Tri dështimet e Kreshnik Spahiut.Shkrimi i Grid Rrojit,analiza e Shenasiut.

 

Si e percille analizen e Shenasi Rames ,Grid Rroji per Kreshnik Spahiun.

Tri dështimet e Kreshnik Spahiut dhe e ardhmja e Aleancës Kuqezi

Kohët e fundit është rindezur debati mbi kombëtarizmin shqiptar në arenën politike. Paraqitja e platformës së Forumit Intelektual Rrethi i Ferrit, u pasua nga një reagim i fortë popullor dhe një rizgjim i debatit intelektual mbi kombëtarizmin. Në një reagim të rëndësishëm, jo vetëm sepse vinte nga një ish kandidat për deputet dhe funksionar i lartë i Aleancës Kuqezi (prej këtej AK), por edhe për shkak se mëtonte të ishte një replikë ideologjike, Bledar Meti shprehej se “AK-ja kishte në gjirin e vet personalitete që kanë shkruar libra për kombëtarizmin” dhe “veprimi ideologjik I Rrethit të Ferrit diktohej nga ambicje personale të papërmbushura”.
Prof. Shenasi Rama në shkrimin e vet mbi këtë çështje përgjigjej me të drejtë se megjithë vlerat e padiskutueshme të AK-së dhe shumë prej veprimtarëve të saj, kryesimi dhe veçanërisht drejtimi që i dha Kreshnik Spahiu anës praktike ishte sa i gabuar aq edhe dritëshkurtër. Më tej, Prof.Rama shkruante me të drejtë se kombëtarizmi nuk ka dhe nuk mund të ketë pronar, se kontributet e disa anëtarëve të Forumit nuk njiheshin nga z. Meti dhe kush për të, dhe se me këtë udhëheqësi dhe në drejtimin e tashëm AK-ja nuk mundet të dalë nga qerthulli i gabimeve. Në këtë shkrim, unë do të analizoj më thellë arsyet e dështimeve të Kreshnik Spahiut si drejtues i AK-së, pse këto dështime nuk mund dhe nuk përbëjnë dështimin as të AK-së dhe as të kombëtarizmit si ideologji politike në sferën shqiptare, si dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen për të thyer oligarkinë kleptokratike të parisë së Tiranës.
Dua të theksoj që në krye të herës se dështimi personal në drejtim të një force politike nuk është dhe nuk duhet të perceptohet si dështim i përhershëm dhe as evidentimi i tij nuk duhet perceptuar a priori si sulm personal. Qëllimi i këtij vlerësimi nuk është sulmi i thukët në vetvete, por korrigjimi i gabimeve dhe futja e çështjes në hullitë e duhura. Disa nga udhëheqësit më të mëdhenj kombëtaristë si Abraham Linkolni, Garibaldi apo De Goli kanë dështuar në përpjekjet e tyre fillestare dhe janë rikthyer duke mësuar nga gabimet e veta. Të tjerë si Çërçilli kanë humbur drejtimin e partisë së tyre e kanë hapur rrugë por kanë mbetur në historinë e popullit të vet për idetë që kanë përqafuar dhe veprën. Ndaj edhe në këtë rast, me perspektivën e duhur, duhet mbajtur parasysh se konstatimi i gabimeve nuk ja mbyll derën askujt. Në AK unë dhe kolegët e Forumit kemi shumë miq, si nëpër struktura ashtu edhe në organet drejtuese, ndaj kritikat tona nuk duhen perceptuar si sulme personale. Njëherazi, zaptimi i vulës dhe përdorimi i kombëtarizmit për të rehabilituar dështimin e mëparshëm është i dënueshëm për këdo sepse nuk ndihmon për të krijuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Në debatin e hapur mbi çështjet e kombëtarizmit politik në Shqipëri është shumë e rëndësishme të shkoklitet me qartësi ideologjike, politike dhe morale roli i Aleancës Kuqezi, i grupit udhëheqës të saj dhe kryetarit Kreshnik Spahiu. Kjo sepse Spahiu duke hyrë me apo pa dashje në lojën e parisë së Tiranës, me butaforinë tipike populiste të huazuar nga Sali Berisha, dhe me bravadon e ish kryebashkiakut Edi Rama “të cilit s’kishte bir kurve që ja gjente lekët”, u shndërrua në personazh që bërtiste nëpër media “unë nxjerr 1 Milionë shqiptarë në rrugë”. Duke bërë këtë Spahiu e vendosi veten në të njëjtën pozitë si drejtuesit e tjerë të parisë.
