Partia e Legalitetit .Ish kryetari perpjekje zvarranike per te rimarre Partine.

Për ata që janë të interesuar për këndvështrimin tim në lidhje me shkresën që kanë nënshkruar disa individë që kërkuan dorëheqjen time, në vijim do të gjeni raportin e plotë që më dt. 11/09/2015 përgatita për LTM Princin Leka, Senatin dhe Kryesinë e PLL.

***

Tiranë, më 11 Shtator 2015

Oborri Mbretëror Shqiptar
NTM Princi Leka II
Pallati i Vjetër Mbretëror
Rruga Murat Toptani
Tiranë

Naltësi,

Kemi marrë me datë 08/09/2015 një shkresë që firmëtarët ia dërgojnë për dijeni edhe Naltësisë Suaj, dhe e ndjejmë të nevojshme t’Ju dërgojmë, për informimin Tuaj të saktë e të plotë, analizën dhe pikëpamjet zyrtare të PLL lidhur me atë shkresë.

Në fakt, para disa ditësh na kishte ardhur njoftimi nga disa degë tonat se z. Ekrem Spahiu dhe z. Bahri Kollçaku kishin bërë një turne nëpër Shqipëri, për mbledhje firmash, dhe Ju kishim vënë në dijeni për veprimin e tyre.

Në një konferencë për shtyp që protagonistët e kësaj përpjekjeje e organizuan me datë 05/09/2015 në Elbasan, u bënë publike pretendimet e tyre dhe mediat shqiptare e përcollën këtë lajm.

Pavarësisht se këto veprime nuk kanë efekt mbi ecurinë e punëve të partisë sonë (pasi janë kryer në shkelje të rënda të Statutit të PLL dhe të disa ligjeve të shtetit shqiptar), kuptohet qartë se synimi i kësaj aventure është përçarja e PLL dhe çoroditja e opinionit publik, çka për rrjedhojë i shkakton një dëm PLL dhe objektivave tona politike dhe kombëtare.

Prandaj mendojmë se veprime dhe synime të tilla, sikurse edhe shkresa në fjalë, duhen lexuar dhe kuptuar përtej aspekteve të dukshme të dizinformimit dhe manipulimit, ndaj dhe për të njëjtat arsye, për rrjedhojë, duhet gjithashtu të krijohen opinionet objektive lidhur me këtë situatë.

Pikërisht për të ndihmuar në leximin e asaj shkrese kemi përgatitur këtë raport, ku përveç analizës së formës dhe thelbit të argumenteve mashtruese të firmëtarëve, ndjejmë detyrimin të japim edhe interpretimin tonë dhe të dalim në konkluzionet tona.

Analiza e formës së shkresës

1.Përdorimi në kokën e shkresës së emërtimit në numrin shumës “Degët e PLL”, është një abuzim me kompetencat statutore të secilës degë të implikuar nga kjo shkresë, sepse “Degët e PLL” nuk janë organ statutor dhe sipas Statutit asnjë degë e vetme dhe madje as disa degë, nuk mund të marrin e përdorin, në asnjë rast, atribute që nuk i gëzojnë.
Nga kjo kuptohet se qëllimi i firmëtarëve është rritja në publik e peshës së veprimit të tyre politik për ta dëmtuar sa më rëndë imazhin e PLL, duke e shitur veprimin e tyre në publik si një rebelim masiv dhe statutor të shumicës së degëve të partisë kundër kryetarit të saj.

2.Shumica dërrmuese e firmëtarëve janë individë jo anëtarë të PLL, jo të hierarkuar në strukturat drejtuese lokale të degëve tona, janë njerëz që janë larguar prej kohësh nga PLL, ose që prej kohësh kanë dhënë dorëheqje me vullnet të lirë nga funksionet e tyre drejtuese në degët tona.
Sikurse çdo parti tjetër, PLL nuk mund të pranojë pretendime të shkruara e të firmuara nga individë që nuk gëzojnë të drejta dhe kompetenca statutore të parashikuara në Statutin e PLL. Aq më tepër, individë që i japin vehtes atribute për të shkelur dhe dhunuar ligje të veçanta, aktet juridike e administrative dhe legjislacionin në fuqi.
Këta individë, brenda e jashtë PLL, me këtë veprim kanë konsumuar veprën antiligjore të përvetësimit dhe përdorimit abuziv dhe keqdashës të vulave, funksioneve dhe kompetencave të organeve statutore të PLL.

3.Sipas informacioneve që kemi marrë nga disa degë, instigatorët e kësaj përpjekjeje kanë ushtruar presion ndaj disa drejtuesve tanë lokalë për të marrë firmën e tyre dhe vulën e degëve, dhe, në rastet kur nuk e kanë arritur qëllimin, kanë përdorur si firmëtarë individë jo të hierarkuar në strukturat drejtuese lokale të degëve tona, apo të tillë që janë larguar prej kohësh nga PLL, ose që prej kohësh kanë dhënë dorëheqje me vullnet të lirë nga funksionet e tyre drejtuese në degët tona.
Këto veprime janë denoncuar publikisht nga disa drejtuesë të dhunuar të degëve në fjalë.

4.Nga dëshmitë me vullnet të lirë të disa drejtuesve firmëtarë rezulton se ata kanë firmosur dhe/ose vulosur ngaqë janë mashtruar nga instigatorët e kësaj aventure nëpërmjet akuzimit të kryetarit të PLL për kryerjen prej tij, sipas tyre, të shkeljeve të rënda morale e statutore, si dhe devijimeve politike.

