-Nadiri më la – më tha me zë të ulët. Ajo gjithmonë kështu fliste. Renda ta ndihmojë. Por s’qe nevoja. Shokët e burgut ia morën të gjitha përsipër. Varrim i thjeshtë por dinjitoz.. Donin t’i thonin dhe dy fjalë mbi varr, por gruaja nuk pranoi.
-Nadiri më thoshte gjithnjë, nuk dua asnjë ceremoni mbi varrin tim. – Kur i zgjata dorën e ngushullimit, më pëshpëriti: -Na je gjendur si vëlla. Kalo nga shtëpia për një kafe. Kam një porosi. Nuk të shqiste nga goja ditët e fundit. Të të rrojnë gjithë ç’ke!
Dhe shkova një ditë brenda javës.
-Ç’të të them … – thoshte gruaja gjithnjë në këmbë. – Ti duhet ta kesh kuptuar. Ai fliste pak. Po kishte kohë që shkruante. Ja, në atë bllokun e trashë… Më porositi të ta jepja ty. Ke dhe një letër brenda. Ai zarfi. Dhe ai është për ty. Një lloj ditari. Janë kujtimet e tij. Ndoshta një ditë do të të shërbejnë. Mos e humb letrën, të lutem. Letrën ma kujtonte shpesh. Çoja deri në fund…
E përshëndeta dhe ika. Dhe atë natë s’vura gjumë në sy. Lexova shënimet e bllokut. Një jetë e shpenzuar në dukje kot. Por mes rreshtave shfaqej një dinjitet dhe një karakter për t’u patur zili.
Dhe aty nga mëngjesi i erdhi rradha letrës. Mbeta gojë hapur. Një llogjikë e hekurt dukej se e përshkonte dhe aty për aty, vendosa ta bëja publike. Ai kishte vdekur tashmë, ma kishte lënë mua në dorë dhe kishte ikur. Ishte një histori nga të shumtat që kishte kaluar ky vend. Një histori me moral. I përqasej gjithsesi mendimit tim. Këtë vend do ta shëndoshte morali. Edhe sikur mos ta bëja unë, do të dilnin të tjerë. Të tjerë do të bënin publike me qindra dhe mijëra të tilla. Kishte pa fund nga këto. Veç, s’ duhej t’i bëja asnjë retushim. Historia ishte e gjallë mbi tryezën time dhe unë s’mund t’i shmangesha asaj. Le të zemërohej Olimpi. Pjesë e historisë ishte dhe ai. Le të lëshonte rrufe. Të vërtetës nuk do të mund t’i bënte dot asgjë. Do të shuheshin rrufetë pa arritur në tokë. Fundja, kishte ndodhur një përmbysje. Një përmbysje në të gjithë parametrat. Dhe s’ mund të ndërtohej një shoqëri tjetër me të njejtin ushqim shpirtëror. S’mund të bëja ndryshe. Do të ishte pjesë e tregimit tim si me poshte, ““ Letër e padërguar“. Ja lexojeni…

