Të vrasësh elitën…! Nga Nebil Çika

Të vrasësh elitën…!

 

Nga Nebil Çika

 

Gazeta “Metropol” 20.11.2012

 

Një kolegu im gazetar, i huaj, më befasoi me konkluzionin e tij kur po e shoqëroja në stendën e krimeve të komunizmit në Muzeun Kombëtar dhe në disa burgje e kampe internimi të kohës se diktaturës komuniste në Shqipëri. I tronditur nga përmasat apokaliptike të krimit komunist në Shqipëri, në fund të vizitës së tij më tha: “Një kombi mund t’i ndodhë një fatkeqësi natyrore apo një luftë, ku mund t’i vriten mijëra e miliona njerëz (gjëra të njohura në histori), por ju keni pësuar një masakër që nuk do të kishte guxuar ta bënte as një pushtues. Ju keni vrarë elitën kombëtare, më të mirët, më të diturit, më patriotët e kombit tuaj. Në këto përmasa nuk e gjen në asnjë vend ish-komunist.” E theksova këtë konkluzion të kolegut tim të huaj për të treguar përmasën e madhe të krimit komunist dhe dëmin që ai i ka bërë kombit e popullit tonë, që edhe në gjykimin e ftohtë të një të huaji ka përmasat e një masakre kombëtare. Të vrasësh elitën e një kombi do të thotë t’i presësh kokën vetë kombit, gjë që, siç theksova më lart, nuk kanë guxuar ta bëjnë as pushtuesit më barbarë të këtij vendi. Likuidimi fizik i elitës kombëtare ka qenë një synim parësor i komunistëve shqiptarë që me fillimin e organizimit politik të tyre në vitin 1941, që mori formën e masakrës së vërtetë me futjen e forcave komuniste në Tiranë pas tërheqjes së trupave gjermane në nëntor të vitit 1944. Të paktën 38 person të zgjedhur nga elita e kryeqytetit, njerëz publikë dhe me influencë, u rrëmbyen nga banesat e tyre dhe u pushkatuan pa gjyq, duke e kthyer kështu çlirimin e pretenduar nga komunistët në tiparin e një masakre që për 45 vjet do të përgjakte gjithë Shqipërinë. Kështu u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre e u vranë pa gjyq 28 qytetarë të pa fajshëm të Tiranës, që janë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha, Selim Brahja. Të gjithë ishin persona të njohur dhe pjesë e elitës së atëhershme të kryeqytetit, që konsideroheshin nga komunistët si pengesë e mundshme për pushtetin e tyre gjakatar. Njëri prej tyre, publicisti Nebil Çika (i vjetri) në librin e tij “Njëmendësia shqiptare” botuar në vitin 1943 në Tiranë, si duket e parashikoi fatin e tij dhe të krejt elitës, duke paralajmëruar dëmin që mund t’i vinte kombit nga mungesa e elitës. Ai shkroi pak a shumë kështu: “Sikur Francës t’i varesh 50 filozofët më të mirë, 50 politikanët më të mirë, 50 shkrimtarët më të mirë, 50 industrialistët më të mirë, 50 ushtarakët më të mirë, 50 buqit më të mirë, ajo nuk do të jetë dot kjo që është sot.” Kur parashikonte rrënimin e Francës se madhe e të zhvilluar nga vrasja e elitës, ku do të katandisej Shqipëria kur t’i ndodhte një gjë e tillë? I vjetri e parashikoi dhe e paralajmëroi katastrofën, sikur e dinte që me vrasjen e tij do të hapte siparin e saj tragjedie që kishte paralajmëruar vetëm një vit më parë e që do të vazhdonte për një gjysmë shekulli rresht. Pa dyshim që terrori komunist tetor–nëntor 1944 është një nga krimet më të rënda, njëherazi edhe më të pajustifikuarit e komunistëve shqiptarë. Ishte një masakër e llogaritur, e përgatitur më së miri nga krerët më të lartë komunistë dhe padronët e tyre jugosllavë. Po të vësh re me kujdes, martirët e kësaj masakre janë të profesioneve të ndryshme: shkrimtarë, gazetarë, botues, oficerë, zyrtarë të administratës shtetërore, klerikë, biznesmenë etj., që kishin të përbashkët vetëm një gjë: adhurimin për Shqipërinë, gjë që përbënte një problem për vrasësit e tyre sllavo-komunistë.

Por masakra mbi elitën kombëtare nuk mbron këtu. Vazhdon me gjyqin special, ku firmëtarë të Pavarësisë dhe patriotë e intelektualë të tjerë u dënuan nga prokurorë me profesionin teneqexhi, pushkatimin e inxhinierëve të kënetës së Maliqit, midis tyre edhe ylli i Universitetit të Vjenës, Kujtim Beqiri, burgosjen dhe vdekjen në internim të shkrimtares Musine Kokalari, me vasalen e shkencëtares Sabiha Kasimati, 21 të tjerëve në masakrën e bombës në ambasadën sovjetike, te pushkatimi i poetëve të Librazhdit Vilson Blloshmi e Genc Leka, përkthyesit Xhelal Koprencka, për të përfunduar në mënyrën më kriminale të mundshme në varjen në qendër të Kukësit të poetit Havzi Nela në vitin 1989. Këto që përmenda janë vetëm një pjesë e vogël e masakrës komuniste mbi elitën, pasi ka me mijëra krime, që e bëjnë atë aq tronditëse edhe për të huajt, që nuk e kanë jetuar apo parë me sytë e tyre atë. Në thelb krimi komunist përbën një program të qartë shfarosjeje ndaj elitës sonë kombëtare, realizimi i së cilës ka shkaktuar dëme, pasojat e të cilave vazhdojnë ende. Inteligjenca, apo elita komuniste, që zëvendësoi për 50 vjet elitën natyrale shkatërroi shumë vlera të kombit e të popullit tonë, duke e sjellë Shqipërinë në fund të shekullit XX në vendin dytë më të varfër në botë, ndërsa për mungesën e lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut sigurisht që zinte vend të parë. Por jo vetëm kaq. Pasojë e kësaj “elite” është edhe kjo mungesë e pajustifikuar e integrimit europian të vendit dhe deformimit të dukshëm të demokracisë shqiptare. Sot gjenocidi mbi elitën intelektuale të Tiranës në tetor–nëntor 1944 është fshirë nga pavijoni i krimeve të komunizmit në Muzeun Historik Kombëtar me një vendim politik. Sipas drejtuesve të historisë zyrtare, pjesë e asaj elite komuniste që zëvendësoi ata që masakroi komunizmi kanë vendosur për qejfin e tyre apo për llogari të dikujt ta fillojnë periudhën e krimeve të komunizmit më 29 nëntor 1944. Nuk dua të paragjykoj askënd, por urdhëruesit e këtij akti ose janë injorantë e të indoktrinuar, ose po përpiqen të mbulojnë për arsye e detyrime të dyshimta një nga krimet më të mëdha të komunizmit në Shqipëri: masakrimin e elitës së kombit nga komunistët. Mendoj se evidentimi i këtij fakti i shërben Shqipërisë, sidomos elitave të ardhme të saj për të mos e lejuar të përsëritet kurrë një gjë e tillë. Përpjekja zyrtare për fshehjen e këtij fakti historik është faqja e zezë e atyre që e kanë urdhëruar, pasi historinë nuk e bëjnë historianët, por protagonistët e saj. Historianët kanë mundësinë vetëm ta shkruajnë, apo si në rastin konkret, ta nxijnë, gjë që i vë ata në të njëjtin front, në të njëjtën faqe të zezë të historisë me bandat komuniste të pushkatimit dhe drejtuesit e tyre politikë. Injorimi i planifikuar politikisht i masakrës mbi elitën është pa dyshim një përpjekje për t’i rivrarë ata

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s