5.Njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj përpjekjeje krahas z. Ekrem Spahiu, z. Bahri Kollçaku, i emëruar ky në postin e kryetarit të degës së PLL Kavajë nga z. Spahiu, nuk ka denjuar të paraqesë pranë KZAZ respektive listën e kandidatëve të PLL për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, edhepse ishte angazhuar para Kryesisë së PLL për një gjë të tillë. Ndaj jo rastësisht dhe habitshëm e pa justifikim z. Bahri Kollçaku është zhdukur në orët e fundit para regjistrimit, çka nuk na ka mundësuar regjistrimin e një liste kandidatësh për anëtarë legalistë në Këshillin bashkiak Kavajë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.
Ky veprim i asokohshëm na mundëson sot të kuptojmë se plani i tij dhe i firmëtarëve që po shpaloset aktualisht ka qenë i mirëmenduar, i parapërgatitur dhe keqdashës, me qëllimin fundor për t’i shkaktuar PLL-së një rezultat sa më të dobët në zgjedhjet vendore.
Theksojmë se për z. Bahri Kollçaku, Senati i Veteranëve të PLL ka marrë vendimin e datës 06/11/2003 për “… përjashtimin e z. Bahri Kollçaku nga të gjitha forumet e Partisë”, porse z. Ekrem Spahiu e ka ricikluar atë në Parti disa vite më vonë.

6.Me anë të vendimit të datës 17/09/2013, që është pranuar dhe firmosur edhe nga vetë z. Ekrem Spahiu, Kryesia e PLL, para Kongresit të fundit, Ju ka vënë në dijeni lidhur “me mungesën e organizimit të PLL, me ekzistencën e shumë strukturave formale në bazë dhe me mungesën e angazhimit të shumë legalistëve”.
Pikërisht mungesa e organizimit të PLL dhe emërimet formale të disa individëve nga z. Ekrem Spahiu, si kryetarë dege (vetëm e vetëm që ai të siguronte në favor të tij votën e tyre në forumet drejtuese të PLL), ishin dy prej shkaqeve kryesore që shkaktuan edhe rënien drastike të rezultatit elektoral të PLL në vitin 2013, në kuotat minimale të 6.043 votave në shkallë kombëtare dhe provokuan edhe ndryshimin e drejtimit të PLL në kongres.

7.Sipas vendimit nr. 3 të Kryesisë së PLL të datës 26/09/2013, u përcaktua që përveç Degës së PLL Tiranë, konferencat e degëve, para Kongresit, të zhvilloheshin vetëm për zgjedhjet e delegatëve në Kongres, duke i lënë kështu hapësirë kryesisë së re të riorganizojë dhe strukturojë partinë pas Kongresit, në zbatim të neneve 35 dhe 36 të Statutit.
Menjëherë pas zgjedhjes time në funksionin e Kryetarit në Kongres, kryesova grupin e punës për zhvillimin e konferencave të degëve, çka rezultoi me ndryshimin e kryetarëve në Tropojë, Krujë, Has, Lezhë dhe Mirditë. Ky ndryshim në drejtimin e këtyre degëve u shpërblye me marrjen e këshilltarëve në bashkitë Tropojë, Has dhe Krujë, ndërkohë që më parë nuk kishim këshilltarë në bashkitë qendrore të këtyre rretheve.

8.Procesi i ristrukturimit të të gjitha degëve nëpërmjet konferencave u bë i pjesshëm ngaqë kryetarët formalë të emëruar më parë nga z. Ekrem Spahiu, kundërshtuan dhe sabotuan kryerjen e konferencave.
Pavarësisht se kundërshtimet e tyre ishin në shkelje të nenit 9 të Statutit, që parashikon se “Vendimet e marra nga organet drejtuese të Partisë janë të detyrueshme për zbatim nga organet e tjera vartëse në Parti, sipas shkallës hierarkike”, dhe se në bazë të nenit 26 të Statutit “Kryesia e partisë emëron kryetarin e degës së PLL deri në konferencën e degës, në rast të braktisjes së detyrës, ose dorëheqjes së kryetarit të degës, si dhe në rast të mosfunksionimit të degës” – natyrshëm për Kryesinë e re ekzistonte kompetenca statutore për një ndërhyrje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë në drejtimin e degëve tona për shkak të mosfunksionimit të tyre, çka u verifikua dhe u materializua edhe në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013.
Nga sa më lart rezulton se unë, në postin e kryetarit të PLL, nuk e shfrytëzova kompetencën statutore për largimin e merituar të drejtuesve të emëruar më parë nga z. Ekrem Spahiu, megjithë përgjegjësitë për punën dhe rezultatet e dobëta të tyre.
Por kjo nuk do të thotë se, bazuar në kompetencat statutore të Kryesisë së Partisë dhe rezultatet e tyre të dobëta, do të vijojmë të tolerojmë vazhdimësinë e kësaj situate.

Analiza e thelbit të shkresës

Rezultatet e paraqitura në shkresën në fjalë

1.Meqenëse firmëtarët e shkresës, për të përligjur sulmin ndaj meje, shfrytëzojnë dhe krahasojnë shifrat e PLL në zgjedhjet vendore 2011 dhe 2015, të kryera bazuar në sisteme krejtësisht të pakrahasueshme – jam i detyruar të ndërmend se në vitin 2011 Shqipëria numëronte 384 njësi vendore, me 6.152 këshilltarë gjithsej.
Dhe meqë firmëtarët duan t’i shesin rezultatet e zgjedhjeve vendore të vitit 2011 në kryetarë komunash dhe këshilltarë si etalon suksesi të tyret dhe të kryetarit të atëhershëm z. Ekrem Spahiu, sërish jam i detyruar të ndërmend se askush nuk i pa asnjëherë shumicën dërrmuese të këtyre triumfatorëve të zgjedhur në dyert dhe radhët e PLL, si përfaqësues të paepur të saj apo qëndrimeve të saj, dhe se, përveç një pakice syresh, të tjerët ishin që të gjithë individë të huazuar nga partitë aleate pas eleminimit prej tyre në garën e brendshme të bërrylave, por që vinin buzagaz të merrnin targën e PLL dhe beneficet paszgjedhore.
Ndërsa në vitin 2015 konkurrohej për 61 bashki, me 1.595 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin, ekspertët vendas dhe të huaj me të drejtë konkluduan se modeli i zgjedhjeve vendore të vitit 2015 është shumë larg modelit të zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe shumë pranë modelit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Për rrjedhojë, krahasimi prej firmëtarëve i rezultatit të PLL në zgjedhjet vendore të këtij viti, ku kemi arritur të sigurojmë 13.812 vota (pavarësisht manipulimeve të konstatuara dhe të denoncuara nga ana jonë në KQZ dhe institucionet ndërkombëtare), mund të bëhet vetëm me rezultatin e PLL në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ku nën drejtimin e z. Ekrem Spahiu kemi marrë rezultatin më të dobët historik, me 6.043 vota. Ndaj dhe me këtë logjikë krahasimi rezulton se këtë vit kemi një rritje prej 229 %, megjithëse edhe ky krahasim duhet relativizuar.

