Gjatë 50 vjetëve të diktaturës me gjyqe speciale të montuara u eliminua truri i kombit shqiptar.Nga Tomorr Aliko.

HEROJTE E VERTETE TE KOMBIT SHQIPTAR

Gjatë 50 vjetëve të diktaturës me gjyqe speciale të montuara u eliminua truri i kombit shqiptar

 

 

Si e eliminoi diktatura elitën intelektuale shqiptare

 

Nga Tomor ALIKO

 

 

Armiku më i madh i demokracisë është komunizmi, prandaj është detyrim moral të hidhet dritë mbi të vërtetën historike, sepse në çdo segment të saj do të gjejmë heronj e luftëtarë, që Atdheut i dhuruan gjënë më të shtrenjtë jetën, prandaj me energji të shumëfishuara të mundohemi pa u lodhur për pasqyrimin e të vërtetës. Kush më mirë se ne të mbijetuarit politikë, mund ta bëjë këtë! Me çdo kusht duhet të pasqyrohet e vërteta dhe ne duhet me korrektësi dhe ndershmëri të themi vetëm të vërtetën. Komunizmi shqiptar me gjithë terrorin e pashembullt, nuk mundi të gjunjëzonte antikomunistët, të cilët mbetën deri në fund të jetës atdhetarë të nderuar. Krimi komunist shqiptar mban mbi shpinën e tij një pafundësi krimesh, ku spikat roli drejtues i Partisë Komuniste nën udhëzimet direkte të Enver Hoxhës dhe klanit të tij, të cilët nuk ishin gjë tjetër veçse vasalë të Jugosllavëve nëpërmjet të ashtuquajturit “vllazërim” me armikun shekullor të kombit tonë.

 

 

Fillimi i terrorit të kuq

 

 

Në prag të të ashtuquajturit “çlirim”, kur populli shqiptar priste një fillim të mbarë, vendosjen e bashkim vllazërimit si dhe nisjen e proceseve demokratike? Pikërisht në ato ditë nga 28 tetori deri në 16 nëntor 1944, Tirana papritmas gjendet përballë terrorit masiv. Filluan ekzekutimet pa gjyq ndaj nacionalistëve, patriotëve, intelektualëve dhe ish-funksionarëve të shtetit. Tirana u mbyt në gjak. Me urdhër të komandantit të përgjithshëm diktatorit Enver Hoxha, ishin krijuar njësi speciale partizane që me lista “kundërshtarësh” në duar, merrnin peng, vrisnin në rrugë e para syve të familjarëve. Kjo masakër nisi krahas hyrjes së brigadave partizane në Tiranë. Sipas dëshmive të personave okularë, numri i të ekzekutuarve ishte më shumë se 100 vetë. Kjo ishte dëshmia më e saktë e atij kalvari, që pagëzoi me gjak, dhunë e terror pemën e pretenduar të lirisë së shqiptarëve, e cila për gjatë një gjysëm shekulli të çmendur, do të rezultonte se ishte pema e Genocidit ndaj shtresës elitare të shoqërisë shqiptare, që ndër kohëra pati treguar se ishte një shtresë fisnike në sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare. Ata që i shpëtuan plumbave ishin të burgosurit e parë, për të cilët u hapën dyert e burgut të vjetër dhe burgut të ri, si dhe qelitë e hetuesisë. Natyrisht edhe këta do të merrnin dënimin dikush me vdekje, dikush me burgim.

 

Le të fillojmë me gjyqin e parë special të Tiranës. Më 31 Dhjetor 1944, në burgun e vjetër të Tiranës, numëroheshin më shumë se 600 burra, të cilët ju nënshtruan një hetuesie të rreptë nga hetues të ardhur drejtpërdrejt nga malet. Ata i nxorën në gjyq, njëfarë Nurembergu shqiptar, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare të iniciuara nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore. Ky gjyq u zhvillua në mars-prill 1945, në sallën e ish-Teatrit Popullor. Po zhvillohej një nga gjyqet më absurde dhe më të pamotivuar nga ana juridike, jehona e të cilit do të oshëtinte gjatë në veshët e shqiptarëve si një këmbanë ogurzezë, që paralajmëronte tragjeditë dhe makthet e ardhshme…. Grupi i gjyqtarëve jep dënimin “në emër të popullit”, duke çuar para grykave të zjarrit 17 burra shteti, që nuk kishin kryer asnjë krim, përveç se kishin qenë shtetarë të denjë të vendit të tyre. Në llozhën e sallës së gjyqit qëndronte vetë ai, udhëzuesi i këtij skenari makabër Enver Hoxha, i rrethuar nga fanatikët e tij besnikë, duke vëzhguar me imtësi çdo detajë të zhvillimit të gjyqit .

