Ish të burgosurit politikë nga regjimi komunist duhet të kenë përfaqësuesit e tyre (të vërtetë e jo të rremë), në komisionet dhe në debatet që zhvillohen për “Reformën në Drejtësi”Nga Tanush Kaso;

Tanush Kaso

 

Risultati immagini per la giustizia

Mendimet e Kryesise se Shoqates se ish te Burgosurve Politike te Shqiperise, mbi Reformen ne Drejtesi, drejtuar Perfaqesive te Huaja te akredituara ne Tirane: Romana Vlahutin e BE-se, Florian Raunig i OSBE-se, Ambasadorit Lu, atij gjerman, italian etj.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
SHOQATA E ISH TË BURGOSURVE
POLITIKË TË SHQIPËRISË.
MBI REFORMËN NË DREJTËSI
Mbas pushtimit 500-vjeçar turk-otoman, ashtu si dhe shtete të tjerë të Ballkanit, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj më 28 nëntor 1912. Shqiptarët, pasardhës të ilirëve, filluan të ndërtojnë shtetin e tyre, të coptuar nga vendimi i padrejtë i Traktatit të Londrës, të vitit 1913. Ishte Amerika ajo që nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të trojeve arbërore, për llogari të fqinjëve grabitqarë. Përmes pengesave e vështirësive të shumta, vendi ynë nisi të dalë nga prapambetja shekullore e të rimëkëmbet, me ndihmën e disa shteteve evropiane, që vlerësuan historinë dhe traditat e popullit tonë të lashtë e fisnik, i cili i ka dhënë Evropës disa burra të shquar, papë e perandorë. Evropa tregoi mirënjohjen e vet edhe ndaj Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “Mbretit të Shqipërisë dhe të Epirit”, i mbiquajtur “Atleti i Krishtit” dhe “Mbrojtës i Krishterimit”, nga Papa Kalisti i Tretë (Callisto III), i cili, me trimat e tij shqiptarë, e mbrojti Evropën nga pushtimi otoman.
Austria, Gjermania, Italia, etj., dërguan këshilltarë e specialistë të fushave të ndryshme, si mjekë, agronomë, inxhinierë, pedagogë, ushtarakë të karrierës e të tjerë, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe në formimin e shtetit të ri shqiptar, me tipare perëndimore e përparimtare. Ndërkohë, në universitetet më të mira të Evropës, u dërguan djem e vajza, që u diplomuan dhe u pajisën me dije bashkëkohore, të cilat i vunë në shërbim të atdheut e të popullit të tyre. Disa shqiptarë janë bërë të njohur edhe për kontributin e tyre në Evropë. Të tillë përmenden: Karl Gega, inxhinier projektues i hekurudhave në Itali e Gjermani, i shquar sidomos për ndërtimin e hekurudhës së Semmeringut dhe që për meritat e tij, iu dha titulli “Ritter” (“Kalorës”); Bilal Golemi, mikrobiolog, Doktor i Shkencave, bashkëpunëtor i shkencëtarëve francezë Ramon e Dyma, nderuar nga shteti francez me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit – për merita bujqësore” (“Legion d’honneur – Merite agricole”), etj..
Brenda një kohe relativisht të shkurtër, Shqipëria u rimëkëmb dhe zuri vendin e merituar në familjen evropiane. Që nga viti 1912 e deri më 1944, kur u vendos sistemi komunist, shqiptarët qarkullonin lirisht në Evropë e në të gjithë botën për tregti, studime, turizëm e për nevoja të tjera. Pasaporta shqiptare njihej e respektohej kudo në Evropë. Leku shqiptar gjithashtu njihej e konvertohej lirisht në të gjitha bankat evropiane. Studentët, tregtarët dhe vizitorët shqiptarë, me qëndrimin dhe sjelljen e tyre shembullore, ishin të mirëpritur e të nderuar kudo në Evropë. Ndër ato vite, nuk ka pasur asnjë shqiptar të dënuar në ndonjë vend të Evropës për trafik njerëzor, armësh, droge, për prostitucion e krime të tjera. Kultura dhe qytetërimi evropian, brenda pak dekadave u futën në Shqipëri nëpërmjet literaturës, filmave, arteve dhe të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe të ideve. Ato luajtën një rol të rëndësishëm në krijimin e një brezi të ri të civilizuar e të emancipuar, të aftë për vetëqeverisje e përparim. Gjatë asaj periudhe lirie, turistë dhe albanologë evropianë kanë vizituar Shqipërinë dhe zonat e thella malore të saj, ku kanë gjetur mikpritjen dhe sigurinë e nevojshme. Më pas ata kanë botuar libra me përshtypjet e tyre, për vendin dhe banorët me virtyte të larta njerëzore.