2.Nisur nga trashëgimia dhe situata kaotike e strukturave të partisë në bazë, karakterizuar kjo nga dobësia dhe amullia e strukturave në shumë degë; nisur nga mungesa e tyre; nga rezistenca e tyre për ndryshim pas kongresit, deri në sabotimin e regjistrimit në disa degë – rezultati përfundimtar i zgjedhjeve përligjet plotësisht dhe madje ka tejkaluar ndjeshëm pritshmëritë tona.
Pra nuk mund të vihet në dyshim se ky rezultat dhe 16 këshilltarët janë tanët, ndonëse ndonjë syresh mund të ketë vazhduar deri më sot të përdorë metodat e trashëguara nga e kaluara duke bërë pazarllëqe me targën e partisë për interesa personale dhe duke shkuar deri në marrëveshje me të Majtën, siç është rasti i z. Xhevdet Sopi në Kukës.

3.Nëqoftëse kërkohet një krahasim me partitë e tjera, konstatojmë se edhe PD ka kaluar, nga 1.193 këshilltarë në vitin 2011, në 297 këshilltarë gjithsej në vitin 2015.
Pra rënia ishte normale dhe e pritshme, si pasojë e reformës administrativo-territoriale, ndaj dhe çdo manipulim me shifrat është i pandershëm.

Argumentet e paraqitura në shkresën në fjalë

1.Pretendimi i kalemxhinjve të shkresës se “Në Kongresin e PLL të 21 nëntorit 2013, z. Sulejman Gjana fitoi si kryetar Partie me programin e tij ku ndër pikat kryesore kishte edhe qëndrimin anti PD”, është i pabazuar dhe një shpifje e pastër, sa kohë që asnjëherë nuk e kam deklaruar një gjë të tillë në fjalimin tim si kandidat për kryetar partie.
E pranoj se kam deklaruar asokohe se elektorati shqiptar nuk na afrohet, na rri larg dhe na shikon si specie në zhdukje sepse “PLL është larguar vetë nga bazat e saj programore dhe ideologjike duke e lidh fatin e saj me atë të ndonjë politikani ose partie tjetër – për të shuar vetëm e vetëm orekse dhe ambicie individuale!”. Gjithashtu e pranoj se kam deklaruar se “unë besoj se PLL duhet të pavarësohet, duhet të fitojë liri, mos të ngelet bisht i askujt, mos të identifikohet PLL si një nëndegë e PD, por të respektohet si e barabartë! Por sigurisht vetë e kemi fajin, se ia kemi ofruar këtë mundësi PD-së që të na nëpërkëmbë duke u bërë zëdhënës të PD, në një kohë që ata kanë zëdhënës më të mirë se çdonjëri prej nesh. Sigurisht që edhe aleatët tanë nuk do të na respektojnë asnjëherë, do të na nëpërkëmbin, në rast se ne nuk ofrojmë asgjë, nuk ofrojmë një vlerë të shtuar në spektrin politik, por tjetërsohemi, zhburrërohemi për interesa personale”.
Dhe këto deklarime asokohe i kam bërë me bindjen e patundur edhe sot e kësaj dite për atë kohë dhe kontekst zhvillimesh politike, por jam i bindur se këta kalemxhinj të mashtrimeve dhe shpifjeve ose nuk kanë nivelin, formimin dhe verbin politik e intelektual për të kuptuar fjalimin tim sepse kanë si Guru bash “Profesor” Ekrem Spahinë ose u shërbejnë qarqeve dhe interesave antizogiste e antilegaliste.

2.Pretendimi tjetër i kalemxhinjve të shkresës se unë paskem deklaruar në Kongres se “do të konkurojmë në zgjedhje në vehte me siglën e PLL”, është edhe ky i pabazuar dhe një shpifje e pastër, pasi unë si legalist e njoh PLL-në dhe funksionimin e saj, e respektoj dhe e zbatoj Statutin, dhe e di se vendimet e kësaj natyre merren nga strukturat përkatëse.
Ishte pikërisht Këshilli Kombëtar që vendosi në mbledhjen e datës 19/04/2015 se: “Në kushtet kur negociatat me partnerë të ndryshëm janë në zhvillim e sipër, Këshilli Kombëtar i PLL vendosi që t’ia delegojë kompetencat e veta Kryetarit të PLL Sulejman Gjana dhe Kryesisë së Partisë, që, në vartësi të ecurisë së negociatave, apo rrethanave të tjera që mund të krijohen, të marrë vendimin përkatës për pjesëmarrje në zgjedhjet e 21 Qershorit sipas këtyre prioriteteve:
a.Vazhdimin e negociatave me Partinë Demokratike për pjesëmarrje në një koalicion të përbashkët ku Partisë “Lëvizja e Legalitetit” do t’i garantohet e drejta e saj për proporcionalitet dhe garanci në numërimin e votave.
b.Eksplorimin e çdo mundësie që PLL, për zgjedhjet vendore të datës 21 Qershor 2015, të bëhet pjesë e një koalicioni tjetër që garanton dinjitet dhe integritet.
c.Garimin e PLL më vete për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë në të gjitha ato bashki ku Kodi Zgjedhor e mundëson një gjë të tillë”.

