Neper Male ,akoma Emri i Enverit;Interviste me nje Turist Amerikan ne Shqiperi.

 

Interviste me nje Turist  Amerikan ne Shqiperi.

Të rrëzoje statujat e “djallit” të vërtetë të Shqipërisë, Enver Hoxhës, ishte e lehtë. Por, të fshije emrin e tij nga malet nuk është aspak e tillë. Lideri despotik dhe i krisur që e ka qeverisur këtë vend për më shumë se katër dekada kërkoi me ngulm që emri i tij të shkruhej në faqen e malit pranë qytetit të Beratit me acid, me shkronja të stërmëdha. Ai do të mbetet aty për një kohë të gjatë.

Kjo është ajo lloj çudie monumentale për të cilën ky vend i keqkuptuar i Europës njihet gjithandej. Eshtë, pa diskutim, një vend i çuditshëm, por edhe vendi më joshës, më pak i globalizuar dhe jo aksidentalisht, vendi më i leverdisshëm për xhepin e çdo turisti të huaj. Unë kam përjetuar të gjitha çuditë e shqipërisë, si dhe sharmin e saj të veçantë, në qytetin e Beratit, pasi ariu që ishte vendosur në kafazin e një restotanti më riktheu krahun. Hoteli më i ri në qytet e kishte marrë atë për argëtim, gjë që pas një jave në Tiranë nuk më dukej më aq e çuditshme. Bëra gabim duke iu afruar tepër kafazit dhe ai menjëherë zgjati gojën dhe më kafshoi krahun. Bruno është një ari i mbetur jetim pasi ciganët vranë nënën e tij. Është tipike për Shqipërinë, në fillim duket si një gjë paksa e frikshme dhe e çuditshme, por më pas bëhet e këndshme dhe merr kuptim. Bruno i dha një tjetër ngjyrë qëndrimit tim në Berat. Ashtu si e gjithë Shqipëria, Berati ndodhet në “udhëkryq” mes kulturës greke, otomane dhe perëndimore. I njohur si qyteti i njëmijë e një dritareve, për shtëpitë e tij të vendosura njëra mbi tjetrën, ai ofron një pamje të shkëlqyer për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

E kaluara e qytetit shfaqet shpejt gjatë një vizite në kalanë mesjetare. Një ngjitje e shpejtë mbi rrugët me gurë dhe përtej mureve të kalasë shfaqen surprizat e para: këtu ka njerëz që ende jetojnë në këtë kompleks të shekullit të 13-të, 150 familje të shpërndara në ndërtesat e kesaj zone. Gra të moshuara janë ulur mbi gurë dhe presin t’u shesin dantella turistëve të rastësishëm. Muzeu me ikonat e shekullit të 16-të të kishës ortodokse është plot, edhe pse guida rrëfen se 70 për qind e ikonave të Muzeut Kombëtar të Tiranës janë marrë nga Berati. Çdo cep i kompleksit të kalasë fsheh një surprizë të re. Unë gati sa nuk shkela mbi bishtin e fustanit të një nuseje që mezi po ngjiste kodrën për të arritur deri te kisha ku do të celebrohej martesa e saj. Pas kishës, një gjel krekosej mbi gurë, sikur i gjithë ky të ishte vendi i tij. Mes shtëpive të gurta pata një vizion të shpejtë të një përralle makabër: një lypës që mesa dukej vuante nga gjigandizmi ishin ulur në mes të rrugës, me këmbët e deformuara dhe kokën që e ktheu menjëherë drejt meje, duke më dhënë ndjesinë e parë të dhimbjes. Pas shtëpive një xhami e kuqe ngrihet me shume krenari si simbol i tolerancës fetare shqiptare. Shumë qytete shqiptare kanë ende xhami, kisha katolke dhe ortodokse në të gjitha lagjet e tyre.

Shumë qytetarë thonë se mbi të gjithë ata janë shqiptarë, ndërsa besimi fetar është në plan të dytë. Por, jo e gjithë e kaluara shqiptare është kaq harmonike. Nga maja e mureve të kalasë së Beratit larg zonës historike të qytetit, duken komplekset me apartamente të epokës staliniste.

