“Revolta e Spaçit”. Nga Bedri Blloshmi;

images (1)

“Revolta e Spaçit” e Bedri Blloshmit

Lekë Tasi

Postuar më: 19 Tetor, 2015 tek Analiza

Libri “Revolta e Spaçit” i Bedri Blloshmit, i botuar së fundi, jep dokumenta dhe dëshmi mbi ngjarjen kulmore të rezistencës antikomuniste në këtë kamp gjatë tri ditëve 21-23 Qershor 1973. Me punën e tij të palodhur në dokumentimin e krimeve, Bedriu mbetet zëri i parë denoncues i paligjësive flagrante të atij regjimi. Metoda e tij është të vërë arkivat të flasin. Eshtë meritë kryesisht e këmbënguljes së tij që kjo vazhdë paligjësish po mbetet në vëmendjen e publikut dhe shpresojmë edhe të ndërkombëtarëve. Shumë vuajtës të tjerë me mendësi më “praktike” e kanë braktisur këtë kapitull të së kaluarës tragjike duke ua lënë fushën të lirë forcave që duan t’i quajnë ato masakra e tortura një hollësi të parëndësishme të mbasluftës. Ai jo. Mbetet i përkushtuar që ta vazhdojë sa të ketë mundësi dhe frymë ndriçimin e gjithshkaje të ndodhur në ferrin e burgjeve e kampeve, po edhe në mbarë vendin, në dobi të një ndërgjegjësimi të gjithë opinionit. Dokumentin nuk e kundërshon dot askush. Në këto libra të tij të mbushura me dokumentet e regjimit (që nga hetuesi, te gjyqsori e te kuvendi popullor), del e qartë që sistemi komunist ka synuar mbi të gjitha të shkelte me këmbë, ta asgjësonte vullnetin e individit, jo vetëm të kundërshtarëve, por edhe të vetë përfaqësuesve të ligjit që kishin për detyrë të mbronin të drejtat e individit. Panorama që rezulton prej tyre është e trishtë në kulm, një aparat rrogtarësh që megjithëse kanë funksionin e mbrojtjes së ligjit, nuk heziton të vihet në shërbim të gënjeshtrave më absurde, mjaft që dikush nga lart t’ua jepte “orientimin”. Nuk besoj të ketë periudhë të historisë sonë ku zyrtari të jetë katandisur një hije e bindur e pushtetit, sa ajo e këtyre dekadave kur Shqipëria u izolua tërësisht edhe nga ish miqtë e saj të kampit socialist. Por sëbashku me shkeljet barbarisht të dhunshme të ligjit, del në pah edhe forca morale e të burgosurve. Krahasimi mes dy rasteve përbën vlerën e librit. Të habit njëkohësisht sesa indiferent tregohej regjimi për gjurmat trashamane që kjo praktikë e tij do linte mbrapa në arkiva, e zeza mbi të bardhë. Bie në sy gjithashtu numri i shpërpjestuar ndaj popullsisë i efektivit të burgjeve (dhjetra kampe e burgje me qindra të burgosur secili, dhe një hordhi e tërë policësh për t`i ruajtur). Efektivi i të dënuarve përbëhej nga të rinj e burra të çdo moshe, që u përkisnin familjeve o krahinave ende të pashtruara plotësisht, (rasti më flagrant ai vetë, familja Blloshmi, që duke qënë në pikën e kalimit të formacioneve komuniste nga Jugu në Veri, si edhe familja Biçaku u vuri pushkën partizanëve dhe për këtë pati më vonë plot të ekzekutuar) por edhe të tjerë që u binte shorti të rrëmbeheshin nga gjiri i familjes dhe të mbushnin planin e prodhimit të mineralit, vargan minatorësh pa pagesë dhe pa masa sigurie në ferrin e kampeve të Veriut.