3.Pretendimi tjetër se “z. Gjana në prag të fillimit zyrtarisht (sic) të fushatës elektorale filloi polemikat me PD…”, nuk përkon me të vërtetën pasi për të patur “polemikë” nevojiten dy palë në debat. Për sa më akuzojnë u kujtoj kalemxhinjve se PD asokohe jo vetëm që nuk ishte dhe nuk u bë njëra nga palët, por përkundrazi, nuk i kundërshtoi qëndrimet tona, teksa zgjodhi heshtjen. Ndërsa qëndrimet e mija publike e politike si kryetar partie, të firmuara publikisht, ishin qëndrime zyrtare dinjitoze të PLL, të miratuara në Kryesinë e PLL në zbatim të kompetencave statutore.
Këto qëndrime rikonfirmonin vendosmërinë time e të Kryesisë për rikthimin e PLL në identitetin e humbur politik me qëndrime korrekte dhe jo me shprehjen e një vasaliteti, zvarritjeje e memecllëku, përveçse në rastet e shprehjes së lavdeve me altoparlant, apo në përmbushje interesash personale, ose shpëlarje apo bojatisje së dështuar të së kaluarës.
Por z. Ekrem Spahiu dhe kalemxhinjtë në fjalë sigurisht që e konsiderojnë si “polemikë” çdo qëndrim në favor të interesave të Legalitetit, legalistëve dhe mbretërorëve, ngaqë janë mësuar të vlerësojnë si tregues të nivelit të marrëdhënieve zyrtare me PD deri edhe humorin e përditshëm të rojeve të dyerve të zyrave të asaj partie.

4.Pretendimi në vazhdim i kalemxhinjve të shkresës se “Z. Gjana, në Kongres premtoi se do të bëj riorganizimin e PLL, ku përveç mbështetjes te vlerat aktuale njerëzore të Legalitetit, kryesisht do të bazohej te intelektualët dhe te të rinjtë. Doli e kundërta, jo vetëm që nuk solli ndonjë intelektual apo të rijë, por nga mos dija apo qëllimisht nuk mbajti afër eksponentët legalistë dhe kountribuesit (sic) elektoral dhe fatkeqsisht disa prej tyre u larguan me dëshprim nga Legaliteti”, nuk qëndron në asnjë gërmë.
Pavarësisht rezistencës së disa individëve nëpër degët tona për të penguar ristrukturimin dhe ringritjen e PLL, kemi thithur intelektualë të rinj në drejtimin e degëve ku kemi zhvilluar konferenca zgjedhore; shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë janë me arsim të lartë; kemi arritur të ftojmë dhe afrojmë intelektualë të niveleve më të larta në të gjitha aktivitetet që kemi organizuar; kemi ndërtuar Forumin Rinor dhe atë të Gruas Legaliste që ishin shuar më parë nga z. Ekrem Spahiu; nuk kemi larguar askënd dhe nuk kemi mbajtur me zor askënd që e ka ndjerë vehten në siklet dhe të huaj në PLL pas Kongresit tonë të fundit.

5.Pretendimi tjetër i kalemxhinjve të shkresës se “Z. Gjana, duke mos dashur të lexojë drejt votën e legalistëve në Kongres ndaj kandidatëve për kryetar Partie, drejtimin e PLL dhe mbështetjen e tij personale e bazoi vetëm te 2-3 pensionistë”, është një denigrim i pasoj ndaj vuajtjeve, kontributeve dhe angazhimit të atyre që kanë mbajtur mbi supet e tyre dhe kanë mishëruar vlerat legaliste dhe zogiste, dhe, si i tillë, përfaqëson një mentalitet tipik komunist, të cilit legalistët i dhanë shuplakën e merituar në kongresin tonë të fundit.

6.Pretendimet e kalemxhinjve se “Z. Gjana, në Kongres premtoi se Degët e PLL dhe kryetarët e saj do të kenë mbështetje financiare për zhvillimin normal të aktivitetit të tyre politik dhe organizativ”, nuk qëndrojnë sepse në asnjë çast nuk kam deklaruar në fjalimin tim ndonjë gjë të tillë, apo të ngjashme, por kam deklaruar se “s’kanë faj strukturat tona, por strukturat tona do të stimulohen, do të ngrihen, në rast se ne u ofrojmë materialin për t’u ringritur. Dhe materiali nuk është vetëm financiar, por materiali është në vlera, në parime, në program, në mbrojtje të një alternative serioze”, çka ne ua kemi siguruar edhepse shumica e këtyre kalemxhinjve nuk e kanë përçuar në bazën e partisë dhe elektorat, jo vetëm në fushatë, por në vazhdimësi.

7.Akuza banale e kalemxhinjve se degët e PLL “… në fushatën elektorale nuk u mbështetëm fare, megjithëse PLL iu dhanë nga shteti 1,583,000 lekë të reja për zgjedhjet vendore (Vendimi Nr. 612 i KQZ…)”, është një shpifje amorale dhe tinëzare.
Dhe kjo sepse bazuar në Vendimin nr. 612 të KQZ, PLL-së i takonte si financim nga Buxheti i Shtetit shuma 1.583.000 lekë të reja, por në bazë të Vendimit nr. 967 të datës 10/08/2015 të KQZ, PLL duhej të rikthente në Thesarin e Shtetit shumën prej 961.145 lekë të reja.
Diferenca prej 622.855 lekë të reja ka mbetur e bllokuar në Thesarin e Shtetit për shkakun se z. Ekrem Spahiu asnjëherë nuk e ka regjistruar PLL-në si subjekt me NIPT dhe sot, konform procedurave të regjistrimit, na kërkohen disa dokumente bazë të partisë, të cilat qëllimisht z. Ekrem Spahiu i ka zhdukur nga arkiva e saj.
Gjithsesi kjo shumë prej 622.850 lekë të reja do të merret së shpejti nga Thesari i Shtetit pasi jemi duke i kryer formalitetet e nevojshme administrative, sikundër edhe jemi duke analizuar edhe bilancin e hyrje-daljeve në arkën e partisë për të gjithë periudhën e drejtimit të partisë nga z. Ekrem Spahiu, dhe paskëtaj çdo rezultat do të bëhet transparent për strukturat tona, dhe ndoshta edhe për opinionin publik.