Udhëheqësia dhe veprimtaria e AK-së duhen analizuar nga tri pikëvështrime. Ideologjikisht AK-ja pati rol të rëndësishëm sepse përfaqësoi për një periudhë jo të neglizhueshme kohe frymën kombëtariste që është aq e përhapur në popull por edhe po aq e luftuar me vendosmëri e me të gjitha mënyrat nga paria e Tiranës. Disa nga udhëheqësit e saj si Kolonel Myslim Pashaj ishin njerëz me ndërgjegje të lartë kombëtare të cilët luftuan edhe përkundër kostos personale për aferën e detit. Disa të tjerë më të rinj në moshë, e këtu do veçoja Ledian Priftin, kanë një qartësi të admirueshme në analizën e sferës politike shqiptare, historisë së kombit shqiptar dhe të ardhmes që duhet ndërtuar. Më tej, shumë nga intelektualët e rinj të formuar jashtë Shqipërisë, disa prej të cilëve në kohë të ndryshme përbënin kryesinë e AK-së qëkurse ishte lëvizje, përbëjnë një bërthamë shumë të rëndësishme dhe tanimë të kalitur me rrugën politike. Është e pamohueshme se afrimi i tyre në politikë është padyshim meritë e AK-së dhe e Kreshnik Spahiut. Më anë tjetër, AK-ja nuk arriti të shkëputet nga eminenca gri të së kaluarës, të cilat jo vetëm e përdorën për qëllime vetjake duke e diskredituar qëllimin fisnik të kombëtarizmit, por edhe e futën atë në lojën e parisë dhe e bënë më lehtësisht të sulmueshme nga ustallarët e sofistikuar të parisë. Megjithëse AK-ja ka meritën e jashtëzakonshme dhe të pamohueshme që i dha kombëtarizmit shqiptar një grykëdalje politike ku mund të shprehte gjithë forcën e vet, gjykoj që ideologjikisht udhëheqësia dhe veçanërisht Kreshnik Spahiu dështuan në paraqitjen e një platforme serioze kombëtariste e cila të përkonte me kushtet e Shqipërisë dhe t’a veçonte atë si një forcë e ndryshme jashtë sistemit të parisë. Për shembull, megjithëse kishte kohë dhe energji për butafori, AK-ja nuk vendosi të thërriste një Kongres Gjithëshqiptar për të tërhequr të gjitha energjitë pozitive dhe vlerat nga Diaspora. Një proces i tillë do të kishte mundësuar shkoklitjen e shumë paqartësive dhe do të kishte përvijuar një debat të brendshëm shumë të shëndetshëm. Ndoshta në atë mënyrë do të ishin evituar edhe disa nga gabimet e evidentuara nga kolegët e Forumit Rrethi i Ferrit.
Nga pikëvështrimi politik analiza ka dy aspekte: në përgjithësi rizgjimi dhe përkthimi në veprim politik i frymës kombëtariste, kurse në veçanti mënyra se si u përkthye kjo frymë në veprim politik të mirëfilltë. Në të parën kanë meritë jo vetëm udhëheqësia por edhe ata intelektualë të rinj të shkolluar jashtë që ju bashkëngjitën AK-së me idealizmin e pastër për të bërë Shqipërinë. Pa ta nuk do të mund të kishte struktura, pa ta nuk do të mund të kishte përkthim të frymës në veprim politik, pa ta nuk do të kishte patur AK. Mirëpo kur u vendos në provë si “fytyra” e kombëtarizmit, Spahiu jo vetëm që nuk shpalosi atë qartësi që kishin disa të rinj, por shfaqi mungesa të theksuara të njohjes së proceseve ideologjike, duke e shndërruar kombëtarizmin në sytë e publikut në një barcoletë butaforike me shije të keqe. Kjo mungesë serioziteti nuk dëmtoi vetëm personin Spahiu, por absente reo dëmtoi thellësisht edhe AK-në dhe kombëtarizmin shqiptar si zgjidhje politike. Për shembull, mungesa e thellë e seriozitetit dhe profesionalizmit çoi në thagmën e tmerrshme të interpretimit të një çertifikate si “dhënia e çelësit të Nju Jorkut”, e cila do të mjaftonte për të skualifikuar çdo drejtues politik nga drejtimi i një force. Në aspektin e dytë, veprimi politik u udhëhoq sipas një modeli të personalizuar ku spikaste udhëheqësi dhe çdo vendim u mor nga një klikë e ngushtë njerëzish të cilët nuk e kishin mundësinë e ndoshta as vullnetin për t’a ndërruar vullnetin e kryetarit. Kjo sot justifikohet me shprehjen famëkeqe “kështu funksionon Shqipëria”. Mirëpo edhe nëse kjo devizë e parisë së Tiranës merret si e mirëqenë, asgjë nuk e pengonte kryetarin të matej mirë para se t’a fuste partinë në një qorrsokak nga i cili nuk mund të dilet më pa një rinovim të frymës drejtuese dhe qartësim të agjendës kombëtariste. Megjithatë, në pikën kyçe, veprimi politik u diktua nga strategjia e gabuar e hyrjes në zgjedhje. Nguti që kishte Kreshnik Spahiu për ta futur një parti nën shpërgënj dhe me struktura jo të formuara krejtësisht në zgjedhje ishte gabim i madh i diktuar nga egoja dhe moskuptimi i realitetit politik, për të cilin ne e kishim paralajmëruar me shumë qartësi.