Por, vendosja e regjimit sllavokomunist në Shqipëri, për afër një gjysmë shekulli (1944-1991), i rrënoi të gjitha vlerat qytetare e njerëzore, e izoloi dhe e veçoi vendin nga qytetërimi evropian
dhe e ktheu 50-vjet prapa rrotën e historisë së këtij shteti të vogël e fatkeq. Populli ynë liridashës nuk e pranoi diktaturën komuniste, por iu imponua nga traktatet e fshehta dhe nga ndarja e
“zonave të influencës” midis fuqive të mëdha. Për dhjetë vjet me radhë këtu vazhdoi qëndresa e armatosur kundër komunizmit; dhe më pas, në vazhdimësi, rezistenca pasive në forma të ndryshme. Si rezultat i këtyre, u shkaktuan dëme njerëzore të pallogaritshme e të pandreqshme. Me ushtrimin e dhunës fizike e psikologjike, në emër të “luftës së klasave” e të “diktaturës së
proletariatit”, u rrënuan shumë vlera morale e fizike; u asgjësua “truri i kombit”, shtresa e intelektualëve; u shpërbënë e u shuan shumë familje fisnike; u aplikuan ndëshkime barbare: varje e pushkatime, burgosje, internime dhe tortura mesjetare. Sipas disa shifrave jo të plota, në popullin shqiptar që asokohe përbëhej nga pak më shumë se një milion banorë, numërohen rreth 6.300 të pushkatuar e të varur me gjyq e pa gjyq, për motive politike; 17.600 të burgosur politikë; 360 të çmendur nga torturat; rreth 30.000 të internuar e të dëbuar për motive politike. Nuk dihet numri i të zhdukurve pa gjurmë (“desapareisidos”) nga Policia e Fshehtë komuniste (“Sigurimi i Shtetit”), gjë që është e zakonshme në shtetet diktatoriale.
Për ta kuptuar se diktatura komuniste në Shqipëri, është ushtruar më egërsisht se në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, mjafton të përmendim këto fakte:
1- Vetëm në Shqipëri u ndalua me ligj e kushtetutë, e drejta e besimit tek Zoti dhe u shkatërruan ose u tjetërsuan objektet e kultit (kisha, xhami e teqe). U pushkatuan, u burgosën dhe u internuan shumë klerikë e besimtarë të feve të ndryshme. Shqipëria u shpall vendi i vetëm ateist në botë.
2- Vetëm në Shqipëri u suprimua Ministria e Drejtësisë, u hoq e drejta e mbrojtjes ligjore dhe u ndalua avokatia.
3- Vetëm në Shqipëri u ndalua veprimtaria humanitare e Kryqit të Kuq dhe e çdo organizate tjetër humanitare. Shqipëria nuk ishte anëtare e asnjë organizate të tillë botërore.
Shkrimtarët dhe artistët e “realizmit socialist”, u shndërruan në lakej të regjimit dhe e vunë talentin e vet në shërbim të diktaturës komuniste, kundër popullit të tyre. Ata u bënë pjesë e regjimit totalitar të Enver Hoxhës, duke ushtruar dhunë psikologjike me veprat e tyre të mbushura me frymën e përçarjes ideologjike, të urrejtjes klasore e të vëllavrasjes.
Por, një rol tejet të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë në dëmet njerëzore të shkaktuara nga regjimi komunist, kanë luajtur organet e “Drejtësisë socialiste”, të quajtura ndryshe edhe “Organet e diktaturës”, pa të cilat nuk do të kishte qëndruar në këmbë. për afër një gjysmë shekulli, ai sistem çnjerëzor. Qeveria komuniste, e kryesuar nga Enver Hoxha, një aventurier politik pa arsimin e lartë, përbëhej nga disa ish-partizanë të pashkolluar e gjysmë analfabetë, si Myslim Peza, Koçi Xoxe, Haxhi Lleshi e të tjerë, të emëruar ministra për hir të krimeve të kryera gjatë luftës. Po kështu, pa minimumin e njohurive juridike, ishin edhe gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesat, që përgatitën dhe zhvilluan gjyqet-farsë të viteve të para, sipas modeleve jugosllave e sovjetike.