Raportet e hetuesve bëjnë fjalë për organizim revoltash (sigurisht krejt imagjinare kur mendon se u referohen personave që s’kanë minimumin e hapësirës për ta bërë një gjë të tillë). Janë metoda hetimesh tërësish antiligjore sadoqë me firma dhe vula, dhe pranë tyre, nga deponimet e të hetuarve vërtetohet pafajësia e tyre, sepse kërkesat e tyre janë vetëm për kushte pune e jetese më njerëzore. Derisa, duke u shtuar presioni policor, revolta shpërthen, e vërtetë këtë rradhe. Eshtë e qartë që diktaturës së terrorizuar nga frika e një ekonomie të dështuar i duhej një matje forcash e vazhdueshme, një sfidë e tension i paprerë me ata që kishte nën thembër, për ta mbajtur klimën të egërsuar. Për këtë arsye gjendej përherë një pretekst rreziku të shpikur, që të kalonte si erë e ftohtë nga burgu – jashtë dhe nga jashtë në burgje, dhe mbi të gjitha vigjilencë se mos ndodhte eventualisht një vllazërim mes rojeve dhe vuajtësve, vllazërim për të cilin të revoltuarit hodhën parrulla. Pra mosbesimi i diktaturës edhe ndaj veglave të saj të armatosura, sidomos ndaj ushtrisë, qe ankthi që i prishte gjumin diktatorit, dhe që u shpall disa muaj mbas Spaçit me kurthin që ai u ngriti gjeneralëve.

Por revolta e Spaçit dhe mënyra si u zhvillua, është një motiv nderi për kategorinë e djemve të dënuar politikisht dhe për atë pjesë të madhe të popullit që e ndjente peshën e diktaturës, motiv nderi në krahasim me gjyqin e gjeneralëve, sepse, me sa është marrë vesh deri sot, gjeneralët (disa prej tyre ndofta) e shumta mund ta kenë pasur vetëm ndërmend puçin, në fakt atyre iu krijua artificialisht prej tij – po e përsëris me të dhënat që kemi deri sot.. Kurse të burgosurit e Spaçit e më von të Qaf Barit, të paushqyer e pa asnjë armë në dorë, e bënë fora në revoltë të vërtetë megjithse të rrethuar e me ujin e bukën në dorë të komandës.. . Ndodhi prej kombinimit të dy faktorëve, vuajtjes sfiltëse dhe presionit çnjerzor të komandës, që kërkesat e tyre u shndërruan nga ordinere në politike dhe kombëtare, duke i hequr yllin flamurit, duke iu drejtuar OKB-s e duke u rezistuar veç me drurë trupave speciale të armatosura gjer në dhëmbë. Kjo revoltë pra sëbashku me revoltat e tjera më herët e më vonë përbën histori, një histori nderi por që nuk është ndriçuar plotsisht as sot mbas 25 vjet gjoja pluralizëm. Dhe gjaku i djemve të Spaçit e të Qafë Barit, e meriton vendin e tij të nderit në Panteonin tonë të lirisë, të populluar shumica me vlera të dorës së dytë.

