Periudhat e luftës kundër kulakëve,,(Akoma vazhdon ).Nga Xhafer Sadiku;

Xhafer Sadiku

 

Periudhat e luftës kundër kulakëve

Lufta kundër familjeve të cilësuara kulakë, që u zbatua me ashpërsi gjatë sundimit komunist, u bë më e specializuar me kalimin e viteve dhe ndryshimin e brezave. Por megjithë ndryshimet e mënyrave dhe mjeteve të përdorura, objektivi i regjimit mbeti i njëjtë: eliminimi i tyre dhe brezave që do të vinin t’u merrej dinjiteti, që të mos kishin influencë në popull.

• Periudha e parë, 1949-1967

Gjatë asaj periudhe u përdor terrori masiv: tatimet e jashtëzakonshme, dënimet e ashpra dhe ekzekutimet me varje në litar. Këto ishin në kundërshtim edhe me vetë ligjet e regjimit, pa folur këtu për zbatim procedure.
Kështu, në dhjetor 1949, në Vlorë dhe Fier u zhvilluan procese gjyqësore ku u dënuan 44 fshatarë, nga të cilët 13 me vdekje. Gupi i parë i të dënuarëve ishte ai i Dukatit, ku u dënuan 15 vetë, midis të cilëve Jazo Adem Jazaj, Haxhi Hasko, Sinan Ali Hamiti, Mete Ali Myftari e Beqir Jazo.
Në vitin 1950, në Korçë u dënuan 50 burra të cilësuar kulakë, në Burrel u dënuan 17, në Nartë të Vlorës u dënuan 24 të cilësuar kulakë dhe tregëtarët. Dënimet masive përfshinë të gjitha rrethet.
Prokurorët u urdhëruan “… të jenë më të mprehtë në diferencimin e kulakut”. Në konferencën e gjyqtarëve që u mbajt në korrik të atij viti, ministri i Drejtësisë u kujtoi gjyqtarëve dhe prokurorëve se:
“… gjykatat dhe prokuroria janë leva të partisë sonë dhe drejtësia është një armë e fuqishme e popullit tonë, është arma e diktaturës së demokracisë popullore për ruajtjen dhe për forcimin e fitoreve të arritura”. -Kjo porosi është një urdhër, -theksonte ministri, dhe “urdhëri duhet të zbatohet pikë për pikë”.
Ministri i Drejtësisë u komunikoi gjyqtarëve dhe prokurorëve direktivën e Partisë, që përbënte parimin bazë të politikës penale:
”… vetëm anëtarët e Partisë dhe ata që janë të lidhur me Partinë kanë një ideal që ushqehet me ndjenjat e larta të humanizmit, të dashurisë dhe të vëllazërimit”.
Zbatimi i një politike të tillë penale solli si rezultat, që, vetëm në vitin 1950-51 u dënuan 611 fshatarë të cilësuar kulakë, ku numri më i madh ishte në rrethet Lushnje, Fier, Krujë, Shkodër, Sarandë, Vlorë dhe Peshkopi. Rezultati ishte akoma më tragjik për fshatarësinë e varfër: vetëm në vitin 1951, u dënuan 6027 vetë.
Në këtë periudhë, vlen të përmenden dënimi me vdekje në rrethin e Lushnjës, i Fuat Kurtit, Veiz Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Hamdi Sefës, Mitro Vulos, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës. Të njëjtin fat pësuan edhe Abdyl Kalaja dhe Fuat Kulla, të dënuar në Zëmblak të Korçës. Po të studjohen dosjet gjyqësore, rezultojnë se gjyqet ishin të tëra farsë, dënime të përcaktuara nga Partia, të realizuara nga Sigurimi dhe të “legalizuara” nga gjykatat.
• Periudha e dytë, 1967-1980