”Të drejtohem ty, pikërisht në momentin kur kuptova se nuk kam më kohë për të jetuar. Besoj se do të të bjerë në dorë pas ikjes sime përgjithnjë. Ndoshta do të të duket e çuditëshme. Jam njëri nga personazhet e tua. Ndodh rrallë apo askurrë një kontrovers i tillë, por besoj se do të kuptosh së paku sinqeritet në fjalët e mia.
Pra… Jam ai njeri pa emër, madje pa mbiemër dhe për këtë nuk kam asnjë faj. Deshe dhe më bëre kështu dhe do të vazhdoj të jetoj kështu gjersa të vdes. Anonim. Por jetuam ca kohëra disi ndryshe së fundi, ndaj marr guximin të të shkruaj. Nuk futem më në burg. Të gjitha të tjerat mund t’i pres, por tani janë pa pasoja. Ndodhem në fund të udhëtimit dhe mirsetëvijnë. Vetëm, të betohem, do të jem i hapur, serioz dhe pa paragjykime.
Atëhere: Po vetquhem me nofkën që më vure ti në roman: Kokorrithi qimekuq me prenka jam, ose shoferi i furgonit të kuq me targë TR 17 55. Sigurisht që më kujton. Krijesa jote jam. Tek “Dimri i vetmisë së madhe”ose “Dimri i madh”. Nëse do ta marrësh ndonjëherë këtë letër, sigurisht që do ta hapësh librin në faqen 380 e tutje.
Sa e kam vrarë mëndjen atëhere dhe tërë kohën! Përse nuk më vure një emër? Një mbiemër? Të paktën, një inicial? Letërsia i pranon edhe këto të identifikojnë tipa të shtresave të ndryshme shoqërore. Edhe ti ke përdorur, për shembull: Kritiku K.C., ose shkrimtari A.T. Përse nuk e bëre edhe me mua një gjë të tillë? Nga e pate idenë? Mos nga Manzoni? Klasiku i letërsisë italiane? L’Innominato? Njeriu pa emër? Personifikimi i së keqes njerëzore që s’meriton as të emërtohet? Anonimati gri i përjetshëm? Llumi?…
Një ide të tillë pata hasur dikur edhe tek Majakovskij: Njeriu i keq nuk meriton as të emërtohet. Ashtu është. Po pse atëhere më njollose edhe mua me atë vulë memece? Në ç’kuzhinë e gatove atë? A do mund ta quaja laborator atë kuzhinë? Qoftë edhe i sofistikuar, qoftë edhe delikat ai krahasim. E ç’ta diskutoj tani. Kështu deshe ti, krijuesi im, le të mbetet kështu: Jam pra, shoferi kokorrith me prenka, shoferi i furgonit të kuq të mishit me targë TR 17 55 ose shkurt jam Targa TR 1755.
Ka qenë një qëllim parësor ky i laborantëve të rregjimit tashmë të urryer dhe të diskredituar. Ashtu i donin njerëzit: thjeshtë një numër, një targë. Një masë gri pa jetë, amorfe, me një veti plastike të mirfilltë. Të gjithë të barabartë, të barabartë me zero. Të falenderoj për këtë, krijuesi im. Nuk ishte shaka të më krijoje si personazh. Të më jepje frymë. Veçse kam pasur dhe kam rezerva për këtë dhe këto, për të treguar sa larg realitetit dhe sa dashakeq ke qenë. Pse mos të them falsifikator i sofistikuar, ndonëse profesionalisht lartë në krijimin e figures time. Ti nuk zhvillove atëherë veç një nga ato shabllonet e gatëshme që i pëlqenin aq shumë Enverit “të madh”, rrugën e të cilit s’pate thellësinë e mjaftueshme të mendimit për ta gjykuar kur duhej. S’pate (s’mund të jeshë gjeni atëhere) ose s’ munde, (si një oborrtar meskin) që në subkoshiencën e vet përsërit orë e pa orë: Bukën tonë të përditëshme falna o Zot, amin!
Krijuesi im, Kadare! (S’mund të të quaj si Pinoku: Baba Karlo, Baba Kadare)
Është e vërtetë që më bëre shofer. Është e vërtetë që më bashkëngjite dhe një targë. Por s’është e vërtetë që unë mbartja në atë kohë tërë ditën mishin aq të kërkuar. Ky do të ishte një privilegj tepër përkëdhelës për çdo shofer, aq më tepër për mua, të deklasuarin, një privilegj ireal. Po edhe për ty do të ishte një zbutje e luftës së klasave. Dhe këtu historia do të dënojë si fallsifikator.
Unë mund të mbartja çdo gjë tjetër, ashtu siç kam mbartur: dru, plehra, katran, përsëri plehra, (edhe fekale posi), por kurrsesi mish, në asnjë mënyrë mish, në një kohë pa mish. Ky ka qenë një truk me qëllime të mbrapshta që s’i përgjigjej realitetit. Ky veprim nuk inkuadrohet as në atë që në letërsi ose në të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë mendore quhet skematizëm. Aspak jo. Është pjesë e asaj strategjie tepër të sofistikuar gënjeshtare dhe të mbrapsht që u luajt në kurrizin e këtij populli vite e vite me rradhë. Ishte një piramidë e tërë diktatura, me mekanizmat e saj, me strategjinë e saj. S’kam dyshim, se në këtë mekanizëm e në këtë strategji, pozicion të padiskutueshëm ke pasur edhe ti, krijuesi im, shpikësi im, Ismail Kadare. Ky është problemi më i rëndesishëm i një kombi. Ka të bëj me ushqimin e tij shprtëror.