Eshtë kjo lloj literature që do të ndihmojë ndërtimin e demokracisë së vërtetë duke demaskuar demokracinë e përmbysur që na u hoq qafe për shkak të kushteve ndërkombëtare por që mbetet sindromë e përpjekjejeve të mbas’ 90-s për ta përdorur pushtetin me metoda imponimi dhe dizinformimi. Këta libra ndihmojnë për ndërtimin e një shoqërie dinjitoze, pikërisht sepse evidentojnë vlera civile të mbrojtura me vuajtje e gjak. Por deri sot njohja e heronjve që i rezistuan terrorit, e shembullit të tyre si gur themeli i përtëritjes morale nuk ndodh, prandaj dhe s’kemi as shenja të dukshme të një demokracie reale, por kemi, përveç korrupsionit galopant edhe frymën e diktatit, që kërkon vetëm të zgjasë përjetësisht pushtetin me anën e armës së vjetër: Të krijimit të tensioneve artificialisht, të armiqësive dhe thashethemeve, e kundërta e disponimit serioz për debat thelbësor. Atyre djemve që dhanë jetën në luftë të pabarabartë me diktaturën u janë bërë nderime në raste përvjetorësh sa për të kaluar rradhën, por jemi akoma larg që tu njihet roli si pararendës të demokracisë. Sepse vetë kalimi i pushtetit në vitin 1991 në fakt nuk ndodhi në frymë përtëritëse dhe demokratike, por qe një dorëzim çelsash “brenda nesh”. Duhet pa tjetër të marrë fund fryma konservative që argumenton se “këtu ka pasë shtet, ndaj shkeljet që evidentohen në këta libra kanë qënë tepërime të burokracisë, që nuk prekin thelbin e fitores mbi fashizmin” e të tjera justifikime; ajo frymë ruajtje të së vjetrës të zëvendësohet nga ideja e lirisë siç e aspironin ata djem, pra të braktiset në fakt praktika e rrënjosur me shekuj se e reja duhet të ngrihet brenda pallatit dhe mbi terrenin ekzistues, që do të thotë, punën e bën tarafi dhe jo personaliteti që sjell ide të reja. Te ajo revoltë e 21 Majit 1973, përveç katër të ekzekutuarve, e sfiduan rrezikun për dënim kapital edhe shumë të tjerë po aq të vendosur në organizimin dhe rezistencën e saj – 67 të ridënuar si pjesëmarrës aktivë nuk ësht numur i pakët. Pra nuk është modeli që na mungon, por kurajoja në shoqërinë moderne, do të thotë jo vetëm dinjitet vetiak, por edhe qartësi për një kauzë shoqërore e kombëtare, dhe në Spaç ajo u shpalos e plotë. Flamuri pa yll dhe gjaku i katër djemve, përbën një stacion në historinë tonë, s`mund të ketë kundërshtime për këtë, dhe si i tillë duhet të trajtohet. Prandaj ecja mbrapsht që kemi provuar në këto 25 vjet me praktikat prepotente të tarafeve është krejt jashtë vendi, e dalë mode sa s’ka.

Kategoria e ish të përndjekurve, duhet të jetë bartëse e idesë përtëritëse, dhe të mos humbë rrugën në konflikte të kota të nxitura për të ngritur rrëmuja. Vërtet ajo ka probleme jetese ende të pazgjidhura, por mendoj që në këtë sektor ajo duhet ta konsiderojë veten thjesht “grup interesi” (me një prestigj madje që nuk mund t’i ngjasë askuj tjetër) dhe të negociojë me çdo qeveri si i tillë, pra si e barabartë me to e pa preferenca paraprake. Nuk ka nevojë të preferojë ndonjë palë që e ka marrë mbrojtjen e saj rrugës, me që presupozohet se i ngjaka. Ngjashmëria ose jo me ne u provua me të tepërt në dy dekada si e paqënë; është praktika dhe frytet konkrete të secilës nga dy pjesët që dolën prej ndarjes së ish nomenklaturës, ato që ngrejnë peshë. Simpatia e tepërt falë premtimeve e jo realizimeve tregon oportunizëm ose naivitet. Nëse do të jetë fjala për drejtim mirfilli politik, kategoria e ish të përndjekurve duhet të shohë përsëri nga rezultatet se me ç’lloj njerëz e forca mund të dialogojë që të realizojë kërkesat dhe amanetin e atyre që u vranë në burgje e kampe dhe në vitet që po jetojmë, pra si të zërë vend realisht demokracia në Shqipëri. Nuk ka dhe s’mund të ketë tjetër qëllim. Çdo konsideratë se këtë detyrë mund t’ia besojë dikuj mbi bazë simpatish e gjoja ngjashmërish doli gjë e kotë dhe e dëmshme.

Kujtim Cekani.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s