Rikthimi i heronjve të vërtetë që u sakrifikuan për Shqipërinë Ditën e premte,me date 21 Prill,u bë ceremonia e përurimit të librit me kujtime, “Ismail Golemi”.Nga Marjeta Agalliu;

Marjeta Agalliu

Rikthimi i heronjve të vërtetë që u sakrifikuan për Shqipërinë Ditën e premte,me date 21 Prill,u bë ceremonia e përurimit të librit me kujtime, “Ismail Golemi”. Ky libër është botuar nga shtëpia botuese “Toena” dhe përmbledh momentet kryesore të jetës së patriotit Ismail Golemi. Në përurimin e këtij libri morën pjesë përfaqësues të kulturës, politikës dhe shtypit shqiptar. Midis tyre ishte edhe Uran Butka, Pjetër Pepa, Luan Skuqi e shumë të tjerë. Ceremonia e përurimit u organizua nga familja e patriotit Golemi, si edhe nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat dhe personalisht nga kreu i kësaj partie, Artur Roshi. Gjatë takimit sollën kujtimet e tyre të luftës disa nga bashkëkohësit, ndërkohë që disa prej të pranishmëve dhanë vlerësimet e tyre pozitive për librin.Në takim foli edhe kreu i Ballit Kombëtar Demokrat Artur Roshi, Uran Butka, Pjetër Pepa etj. Ceremonia e përurimit filloi në orën 18.00 dhe zgjati afro dy orë. Në takim morën pjesë edhe kryetari i Nderit të Partisë Ballit Kombëtar Demokrat, Hysen Selfo. Ky libër mban titullin “Ismail Golemi”, Kujtime dhe ka si autor Bajram Golemin. Enciklopedia e luftës së Dytë Botërore, në jetën e një luftëtari Ky libër përfshin momente të rëndësishme të luftës së II-të Botërore në qarkun e Gjirokastrës. Ngjarjet politike dhe ushtarake janë të lidhura me kujtimet personale të autorit. Këto kujtime, ai nuk i quan histori, por ka bindjen se janë ndihmesë për trajtimin objektiv të historisë. Faktet e përmendura janë nxjerrë nga burime arkivore dhe dëshmitë e njerëzve bashkëkohës. “Kështu do të mund të nxjerrim mësime nga e kaluara, për t’i vënë në shërbim të së ardhmes dhe gjeneratat që vijnë do të përgatiten psikologjikisht dhe moralisht për të ruajtur vlerat e demokracisë”, thotë autori. Nga një vështrim retrospektiv i ngjarjeve historike të asaj periudhe autori nxjerr përfundimin se, Partia Komuniste Shqiptare e shfrytëzoi me dinakëri zjarrin patriotik, që kishin ndezur nacionalistët në zemrat e rinisë dhe të gjithë popullit. Komunistët nxitën një urrejtje të egër kundër nacionalistëve dhe shpërthyen luftën civile, që përbën kulmin e tragjedisë së popullit shqiptar. Ky fakt konfirmohet edhe nga historianët e huaj, Ficher e Jacques që kanë shkruar për historinë e Shqipërisë në ato vite. Ndaj nacionalistëve u kryen akte aq të dhunshme saqë nuk gjejnë krahasim. Ky ishte një realitet i pamëshirshëm. Balli Kombëtar, me shpresën për të ndalur luftën vëllavrasëse organizoi disa takime e kuvende të rëndësishme, por pa rezultat, sepse Partia Komuniste Shqiptare kishte vendosur që të eleminonte çdo formacion politik, që do ta pengonte në objektivin e saj për marrjen e pushtetit. Në këtë libër përmenden me respekt disa figura të dëgjuara të nacionalizmit demokratik shqiptar, që u hodhën në Ballin Kombëtar, jo për fitime personale, por për t’ia kushtuar jetën çështjes së madhe kombëtare. Ismail Golemi është një figurë madhore e nacionalizmit dhe një kundërshtar i paepur i fashizmit dhe komunizmit. Ai i goditi italianët në Mesopotami, Kardhikaq, Mashkullorë, Këlcyrë, Gërhot etj. Priti me luftë kolonat gjermane në fushën e Mashkullorës në Humelisë dhe në Ujë të Ftohtë të Tepelenës. Ai ishte një njohës i mirë i aspiratave të popullit, zotësia dhe zgjuarsia me të cilat i trajtoi situatat kritike të asaj kohe, i dha Ismail Golemit atë popullaritet që gëzon në ditët tona. Ndryshimi i përkohshëm i kursit politik të Ballit Kombëtar u imponua nga fakti se, nacionalistët nuk mund të luftonin në dy fronte. Mirëpo, ndërsa ngjarjet rridhnin me një vrull të paparë, Balli Kombëtar mbeti pa rrugëzgjidhje. Kjo ishte