8.Pretendimit të kalemxhinjve mjeranë se “Duke mos dalë në asnjë Degë për fushatë mendonim se z. Gjana është angazhuar dhe përqëndruar në Degën e Tiranës si më e madhja dhe më e rëndësishmja në vend… Shifrat flasin vetë dhe tregojnë se çfar pune është bërë në Degën e Tiranës nga drejtuesit kryesor të Partisë”, i përgjigjem se rezultati i zgjedhjeve vendore të vitit 2011 i arritur nga individë të importuar nga e Majta, të parashutuar në PLL e të hierarkuar nga z. Ekrem Spahiu, sot nuk mund të merret për bazë pasi këta individë ia shitën më pas mandatin tonë LSI-së tek Bashkia Tiranë dhe paskëtaj u rikthyen në Bazën e Nisjes, pra tek e Majta, pas inkursionit diversionist e diskreditues tek e Djathta, realizuar me ndihmën e z. Ekrem Spahiu.
Natyrisht që nuk jemi aq harraqë sa të mos i kujtojmë z. Ekrem Spahiu se vota e mandatuar me targë të PLL dhe e trafikuar nga i përzgjedhuri i tij tek LSI, shërbeu asokohe për arritjen e kuorumit bllokues PS-LSI në Këshillin bashkiak Tiranë për mosmiratimin e buxhetit të Bashkisë dhe për pasojë edhe të të gjitha projekteve me rëndësi jetike për qytetarët e Tiranës, me ndikim kjo rrënues për imazhin e PD në qeverisjen e kryeqytetit dhe rezultatin zgjedhor të 21 Qershorit 2015.
Ndërsa rezultati i PLL në zgjedhjet vendore të 21 qeshorit 2015, pavarësisht manipulimeve të konstatuara, përfaqëson një bazë të sigurtë të njerëzve tanë, pasi ne vlerësojmë se bazuar në frymën e kongresit të fundit është më mirë të kemi një rezultat modest me vota legalistësh sesa një rezultat fiktiv me vota dhe ndikime të majta (më mirë djepi bosh sesa dreqi brenda), shkatërrimtare këto për imazhin e pastër e të papërlyer të PLL deri në momentin e marrjes së kryesimit të saj nga z. Ekrem Spahiu.

9.Akuzave banale të kalemxhinjve se “Z. Gjana, duke patur familjen dhe gjithë rrethin familjarë në Bruksel, sigurisht dhe natyrshëm që kohën më të madhe e kalonte atje dhe për rrjedhojë PLL nuk ishte prezente me qendrime politike gjatë kësaj periudhe të vështirë për shqiptarët nën drejtimin e qeverisë socialiste”, i përgjigjem se e përbuz cinizmin dhe shpifjet që përbaltin sakrificën time personale e familjare, sidomos të prindërve të moshuar dhe fëmijëve të mitur, që më shohin kaq rrallë e të përmalluar.
Ndaj u kërkoj këtyre mëkatarëve që, për të vërtetuar këtë akuzë të rëndë, t’i drejtohen sistemit TIMS të kufijve shtetërorë e të vërtetojnë datat e hyrje-daljeve në itinerarin Tiranë-Bruksel e kthim, dhe rezultatet t’i ballafaqojnë me pretendimin e tyre duke publikuar gjithçka në cilën media që dëshirojnë.

Përveç kësaj, më duhet të theksoj se i kam kushtuar një rëndësi të veçantë kontributit tim publicistik, studimor, kulturor e organizativ me sfond politik e historiografik, për sqarimin e të vërtetave historike dhe pastrimin e imazhit të PLL e Familjes Mbretërore nga shpifjet, krahas synimeve të shpalimit të vizionit kombëtarist të PLL.

Pas marrjes së mandatit të kryetarit të PLL, por edhe para atij momenti, kam gjykuar se ka qenë dhe mbetet jetik për ekzistencën e PLL pastrimi i imazhit të përkeqësuar të Familjes Mbretërore, Zogizmit dhe Legalitetit nga fushata politiko-mediatike dhe sulmet e përbindshme e të orkestruara nga Diktatura, Neokomunizmi dhe qarqet antishqiptare. Ky vlerësim personal i situatave, të cilin e konsideroj të pagabueshëm, prirjet, formimi dhe shijet e mija, krahas pozicionit politik, si edhe fondi dokumentar e arkivor personal dhe partiak, më kanë nxitur të përfshihem nominalisht në aksionin propagandistik për përmbushjen e objektivave të sipërcituara, qoftë nëpërmjet buletineve të Partisë, qoftë nëpërmjet mediave ku kam mundur të siguroj akses.

Ndaj dua të ndërmend sot se në fuksion të këtij qëllimi dhe aksioni politik personal e partiak kam dhënë me dhjetëra intervista, prononcime dhe deklarata, në mediat e shkruara dhe televizione gjatë 20 muajve të fundit, ku kam shprehur vazhdimisht qëndrimet tona dhe vizionin e PLL, me argumenta dhe bazuar në ideologjinë tonë legaliste.