Kanë kaluar kaq vite, tashmë. Vendi nuk eci në rrugën “e ndritur” nëpër të cilën donit ta drejtonit ju, krijuesi im. Kjo u vërtetua katërcipërisht. Asnjë parashikim i yti nuk doli. (Paradoksale për një gjeni)
Më kishe stisur mendime të mbrapshta në kokë. Më kishe mbruajtur me urrejtjen më të skajshme. Humanizmin tim e ktheve në një tymnajë fantazmash hamletjane. Kur i rilexoj ato faqe të librit tënd që më takojnë mua, më rrenqethet edhe tani mishtë. Një shpirt fisnik ti e paraqet kanibal. Rri e mendoj. Përpunoj në mëndje teorinë tënde të zvarritjes… Dhe si besimtar, s’kam dashur kurrë të merrem me problemet e drejtësisë, por gjithsesi një pyetje më ka gërryer tërë këto vite ndërgjegjen: Interpretimi i kësaj teorie si tradhëti e lartë ndaj atdheu, a do të mund të realizohej ndonjë herë?…
Injektove në trurin tim me dhunë profesionale e intelektuale prej fanatiku të sëmurë idenë e zvarritjes. Të gjatë, të lodhëshme, totale. Zvarritje të trupave të Komitetit Qëndror. Zvarritje të funksionarëve shtetërorë dhe partiakë. Të shkrimtarëve dhe artistëve kolaboracionistë të pushtetit popullor, pra edhe zvarritjen tënde. Për të qeshur…
Më tej akoma. Zvarritje të aktivistëve të organizatave të masave, të Frontit, të Gruas, të Rinisë. Pambarim. Skena makabre. Nxjerrje kockash nga varret e dëshmorëve (o Zot!) si në mesjetë. E dyshimtë është ta kenë bërë turqit te varri i Skënderbeut. Gojëdhëna…Hajmajli…Kombinime trupash të vrarë lidhur me kockat. Përralla arabo-aziatike. Rrëzime monumentesh dhe zvarritje bronxi. Krahë të këputur, mish, gjak, kocka e bronx sëbashku etj, etj, etj…
Nuk mund të vazhdojë më tej veçse duke klithur një ndal!
Përse më bëre aq cinik e të verbër? Përse më polarizove në skaj? Cilës teori i shërbente kjo? Cilave forca? Të bardhëve apo të kuqëve? Vëllezërve apo armiqëve?
Është e qartë tashmë. Nëse do të mund të bëja një akuzë, ajo do të ndiqej nga një materjal pafund. Vetëm miopët, puthadorët dhe akrobatët mund të të besojnë akoma. Mjaftë më me “e lagu, s’e lagu”. Çdo njeri në tërë spektrin e shoqërisë shqiptare të asaj kohe të zezë, që kishte një thërmizë pushteti, ndoshta edhe fëmijë, kur lexonte ato rreshtat e tua, nxirrte vetëm dhe vetëm një përfundim: T’u biem atyre, t’u marrim frymën, t’i luftojmë gjer në fund, sepse sikur edhe pak të ngrenë kokën, ja çdo të na bëjnë: Zvarrë do të na heqin, gjysëm të gjallë rrugëve… Dhe pasojat dihen. Arrest. Hetuesi. Dhjetë vjet burgim të rëndë nëpër galeri minierash. Dhjetë të tjera shtesë në revoltën e Spaçit e do t’më kishte zënë vdekja brenda, po të mos kishin fryrë erërat e lirisë… A nuk ishte ky një fabrikim dhe nxitje e hakmarrjes së njërës palë të popullit kundër tjetrës, ushqim i asaj motoje të zakonshme të një diktature: përça e sundo?!…Sigurisht, sigurisht…
Pra, në atë errësirë të thellë, më shumë se një qiri i ndezur, ke qenë një buri gjahëtarësh shtrigash, një penë e fortë pas të pagabueshmit Zeus, prandaj dhe dyshimi im me akuzën e madhe duhet të ishte plotësisht i përligjur. Ndaj rruga për Stokholm s’ka si të mos kalojë nga Haga, krijuesi im. S’ka sesi, më beso. E pastaj duhet të vinte natyrshëm dhe Helsinki, traktati, normalisht…
Sa ngjarje të madhërishme kaluam në fundshekullin e shkuar! S’më shqitet nga mëndja heqja zvarrë e monumentit të diktatorit. Dhe të betohem, s’e kisha menduar kurrë kaq shpejt. Por të jesh i sigurtë, krijuesi im i paharruar, se ajo qe zvarritja e vetme që bëri ky popull, ku s’kish sesi të mos mirrja pjesë dhe unë, biri i atij “kolaboracionisti” të pushkatuar në rrethinat e Tiranës që as varrin nuk ia mësova për pesëdhjet vjet. Asgjë më shumë, i dashur. As gjak, as kocka, as plumba, as, as…Madje, as muzikë imponuese me violinçel nga Marku, në ndonjë nga udhëkryqet e Tiranës, siç parashikoje ti. Ishte pjesa fisnike e një populli, natyrisht. Lulet e bardha të shpirtit të tij i kanë kaluar të gjitha stinët pa ndryshuar ngjyrë. Kurrë. Duhet të qëndroje midis tij për t’i njohur ato lule. Atëhere po. Do t’i kishe njohur si duhet edhe proceset historike, edhe shpirtin e popullit tënd. Larg, larg, im Zot, nga komercializmi për të jetuar.
E që këtu, më del akoma më në dritë aftësia jote në inskenimin e trukeve, aftësi që sado pak do ta ketë mbushur ndërgjegjen me danga (Ç’më kujtojnë Migjenin këto danga!) Dhe ndoshta është pikërisht kjo arsyeja e vërtetë që të bëri të mirrje arratinë, sepse gjemia kish nisur të mbytej tashme.
Por koha është gjykatësi më i drejtë dhe melhemi më shëronjës. Shpesh jemi ndodhur kohët e fundit vetëm pak kilometra larg: Ti në vilën në Golem , unë në kabinën prej druri të kalbur në Plazh. Kam dashur shumë herë të të takoj. Ndoshta vetëm për vetëm do t’më kishe kërkuar të falur. Ndoshta do të më kish mjaftuar ajo fjalë, për ta shuar luftën, por ndoshta dhe jo. Ndaj preferova të mos ta prish këtë paqe të vogël që m’u krijua në fund të jetës. Një gjë është e vërtetë. Targa jote TR 17 55 vazhdon të qëndrojë midis njerezve të thjeshtë. Sigurisht nuk mbart më fekale në këtë moshë të thyer, por mundohet ta ushqej shpirtin me paqe. Edhe kjo letër besoj se i shërben paqes dhe prosperitetit të vendit tim. Po nuk ditëm se nga erdhëm nuk do të dimë kurrë se nga të shkojmë dhe si.
Shpesh e më shpesh rri e mendoj për romanin tënd tejet të njohur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”dhe mendja më shkon në një ëndërr që nuk m’u nda kurrë: A do të mundem, vallë, të të përgjigjem ty, shkrimtarit aq të shquar, krijuesit tim, me një antiroman: “Ushtria e gjallë e gjeneralit të vdekur”? Zoti më ndihmoftë ta bëj! E në s’e bëfsha, do të ketë të tjerë pas meje.