 

Trupi gjykues i përbërë nga: Koçi Xoxe kryetar-Gjeneral lejtnant, Hysni Kapo anëtar-kolonel, Beqir Balluku anëtar-nënkolonel, Faik Shehu anëtar-nënkolonel, Bilbil Klosi anëtar-major, Medar Shtylla anëtar-mjek, Halim Budo anëtar-jurist, Gaqo Floqi anëtar-jurist dhe prokuror Bedri Spahiu, dënoi me pushkatim: Fejzi Alizoti, Javer Hurshiti, Kol Tromara, Konstandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Ismail Golemi, Tahsim Bishqemi, Terenc Toçi, Zef Kadarja, Shyqyri Borshi, Beqir Valteri, Bahri Omari, Dik Cani, Aqif Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi. Ndërsa me burgime të rënda u dënuan: Koço Kota, Ibrahim Biçaku, Xhevat Korça, Qemal Vrioni, Et’hem Cara, Xhevit Leskoviku, Jakov Mile, Ndoc Naraci, Tefik Mborja, Rrok Gera, Mihal Zallari, Koço Tasi, Akile Tasi, Fiqiri Llagami, Lazer Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterna, Bajram Pustina, Nedin Kokona, Refat Tartari, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Sokrat Dodbiba, Shuk Gurakuqi, Refat Begolli, Anton Kozmaçi, Mihal Sherko, Rok Kolaj, Vangjel Goxhomani, Zija Bejleri, Gjergj Bubani, Isan Libohova, etj.

 

Pas gjyqit special të vitit 1945, arrestohen dhe burgosen 3 personalitete politike, dy prej të cilëve ishin anëtarë të Regjencës në vitet 1943-1944: Lef Nosi dhe Pater Anton Harapi si dhe kryeministri i asaj periudhe Maliq Bushati. Të 3 i nxorrën në Gjyqin e Lartë Ushtarak në janar 1946 dhe i dënojnë me vdekje, pushkatim dhe i futin në gropën e përbashkët në “Kodrën e Priftit”, ku gjendeshin të pushkatuarit nga Gjyqi Special i Tiranës, prill 1945.

 

Në vitet 1945-1948, nacionalizmi shqiptar pësoi persekutimin më barbar që ka njohur historia. Diktatori Hoxha ngarkoi ministrin e Brendshëm të atyre viteve, gjeneralin Koçi Xoxe, për kryerjen e këtij misioni, i cili me anë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave Ushtarake vuri në zbatim direktivat e Byrosë Politike për asgjësimin e nacionalistëve shqiptarë. Në këto rrethana, elementët kundërshtarë nisën të grumbullohen dhe të reflektonin rreth këtij uzurpimi të dhunshëm të vetëdijes kolektive shqiptare… pasqyra ishin zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945. Këto zgjedhje edhe pse u monitoruan nga perëndimorët dhe kryesisht nga anglo-amerikanët, liria e tyre u mbyt nën tam-tamet delirante të partisë shtet, nën terrorin policor ndaj elementëve të dyshuar si opozitarë të regjimit komunist. Piketohen elemente nga Fronti i Rezistencës, Legalitetit dhe nga grupimi Social-Demokrat. Këta ishin intelektualë të ndershëm, që e donin ndryshe vendin e tyre e jo me thikë pas shpine, sipas stilit agjenturor jugosllav që dominonte udhëheqjen e re shqiptare. Emra të tillë si, Sami Qeribashi, Qenan Dibra e Musine Kokalari, ishin figurat e para intelektuale dhe politike që ju kundërvunë diktaturës. Me ta u bashkuan dhe intelektualë të tjerë si Suat Asllani, Baltaz Benusi e shumë të tjerë. Një ndër më të spikaturit opozitar ishte dhe intelektuali Gjergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë e Parë të Enver Hoxhës, që edhe pse ishte pjesë e Luftës Nacional Çlirimtare, kishte deklaruar në Këshillin antifashist: “Aty ku nuk ka pluralizëm nuk ka demokraci”. Në janar të vitit 1946, Sigurimi i Shtetit dhe struktura të tjera të diktaturës shpërthyen një valë të madhe arrestimesh në mbarë vendin. Burgosën të gjithë anëtarët e Bashkimit Demokratik në Tiranë dhe rrethe, e i nënshtrohen torturave më çnjerëzore në hetuesi, thjesht për faktin se kishin guxuar, sipas Kushtetutës të dilnin në opozitë me pushtetin në themel të të cilit ishte dhuna dhe përjashtimi, mashtrimi dhe demagogjia në sistem.