“Gjyqi Special” i Tiranës, i zhvilluar në mars-prill 1945, ku u gjykuan 40 personalitete të larta shtetërorë, dy ish-kryeministra dhe disa ish-ministra, oficerë madhorë, juristë e gazetarë, të gjithë të diplomuar në universitetet e Evropës, kishte si kryetar të trupit gjykues ish-teneqexhiun dhe ish-partizanin Koçi Xoxe, dhe prokuror Bedri Spahiun, një ish nënoficer i Mbretërisë e pastaj i bashkuar me forcat partizane, që të dy pa kurrfarë përgatitjeje juridike. Në përfundim të atij gjykimi formal e tragjikomik, u dhanë ndëshkimet që i kishte vendosur paraprakisht udhëheqja e lartë komuniste:
17 vetë me vdekje dhe 23 me afate të ndryshme burgimi. Me gjyqtarë të improvizuar u zhvilluan edhe gjyqet e tjera në vijim, si ai i organizatës “Bashkimi Demokrat Shqiptar”, në korrik 1946, me
kryetar Frederik Nosin, ish-partizan me gradën major dhe me prokuror Nevzat Haznedarin, ish-mësues dhe ish-partizan (që të dy pa arsim juridik), ku u dënuan 9 vetë me vdekje dhe 25 të tjerë nga 10 deri 101 vjet burgim të rëndë; Grupi i inxhinierëve të tharjes së Kënetës së Maliqit, të
akuzuar për sabotim, në nëntor 1946, me prokuror Nevzat Haznedarin, që u dënuan me varje, me pushkatim dhe me burgim të rëndë; Grupi i deputetëve, në tetor 1947, ku kryetar i trupit gjykues ishte Niko Çeta, major i ushtrisë, dhe prokuror Josif Pashko, ish-partizan, (të dy pa njohuri juridike), të cilët dhanë dënimin e tre ish-deputetëve me varje në litar, pushkatimin e 13 të tjerëve dhe burgosjen e 16 personave. Një gjyq-farsë dhe pa gjyqtarë me diploma juristësh, ishte edhe ai i zhvilluar në Rrëshen të Mirditës, në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së Sekretarit të Partisë, Bardhok Biba, nga “Komiteti i Maleve”, i cili e kishte konfirmuar autorësinë, duke lënë një letër në vendngjarje. Në pamundësi për të kapur autorët, Enver Hoxha dërgoi në Mirditë gjeneralët Mehmet Shehu dhe Gjin Marku, të cilët përpiluan paraprakisht listat e zeza, sipas të cilave, vetëm për hakmarrje dhe për terror, u dënuan me varje katër fshatarë dhe me vdekje dhjetë të tjerë, që nuk kishin gisht në atë vrasje. Disa dhjetra mirditorë të pafajshëm, u dënuan me shumë vite burgim dhe rreth treqind gra, fëmijë e pleq, u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, ku shumë prej tyre gjetën vdekjen nga keqtrajtimi, nga uria dhe nga sëmundjet.
Një tjetër padrejtësi e “Drejtësisë socialiste” (e “Organeve të diktaturës komuniste”), shoqëruar me shkelje të procedurave ligjore dhe të të drejtave njerëzore, ka qenë edhe arrestimi në Tiranë i rreth 150 qytetarëve, më 20-23 shkurt 1951 dhe i pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve të pafajshëm, më 26 shkurt 1951, me pretekstin e hedhjes së një bombe artizanale në oborrin e Ambasadës Sovjetike, më 19 shkurt 1951, nga e cila u thyen vetëm disa xhama dhe që autori i vërtetë i atij incidenti u zbulua mbas disa muajve.
