Bashkia pretendon se gjatë protestës ka numëruar edhe numrat e personave që kanë urinuar, sipas të cilës, ata kanë qenë 85 vetë.

 Inspektori i Policisë Bashkiake, Besmir Karaj rrëfen të gjithë historinë e falsifikimit të firmës së tij në gjobën 163 milionë lekëshe të Bashkisë ndaj Partisë Demokratike. Besmir Karaj qëndroi më shumë se dy orë në prokurorinë e Tiranës ku denoncoi falsifikimin e firmës së tij në gjobën që Bashkia e Tiranës i vuri PD-së për protestën e të martës. Ai e ka bërë kallëzimin gojarisht para një oficeri të policisë gjyqësore. Sapo është njohur me gjobën ai është interesuar menjëherë në Bashki. Kur ka pyetur se përse ishte vënë firma e tij në fletën e gjobës, eprorët i kanë thënë: E bëmë për shoë mediatik. “Më thanë se gjobën e vunë për shoë mediatik. Blloku i gjobave m’u kërkua nga eprori im. Më pas atë e mori shefja e kabinetit”, ka rrëfyer ai në prokurori. Plani për të bërë zhurmë ka qenë jo pak i menduar nga vartësit e Erion Veliajt. Gjoba e bashkisë është 163 milionë lekë. Por shuma e saktë nuk është ajo. Nëse mblidhen të gjitha vlerat e gjobave, ato arrijnë në 193 milionë lekë. Bashkia pretendon se gjatë protestës ka numëruar edhe numrat e personave që kanë urinuar, sipas të cilës, ata kanë qenë 85 vetë. Ajo pretendon gjithashtu se ka peshuar edhe mbetjet urbane të lëna nga protestuesit, që rezultojnë në disa tonë.

– Si ndodhi ngjarja?
Unë, më datë 8 dhjetor kam marrë shërbimin në ora 15:00 deri në orën 23:00. Jam paraqitur si çdo ditë në vendin e punës.

– Çfarë pune të ngarkuan atë ditë?
Atë ditë kam qenë inspektor i gatshëm për kontrollin e territorit të Bashkisë.

– Çfarë parashikonte kjo detyrë?
Duhet të konstatoja tregtimet e paligjshme ambulante dhe çdo shkelje tjetër.

– A kishte lidhje detyra jote me protestën?
Jo.

– A u është kërkuar nga eprori që të evidentoheshin dëme apo probleme të tjera që ka sjellë protesta e PD-së?
Jo, nuk më është kërkuar asnjë detyrë e tillë.

– Ku keni lëvizuar atë ditë gjatë kohës që ishit në detyrë?
Atë ditë kemi qenë në lëvizje në aksin e Rrugës së Elbasanit në drejtim të Brrylit, deri përballë Maternitetit të Ri. Aty kemi marrë disa masa me gjoba. Në shërbim kam qenë së bashku me tre policë të tjerë, si dhe shoferin.

– Bllokun e gjobave e mbanit ju?
Po, në dosjen time ka qenë blloku i gjobave.

– Për çfarë keni vendosur gjoba atë ditë?
Kemi vendosur gjoba kryesisht për ndotjen e rrugës nga betonieret.

– Deri në çfarë ore keni qenë në terren?
Kam qenë në terren deri në orën 23:00.

– Si qëndron historia e gjobës që figuron në bllokun tuaj ndaj PD-së në vlerën 163 milionë lekë?
E para dua të sqaroj se Policia Bashkiake ka të drejtë ligjore të vendosë gjobë nga 500 lekë deri në 50 mijë lekë. Rreth orës 18:00 më është kërkuar përmes telefonit blloku i gjobave nga eprori im E.K. Më është thënë se duhet për një verifikim. Pas kësaj kërkese më ka marrë në telefon kolegu në Policinë Bashkiake M.H., i cili më thotë se duhet ta kontaktoja atë pranë Presidencës. Kjo ka ndodhur rreth 18:30. Me automjetin e Policisë Bashkiake jemi takuar në krah të Presidencës. Ai më thotë se duhet t’i dorëzojë bllokun e gjobave pasi ai do t’ia dorëzonte eprorit, E.K., në zyrat e Bashkisë së Tiranës. Pasi hipëm në mjetin e Policisë Bashkiake e shoqëruam deri në zyrat e Bashkisë. Aty e pyes se për çfarë i duhej blloku i gjobave. M.H., më thotë se më kanë kërkuar që t’ia çoj drejtoreshës së kabinetit të kryetarit të Bashkisë për një verifikim. I dorëzova bllokun e gjobave dhe personi në fjalë ka zbritur nga mjeti dhe ka hyrë në Bashki.