 

Gjykata e Lartë Ushtarake me kryetar Frederik Nosi major, Veledin Hyseni dhe Nexhat Hyseni anëtar, kapitena të parë dënoi me pushkatim 9 veta: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Xhatit Koka, Mehmet Beshiri, Mahmut Meniku, Hivzi Gole, Shaban Balla, Ali Kavaja dhe Talat Drini. Ndërsa me burgime të rënda u dënuan: Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Suat Asllani, Baltaz Benusi, Prof. Çoka, Kol Rodhe, Nefail Shikuli, Reiz Hasho, Hasan Kalaja, Stefan Bumçi, Musa Dizdari, Llazar Papapostili, Anton Dukagjini, etj.

 

Më 8 Nëntor 1946, ditën e premte në sallën e Kinema “Nacional” filloi gjykimi kundër 16 anëtarëve të grupit sabotator për tharjen e kënetës së Maliqit. Fillon kështu një akt tjetër mizor i dramës njerëzore me ndërshkimin e të të ashtuquajturve “sabotatorë” të tharjes së kënetës së Maliqit. Anëtarët e këtij grupi ishin inxhinierë dhe teknikë kuadër të aftë të përgatitur në shkollën shqiptaro-amerikane të “Harry Fultz”. Ata shiheshin me një frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist. Ishte një gjyq me skenar të përgatitur me imtësi qysh më parë, i cili u hap në fillim të nëntorit 1946. Dështimi “gjoja” i tharjes së kënetës së Maliqit ishte preteks dhe sfondi tragjik ku u luajt akti i turpit dhe ndëshkimit me jetën e intelektualëve të radhës. Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga Nënkolonel Gaqo Floqi, Kryetar dhe Kapitenët Valedin Zeneli e Neshat Hyseni, anëtarë dhe Prokurorë Nevzat Haznedari dënoi me varje në litar: Abdyl Sharra inxhinier, Kujtim Beqiri inxhinier, i rivarur dy herë në litar, sepse herën e parë i shpëtoi varjes dhe sipas ligjeve të pashkruara hyjnore, personi konsiderohet i pafajshëm dhe i falet jeta. Por, gjaksorët nuk i njohin ligjet e Zotit. Po nga kjo gjykatë dënohen me pushkatim: Vasil Mano inxhinier, Zyraka Mano ekonomiste, bashkëshortja e tij, shtatëzanë, që diktatura e pushkatoi me foshnjën në bark, Euxhenio Skaturo inxhinier, italian, Mirush Përmeti inxhinier. Ndërsa me burgime të rënda u dënuan teknikët: Hans Vala, Mario Guarnjiri, Mihal Stratobërdha, Jani Vasili, Pandeli Zografi, mjeku italian Anastasio Ricco etj.

 

Në vitin 1947, qeveria komuniste shqiptare ndërrmori një ndër raprezaljet e saj më të mëdha, një terror shtetëror, “sepse një pushtet i marrë me dhunë, nuk mund të mbahej ndryshe, veçse me akte dhune”, por që përpara opinionit duhej të përligjte çdo ndëshkim që kryente. Kishin kaluar 2 vjet nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1945. Për të mundësuar pra një “koperturë pluraliste” për opinionin në këto zgjedhje kishin fituar dhe disa kandidatë nacionalistë si: Shefqet Beja, Kol Kuqari, Selaudin Toto, Sheh Ibrahim Karbunara, Kosta Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Kol Rodhe etj., apo ndonjë kandidat i pavarur. Mirëpo demagogjisë për mendimin e lirë e të pavarur shpejt do t’i dilte kallaji…. Opozitarët kundërshtarë u arrestuan dhe u akuzuan me akuza nga më të pabesueshmet për rrëzimin e pushtetit popullor. Trupi gjykues i përbërë nga: Major Niko Ceta dhe anëtarët kapitenat Nexhat Hyseni, Mustafa Iljazi me prokuror Josif Pashko, japin dënimin: Me varje në litar: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sulo Klosi. Me pushkatim: Sheh Karbunara, Enver Sazani, Selaudin Toto, Salim Kokalari, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Beqir Çela, Hysen Shehu, Pertef Karagjozi, Abdyl Kokoshi, Agathokli Xhitomi, Paolo Sagiotti, Kol Kuqari dhe Ferit Hysen Begasi, vdesin nga torturat në hetuesi, ndërsa i riu 22-vjeçar Muhamet Prishtina, do të flijohet vetëm se ishte djali i patriotit Jahja Prishtina.

