Mitingu demokratik i Lushnjës, 04.01.1991, dhe fjala e Azem Hajdarit. Nga Kastriot Dervishi.

 

Mitingu demokratik i Lushnjës, 04.01.1991, dhe fjala e Azem Hajdarit. Nga Kastriot Dervishi.
(Gazeta 55, E martë, 12 janar 2016)

Raporti i mëposhtëm pasqyron mitingun e mbajtur në qytetin e Lushnjës më 4.i.1991. Pasqyrimi i zhvillimit të mitingut nga organet zyrtare bëhet besnikërisht si herët e tjera. Dallohet lehtas trajtimi i “forcë armiqësore” i Partisë Demokratike, ndërsa vihen në dukje se përdoren ende të njëjtat mjete agjenturialo-operative që janë përdorur gjatë 45 vjetëve nga regjimi komunist. Lushnja ishte një ndër rrethet më të spikatura me “potencial armik”, pasi prej shumë vitesh aty ishin grumbulluar disa breza familjesh të internuarish për arsye politike. Siç edhe kuptohej, kishte edhe një arsye më të fortë për të marrë pjesë në mitingun e parë si dhe për të përkrahur PD-në. Megjithatë shihet se raporti zyrtar kërkon t’i japë një ngjyrë tjetër veç asaj politike këtij mitingu. Kjo ishte pjesë e strategjisë që përdorte Partia e Punës në atë kohë kundër kundërshtarëve të saj politikë. I gjithë aktiviteti, pra i mitingu është filmuar nga policia, ndërsa fjala e Azem Hajdarit që në atë kohë ishte kryetari i komisionit nismëtar të PD-së është incizuar me teknikë operative.
Lushnjë më 4.1.1991 Lënda: Për disa shkelje të rregullave në mitingun e zhvilluar nga Partia Demokratike dhe e pasur me një incident Siç është njoftuar më 4.1.1991, në ora 15 .30 filloi mitingu popullor i organizuar nga Partia Demokratike në qytetin e Lushnjes. Paraprakisht përfaqësuesit e kësaj partie nga Tirana, dërguan kërkesën me numër protokolli 12, datë 3.1.1991, pranë sektorit të policisë të Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, kërkesa me shkrim e cila u dorëzua më datë 4.1.1991, ora 7.00. në kërkesë, konform ligjesh ishin parashikuar parullat që do të hidheshin dhe aktiviteti që do të zhvillohej. Sqarojmë se nismëtarë të Degës së Partisë Demokratike për Lushnjën ishin ngarkuar: -Kujtim Gina – ekonomist në Divizionin e Lushnjës. -Bujar Xhaferri – libretist i teatrit të estradës. -Shpendi Sollaku – mësues në gjimnaz (gruaja e tij është ndihmësprokurorore). -Gëzim Hajdari – mësues në gjimnaz. -Visar Zhiti – punëtor në fabrikën e tullave (ka qenë arsimtar dhe është dënuar me 10 vjet për agjitacion e propagandë armiqësore). -Arben Sulo – student. Në këtë miting morën pjesë përfaqësues të Partisë Demokratike: Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi dhe Zenel Hoxha. Folën Sali Berisha dhe Azem Hajdari. Për zhvillimin në bazë të ligjit të mitingut, nga sektori i policisë dhe gjithë organi, u hartua plani i masave dhe u morën masat përkatëse. Në miting morën pjesë rreth 6.ooo veta, ndërsa më tepër aktivë u treguan mbi 300 veta, të cilët erdhën të organizuar dhe me parulla. Kryesisht këta elementë punojnë në fabrikën e tullave, SMT, uzinën e plasmasit, në Savër, Plug, etj. Në përfundim të mitingut, Azem Hajdari foli pa letër, duke i bërë thirrje pjesëmarrësve në miting kundër Partisë së Punës së Shqipërisë si: ”Poshtë Partia e Punës së Shqipërisë dhe diktatura e proletariatit që na kanë shtypur për 45 vjet me radhë”, ”Poshtë Stalini dhe