Kam botuar gjithashtu shumë artikuj, analiza dhe studime historiografike, në mediat brenda dhe jashtë vendit si:

1.Më dt. 26.12.2013, analizën “Statusi, Shqipëria dhe Serbia”
2.Më dt. 23.01.2014, analizën “Glorifikimi i ‘antifashizmit’ si rehabilitim politik i Enverit”
3.Më dt. 23.2.2014, opinionin “Pavarësia e Kosovës në retrospektivë”
4.Më dt. 03/04/2014, studimin “Si shpëtuan hebrenjtë në kohën e Mbretit Zog”
5.Më dt. 04/06/2014, opinionin “Misioni i pakryer i ish të burgosurve politikë”
6.Më dt. 12/06/2014, opinionin “Të parandalojmë çdo lloj rehabilitimi të diktaturës”
7.Më dt. 05/08/2014, analizën “Heshtja nuk është më flori”
8.Më dt. 10/08/2014, analizën “Ripushtimi dhe Qëndresa nuk kanë marrë akoma fund”
9.Më dt. 04/09/2014, analizën “’Dita e të humburve’ dhe mundësia që s’duhet të humbasin shqiptarët”
10.Më dt. 26.10.2014, analizën “Asgjë e re nga fronti i Serbisë”
11.Më dt. 01/11/2014, analizën “Serbia si zgjatim i Rusisë në zemër të Europës”
12.Më dt. 19/11/2014, analizën “Çlirimtarët, pushteti dhe gjaku në mes”
13.Më dt. 09/04/2015, opinionin “Dekriminalizimi ynë i rrezikuar”
14.Më dt. 27/05/2015, opinionin “Mukja e Dytë”
15.Më dt. 28/05/2015, opinionin “Mukja e Dytë dhe Katovica Shqiptare”
16.Më dt. 10-14/08/2015, studimim “Rezistenca antifashiste, roli dhe kontributi politiko-ushtarak i zogistëve dhe OKLL qysh nga 7 Prilli 1939 e deri në fund të LDB”, bazuar në materialet arkivore dhe raporti i Gjeneral Abaz Kupit dhe sekretarit të Përgjithshëm të OKLL Gaqo Gogo, drejtuar Mbretit Zog në Aleksandri, hartuar në fillimvitin 1945 në ekzilin politik në Kajro.

Për më tepër, kemi siguar që:

1.Të organizojmë në Bruksel një Konferencë mbi Shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri, më datë 05/12/2013.
2.Të marrim pjesë bashkë me Lartësinë Tuaj në Stamboll, në Forumin e 17 Ekonomik Euroaziatik, më datë 4-6/02/2014.
3.Të marrim pjesë me Lartësinë Tuaj në Prishtinë, në Ceremoninë zyrtare për 6-Vjetorin e Pavarësimit të Kosovës, më datë 15/02/2014.
4.Të marrim pjesë me Lartësinë Tuaj në Shkup, në Përkujtimin e 10-Vjetorit të vdekjes së Presidentit Trajkovski, më datë 13/03/2014.
5.Të marrim pjesë me Lartësinë Tuaj dhe drejtues të tjerë të PLL në Berlin, në një Mbrëmje Gala për nder të miqësisë ndërmjet Familjes Mbretërore Gjermane dhe asaj Osmane, më datë 21-23/03/2014.
6.Të bashkorganizojmë në Tiranë një Konferencë mbi Shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri, para dhe gjatë LDB, më datë 29/03/2014.
7.Të organizojmë Akademinë Përkujtimore “7 Prilli – Ditë zie dhe krenarie”, me rastin e 75-Vjetorit të 7 prillit 1939, më datë 07/04/2014.
8.Të bashkorganizojmë në Bruksel një konferencë për nderimin e Kol. Muharrem Bajraktarit nga Bashkia Skarbek-Bruksel, më datë 26/04/2014.
9.Të marrim pjesë për herë të parë me kumtesën “Ripushtimi dhe Qëndresa nuk kanë marrë akoma fund”, në Sesionin XII Shkencor të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Trojet e Arbrit”, në Gjakovë, më datë 09/08/2014.
10.Të bashkorganizojmë Konferencën “Krimet dhe masakrat komuniste në Shqipëri”, me rastin e 70-vjetorit të pushtimit sllavokomunist të vendit, më datë 21/11/2014.
11.Të organizojmë homazhet tek varri i Mbretit Leka, më datë 30/11/2014.
12.Të organizojmë Akademinë Solemne “90-Vjetori i Triumfit të Legalitetit”, më datë 4/12/2014.
13.Të pritemi nga disa Lordë Anglezë në Dhomën e Lordëve në Londër, më datë 19/01/2014.
14.Të pritemi nga disa Kongresmenë në Kongresin Amerikan gjatë vizitës zyrtare në SHBA, në datat 20-27/02/2015.
15.Të marrim pjesë në Darkën Gala të Princeshës Lea të Belgjikës, në datën 14/03/2015.
16.Të organizojmë homazhe tek varri i Mbretit Leka, në datën 05/04/2015.
17.Të marrim pjesë dhe të referojmë me kumtesën “Roli dhe kontributi i Mbretit Leka në mërgim për lirinë e popullit shqiptar dhe çeshtjen kombëtare”, në Sesionin XIII Shkencor të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Trojet e Arbrit”, në Krujë më datë 15/08/2015.
18.Të zhvillojmë disa vizita tek interlokutorë të nivelit të lartë në Turqi dhe Bruksel, si dhe në institucionet europiane.

Kemi arritur gjithashtu të nxjerrim 4 Buletine të Legalitetit për një periudhë 12 mujore; të prezantojmë një film-dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Mbretin Zog, si dhe të sigurojmë kontratën me kompaninë “Digitalb” për transmetimin e këtij filmi-dokumentar në disa stacione televizive të vendit, etj, etj…

Sigurisht që kjo listë nuk është shterruese, por ai që vlen të ndërmendet është fakti se përveç ndonjë kontributi modest nga anëtarësia dhe simpatizantët e PLL në Shqipëri, të gjitha këto aktivitete dhe shumë të tjera janë mbuluar me shpenzimet e mija personale e familjare, si dhe falë mbështetjes së Degës PLL SHBA dhe të disa atdhetarëve, miq të mij personalë, që kanë besim tek unë dhe PLL.

Duhet theksuar gjithashtu se kemi arritur të paguajmë të gjitha borxhet e trashëguara të PLL nga periudha e kryesimit nga z. Ekrem Spahiu, si dhe shpenzimet e Kongresit të fundit të PLL, krahas borxhit prej 500.000 lekësh të reja ndaj kompanisë OSHEE, borxh ky i akumuluar prej më shumë se 7 vitesh nga z. Ekrem Spahiu. Në të njejtën kohë kemi pajisur të gjitha zyrat qëndrore të PLL me materialet informatike dhe kancelarike të nevojshme për funksionimin e rregullt të partisë.