 

Dënohen me burgim të rëndë: Foto Bala, Gjovalin Vlashi, Ramazan Tabaku, Ram Marku, Irfan Pustina, Isuf Vrioni, Rustem Sharra, Sulo Konjari, Haki Karapici, Shefki Minarolli etj. Ekzekutorët e këtyre masakrave ishin prokurorët: Aranit Çela, Nevzat Haznedari, Petrit Hakani, Subi Bakiri, Siri Çarçani etj. Vendimet jepeshin “në emër të popullit” nga gjyqtarë injorant, kriminelët Bexhet Mema, Myftar Grabocka, Njazi Meka, Abdyl Hakiu, oficerë të ardhur nga malet, të cilët zbatonin urdhrat e Sigurimit të Shtetit.

 

Historia e diktatorëve ka treguar se çdo regjim për të përligjur aparatin shtypës si forcë dhunuese ka nevojë të krijojë armiq. Nuk kishin kaluar as tre muaj nga i ashtuquajturi “gjyq i deputetëve”. Më 31 dhjetor të vitit 1947, në një sallë të vogël të Garnizonit të Tiranës, në orë të vona të asaj nate të errët zvidhohej gjyqi i grupit të Riza Danit, pa dëshmitarë dhe pa mbrojtës, pa prova dhe as fakte, por vetëm komunikohej vendimi i Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake i firmosur prej Major Niko Çeta, Kryetar, Kapiten i Parë, Nexhat Hyseni dhe Kapiten e dytë, Mustafa Iljazi, anëtar dhe me pretencën e Prokurorit ushtarak Nevzat Haznedari, Kapiten i Parë. Jepet vendimi për 19 të pandehur, ku do të pushkatoheshin 6, me burg të përjetshëm 5 dhe të tjerët me 20 vjet burgim. Dhe gjithë kjo bëhej mbi bazën e një promemorje përcjellëse që vinte nga hetuesia, krejtësisht me sajime dhe shpifje të turpshme.

 

Dënohen me vdekje me pushkatim: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, deputetë të legjislacionit të parë të Kuvendit Popullor. Uan Filipi, Hilmi Hysi, Hasan Reçi, Syrja Selfo dhe Mestan Ujaniku, vdesin në qeli.

 

Dënohen me burg të përjetshëm: Koço Boshnjaku, (deputet 1945), Isuf Hysenbegasi, Hivzi Kokalari, Adem Beli, Demir Kallarati dhe me 20 vjet burg, Bexhet Shehu, Ibrahim Hasnaj, etj. Shteti i diktaturës asnjëherë nuk do të ndalej së fabrikuari ngjarje-kurthe, për të eliminuar kundërshtarët politikë. Kundër tyre do të përdorte të gjitha mjetet e dhunës për t’i mposhtur. Kështu, ndodhi më 19 shkurt 1951. Në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një bombë, e cila theu dy-tre xhama dhe më shumë ngriti një re pluhuri si për të mbështjellë me mister ngjarjen që u keqpërdorua nga diktatura. Kaq u desh. Ajo që ngjau vuri në lëvizje makinerinë shtetërore e veçanërisht Sigurimin e Shtetit. U bënë arrestime masive, duke trumbetuar për armikun e klasës që kërkonte të prishte urat e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Arrestohen në Tiranë 22 vetë dhe i nxorrën në gjyq me dyer të mbyllura, si “armiq të betuar të popullit” dhe të Pushtetit Popullor. Gjykata e Lartë Ushtarake me Kryetar Shuaip Panariti, nënkolonel, Vangjel Kocani anëtar-kapiten, Nonda Papuli, Anëtar-kapiten, dhe Prokuror Siri Çarçani japin vendimin: Me vdekje pushkatim:

 

Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Thoma Katundi, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Qemal Kasaruho, Mehmet Shkupi, Hekuran Troka, Petro Konomi, Pandeli Nova, Niko Lezo, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Manush Peshkopia, Lluka Ramkoviç.