fatale, jo vetëm për nacionalistët, por për të gjithë popullin shqiptar. Tek ky libër, veç të tjerash zgjon shumë interes grupi i fotove, titulluar “Faqe nga historia e ushtrisë Kombëtare Shqiptare”. Ahmet Zogu si president dhe Mbret i Shqipërisë e transformoi ushtrinë brenda një kohe të shkurtër. Ushtri e veshur, e mbathur dhe e ushqyer mirë, ushtri e mësuar dhe disiplinuar, e pajisur me artileri dhe armatime të kohës. Vini re, tek fasada e murit pas fotos “Ismail Golemi me një kurveleshas” ku shkruhet : “Shtëpia e nënoficerëve të artilerisë”. Dhe në kohën e tanishme nuk ekziston për ushtrinë e nevojshme një specifikim i tillë. Janë oficerë të kompletuar, të përgatitur në zjarrin e luftrave patriotike dhe në akademi të rrepta ushtarake prapa një fotoje tjetër shkruhet “matematicihen”…. Dhe z. Njazi Çarçani shpjegon: “Ismaili i bënte kalkulimet për qitje me artileri, pa përdorur librin e llogaritmeve aritmetike”, oficer me uniformë dinjitoze që ngjall respekt për misionin e lartë të ushtarakut. Ismail Golemi për merita të veçanta në shërbimin ushtarak mban dekoratën e lartë “Oficer i madh i Urdhërit Skënderbej”, i dhënë nga Zogu I-rë, ashtu si Preng Previzi, Abaz Kupi e Hysni Dema, të cilët janë oficerë me prejardhje nga fiset e dëgjuara për tradita patriotike dhe të formuar me koncepte moderne të ushtrive perëndimore. Mbreti Zogu I-rë, i formoi një elitë oficerësh me influencë në krahinat e tyre. Të tërheq vëmendjen një foto nga shkolla ushtarake për oficerë. Të gjithë kursantët dhe instruktorët mbajnë qeleshe kosovare. Kosova ishte brenga e tyre. Vlen të theksohet dhe fakti se Ismail Golemi ishte personalitet me karakter të fortë. Ai e ruajti si të shenjtë betimin përpara flamurit duke mos u implikuar në lëvizjet politike të kohës pavarsisht lidhjeve fisnore që ai kishte me protagonistët e tyre. Autori i këtyre kujtimeve, z. Bajram Golemi ka ndriçuar me mjeshtëri dhe me mjaft kulturë atë pjesë të historisë së Shqipërisë mbi të cilën për gjysëm shekulli është hedhur vetëm tym e pluhur nga historiografia e politizuar e periudhës totalitare të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës së Shqipërisë. Historia rivlerëson patriotët që më shumë se çdo gjë deshën Shqipërinë. Për të shkruar këto kujtime e refleksione kam patur gjithmonë një shtytje të fuqishme nga thellësia e shpirtit. Shumë prej këtyre episodeve unë i kam përjetuar edhe më vonë, përmes gjurmimeve e hulumtimeve kam mundur të saktësoj rigorozisht datat dhe ngjarjet historike. Duke qenë kundër çdo zmadhimi e shtrembërimi, herë herë jam detyruar që për disa çështje t’i nënshtrohem dritës së një analize kritike. Personalisht, ndjen dhembje kur mendoj sesa padrejtësisht dhe në ç’mënyrë mizore u shpërblyen sakrificat sublime të atyre burrave që e deshën aq shumë Shqipërinë. Ismail Golemi, miqtë e bashkëluftëtarët e tij i përkisnin asaj plejade të nacionalistëve shqiptarë të cilët pa hezitim mund të konsiderohen vazhdues të denjë të Rilindasve tanë të ndritur. Ata edhe pse e kishin të qartë se ç’përfundim tragjik do të kishte ajo dramë e kobshme që po luanin komunistët, u vetsakrifikuan për çështjen e madhe kombëtare. Këta burra të fjalës e të besës dhanë çdo gjë për Shqipërinë, prandaj brezat që vijnë le t’u jenë mirënjohës për patriotizmin dhe gjakun e tyre të derdhur për liri e demokraci! Historia e Ballit Kombëtar është pjesë e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ajo nuk mund të pasqyrohet me disa pasazhe të përciptë dhe me pasione partiake, siç është vepruar jo pa qëllim nga historiografia e shtetit monist. Para së gjithash kjo kërkon analiza të thella, vërtetësi dhe një paraqitje të plotë të luftës së nacionalistëve shqiptarë kundër pushtuesve, sepse është bërë një falsifikim i paskrupullt i së vërtetës historike. Vetëm në një dokument të Arkivit Qëndror të