Konkluzione

Naltësi,

Ky raport, hartimi i të cilit imponohet për shkak të situatës së një rebelimi antistatututor të disa ish legalistëve dhe ish drejtuesve të degëve apo drejtuesve aktualë të mashtruar, ose të ndërgjegjësuar për çka po i shkaktonin Partisë, nën frymëzime antilegaliste e deri antikombëtariste, kushtëzon një retrospektivë të veprimtarisë dhe funksionimit të saj, që do të ndihmonte në ndriçimin e të vërtetave të dhimbshme.

Nga analiza e detajuar faktike e kronologjike e veprimtarisë së PLL qysh pas shndërrimit të OKLL në PLL dhe zhvendosjes së Kryesisë së partisë në Atdhe në fillimvitet ’90-të e deri në Kongresin e saj të fundit, rezulton se partia është agresuar dhe ka rënë viktimë e lojës dhe punës së pandershme të shumë individëve dhe liderëve të lartë arrivistë e karrieristë, të cilët pasi kanë marrë apo nuk kanë mundur të marrin çfarë dëshironin apo kishin planifikuar ata dhe skalionet e tyre mbështetëse – janë larguar duke e braktisur atë në çastet më të vështira, duke lënë pas rrjedhoja tejet të dëmshme, që kanë ndikuar në gjendjen dhe situatën respektive, aktuale e perspektive të partisë.

Kjo veprimtari e dëmshme me sfond të qartë antizogist e antilegalist, fatkeqësisht nën ndikimin e këtyre drejtuesve të lartë u vertikalizua dhe u përcoll edhe në bazën e partisë, ku pasuesit e disa ish drejtuesve mëkatarë brejtën dhe shkatërruan mbështetjen e burimet njerëzore dhe elektoratin tonë, duke e braktisur, përzënë dhe zhgënjyer atë, me pasojë rezultatet e rënies në pikiatë të mbështetjes politiko-elektorale të PLL në dy dekadat e fundit.

Uzurpatorë të funksioneve drejtuese në qendër e në bazën e PLL, gjatë dy dekadave të fundit bridhnin me vula në xhep, bënin politika dhe ujdira personale e të paprincipta me aleatët apo kundështarët politikë, gjithmonë në kurriz të partisë dhe në favor të xhepave dhe interesave të tyre politikë.

Shembulli më i freskët dhe kulmor është ai i kryetarit aktual të degës së PLL Kukës, ithtarit të bindur të z. Ekrem Spahiu, z. Xhevdet Sopi, i cili pasi u rreshtua me bindje në mbështetje të kushëririt të tij, z. Hasan Halili, në garën e këtij të fundit për Bashkinë e Kukësit (në krah të koalicionit të Majtë PS-LSI), duke sfiduar hapur Kryesinë dhe mbarë partinë, sot vetëshpallet me mburrje firmëtar i shkresës kundër meje, duke më akuzuar se kam dalë dhe kam punuar kundër PD-së dhe koalicionit të djathtë.

Me vetëpërmbajtje të tepruar kam vepruar dje dhe pohoj me kurajo sot se nuk jam ndjerë mirë qysh në fillimet e mandatit tim, kur cedova nga projekti për një ristrukturim rrënjësor për ringritjen e strukturave në bazë, nën trysninë e mëkatarëve që më akuzuan deri edhe pranë Jush se kryesia e re “po synon e punon të pres koka”, teksa bëhej fjalë për spostimin nga postet e akaparuara padrejtësisht të shkatërruesve të bazës së PLL, që në mjaft degë e kishin bërë atë inekzistente e fiktive organizativisht dhe elektoralisht, teksa mbanin në xhep vulat vetëm e vetëm për t’i përdorur ato për të votuar strumbullarin e këtij shkatërrimi, z. Ekrem Spahiu, për vazhdimësinë e tij në krye të Partisë duke sanksionuar kështu indirekt misionin katovician të këtij të fundit, orekset e tija për pushtet dhe pasurim, ose paaftësinë e tij për të udhëhequr denjësisht PLL dhe legalistët.

Për sa më sipër flasin faktet ulëritëse të rezultateve zgjedhore të njëpasnjëshme të partisë, analizën e të cilave krahas situatës së patolerueshme e ka sabotuar ish kreu i Partisë z. Ekrem Spahiu, i cili mendonte se i vetmi konkluzion politik dhe e vetmja moto e mjaftueshme gjatë viteve 2007-2013 (ku ai ishte i vetmi zyrtar i lartë i PLL në pushtet), ishte se “Çeverria ka ba reforma”.

Në gojën e z. Ekrem Spahiu dhe pasuesve të tij, arritjet e mëdha në shtetformimin dhe filozofinë zogiste të qeverisjes gjatë kohës së Mbretërisë si model i shkëlqyer historik dhe reference, u reduktuan thjesht në enumeracionin e vlerës së pasaportës së kohës së Mbretërisë, të lekut të konvertueshëm dhe të lirisë së lëvizjes së atëkohshme të shqiptarëve, të cilat të përmendura nga z. Spahiu nëpër mitingje, konferenca shtypi dhe studio televizive, më tepër tingëllonin si muzika funebre e fundme e tipit “The show must go one”, e lejuar nga aleatët republikanë në ceremonitë mortore të pasosura, që shkulmonin nën marshet triumfale të tipit “We are the champions… of the world”.

Dhe ndërkohë që z. Spahiu demontonte fishekët e fundit të Shqipërisë, ai vetë dhe pasuesit e tij po çmontonin edhe burmat e fundit të partisë, për ta çuar atë përfundimisht drejt varrezës së rezultatit tmerrues prej 6.043 votash në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit 2013.