Targa TR 17 55

 

Periudhat e luftës kundër kulakëve,,(Akoma vazhdon ).Nga Xhafer Sadiku;

Xhafer Sadiku

 

Periudhat e luftës kundër kulakëve

Lufta kundër familjeve të cilësuara kulakë, që u zbatua me ashpërsi gjatë sundimit komunist, u bë më e specializuar me kalimin e viteve dhe ndryshimin e brezave. Por megjithë ndryshimet e mënyrave dhe mjeteve të përdorura, objektivi i regjimit mbeti i njëjtë: eliminimi i tyre dhe brezave që do të vinin t’u merrej dinjiteti, që të mos kishin influencë në popull.

• Periudha e parë, 1949-1967

Gjatë asaj periudhe u përdor terrori masiv: tatimet e jashtëzakonshme, dënimet e ashpra dhe ekzekutimet me varje në litar. Këto ishin në kundërshtim edhe me vetë ligjet e regjimit, pa folur këtu për zbatim procedure.
Kështu, në dhjetor 1949, në Vlorë dhe Fier u zhvilluan procese gjyqësore ku u dënuan 44 fshatarë, nga të cilët 13 me vdekje. Gupi i parë i të dënuarëve ishte ai i Dukatit, ku u dënuan 15 vetë, midis të cilëve Jazo Adem Jazaj, Haxhi Hasko, Sinan Ali Hamiti, Mete Ali Myftari e Beqir Jazo.
Në vitin 1950, në Korçë u dënuan 50 burra të cilësuar kulakë, në Burrel u dënuan 17, në Nartë të Vlorës u dënuan 24 të cilësuar kulakë dhe tregëtarët. Dënimet masive përfshinë të gjitha rrethet.
Prokurorët u urdhëruan “… të jenë më të mprehtë në diferencimin e kulakut”. Në konferencën e gjyqtarëve që u mbajt në korrik të atij viti, ministri i Drejtësisë u kujtoi gjyqtarëve dhe prokurorëve se:
“… gjykatat dhe prokuroria janë leva të partisë sonë dhe drejtësia është një armë e fuqishme e popullit tonë, është arma e diktaturës së demokracisë popullore për ruajtjen dhe për forcimin e fitoreve të arritura”. -Kjo porosi është një urdhër, -theksonte ministri, dhe “urdhëri duhet të zbatohet pikë për pikë”.
Ministri i Drejtësisë u komunikoi gjyqtarëve dhe prokurorëve direktivën e Partisë, që përbënte parimin bazë të politikës penale:
”… vetëm anëtarët e Partisë dhe ata që janë të lidhur me Partinë kanë një ideal që ushqehet me ndjenjat e larta të humanizmit, të dashurisë dhe të vëllazërimit”.
Zbatimi i një politike të tillë penale solli si rezultat, që, vetëm në vitin 1950-51 u dënuan 611 fshatarë të cilësuar kulakë, ku numri më i madh ishte në rrethet Lushnje, Fier, Krujë, Shkodër, Sarandë, Vlorë dhe Peshkopi. Rezultati ishte akoma më tragjik për fshatarësinë e varfër: vetëm në vitin 1951, u dënuan 6027 vetë.
Në këtë periudhë, vlen të përmenden dënimi me vdekje në rrethin e Lushnjës, i Fuat Kurtit, Veiz Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Hamdi Sefës, Mitro Vulos, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës. Të njëjtin fat pësuan edhe Abdyl Kalaja dhe Fuat Kulla, të dënuar në Zëmblak të Korçës. Po të studjohen dosjet gjyqësore, rezultojnë se gjyqet ishin të tëra farsë, dënime të përcaktuara nga Partia, të realizuara nga Sigurimi dhe të “legalizuara” nga gjykatat.
• Periudha e dytë, 1967-1980