Ndërkohë, pushteti komunist çeli disa kurse 6 e 9 mujore, për pajisjen me njohuri minimale juridike, “gjyqtarë” e “prokurorë”, të emëruar nga radhët e ish-partizanëve dhe të besnikëve të Partisë. Disa të tillë dolën edhe nga Shkolla e Partisë me emrin “Vladimir Iliç Lenin”, në Tiranë. Vetëm dhjetë vjet mbas vendosjes së regjimit komunist, më 1954, u çel në Tiranë njëfarë “Instituti i Lartë Juridik” 2-vjeçar, i cili më 1957, me krijimin e Universitetit Shtetëror, u quajt “Fakulteti i Drejtësisë”. “Më 1968 Fakulteti i Drejtësisë u riemërua Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike, ku, krahas juristëve, përgatiteshin edhe punonjës të shkencave politike e shoqërore.” (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, vëllimi i I-rë, faqe 631). Kjo tregon qartë lidhjen e ngushtë të Drejtësisë me politikën në atë kohë, dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Nuk duhet të harrojmë se gjatë regjimit komunist, politika e PPSH-së hynte në të gjitha lëndët mësimore; jo vetëm në ato humanitare po deri edhe në matematikë e fizikë. Veç kësaj, Partia bënte kujdes që të dërgonte në Fakultetin e Drejtësisë bijtë dhe bijat e shtresës së vet, duke krijuar kështu monopolizimin e organeve të Drejtësisë, gjë që vazhdon të ruhet me shumë fanatizëm edhe në kushtet e sotme. Kësisoj, të gjithë ata që kanë kryer studimet për Drejtësi gjatë regjimit komunist, janë tejet të politizuar e të indoktrinuar dhe kanë mangësi të shkencës juridike botërore e bashkëkohore.
Mungesa e kuadrove të organeve të “Drejtësisë socialiste”, (gjyqtarë, prokurorë e hetues) me arsimin përkatës, vazhdoi të ndihet edhe në vitet ’60, ’70 e ’80. Kështu, p. sh., në gushtin e vitit
1962, në Tiranë, një grup të rinjsh prej 7 vetësh, me pikëpamje socialdemokrate, (Pjetër Arbnori, Uran Kalakulla, Tanush Kaso, etj.), u gjykua nga gjyqtari Llazi Polena, ushtarak, me profesionin e
mëparshëm sheqerxhi, pa asnjë përgatitje juridike.
Me ndryshimin e sistemit politik në fillimin e viteve ’90, normalisht duhej të ishte ndryshuar edhe sistemi juridik; pra, duhej bërë qysh atëherë “Reforma në Drejtësi”. Por, kjo nuk ndodhi. Organet e “Drejtësisë” mbetën krejtësisht të paprekura. Një përpjekje që bëri qeveria demokratike për të krijuar kuadro të reja me kurse 9-mujore dhe paralelisht të vazhdonin edhe Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Tiranës, u kundërshtua me forcë nga gjyqtarët e vjetër që vinin nga komunizmi. Ata ia dolën të ruajnë monopolin e Drejtësisë, duke vënë si kusht afate të gjata dhjetravjeçare të “përvojës në Drejtësi”, për t’u pranuar si gjyqtarë, prokurorë, avokatë e noterë, gjë që e plotësonte vetëm kasta e tyre, e pseudojuristëve të dalë nga shkolla komuniste. Ish-hetuesa famëkëqij të Sigurimit të Shtetit, me kurse e shkollë partie pa diploma universiteti, u konvertuan në avokatë e noterë dhe vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot e kësaj dite. Gjatë këtyre 25-viteve janë të panumërta vendimet e padrejta të dhëna nga këto gjykata, për kthimin e pronave dhe për çështje të tjera nga më të ndryshmet. Prej kohësh shqiptarët e kanë humbur besimin tek këto organe drejtësie, të paafta, të padrejta e të korruptuara, gjë që e kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Mediat vazhdojnë të flasin e të shkruajnë prej shumë kohësh për abuzimet dhe shkeljet e rënda të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për vendimet e tyre të padrejta, me të cilat janë pasuruar tejmase. Por, këto nuk kanë ndryshuar asgjë deri më sot. Akuzat e ngritura shuhen dhe tejkalohen. Gjyqtarët e prokurorët dalin kurdoherë “të larë”, për shkak të mosveprimit të ligjit, në saje të një solidariteti të sëmurë midis tyre. Një arsye tjetër është edhe se politika dominon mbi Drejtësinë. Shembujt janë të shumtë:
– Pas rënies së sistemit komunist, u arrestuan një numër ish-funksionarësh të lartë të regjimit diktatorial, me akuzën e gjenocidit dhe të krimeve të kryera ndaj popullit. Gjatë hetuesisë u ndryshua akuza e tyre dhe u dënuan vetëm për shpërdorim detyre e për shpenzime të tepërta të kafeve dhe të pijeve freskuese, (tepër qesharake kjo për opinionin publik). Mbas pak vitesh të qëndrimit në burg, kur në pushtet erdhën forcat e majta, gjykatat e përbëra nga njerëzit e tyre, iu dhanë atyre “pafajësinë” dhe një dëmshpërblim të menjëhershëm në para, shumë më të lartë sesa ky që po u serviret tani, i ndarë në tetë këste, ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist.