Sot z. Spahiu e kompani më bëjnë mua fajtor për këtë rezultat, bindje e synim që e shtynë z. Spahiu të kërkojë vazhdimësinë e mandatit të vet edhe në kongresin e fundit, ku unë u kërcënova me jetë nga kunetërit dhe dishepujt e tij vetëm e vetëm se guxova të kandidoja konform të drejtave statutore, ndër të tjera edhe për të ndërprerë tatëpjetën e partisë dhe për të ringritur PLL në kuotat politike dhe lartësinë e misionit historik, për të cilat edhe është krijuar.

Mbyllja e gazetës së partisë si tribunë e mendimit politik, filozofik, shtetformues, kulturor dhe etiko-moral të legalisto-zogistëve dhe përfshirja e lidershipit të partisë në grackë-debatin për një kategori të paragjykuar dhe margjinalizuar të shoqërisë, larg debateve bazike të kësaj natyre, sikundër ato për mbrojtjen e të drejtave legjitime të pronarëve të shpronësuar, të të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, për rehabilitimin e tyre dhe sidomos për dëmshpërblimin e punës së detyruar e të papaguar në burgjet dhe kampet e punës e internimit gjatë diktaturës, dhanë produktin e tyre negativ: PLL deri edhe ndërkombëtarisht mori ngarkesën si kundërshtare e të drejtave dhe lirive…, ndërsa mohuesit republikanë të kategorive më themelore të këtyre të drejtave, sikundër ato të pronës dhe përfitimit të merituar të të drejtave të mohuara në diktaturë dhe gjatë tranzicionit postkomunist, morën benefitet prej injorancës dhe paqartësisë politike të një lidershipi, të cilin një intelektual legalist me humor e ka cilësuar si “takëmi i liderëve që librin e fundit të jetës e kanë lexuar në një kohë që daton me fundin e Luftës së Parë Botërore”.

Kësisoj vokacioni politik, reputacioni, filozofia dhe imazhi publik i PLL njohën kuotat më të ulëta dhe mosbesimin e shumicës së shqiptarëve trushpëlarë tek kjo kauzë që bjerrej para syve të ish liderëve legalistë. Kauzë që dikur ishte realitet i gjallë e që ende kujtohet me nostalgji nga të mbijetuarit e fundmë të asaj periudhe të shndritshme.

Ndërkohë partia notonte, bjerrej e zhbëhej para syve të liderëve të vetëkënaqur e të vetëmjaftueshëm, që si triumfe publike rreshtonin ftesat-gracka nëpër studio ku vetëm debat për rrugët e zhvillimit dhe risjellje e rishqyrtim të përvojave pozitive të shtetformimit nuk kishte, përveçse rreshtim dhe partizanllëk në barrikadat e përplasjeve baltosëse nga akuzat për zvetënim moral dhe korrupsion, ku PLL nuk kishte asnjë përgjegjësi dhe faturë për të shlyer.

Ndërkohë politikat personale, vulat në xhep, hosanatë reciproke dhe deliret mbushnin agjendat dhe ditët e punës së lidershipit në qendër e bazë, duke e mbushur hambarin e partisë me broçkulla injorance, “përralla me mbretër e qerosë”, mungesë votash dhe diskreditim publik me regjizurë politike antishqiptare. Intelektualët largoheshin ndërsa besnikët injorantë të kryetarit të partisë në bazë, që nuk i njeh as mëhalla, ripërjetonin triumfin e lavdisë së shefit dhe të një të kaluare shkëlqimin e së cilës vetëm ai dinte ta përcillte bash si një “përrallë nga e kaluara”.

Ndërkohë vokacioni dhe qëndrimet e partisë për Çështjen Kombëtare si ylli polar i ekzistencës dhe misionit historik të PLL tashmë ishte pranë shuarjes, PLL për vite me radhë të z. Spahiu në pushtetin e lartë nuk pati dhe nuk artikuloi asnjë qëndrim të menjëhershëm, të qartë e të prerë për çështjet korrente në favor të kauzës kombëtariste e interesave të shqiptarëve.

Kësisoj partia gati u qesharakëzua, krahas imazhit të lidershipit që glorifikonte reformat e pafundme të Çeverrisë, “reforma” këto pa kurrfarë rezultatesh.

Vendin e urtësisë, filozofisë dhe qëndrimeve atdhetare dinjitoze e zunë parrullat bajate të artikuluara nga lidershipi, interesat personale përmbushnin ambicjet dhe xhepat e përfituesve që nuk i lidhte asgjë me partinë përveçse e diskreditonin atë. Kurse logoja e partisë u shndërrua në targë që trafikohej nga ardhacakë me bagazhe majtiste, që përmbushnin misionet e desantimit dhe na linin pas tymnajën e skapamentove të makinerisë neokomuniste e të Sigurimit të Shtetit.

Kësisoj partia u shndërrua në trampolinë për karriera e lavdi personale të një njeriu të vetëm, ndërsa supet e drobitura të legalistëve të varfër e atdhetarë u shndërruan në shkallare pushteti personal, që arriti të impononte në parti deri idenë e “mbretërimit të kryetarit në krye të saj”.

Në këto kushte konkludoj se është imperativ projekti për ristrukturimin total të partisë në të gjitha nivelet e drejtimit e organizimit, nga qendra në bazë, pa asnjë lloj kompleksi, në zbatim të përcaktimeve statutore dhe konform frymës së Kongresit tonë të fundit.

Ndaj dhe pavarësisht përpjekjeve për të sabotuar ristrukturimin e zhvillimin e PLL dhe që synojnë rimarrjen në dorë të drejtimit dhe kontrollit të saj, ju sigurojmë se prej sotit askush nuk do lejohet të nëpërkëmb më kauzën dhe idealet legaliste dhe zogiste brenda PLL.

Lutemi të pranoni, Lartësi, shprehjen e konsideratës tonë më të lartë dhe besnike.

Sulejman GJANA
Kryetar i PLL

Cc: Z. Skender Zogu, Kryetar i Senatit të Veteranëve të PLL
Anëtarëve të Kryesisë të PLL

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s