Përfshin vitet 1967-1980. Gjatë kësaj periudhe, lufta u përqëndrua kundër brezit të dytë të familjeve të cilësuara kulake dhe kulmon me gjyqet politike, që kanë hyrë në analet e historisë si gjyqi kundër kulakëve të Fierit, Lushnjes e Vlorës, gjyqi i Skraparit, ai i Lezhës, i Beratit, i Librazhdit, etj. Në procesin farsë të Vlorës u dënuan me vdekje: Skënder Ali Mustafaraj, Luan Teki Mersini, Mehmet Qani Bregu, Xhemil Faik Margaritari, Sezai Çeloaliaj dhe Arif Azizi, nga Dibra.
Në gjyqin e Skraparit, u dënuan rreth 30 vetë, ku më rëndë u dënua Hasan Kapllani e Jaçe Kapllani, të dy vdiqën në burg. Të tjerët u dënuan me burg të rëndë. Në gjyqin farsë të Librazhdit, u dënuan me vdekje Vilson Blloshmi e Genc Leka.

Gjatë kësaj periudhe, regjimi i ndau kulakët në tre kategori:
• Kulakë që regjimi i quante të pandreqshëm, armiq të betuar të pushtetit popullor. Këtu përfshiheshin familjet e bajraktarëve, të familjeve kulake që kishin të dënuar politikë.
• Kulakë në kategorinë ndërmjetëse, që me masat e intensifikimit të luftës kundra tyre do të diferencoheshin duke kaluar sipas qëndrimit të tyre, në kategorinë e parë ose të tretë. Në këtë kategori përfshiheshin familjet që nuk ishin dënuar nga gjykatat.
• Kulakë që ishin futur në rrugën e ndreqjes, që regjimi i identifikonte me qëndrim indiferent.
Për luftën kundër tyre, theksohej:
• Vazhdimi i izolimi politik;
• Dekompozimi i familjeve partiarkale;
• Vazhdimi i luftës së klasave kundër tyre
• Të hiqeshin nga qytetet dhe të dërgoheshin në fshat; ata që kundërshtonin, të dëboheshin e të internoheshin.
• Të caktoheshin në skuadra ku punonin komunistë ose njerëz me përbërje të mirë politike, ndërsa familjarët e tyre t’u caktohej punë e veçuar.
• T’u bëhej publikisht biografia.
Gjatë kësaj periudhe u dëbuan për në fshatrat e tyre, familjet që ishin vendosur në qytete.

• Periudha e tretë, 1980-1990.

Gjatë kësaj periudhe, lufta e regjimit u përqëndrua tek brezi i tretë i familjeve kulake. Ndonëse numri i të dënuarëve politikë u ul, regjimi shtoi kontrollin nëpërmjet vijës së masave dhe rriti numrin e bashkëpunëtorëve të sigurimit. Në këtë dhjetvjecar, Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit përdorën me efikasitet të plotë shpifjen, për t’u marrë nëpër këmbë dinjitetin dhe hequr influencën, që falë punës dhe sjelljeve kishin në popull. Për t’i bërë të besueshme shpifjet, kishin fabrikuar shprehjen: “se ku ka zë, s’është pa gjë”, që padrejtësisht i jepnin autorësi popullin. Stimulohej dërgimi I letrave anonime, të cilat “… kur verifikoheshin në popull nuk qëndronin”. Letrat plot shpifje shkruheshin në emër të të njerzve të vdekur.
Të gjithë familjarët e cilësuar kulake dhe të burgosurit politike e familjarët e tyre ishin te listuar si kontigjente armike nga Sigurimi i Shtetit.

Një mendim mbi “Periudhat e luftës kundër kulakëve,,(Akoma vazhdon ).Nga Xhafer Sadiku;

  1. h.farruku@hotmail.it Gjarperi i ka kembet e fshehura mire .Prandaj mbase gjithe atyre vrasjeve burgosjeve varjeve makabre sekuestrimeve, e njeta gje ndodhi edhe ne 90ten,ku miratohet ligji 7501 dhe po ky ligj detyroj perseri fshataret te dorzohen perballe gjoja te nje reforme te re te demokracise, ku vazhdojne gjygjet neper dyert e gjykatave te vendit duke haxhuar kohe lek, per te marre mallin e vet. Demokracia eshte ajo qe cdo kujte i jep ate qe i takon dhe qe e ka te trashguar.

    Pëlqejeni

Lini një koment