Përfshin vitet 1967-1980. Gjatë kësaj periudhe, lufta u përqëndrua kundër brezit të dytë të familjeve të cilësuara kulake dhe kulmon me gjyqet politike, që kanë hyrë në analet e historisë si gjyqi kundër kulakëve të Fierit, Lushnjes e Vlorës, gjyqi i Skraparit, ai i Lezhës, i Beratit, i Librazhdit, etj. Në procesin farsë të Vlorës u dënuan me vdekje: Skënder Ali Mustafaraj, Luan Teki Mersini, Mehmet Qani Bregu, Xhemil Faik Margaritari, Sezai Çeloaliaj dhe Arif Azizi, nga Dibra.
Në gjyqin e Skraparit, u dënuan rreth 30 vetë, ku më rëndë u dënua Hasan Kapllani e Jaçe Kapllani, të dy vdiqën në burg. Të tjerët u dënuan me burg të rëndë. Në gjyqin farsë të Librazhdit, u dënuan me vdekje Vilson Blloshmi e Genc Leka.

Gjatë kësaj periudhe, regjimi i ndau kulakët në tre kategori:
• Kulakë që regjimi i quante të pandreqshëm, armiq të betuar të pushtetit popullor. Këtu përfshiheshin familjet e bajraktarëve, të familjeve kulake që kishin të dënuar politikë.
• Kulakë në kategorinë ndërmjetëse, që me masat e intensifikimit të luftës kundra tyre do të diferencoheshin duke kaluar sipas qëndrimit të tyre, në kategorinë e parë ose të tretë. Në këtë kategori përfshiheshin familjet që nuk ishin dënuar nga gjykatat.
• Kulakë që ishin futur në rrugën e ndreqjes, që regjimi i identifikonte me qëndrim indiferent.
Për luftën kundër tyre, theksohej:
• Vazhdimi i izolimi politik;
• Dekompozimi i familjeve partiarkale;
• Vazhdimi i luftës së klasave kundër tyre
• Të hiqeshin nga qytetet dhe të dërgoheshin në fshat; ata që kundërshtonin, të dëboheshin e të internoheshin.
• Të caktoheshin në skuadra ku punonin komunistë ose njerëz me përbërje të mirë politike, ndërsa familjarët e tyre t’u caktohej punë e veçuar.
• T’u bëhej publikisht biografia.
Gjatë kësaj periudhe u dëbuan për në fshatrat e tyre, familjet që ishin vendosur në qytete.

• Periudha e tretë, 1980-1990.

Gjatë kësaj periudhe, lufta e regjimit u përqëndrua tek brezi i tretë i familjeve kulake. Ndonëse numri i të dënuarëve politikë u ul, regjimi shtoi kontrollin nëpërmjet vijës së masave dhe rriti numrin e bashkëpunëtorëve të sigurimit. Në këtë dhjetvjecar, Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit përdorën me efikasitet të plotë shpifjen, për t’u marrë nëpër këmbë dinjitetin dhe hequr influencën, që falë punës dhe sjelljeve kishin në popull. Për t’i bërë të besueshme shpifjet, kishin fabrikuar shprehjen: “se ku ka zë, s’është pa gjë”, që padrejtësisht i jepnin autorësi popullin. Stimulohej dërgimi I letrave anonime, të cilat “… kur verifikoheshin në popull nuk qëndronin”. Letrat plot shpifje shkruheshin në emër të të njerzve të vdekur.
Të gjithë familjarët e cilësuar kulake dhe të burgosurit politike e familjarët e tyre ishin te listuar si kontigjente armike nga Sigurimi i Shtetit.

Grusht Ilir Rusmalit, arrestohet i perndjekuri.I ndjeri Lirak Bejko;

Grusht Ilir Rusmalit, arrestohet i perndjekuri

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe deputeti i PD-së, Ilir Rusmali është goditur me grushte ditën e djeshme vetëm pak metra larg Parlamentit nga një ish-i përndjekur politik.

Ata ndodheshin përpara selilës së ish- të përndjekurve politikë ku kishin zhvilluar ceremoninë mortore të një shokut të tyre, i cili kishte vdekur dhe trupi kishte qëndruar rreth 20 ditë në morg pasi shteti nuk e varroste. Njeriu që ka goditur Rusmalin me grusht është Lirak Bejko, i cili është arrestuar nga policia. Ndërkohë miku i tij, edhe ai i përndjekur politik, Gjergj Ndreca është shoqëruar në komisariat me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë.