Shqipërisë, me nr. 101 H, faqja 270/A d 11, përmenden shtatëmbëdhjetë luftime të Ballit Kombëtar kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë të cilat e lartësojnë përpjekjen e popullit tonë për liri përkrah koalicionit të madh antifashist. Nga ana tjetër, sot ekzistojnë dokumente të shumta që konfirmojnë aktet e Partisë Komuniste Shqiptare në dëm të çështjes kombëtare. Vetë Enver Hoxha pa i shkuar ndër mend se një ditë do të kthehej rrota e historisë siç ndodh zakonisht me të gjitha diktaturat, në serinë e “veprave të tij të famshme” ka publikuar me euforinë që e karakterizonte urdhrin për zhdukjen e nacionalistëve të shquar dhe për rrëmbimin me forcën e armëve të pushtetit në qytetet e çliruara nga forcat e Ballit Kombëtar të Gjirokastrës. Historikisht ka shumë rëndësi që të denoncohen shkaktarët e luftës civile në vendin tonë, për të mos u shfaqur më remineshencat rrënqethëse të së kaluarës. Trajtimi me vërtetësi i kësaj periudhe jep mundësi që brezat e ardhshëm të ecin në rrugë të drejtë dhe t’i ndreqin gabimet e së kaluarës. Nacionalistët e kanë vlerësuar Luftën Antifashiste të partizanëve, sakrificat e tyre dhe gjakun e derdhur për çlirimin e Shqipërisë. Është fakt i pamohueshëm se ata dhanë jetën duke qenë të bindur se luftonin për çlirimin e atdheut. Konfirmimi i luftës së Ballit Kombëtar kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe i veprimtarisë antikombëtare të Partisë Komuniste Shqiptare nuk e errëson aspak sakrificën sublime që bëri populli shqiptar për lirinë e pavarësinë e tij. Kjo ekspoze e shkurtër e historisë së Ballit Kombëtar në qarkun e Gjirokastrës mendoj se do të kontribuojë për të paraqitur drejt e me objektivitet atë pjesë të historisë së popullit tonë që përcaktoi fatin e keq të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Së fundmi me këtë botim modest shpresoj të kem plotësuar një detyrim moral ndaj përpjekjeve të babait tim, Ismail Golemit dhe gjithë nacionalistëve të shquar shqiptarë të cilët luftuan e dhanë jetën për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Luftëtari që rroku armën në moshën 17-vjeçare Ismail Golemi është një figurë qëndrore në historinë e re të nacionalizmës shqiptare. Personaliteti i tij ka ngjallur e vazhdon të ngjallë mjaft interes, sepse ai është cilësuar si një politikan i spikatur, pragmatist dhe ushtarak i talentuar. Ai ishte një demokrat i madh. Është vështirë të bësh përgjithësime për një patriot të këtyre dimensioneve. Unë kam dëgjuar mendimet dhe opinionet e shumë gjirokastritëve të njohur dhe si atdhetar e kam jetuar shpirtërisht atë periudhë që tronditi shoqërinë shqiptare, deformimet dhe baltën që është hedhur mbi patriotët e vërtetë. Një retrospektivë për mjedisin ku lindi dhe u formua Ismail Golemi: Ishin ndikimet e hershme sociale që përcaktuan aktivitetin e tij të mëvonshëm, prandaj ai akoma djalë i ri, kur nuk i kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat, i shtyrë vetëm nga shqiptarizmi u radhit përkrah burrave me emër, në luftë për të mbrojtur trojet e Shqipërisë. Ai ishte muhib- bektashi, por si njeri me kulturë nuk ishte aspak fanatik dhe supersticioz. Ismaili ishte i inspiruar nga patriotët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare të asaj lëvizjeje të madhe politike dhe intelektuale që kërkonte krijimin e një shteti shqiptar e të një kulture origjinale shqiptare. Ai i përjetoi shpirtërisht vuajtjet historiko- shoqërore e politike të popullit. Si njeri me ide përparimtare, mendonte për reforma shoqërore dhe barazim të të drejtave e për më shumë dinjitet të bashkëkombasve. Këto ide ai i gjente të sintetizuara e të konkretizuara në mënyrë të shkëlqyer te vepra e patriotit të shquar Lumo Skëndo “Plagët tona”- botim i vitit 1926 në shtypshkronjën “Mbrothësia”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s