Nga viti 1945 deri në vitin 1985, Shqipëria ka përjetuar një ndër regjimet më të ashpra shtypëse, të drejtuar nga Enver Hoxha, një tiran paranojak që mbylli kufijtë, i privoi shtetasit e tij nga të gjitha të drejtat, ndaloi makinat private dhe ndërtoi mijëra bunkerë në të gjithë vendin për ta mbrojtur atë nga pushtuesit imagjinarë. Prapa xhamisë, shoh punëtorë që po merren me restaurimin e një kishe, afresket e së cilës ishin lyer me bojë të bardhë gjatë regjimit të Hoxhës, që ndaloi praktikimin e fesë në vend. Nëpunësit e Hoxhës ekzekutuan priftërinj dhe i kthyen kishat e xhamitë në teatro dhe fusha basketbolli ose thjesht i shkatërruan ato. Berati përfitoi sepse u shpall qytet muze, por sidoqoftë iu nënshtruan fushatës së fshirjes së simboleve fetare. Në kërkim të rehatisë në Shqipërinë e ditëve të sotme, ndalova në shumë kafene të stilit lindor në qytet, me klientelë tipike mashkullore që bën muhabet në kohën e lirë të mesditës, ndërsa tymos cigare dhe rrufit kafenë turke. Për të ngrënë, mund të zgjidhja sallatë greke, shnicel gjerman apo qebapë lindorë. Pranë bregdetit menusë i shtohet pica italiane, një tjetër përbërës në përzierjen kulturore të Shqipërisë. Pushtimi otoman ka lënë gjurmë në këtë vend dhe kjo duket jo vetëm te kafenetë dhe qebapët turq, por edhe në arkitekturën dhe stilin e jetesës. Një vizitë në muzeun etnologjik të Beratit është një tjetër vështrim në të kaluarën. Shtëpia prej druri e shekullit të 19-të i ka muret të mbuluara nga dantellat e punuara me dorë, si ato që shisnin gratë e moshuara në kalanë e Beratit. Veshjet prej lëkure të ashpër dhe veglat e rënda të punës në muze flasin për një jetë të vështirë të fshatarëve të zonës. Vizita këtu më sjell ndër mend edhe gjakmarrjen, për të cilën shqipëria njihet në të gjithë botën. Në një version ballkanik të Hatfieldëve kundër Mekkojëve, familjet në gjak përpiqeshin të shfarosnin njëra tjetrën për breza me radhë për shkak të cënimit më të vogël të nderit apo krenarisë. Jkashtë, fëmijët luajnë në rrugë, ndërsa të rriturit flasin për “gjakësen” në futboll, rivalen e madhe, Greqinë, që u kualifua në kampionatin europian të futbollit.

Një grup burrash me pamje të ashpër në fytyrë rrinë në cep të rrugës, duke dëgjuar muzikën që vërshon nga BMV-ja e fundit, me ata zinxhirët e trashë të florinjtë në qafë, një simbol i lumit të parave që ka mbërritur në këtë vend së fundmi. Ashtu si edhe qytetet e tjera, Berati ka një zyrë të Western Union ku banorët marrin paratë e dërguara nga të afërmit që jetojnë jashtë vendit. Nga jashtë vjen edhe argëtimi i natës në Berat: një këngëtar pop nga Bullgaria, i shëndoshë, me mustaqe dhe atë pamje prej kokoroçi, që nga posterat në qytete duket si një version “mbipeshë” i Boratit. Në vend të këtij argëtimi, vendosa të nisem për një udhëtim në malet pranë. Berati përfaqëson edhe të ardhmen e Shqipërisë, eko-turizmin. Kompanitë të ndryshme kanë nisur të ofrojnë ekspedita në majat e larta dhe në fushat e largëta të Shqipërisë qendrore. Udhëtimi im përfshinte lundrimin me varkë, zhytje në lumë dhe një shëtitje të gjatë mes maleve. Gjatë rrugës në thellësi të zonës malore, kaluam një sërë lavazhesh në mes të rrugës, që ndoshta tregojnë krenarinë e vonë shqiptare për të pasur dhe ngarë një makinë. E duke folur për këtë, ka edhe shumë pllakate përkujtimore në rrugët e vendit, në kujtim të atyre që kanë humbur jetën në aksidentet fatale me makina. Thellë në male, Mercedezët dhe Audi-t e kryeqytetit ia lënë vendin karrocave me gomerë dhe makinave të vjetra që duket se kanë dalë nga setet e xhirimit të fulmave “Mad Max” apo “The Grapes of Wrath.” Ne kaluam nëpër një rrugë që dikur ishte e bllokuar nga regjimi, sepse të çon drejt garnizoneve ushtarake dhe një fabrike që dikur prodhinte automatikë AK-47, të paktën siç thuhet vërdallë.