– Kur Fatos Nano ishte kryeministër, u akuzua dhe u burgos për vjedhjen e ndihmave që shteti italian kishte dhënë për popullin shqiptar. Faktet dhe provat ishin të dukshme, por u manipuluan nga gjykata dhe atij iu dha “pafajësia”, shoqëruar me një dëmshpërblim të menjëhershëm në para.
– Kur Ilir Meta ishte kryeministër, u vodh thesari i shtetit, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri dhe që mediat e quajtën “vjedhja e shekullit”. Këtë çështje, organet e prokurorisë e të hetuesisë e mbyllën pa asnjë autor. Nuk u dënua askush, të paktën për mungesën e vigjilencës. Nuk u mësua kurrë me saktësi se ku shkuan paratë e këtij populli fukara, sadoqë dyshimet e të gjithëve bien mbi një njeri të vetëm…
– Para disa viteve, mediat publikuan një kasetë me pamjet filmike, të aferave korruptive midis dy qeveritarëve, Ilir Metës dhe Dritan Priftit. U bë shumë zhurmë asokohe, në Kuvend, nëpër mediat dhe në popull, për ato pamje shokuese, kur me paturpësi, paratë kalonin nga një dorë në tjetrën. Kjo çështje, që u pa nga publiku i gjerë, i kaloi për kompetencë organeve të Drejtësisë. Por, përsëri,
me manipulime dhe me shtyrjen e afateve kohore, edhe kjo çështje u mbyll “me mirëkuptimin e
palëve”. Ajo shërbeu vetëm si një “zbavitje e rastit”, për këtë popull fatkeq e të nëpërkëmbur.
– Nja dy vjet më parë, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Gjin Gjonaj, u akuzua nga
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, se kishte shkelur ligjin, duke mos deklaruar dhe duke fshehur pasurinë e tij. Përsëri u bë zhurmë në mediat, në Parlament e në popull. Çështja edhe këtë herë i kaloi Prokurorisë. Por, me manovrime e justifikime se gjoja ajo pasuri nuk ishte e Gjonit po e gruas së tij, u mbyll edhe kjo çështje “në mënyrë paqësore”.
– Jo shumë kohë pas asaj të Gjin Gjonajt, e njëjta akuzë (fshehje e pasurisë), u ngrit edhe për kryetarin aktual të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj. Por, “me ndihmën bujare” të kolegëve të tij, edhe kjo çështje u mbyll për të mos u dëgjuar më.
Nuk po zgjatemi me përmendjen e rasteve të tjera të ngjashme, që janë të panumërta dhe që vërtetojnë një fjalë të urtë të popullit tonë: “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”.
Një fenomen tjetër, i praktikuar shpesh nga “akrobatët” e Drejtësisë, është edhe ai që Policia i arreston në flagrancë kriminelët dhe Prokuroria i liron, gjoja “për mungesë provash”. Kjo ka shkaktuar një inkurajim të krimit, i cili në këta vjetët e fundit ka pasur një rritje galopante.
Disa vrasje të bujshme, si ajo e bankierit Santo dhe disa të tjera, kanë mbetur pa autorë. Gjithashtu, për vjedhjen e madhe të Bankës Kombëtare, u arrestua dhe u mbajt pak kohë në burg, guvernatori i saj, Fullani. Pastaj këtij i dhanë “pafajësinë”!
U arrestua me prova dhe fakte, për abuzime të rënda, ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës. Por, brenda dy vjetëve edhe atij iu dha “pafajësia”…
Vihet re edhe një tendencë tjetër e “gardës së vjetër” të Drejtësisë: që ta bëjnë atë të trashëgueshme, duke ua kaluar stafetën e gjykatësit, të prokurorit, të noterit e të avokatit, djemve dhe vajzave të tyre. Kështu, p. sh. Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë komuniste, Fehmi Abdiu, që ka dhënë dënime me pushkatim e me varje për motive politike në të kaluarën, i cili edhe gjatë 22-vjetëve të kësaj që po e quajmë “demokraci”, ishte kryetar dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, deri sa doli në pension, i ka diplomuar dhe sistemuar në organet e Drejtësisë djalin dhe vajzën e tij. Shumë avokatë e noterë të vjetër, mbajnë pranë vetes fëmijët e tyre, për t’ua lënë trashëgim atë “zanat fitimprurës”, qoftë edhe me diploma të blera ose të pamerituara.