Grusht Ilir Rusmalit, arrestohet i perndjekuri

Incidenti

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali u godit me grusht nga një ish i përndjekur gjatë ndërprerjes së seancës plenare. Teksa po kthehej me kolegun e tij Fatos Hoxha nga një kafe, Rusmali është gjendur përpara të përndjekurve. Ngjarja ndodhi në rrugën mes godinës së ish të përndjekurve dhe godinës së Parlamentit. Një nga të përndjekurit u shkëput nga turma dhe me vrap shkoi tek dy deputetët demokratë. Ai zgjodhi të godasë Ilir Rusmalin dhe jo deputetin Fatos Hoxha. Sipas hetuesve, Rusmali është zgjedhur nga i përndjekuri edhe për faktin se i ati Çajup Rusmali ka qenë anëtarë i strukturave kryesore të PPSH-së në kohën e komunizmit. Goditja e gjeti të papërgatitur deputeti Rusmali. Por dhuna mund të kishte qenë edhe më e madhe nëse nuk do të kishin ndërhyrë forcat e policisë, të cilat ndodheshin aty. Kryetari i Komisionit të Ligjeve nuk preferuar të flasë pas rrahjes, po ka kërkuar që ta kalojë në heshtje. Madje ai është kthyer në seancën plenare duke mos e komentuar ngjarjen. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kolegu i tij, Fatos Hoxha. Në fund të seancës ngjarja është mësuar nga policia dhe më pas nga deputetët demokratë.

Policia

Policia ka arrestuar dje dy ish- të përndjekurit politik të dyshuar si autorë për goditjen e deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Rusmali. Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca, të dy ish- të përndjekur politikë, u arrestuan nga zyra e hetimit të krimeve e komisariatit nr.1, me akuzën e goditjes dhe fyerjes së personaliteteve të larta shtetërore. Të dy personat u dërguan në ambientet e komisariatit nr.1, ku fillimisht u morën në pyetje nga hetuesit. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë shpjegime, apo sqarime se përse ata kishin goditur Rusmalin me grushte. Sipas hetuesve dyshimet e tyre, mbi incidentin dhe agresionin e dy ish- të përndjekurve qëndron në faktin se ata vazhdimisht kanë shprehur papajtueshmërinë e tyre me shpërblimet e papërfituara nga qeveria, për vitet e vuajtura në burg gjatë periudhës së komunizmit. Hetuesit thanë për “Shekullin” se gjatë marrjes së dy personave në pyetje ata nuk kanë nxjerrë ndonjë pretendim apo shkak. Pas marrjes së tyre në pyetje, specialistët e zyrës së hetimit dhe parandalimit të krimit në komisariatin nr.1, iu komunikuan dy të ndaluarve e goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës, e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Bejko: Përse godita Ilir Rusmalin

Të përndjekurit ishin mbledhur përpara selisë së shoqatës së tyre, e cila ndodhet vetëm pak metra larg Parlamentit për të zhvilluar ceremoninë mortore të Grigor Zaharisë, një ish i përndjekur, i cili prej 20 ditësh kishte mbetur në Morgun e Tiranës pasi nuk kishte të afërm për ta varrosur. Ai vetë nuk kishte lënë para dhe për këtë arsye trupi kishte mbetur në dorë të shtetit. Arkivoli me trupin e Zaharisë ishte vendosur në oborrin pranë selisë së shoqatës dhe vetë të përndjekurit kryen një protestë të vogël ku shprehën indinjatën për shtetin që nuk u kujdes për varrimin e Zaharisë. Vetë Lirak Bejko ka thënë në polici pas ngjarjes se ka goditur Rusmalin për shkak të neglizhencës së shtetit ndaj të përndjekurve. “Shoku ynë kishte 20 ditë në morg. Ne nuk kishim me çfarë a varrosnim. Ai vetë nuk kishte lënë lek që të varrosej dhe ishte në atë gjendje në një kohë kur qeveria duhet ti kishte dhënë dëmshpërblimin për ditët e kaluara në burg”,- u ka thënë hetuesve Lirak Bejko.

Kush është i përndjekuri Gjergj Ndreca

“Një vend ku fitojnë e janë ende në pushtet ata që na vranë e persektuan. Një vend ku ndihesh i huaj, pasi fitojnë vetëm hajdutët, … Nëse Baroso do të na kishte takuar në Qafë të Barit dhe do të shihte se si njerëzit që na thyen kurrizin dikur e na torturuan janë ulur sot në poltrone të larta të vendit si do të ndihej vallë?”, shprehej afro një vit më parë ish-i burgosuri politik dhe sekretari i përgjithshëm i Shoqatës për Rehabilitim, Drejtësi dhe Dinjitet, Gjergj Ndreca. Ndreca personalisht kishte kohë që “godiste” edhe me mënyra të tjera rebeluese; me akuza dhe pakënaqësi në shtyp, duke kërcënuar dhe bërë përpjekje organizative për grevë urie deri në Bruksel, e duke hyrë edhe i vetëm fare në një grevë urie tre muaj pas kësaj tek oborri i Selisë së Ish-të Përndjekurve Politikë në Tiranë. E duke e bërë atë që ndodhi dje në parlament gati një incident të paralajmëruar. Jo vetëm mllef i grumbulluar në dekada komunizëm e burgosje e tortura, por i amplifikuar keqaz sidomos dy vitet e fundit 2010-2011.