Së treti, mund të flitet me siguri tashmë për dështim moral të udhëheqësisë së AK-së dhe të kryetarit të saj. Duke lënë mënjanë thashethemet e Tiranës, të cilat për hir të së vërtetës do kishin dalë edhe sikur në krye të AK-së të kish ardhur profetët e të gjitha feve, taktikat e ndërmarra nga Spahiu në emër të AK-së shpërfaqën një pragmatizëm të cektë, të ngjashëm me lëvizshmërinë e klaneve, trusteve, ortave dhe çetave të Parisë së Tiranës. Hyrja në zgjedhje me rregullat e parisë, nën trysninë e pritshme të të gjitha palëve kriminale të saj, si dhe joshja e pritshme që do vinte nga shumë anë ishin prova të forta për të cilat AK-ja nuk ishte gati. Pas vendimit të gabuar për pjesëmarrje nga Spahiu, ishte e pritshme që një pjesë e mirë e strukturave të cilat ose kishin hyrë si kalë troje nga qarqe të cilat kishin interesa të mirëpërcaktuara, ose ishin thellësisht të zhgënjyera nga qeverisja kriminale e Berishës, kërkonin një aleancë qoftë edhe të papërkorë me frontin opozitar. Aq më tepër, AK-ja nuk i kishte mundësitë të shmangte pazarin e zhvilluar në media me propozime, kundërpropozime, shpeshherë tërësisht të falsifikuara, të cilat bëheshin për të krijuar trysni tek Spahiu. Ndaj ishte e pritshme që me vendimin për të mos u bërë pjesë e Aleancës së Qelbësirave, shumë prej tyre u zhgënjyen dhe ikën në bllok. Mirëpo këtu, Spahiu shpërfaqi në rastin më të mirë disa veti prej diletanti politik. Në vend që t’a kornizonte mungesën e marrëveshjes me parime që dënojnë të gjitha palët e parisë, ai ndërtoi një fushatë egosh kundër Edi Ramës duke bërë lojën e Berishës, dhe duke e dënuar që në atë pikë fushatën e AK-së me vdekje. Edi Rama është pjesëtar me të drejta të plota i parisë së Tiranës, dhe i meriton kritikat më të forta. Mirëpo, edhe një herë përtej thashethemeve, ajo që kërkonte publiku shqiptar në atë periudhë ishte një opozitë ndaj një pushteti që ishte sa I kriminalizuar aq edhe në shërbim të një familjeje të vetme. Të perceptohesh apo të luash si krah i fshehtë i pushtetit kriminal të Berishës për shkak se kërkon të përplasesh “kokë më kokë” me Edi Ramën është shenjë e një papërgjegjshmërie të thellë politike dhe në vetvete shkak për largim nga drejtimi i partisë. Më tej, ashtu siç ishte e pritshme zgjedhjet ishin sa plebeshitare anti-Berishë, aq edhe të manipuluara nga segmente kriminale për llogari të shumëkujt. Marrëveshja treshe e ngjalave pak a shumë e garantonte rezultatin. Ajo që Spahiu nuk e parapa dot ishte se palët e parisë, të rrahura me vaj e me uthull dhe në kontroll të plotë të mjeteve, e kornizuan si një dështak të vogël i cili mund të fitonte vetëm duke bashkëpunuar me njërën prej tyre, pra duke u bërë pis si ata. Nëse fjalët për një takim para ca ditësh me Ilir Metën, të cilat u pasuan nga intervista tek Çani këtë të premte janë të përligjura, edhe kjo do përbënte në vetvete një arsye për t’u larguar nga drejtimi i partisë, dhe një shkarje fatale morale.
Në përfundim, AK-ja ka qenë dhe mbetet një pasuri për skenën politike shqiptare. Shumë prej atyre që mbeten aty, por edhe shumë e shumë të tjerë që janë larguar prej saj për shkak të zhgënjimit me Spahiun kanë vlera të padiskutueshme dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Mirëpo, në kushtet e sotme Kreshnik Spahiu nuk është kryesuesi i duhur i AK-së për shkak se nuk e ka qartësinë e duhur ideologjike, nuk ka shfaqur aftësi të spikatura politike për të pluskuar në moçalin e parisë së Tiranës, dhe mbi të gjitha nuk perceptohet si i papërlyer nga masa më e madhe e shqiptarëve. Mbajtja e vulës së AK-së peng për hir të egos apo interesave personale nuk i shkon dikujt që ka merita të padiskutueshme në formimin e një lëvizjeje kombëtariste. Askush nuk mund të ketë tapinë e kombëtarizmit, ashtu si dhe askush që punon me shpirt për kombin shqiptar nuk mund të përjashtohet nga tryeza. Secili ka vendin e vet në bërjen e Shqipërisë. Por mbi të gjithë ne, mbi të gjithë personat e egot e kuptueshme të secilit duhet të jetë ideja, kombi dhe e ardhmja e shqiptarëve. Këtë duhet të mendojnë ata që janë e kanë qenë pjesë e AK-së. Platforma e duhur është ajo që ka paraqitur Forumi Intelektual Rrethi I Ferrit. Të gjitha energjitë pozitive duhen kombinuar për të dalë nga qorrsokaku e jo për t’i shërbyer një individi, cilatdo qofshin meritat e tij, cilado qoftë afërsia personale etj. Shqipëria shqiptarëve, fundi i tradhtarëve.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s