Ndërkohë, gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit, qindra djem dhe vajza nga familje të thjeshta, me shumë sakrifica kanë kryer studimet e larta juridike brenda dhe jashtë vendit. Shumica e tyre janë diplomuar me rezultate shumë të mira dhe janë pajisur me mastera profesionalë e shkencorë. Ata, prej shumë vitesh presin me ankth, që t’i vënë në shërbim të popullit, njohuritë e tyre juridike bashkëkohore. Por, e kanë të pamundur, për shkak të barrierës së “gardës së vjetër” të Drejtësisë, e cila qëndron e patundur në “istikamet” e saj, të cilat ia ka lënë Partia e Punës (ish Komuniste). Mbasi kanë vuajtur me vite nga pritja e papunësia, ata të diplomuar për Drejtësi, për të mos vdekur nga uria, kanë përfunduar kamerierë, shegertë dyqanesh, apo punëtorë ndërtimi.
Në këto kushte, asqë mund të mendohet për një Reformë të vërtetë në Drejtësi. Të gjithë ata, të cilët kanë zënë vend në organet e Drejtësisë që nga koha e regjimit të kaluar, qofshin edhe “të specializuar”, janë thellësisht të indoktrinuar, tejet të korruptuar dhe nuk zotërojnë njohuri juridike bashkëkohore. Midis tyre është krijuar prej shumë vitesh një familjaritet i sëmurë, dhe janë bashkuar në një front të vetëm kundër çdo reforme të vërtetë në Drejtësi, për mbrojtjen me çdo çmim të interesave të kastës së tyre dhe të “monopolit të Drejtësisë”. Është naivitet që të pritet pre atyre “Reforma në Drejtësi”, e cila do të ishte një akt vetëvrasjeje për ‘ta. Pra, askush
nuk duhet të besojë se ata janë të gatshëm të bëjnë “harakirin” (vetëvrasjen japoneze). Kjo vihet re edhe nga përpëlitjet e tyre të fundit, në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, të shtruar tanimë seriozisht edhe nga monitoruesit ndërkombëtarë.
Për të realizuar një Reformë të vërtetë në Drejtësi, paraprakisht duhen kryer këto veprime:
– Të bëhet kontrolli rigoroz i diplomave të të gjithë punonjësve të Drejtësisë (gjyqtarë, prokurorë, avokatë e noterë), për të zbuluar falsifikatorët, të cilët të përjashtohen e të dënohen.
– Të përjashtohen ata që nuk janë të pajisur me diploma universiteti, por me dokumente të lëshuara nga kurse apo nga Shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”.
– Të bëhet testimi i punonjësve të Drejtësisë, nga një Komision i përbërë nga gjyqtarë të huaj, për të parë aftësitë dhe njohuritë juridike bashkëkohore të secilit.
– Të largohen ose të nxirren në pension, të gjithë ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e regjimit komunist, të cilët kanë dhënë vendime dënimesh për motive politike, si edhe të gjithë avokatët e noterët, që kanë qenë oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe hetues të Sigurimit të Shtetit. (Ende vazhdojnë të vegjetojnë si avokatë a noterë, ish hetuesa famëkëqij të Sigurimit të Shtetit, si Dhimitër Shkodrani, Vasil Plaku, Pelivan Malaj e shumë të tjerë).
– Të largohen nga organet e Drejtësisë, ose të transferohen nga qytetet e mëdha në zona rurale, të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë, avokatë e noterë, që janë përfolur, që janë bërë objekt i mediave, që janë akuzuar ose ankimuar nga qytetarët, edhe pse për ato raste nuk ka pasur ndonjë vendim gjyqësor, por, vetëm dyshime të forta.
– Të paktën gjysma e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve të Shqipërisë, të zëvendësohen me të rinj e të reja, që kanë kryer Fakultetin e Drejtësisë, brenda ose jashtë vendit dhe që janë të pajisur me mastera e me dije juridike bashkëkohore.
-het të kenë përfaqësuesit e tyre (të vërtetë e jo të rremë), në komisionet dhe në debatet që zhvillohen për “Reformën në Drejtësi”, të propozuar nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë.

Kryetari
TANUSH KASO

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s