Mllefi i amplifikuar në 2010- 2011

Në fund të vitit 2010 ishte pikërisht Gjergj Ndreca, nismëtari kryesor dhe më aktiv, që ideonte, një grevë urie në Bruksel, duke pasur postin e sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës për Rehabilitim, Drejtësi dhe Dinjitet. Bashkë me Xhafer Agaraj, kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Fatmir Lamajn dhe Bedri Blloshmin, vëllai i poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi, zunë faqen e parë të gazetës ‘Shekulli’ në ditët e para të dhjetorit 2010. Duke renditur një mal me pakënqësi si ekonomike, ashtu edhe të të tjera aspekteve të trajtimit të tyre, pasi ndjehen ‘tashmë në një tjetër komunizëm’.

“Edhe po na rrahën, neve na kanë rrahur komunistët në Qafë të Barit, Spaç, Burrel. Na e kanë thyer kurrizin, kështu që nuk kemi frikë. Jemi të frymëzuar që të çojmë në vend amanetin e bashkëvuajtesve tanë”, mbështeste ish-i përndjekuri politik, anëtar tjetër i shoqatës, Fatmir Lamaj.

Por ka dhe një këndvështrim tjetër, ai familjar. ‘Shumë i drejtë dhe kokëkrisur. Do më hapë probleme ky. S’mendon për fëmijët”, do të rrëfente herë pas here shqetësimin për Gjergjin, Merita, bashkëshortja e tij, nëna e katër fëmijëve, që këto ditë sheh nga ekrani të tjera pranga për bashkëshortin e saj.

I vetëm në një grevë urie

U fut edhe i vetëm në një grevë urie. ‘Më i papërmbajturi’, ‘më i drejti’, siç e quajnë shpesh dhe bashkëvuajtësit e tjerë mori një ditë prilli të vitit që shkoi një krevat, dyshek e jorgan dhe ashtu i çartur në idetë e veta u fut në një grevë urie, duke qëndruar ditë-natë në oborrin e Selisë së ish-të persekutuarve, i vizituar nga miqtë e tij që e përkrahën me fjalë, por jo duke bërë të njëjtin akt. Përpiloi një listë me kërkesa ndaj qeverisë, ndër të cilat kryesore ishte kompensimi i të përndjekurve politikë sipas ligjit.

Emri i Rusmalit, i paralajmëruar

Gjergji dhe krerët e tjerë të kryesisë kishin shpesh në gojë emra ‘pinjollësh të komunizmit’, siç i quanin ata. Një nga të cilët edhe Ilir Rusmali. Ja se si shprehet në një intervistë të asaj periudhe Bedri Blloshmi, tjetër anëtar i kryesisë së Shoqatës për Rehabilitim, Drejtësi dhe Dinjitet: “Me ligjin e ri dhe të turpshëm që nxori Ilir Rusmali, djali i sekretarit të I-rë të rrethit të Elbasanit, Çajup Rusmali, na zbritet vlera e letrave me vlerë dhe vlera e shtëpisë. Ndërkohë që ende nuk është shfuqizuar ligji i mëparshëm, ai që na i ka dhënë shtëpitë falas, unë ndërkohë jam duke paguar shtëpinë, që dikur ma dhanë falas. Zëre se jam me qira

Diktatura komuniste përbën faqet e zeza të historisë sonë kombëtare .Komunistet vrane edhe firmetaret e Pavarsise .Nga Nebil Çika:

 

Nebil Cika

Nga Nebil Çika

Diktatura komuniste përbën faqet e zeza të historisë sonë kombëtare dhe fatkeqësisht përbën gjysmën e periudhës, njëherazi edhe të librit të kësaj historie. Është e qartë gjëma që shqiptarët pësuan në diktaturën e E. Hoxhës dhe R. Alisë, por unë dua të përqendrohem kryesisht te një aspekt i saj shumë i rëndësishëm për të kuptuar e përcaktuar jo vetëm historikisht natyrën antikombëtare të kësaj diktature kriminale dhe autorëve të saj, zgjatimet e së cilës vazhdojnë të jenë dominuese në të gjitha aspektet e jetës edhe sot, 20 vjet pas rënies de jure të saj. E kam fjalën për qëndrimin jo vetëm historik që diktatura demonstroi ndaj patriotëve shqiptarë e veçanërisht shumicës së firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë dhe familjeve të tyre, gjë që duket se po anashkalohet jo pa qëllim në këto kremtime të bujshme të 100-vjetorit të saj.