Pasi e kaluam këtë “qytet” të zymtë, u habita kur pashë me sytë e mi një kukull të kryqëzuar mbi një shtyllë betoni. Ndërtesa ngjitur, e papërfunduar edhe ajo, kishte një elefant të mbushur me rrecka në majë të shtyllës së saj të betonit, ndërsa pamja vazhdonte me një masakër arushësh gjigandë, kukullash dhe breshkash që ishin ofruar të gjitha si kurban për ndërtimet e reja. Më thanë se kjo ishte për fat, por kurrë nuk e kuptova pse. Kaluam disa fshatra të vegjël bujqësore, kur gra dhe burra endeshin nëpër fusha duke u marrë me të mbjellat ashtu si paraardhësit e tyre 100 vjet më parë. Mendoj se ata e shihnin Land Roverin tonë me atë ngjyrë të shkëlqyer portokalli si një trill të radhës, ashtu si fabrikat, kështjellat, komunizmin, kapitalizmin dhe gjithë këto fe që konkurojnë për pak më shumë vëmendje. Kalimi ynë nuk e ndryshonte fare ritmin e punës në fushë. Ndërkohë kishim mbërritur në brigjet e virgjëra të lumit. Nisëm një shëtitje me varkë, por nuk pamë askënd vërdallë. Kaluam ujëvara të vogla, brigje të pashkelura, shpella të fshehura dhe disa vende të vogla peshkimi. Dukej sikur po zbulonim Kanionin e Madh 100 vjet më parë, para se ndokush të kishte menduar ta kthente atë në një destinacion turistik. Vetëm kur udhëtimi ynë mbaroi, pamë një grup fëmijësh që hidheshin nga shkëmbinjtë mbi ujë, duke i shpëtuar vapës së madhe. Gjatë kthimit në Berat, pashë se banorët e tjerë po freskoheshin në mënyrën e tyre të zakonshme, me një një shëtitje mbrëmjeje nëpër qytet. Çifte të reja dhe të vjetra ecnin krah për krah përgjatë lumit Osum, duke kaluar mbi urën që varej mbi të apo në atë të vjetrën, prej guri. Ashtu si fshatarët, edhe ata e shohin ndryshimin, por ama vezhdojnë të zgjedhin me vetëdije respektimin e zakoneve të vjetra. Në hotel pamë një video për shëtitjet në lumë në ekranin gjigand në kopsht. Më pas u “zhytëm” në një miks mishrash, sallatrash dhe brumërash, gatime tipike shqiptare. Surpriza e fundit e ditës në Berat ishte Bruno, që vazhdonte të përdridhej në kafazin e tij, para restorantit tonë.

TRE  FAKTE TË ÇUDITSHME PËR SHQIPËRINË

1. Bunkerë, bunkerë, bunkerë:
Shqipëria ka dhjetëra bunkerë prej
betoni të përhapura si kërpudhat në
të gjithë vendin, kujtime të regjimit
komunist. Disa janë pikturuar,
ndonjë edhe është kthyer në lokal.

2. Zoti e bekoftë Amerikën: Për shkak
të mbëhstetjes amerikane përt
Kosovën fqinje, shqiptarët kanë një
mirënjohje të thellë për Amerikën.

3. Jo do të thotë, nëse nuk nënkupton
po-në: Tradicionalisht, shqiptarët
tundin kokën nga njëra anë në
tjetrën dhe kjo do të thotë se janë
dakord. Po-ja e të huajve këtu është
jo dhe jo-ja është po.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s