pasuesit e tij në Partinë e Punës së Shqipërisë”, ”Poshtë dinastia e miqësive në Komitetin Qendror të Partisë së Punës”, ”Poshtë diktatori Enver Hoxha që na rrëmbeu lirinë e demokracinë dhe ata që i bënë atij muzeun me paratë e popullit, kur populli nuk kishte bukë të hante”, ”Partia e Punës së Shqipërisë ka 45 vjet që është në fuqi dhe gënjen për demokracinë’: ”Partia e Punës së Shqipërisë ka mbrojtur serbët e jo kosovarët”, ”Partia e Punës së Shqipërisë ka qenë e lidhur me Titon dhe Mao Ce Dunin dhe ka mbrojtur interesat e Serbisë dhe jo të kosovarëve” etj. Këto thirrje i nxitën shumë pjesëmarrësit në miting të cilët të entuziazmuar brohoritnin: “Sali, Sali, ne do të fitojmë”, “Ushtria është me ne” (në këtë rast, disa pjesëmarrës nginin lart mbi njerëz një ushtar i cili mbante një parullë në dorë) si dhe pati brohoritje si ”Poshtë Dhimitër Çili, poshtë dinastia” etj. Po ashtu disa pjesëmarrës në miting erdhën me një parullë në dorë në të cilën shkruhej: “Të shtyhen zgjedhjet”. Gjithashtu midis pjesëmarrësve në miting krahas thirrjeve që bëheshin ngrinin gishtat lart dhe brohorisnin për Partinë Demokratike, dëgjoheshin edhe zëra të ndryshëm si “ruhuni nga spiunët’: “të largohet policia” etj. Megjithëse u bënë thirrje të tilla dhe u hodhën parulla në kundërshtim me programin e ligjin, deri në përfundim të mitingut nuk u krijua asnjë shqetësim, shërbimet u kryen me korrektësi dhe në bazë të rregullores. Në vazhdim, pjesëmarrësit në miting, të përzierë me masën e madhe të popullit filluan të vijnë në qendër të qytetit duke brohoritur e hedhur parullat e theksuara më lart, ku mbasi u bë thirrje të kalonin në drejtime të ndryshme e të mos grumbulloheshin në qendre të qytetit ata kundërshtuan dhe filluan të qëllojnë me gurë forcat e rendit. Autorët që qëllonin, gurët i kishin depozituar në xhepa. Pikërisht në këtë moment u thyen dy xhama të stendës së emulacionit si dhe u gris portreti i shokut Enver Hoxha. Në këtë moment u gjykua që krahas përpjekjeve për të kapur autorin, manifestuesit të kalonin përmes qytetit. Në këtë moment pa u urdhëruar nga askush, toga e ndërhyrjes së shpejtë të repartit 326 e pajisur me mjete mbrojtëse ndërhyri forcërisht. Momentalisht manifestuesit u sprapsën, por më pas u shumëfishuan nga të gjitha drejtimet duke kaluar rreth 1.000 veta të cilët qëllonin me gurë. Negativisht për shërbimet tona ndikoi edhe terreni, sidomos kodra në verilindje të qytetit, e cila është e mbushur me gurë, si dhe ndërtesa shtesë e Komitetit të Partisë, rreth së cilës ka tulla, gurë, e mbeturina në largësi të caktuar. Veç veprimeve aktive ndaj forcave të rendit dhe ndërtesave të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv, manifestuesit hidhnin parulla: ”Poshtë Enver Hoxha”, “Enver Hitler”, “Lironi të burgosurit politikë”, “poshtë kryetari i Komitetit Ekzekutiv, si dhe filluan të këndojnë “Eja mblidhuni këtu-këtu”, “Rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri” etj. Është për t’u theksuar qëndrimi indiferent i popullit i cili jo vetëm nuk ndërhyri për t’i ndihmuar forcat e rendit dhe stabilizuar gjendjen, por i pengoi këto shërbime sepse duke qëndruar para demonstruesve këta të fundit qëllonin me gurë e tulla nga prapa dhe maskoheshin. Megjithëse manifestuesit nuk bindeshin edhe pse ju bë thirrje me megafon dhe ju fol që të hiqnin dorë nga këto veprim, si dhe sulmi nuk përballohej me 30-40 policisë, togës së repartit 326, ju dha komanda të largohej nga shërbimi. Ndërkohë manifestuesve u bëhej thirrje nga shefi i policisë të largoheshin në shtëpitë e tyre. Krahas kësaj, disa nga pjesëmarrësit shoqëruan nga prapa automjetin e policëve të reparti 326 e cila hyri në territorin e DPB Lushnje dhe manifestuesit vazhduan të qëllojnë me gurë edhe në drejtim të Degës së Punëve të Brendshme, ku thyen xhamat e tre dritareve dhe sportelin e oficerit të rojës. Në këtë moment u ndërhy me forcë dhe sulmi u spraps. Në qendër të qytetit, manifestuesit vazhdonin të hidhnin parulla sidomos të grumbulluar para Komitetit Ekzekutiv të Rrethit ku bënin thirrje e përdornin fjalë fyese ndaj kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit. Kjo veprimtari e kundërligjshme vazhdoi rreth 2 orë dhe pastaj të gjithë manifestuesit grupe-grupe për në shtëpitë e tyre. Nga vlerësimi paraprak që ju bë dëmeve të shkaktuara, ai arrin rreth 500-600 lekë. Gjatë kësaj kohe, veç forcave të rendit, gjatë manifestimit dhe më pas në krye të detyrës, ishin gjithë punonjësit e aparatit të Partisë, ndërsa fare pak nga aparati i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit. Bile vetë kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit nuk ndodhej as në zyrë dhe as në shtëpi dhe vartësit e tij nuk dinin adresën edhe pse u kërkua disa herë nga sekretarja e parë e Komitetit të Partisë për të rivendosur situatën dhe eliminuar dëmtimet. Efektivi i Degës së Punëve të Brendshme vazhdoi shërbimet, i forcoi atë në vendet ku intensiteti ishte më i madh si dhe me shpejtësi grumbulloi informacionin mbi bazë të të cilit u ndaluan 9 veta dhe po kërkohen 4 të tjerë. Në vazhdim, të nesërmen, mbasi u kryen edhe disa veprime të tjera operative, u arrit që të ndalohen edhe 4 të tjerë si dhe janë në kërkim për t’u ndaluar edhe disa të tjerë. Në bashkëpunim me hetuesinë dhe prokurorinë, po vazhdon puna për të gjetur organizatorët dhe për të dokumentuar fajësinë e tyre. Sqarojmë se pothuajse i gjithë mitingu është filmuar si dhe disa pjesë nga fjala e Azem Hajdarit janë incizuar. Tërheq vëmendjen fakti se përgjithësisht elementët më aktivë si në miting dhe në manifestim dhe veprimet e kundërligjshme,janë kontingjente të ndjekjes së krimeve, ish të dënuar, por midis tyre pati elementë të mashtruar. Disa nga këto të fundit janë penduar dhe në hetuesi shprehen se “neve na thanë se do t’ju japin lekë prandaj ejani në miting, se po ta dinim kështu, nuk do të vinim”. Krahas kësaj, me vështirësi dhe janë fare të paktë personat që janë dëshmitarë, bile në raste të veçanta hezitohet edhe nga ndonjë punonjës i aparatit të Partisë, apo kuadro të tjerë. Në të njëjtën kohë, ndalimi i 13 personave dhe kërkimi për të ndaluar të tjerë, në mjediset e huliganëve ka krijuar opinionin që të sulmojnë Degën e Punëve të Brendshme për të liruar të arrestuarit. Për të dominuar më mirë situatën, i gjithë organi është në krye të detyrës, janë shpeshtuar takimet me agjenturën nga të gjithë sektorët,janë aktivizuar ish punonjësit e organeve tona, elementë pozitivë, ish bashkëpunëtorë, etj, të cilët edhe gjatë mitingut e manifestimit kanë qenë së bashku me forcat destruktive. Po ashtu tërheq vëmendjen fakti se nga ngjarjet e 2 korrikut, por sidomos gjatë muajit dhjetor enë vazhdim, ka shumë ngacmime e presion nga elementët huliganë kavajas, tiranas, etj. Kjo ka gjallëruar shumë elementin rrugaç e vagabond në Lushnje si në qytet edhe në disa sektorë të fermave apo fshatra të tjerë. Për të përballuar këtë situatë veçanërisht tani, në fushatën e zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor, nuk po punohet sa duhet me njerëzit nga organizatat shoqërore të masave edhe nga organet e pushtetit dhe ato të ekonomike. Ka në indiferentizëm të theksuar, çdo gjë kërkohet të zgjidhet nga policia, deri për të ruajtur lopët të mos ua marrin nga stallat. Nuk pengohen këto forca destruktive që kryejnë veprime të kundërligjshme, por në ndonjë rast u krijohen kushte siç ndodhi ditën e mitingut ku disa drejtues të femrave u kishin dhënë mjetet e transportit huliganëve dhe ish të internuarve për të ardhur në mitin e Partisë Demokratike. Sa më sipër, në zbatim edhe të urdhrit tuaj nr.114, datë 30.12.1990 e shohim të nevojshme që të disiplinohet organikisht një kompani për ndërhyrjen e shpejtë ndaj veprimeve huliganiste. Kjo edhe për faktin se Divizioni i Lushnjës nuk disponon aktualisht as në perspektivë forca për të përballuar veprimet e grupeve keqbërëse dhe armiqësore. Në vijim të kësaj, kërkojmë të pajisemi edhe me mjete shërbimi si radio “Stomi’: armë speciale, etj. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme.

Azem Hajdari deklaronte: Vëllezër ju lutem dëgjoni sepse televizionin nuk po i transmeton fjalimet tona nëpër rrethe. Prandaj ju lutem shumë dëgjoni. Rroftë ky popull liridashës dhe demokrat i Rrethit të Lushnjës. Vëllezër e motra! Politika 45-vjeçare që ka ndjekur Partia e Punës duhet të shikohet me syrin kritik. Na kanë pushtuar policiakët dhe na kërkojmë me nxitim! Partia e Punës së Shqipërisë ka qenë e lidhur me Titan dhe Mao Ce Dunin dhe ka mbrojtur interesat e Serbisë dhe jo të kosovarëve. Vëllezër e motra! Partia e Punës thotë se i solli popullit shqiptar lirinë. Kurse Skënderbeu tha tash 500 vjet lirinë e gjeta midis jush. Prandaj ne dhe demokracinë nuk e sollëm ne po e gjetëm midis jush (brohoritje) … Të shkojmë se është rasti i duhur drejt Europës.Nuk ka nevojë për llafe të saja, nuk ka nevojë populli shqiptar për të mirat komuniste. Populli shqiptar ka nevojë për demokraci, për liri. Ne nuk jemi mbështetësja e nipërve dhe e mbesave. Ne partinë tonë po hyjnë demokratët, kush të ketë dëshirë. Partia e Punës flet për forcimin e shtetit juridik. Proceset juridike nuk i mbështet më. Partia e Punës është shteti i diktaturës së proletariatit. Duhet ta rrëzojmë diktaturën! Të : vendosim Shqipërinë e re. Në Shqipërinë e re demokratike që do të ndërtojmë do të mbrojmë gjithnjë një vijë për gjendjet e vështira e aspiratat e popullit kosovar. E jo ashtu siç bëri Partia e Punës që ishte një mbështetje e serbit e jo e kosovarëve”. (Pjesë nga fjala e Azem Hajdarit, zbardhur pjesërisht me teknikë operative)

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s