Duke filluar nga Ismail bej Vlora (Qemali), për të vazhduar me shumicën e tyre, firmëtarët e Pavarësisë dhe familjet e tyre u shënuan në krye të listave të armiqve të diktaturës komuniste, gjë që u shoqërua me persekutimin çnjerëzor. Kështu, familja e “babait” të Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemalit, u persekutua politikisht. Djali i tij, Qamil Vlora, një ushtarak i nderuar i ushtrisë kombëtare, u arrestua dhe u dënua që në vitin 1945 si sabotator në ushtri, ndërkohë që të gjithë pasardhësit u trajtuan si armiq dhe u ndëshkuan politikisht me forma nga më të ndryshmet. Djali i Isa Boletinit u vra nga komunistët në një atentat në Shkodër që në vitin 1943 dhe u trajtua si armik gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ndërkohë që vrasësi i tij, ish-kreu komunist Vasil Shanto, u shpall Hero i Popullit, titull që e mban me nderime zyrtare edhe sot. Një shkollë e njohur në Tiranë dhe disa rrugë në të gjithë vendin mbajnë ende emrin e tij. Bedri Pejani u arrestua nga komunistët shqiptarë dhe iu dorëzua atyre jugosllavë, ku dha shpirt nga torturat në burgun e Prizrenit. Dhjetëra patriotë të tjerë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi pësuan të njëjtin fat.

Lef Nosi, një tjetër firmëtar i njohur, u dënua me pushkatim, familja e tij u persekutua në mënyrë sistematike, ndërkohë që varri i tij ende nuk dihet. Ndaj Iliaz bej Vrionit, i cili kishte ndërruar jetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, u ndërmor një nga aktet më të turpshme në historinë e njerëzimit. Varri i tij në Berat u shkatërrua nga komunistët dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Osum, për të humbur kështu pa nam e nishan. Familja e tij u persekutua deri në ditët e fundit të regjimit komunist.

Ferit Vokopola, një tjetër firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, u dënua dhe vdiq nga torturat në burg, familja e tij gjithashtu vuajti kalvarin e gjatë të persekutimit gjysmëshekullor. Familja e Hajredin Cakranit ishte një nga familjet që pësoi ndëshkime nga pushkatimi deri të burgosjet e internimet e gjata në disa breza. Edhe familja e Mustafa Merikës (Kruja) për disa breza e kaloi jetën në burgje e internime, ndërkohë që vetë Kruja u shpall kriminel lufte dhe jetoi gjithë jetën në ekzil politik. Mithad bej Frashëri, djali i Abdyl Frashrit, nipi i Samiut dhe Naimit, një prej personaliteteve më të spikatura patriotike jo vetëm të pavarësisë, kryetar i Kongresit të Manastirit, u shpall armik dhe kriminel lufte dhe vdiq në rrethana të dyshimta në SHBA. Të njëjtin fat pati edhe Rexhep Mitrovica, i cili vdiq ne ekzil në Turqi. Shefqet Dajiu, firmëtari nga Elbasani, u arrestua nga komunistët dhe u burgos. Vdiq n burg nga torturat në vitin 1946. Familja e Xhelal Koprencekës ishte gjithashtu një prej më të përndjekurave të regjimit komunist. Nipi i tij, Xhelal Koprencka (i riu), u burgos dhe më vonë u pushkatua.

Në prill 1946 komunistët arrestuan Qazim Kokoshin, i cili qe kthyer nga internimi i nazistëve vetëm disa muaj më parë, në vitin 1945. I burgosur në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat çnjerëzore, ndërsa familja e tij u shpall armike dhe u persekutua me egërsi deri në vitin 1990. Në vitin 1951 u arrestua nga komunistët një tjetër firmëtar, Zihni Kanina ( Hamzaraj ), i cili vdiq po nga torturat në burgun famëkeq të Tiranës.

Po kështu edhe familja e Qemal bej Karaosmanit, e dom Nikollë Kaçorrit, Toptanët, Gurakuqët, por edhe shumë familje të tjera u persekutuan dhe u trajtuan si armiq gjatë gjithë kohës së komunizmit. Dua t’u kërkoj falje lexuesve dhe atyre familjarëve të firmatarëve dhe pjesëtarëve të tjerë në kuvendin e Vlorës të persekutuar nga komunizmi që nuk u përmenda emrin, që besoj se janë më shumë prej tyre, por besoj se ata që përmenda janë të mjaftueshëm për të kuptuar atë që komunistët i bën kësaj ajke të racës shqiptare.

Shpella e Ujqërve.!!!Nga Mimoza Leskaj..

Poezi nga Mimoza Leskaj

 

Mimoza Leskaj

Poezi nga Mimoza Leskaj

 

 

Shpella e Ujqërve.!!!

 

Në shpellën e ujqërve kish rënë qetësi

dhe dukej sikur, nuk kishin uri. Të çmendur shikonin njëri-tjetrin

zgjuar ishin në shpellën e fjetur.

 

Morën malet me angullimë

sa i gjithë mali ja dha me oshëtimë.

Vraponin të çmendur pa ditur se ku

në borën e bardhë dhe qiellin blu.

U turrën ngado dhe bënë kërdinë

aty ku nuk duhej e shuan urinë.

Njerëzia e trembur u mbyll nën çati

e s’ menduan për të tyren uri.

 

Ngadalë dhe e lodhur nata ra

askush si trembi e gjë s’ ju tha.

Hëngrën, prishën, ç’ deshën bënë

qylafin në kokè vetes u kishin vënë.

 

 

Këtë e pëlqejnë %d blogues: