Terrori Komunist . Ne vitin 1955 Vdiqen 6369 fëmijë.Nga Xhafer Sadiku;

Xhafer Sadiku

Fshatarësia, e nëpërkëmbura e regjimit komunist

Nga av. Xhafer Sadiku

Regjimi komunist, me kushtetutën e tij, e shpallte Shqipërinë shtet i diktaturës së proletariatit. Që këtej buronte edhe pushteti, të cilin, e ushtronte gjoja proletariati, nëpërmjet partisë komuniste, që kinse ishte përfaqësuese e tij.
Duke e ndërtuar shtetin mbi këto “parime”, ne një vend, ku 79 % të popullsisë e përbënte fshatarësia, pushteti rezultonte të ishte i një pakice shumë të vogël, që me kohë u kthye në klikë. E vetmja mënyrë për të sunduar ishte përcarja e popullit, në mënyrë të veçantë fshatarësisë. Për këtë qëllim, regjimi ngriti në normë kushtetuese “parimin” e luftës së klasave, që e konsideronte forcë lëvizëse të shoqërisë socialiste. Tërë legjislacioni civil dhe penal kishte karakter të theksuar klasor, ku pabarazia e qytetarëve garantohej me ligj.

Prishja e strukturave sociale të shoqërisë

Strukturat e regjimit u ndërtuan në atë mënyrë që t’i shërbenin “udhëheqjes”. Për këtë qëllim, regjimi shkatërroi organizimin shtetëror dhe shoqëror të vendit. Mirëpo, nëse organizimi shtetëror sipas një modeli të dhënë, realizohet përgjatë procesit të shtetformimit dhe reformohet me ndërrimin e pushteteve, organizimi shoqëror ka të bëjë me zakonet dhe traditat e një populli, të cilat janë produkt i evolucionit të nacioneve dhe kërkon dhjetra, madje disa qindra vjet.
Qëllimi i Partisë Komuniste, e ndikuar nga ideologjia e sllavizmit, ishte zhvendosja e organizimit shoqëror tradicional nga horizontal në vertikal, në funksion të pushtetit piramidal, ku në krye qëndronte sundimtari.
Për këtë qëllim, u spastrua administrata e vjetër; një pjesë u burgos, ndërsa elita e saj u ekzekutua. U mbajtën një pjesë e teknicienëve, të cilët, pasi i përdorën disa vjet, i larguan edhe ata.
Nëpërmjet tatimeve të jashtëzakonshme, reformës agrare, shtetëzimeve dhe taksimeve të dyfishta e trefishta, u shkatërrua elita ekonomike e vendit dhe klasat që përbënin shoqërinë shqiptare të kohës.

Përçarja e fshatarësisë

Për shkak të konflikteve në kampin socialist, më 1948, udhëheqja komunise zgjodhi modelin Stalinist të luftës së klasave. Për të zbatuar luftën e klasave në fshat, kur ishin zhdukur klasat, regjimi e ndau fshatarësinë në tre grupe: fshatarë të varfër, të mesëm dhe të pasur, ndërsa lufta do të zhvillohej bazuar mbi në tezën leniniste: “mbështetje tek fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm, luftë kundër kulakut”. Por cili ishte kulaku në kushtet e barazisë ekonomike?
Për këtë qëllim, kreret e regjimit përcaktuan disa karakteristika sociale dhe politike.
Në shkurt 1949, u dërguan strukturave të bazës një promemorje, ndërsa në mars, një dokument me 17 pika. Ato ishin karakteristikat: ekonomike, politike dhe shoqërore, që duhej të kishte një fshatar për t’u cilësuar kulak. Mjaftonin dy ose tre prej tyre që fshatari të cilësohej kulak. Me një dokument të atillë, çdo fshatar mund të cilësohej kulak.
Në fakt, nuk u zbatua kriteri ekonomik pasiqë, nga të gjithë të shpronësuarit plotësisht apo pjesërisht nga Reforma Agrare, më pak se një e treta e tyre u cilësua kulakë, pa llogaritur këtu që më shumë se gjysma e numrit të kulakëve u përkisnin zonave kodrinore dhe malore ku reforma agrare nuk u zbatua, pasiqë kishte pak tokë.
Cilësimi i kulakëve nuk u bë as mbi kritere tërësisht politike. Sipas të dhënave arkivore, rreth një e treta e numrit të kulakëve kishin mbështetur Lëvizjen Nacional-çlirimtare, madje një pjesë kishin qënë ish-partizanë, ish-anëtarë të këshillave nacionalçlirimtare apo të komandave të vendit.
Kriteri bazë dhe e përbashkëta e familjeve të cilësuara kulake ishte influenca që kishin në popull, të cilën udhëheqja komuniste nuk e duronte dot dhe e shihte pengesë për realizimin e politikës së saj në fshat.
Kështu, krahas ish bejlerëve dhe agallarëve në zonat fushore, kulakë u cilësuan edhe bajraktarët dhe njerëz të tjerë me influencë në Malësi, familjet me numër të madh antarësh që regjimi i quante patriarkale, etj.
Studimi i familjeve që cilësoheshin kulake bëhej nga organizatat e partisë në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Propozimet bëheshin nga organizatat e parties, ndërsa aprovimi nga byrotë e partisë së rrethit. Familja e aprovuar sipas kësaj procedure, shpallej kulak në mbledhje te popullit dhe demaskohej.

Pasojat për popullin

Gjatë asaj periudhe u përdor terrori masiv, si ekzekutimet me varje në litar, burgosjet dhe dënimet e ashpra në kundërshtim me vetë ligjet e kohës, demaskimet etj. Në ndihmë të regjimit u vunë edhe shkrimtarët dhe artistët, me krijimtarinë e tyre. Janë mijera fshatare të burgosur, me mijëra dosje, dhjetra mijëra letra me lutje për drejtësi, që dëshmojnë padrejtësitë dhe vuajtja e dhjetra mijëra fshatareve të pafajshëm.
Rezultat i një terrori të tillë ishte ulja e prodhimit, gjë që ndikoi në mjerimin e popullit, tregues i të cilit ishte rritja e vdekshmërisë në përgjithësi dhe sidomos të fëmijve nën 1 vjeç. Sipas vjetarit statistikor, vdekshmëria foshnjore në vitin 1942 ishte 75 për njëmijë fëmijë të lindur gjallë, ndërsa në vitin 1951 vdekshmëria foshnjore arriti në 124,3 për njëmijë. E kthyer në shifra, nëse në vitin 1942 vdiqën 2753 fëmijë nën 1 vjec, më 1951, numri I tyre arriti në 5946, ndërsa më 1955 në 6369 fëmijë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s