– Cili ishte destinacioni juaj pas kësaj?
Kemi shkuar për një tjetër verifikim tek Njësia Nr. 5. Rreth orës 21:30 kontrolloj telefonin tim celular dhe shoh se në bllokun tim që më ishte marrë ishte vendosur një gjobë ndaj PD-së prej 163 milionë lekësh.

– Çfarë bëtë në atë moment?
Në atë moment u ndjeva i shokuar sepse pashë firmën time të falsifikuar, ndërsa fleta e gjobës ishte tërësisht e pavlefshme. Përmbajtja e saj ishte krejtësisht kaotike dhe me gabime trashanike.

– Si reaguat pasi konstatuat falsifikimin?
Kam marrë menjëherë në telefon drejtorin dhe e kam pyetur se çfarë kishin bërë me bllokun tim të gjobave. Ai më kthen përgjigje dhe më thotë: “Qetësohu”. Është bërë një gabim. Në debat e sipër në gjaknxehtësi i kam thënë se këtë që keni bërë me emrin tim ma keni borxh dhe se do të ndjek rrugën ligjore. Ai më tha se çdo gjë do të zgjidhet. Pas bisedës me drejtorin kam komunikuar me policin, të cilit i dorëzova bllokun e gjobave. E pyeta me tone të forta se çfarë kishte bërë me bllokun e gjobave, se kujt i kishte vendosur gjobë, si dhe kush kishte firmosur në emrin tim? Ai më tha se bllokun tënd e mori shefja e kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, e cila ishte shprehur se e donte për verifikim. I kam kërkuar në telefon kolegut që të më takonte. Jemi takuar në hyrje të pedonales. Rreth orës 22:00 e kam takuar M.H. Ai më tha se më kanë prerë në besë dhe se nuk e dija që po ta plotësonin bllokun e gjobave. Shefja e kabinetit më është drejtuar me emrin tënd, duke menduar se isha unë Besmir Karaj. Asaj i thashë çfarë ke bërë kështu? Ky është një falsifkim sepse ne nuk kemi të drejtë të vendosim gjoba të tilla dhe në këto shifra. Shefja e kabinetit me emrin, Anuela Ristani i ka thënë që të mos preokupohej, pasi kjo do të jetë vetëm për shoë mediatik. Pastaj M.H., ka marrë bllokun e gjobave, duke i thënë se ky është një falsitet i tërë dhe është larguar.

– Në këtë moment jeni takuar me kolegun?
Po rreth orës 22:00 jemi takuar në hyrje të pedonales me M.H., i cili më ka dhënë bllokun e gjobave bashkë me gjobën 163 milionë lekëshe të PD-së dhe me firmën time të falsifikuar. Kur mora bllokun, i vendosa menjëherë një kryq të madh gjobës që i ishte vënë PD-së në emrin tim dhe kam shkruar aty, se kjo gjobë është anuluar dhe kam vendosur edhe firmën time origjinale aty, gjë e cila mund të shikohet edhe në fletën e gjobës. Aty kam debatuar për rreth një orë me personin në fjalë, duke i thënë se do të përgjigjeni ligjërisht për atë që keni bërë. Rreth orës 23:00 jemi larguar nga pedonalja. Kam vajtur tek drejtoria dhe kam dorëzuar turnin.

“Ekspres.al”

Gazeta Rilindja Demokratike – Online
RILINDJADEMOKRATIKE.COM|DI MONDI
Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s