 

Por, gjyqet e diktaturës nuk do të reshtnin së vepruari edhe pas vitit 1951. Diktatura e proletariatit vazhdimisht do të prodhonte “armiq të betuar”, ajo nuk do të ndalej përpara asnjë lloj krimi.

 

Të gjitha ngjarjet e përshkruara më sipër, përbëjnë epiqendrën e një tërmeti njerëzor në truallin shqiptar. Qindra mijëra drama njerëzore do të krijonin hendekun e pakapërcyeshëm klasor me pushtetin komunist.

 

E drejta nis nga drejtësia, gabimi i gjatë bëhet faj dhe faji i ndërgjegjshëm kthehet në krim. Verifikimi i historisë do të damkosë si nëmë që del nga mallkimi i shpirtit të fyer. Fjala e bukur “Çlirim” kishte shërbyer vetëm si maskë, për një robërim edhe më të pamëshirshëm që me dhunë vllavrasëse vaditi me gjak tokën fatzezë shqiptare.

 

Fatkeqësisht deri sot, nuk është vlerësuar sa duhet problemi i përballimit të pasojave të totalitarizmit në shoqërinë shqiptare, si një domosdoshmëri të ecjes përpara. Këto pasoja janë të shumta, por më e rëndësishmja është: “Prishja e njeriut, për të cilën ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Haveli ka thënë se, “komunizmit do t’i falja çdo gjë, veç prishjes së njeriut”.

 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në janar 2006, nëpërmjet debateve të shumta nxori rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit. Strazburgu na dha kështu një mbështetje morale për ta dënuar edhe ne komunizmin shqiptar. Së fundi, Parlamenti shqiptar ka marrë nismën ligjore “Për krijimin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, që do të evidentojë dhe rishkruajë historinë e krimeve makabre të 50-vjetëve të diktaturës.

 

 

 

 

 

Dëshmitari i masakrave të komunizmit merr pjesë në një veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare

 

 

Tomor Aliko në Pragë me dokumentarin “Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar”

 

 

Dokumentari “Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist”, me skanarist zotin Tomor Aliko, Kryetari i Këshillit Kombëtar i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të filmave mbi genocidin komunist, në Pragë. Në këtë film trajtohet periudha e fillimit të diktaturës nga regjimi komunist në Shqipëri nga nëntori 1944 deri në vitin 1951, periudhë në të cilën u eliminua truri i kombit shqiptar me vendime të gjyqeve speciale dhe ato ushtarake, varjet në litar, ekzekutimet, burgosjet. Kështu në një veprimtari ndërkombëtare me pjesëmarrjen e personaliteteve nga shumë vende të botës, Aliko do të referojë mbi genocidin e pashembullt komunist në vendin tonë, ndërsa do të shfaqet dhe dokumentari i tij, ku do të shihen burgjet, qelitë e tmerrshme ku me qindra vetë kanë vdekur gjatë hetuesisë dhe mijëra të tjerë gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit. Këta ishin viktimat e para, të cilët e paguan me jetën e tyre aspiratën për liri dhe demokraci. Po kështu, një kalvar vuajtjesh dhe tmerri do të kalonin familjarët dhe të afërmit e tyre. Lufta e klasave do të kalonte çdo kufi.

 

Dëshmitar i masakrave të regjimit komunist ndaj intelektualëve të njohur, Tomorr Aliko, 83 vjeç, nuk mund të mos i tregonte ato për publikun e gjerë, fillimisht në një libër dhe së fundi në filmin dokumentar “Genocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist”. “Jetova për të treguar se çka ndodhur në atë regjim”, shprehet Aliko, i cili e ka jetuar pjesën më të madhe të ngjarjeve të filmit dokumentar, i shfaqur në Tiranë dhe pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Dokumentari, një prodhim i Televizionit Publik Shqiptar, është shkruar nga Tomorr Aliko dhe ka si regjisor Esat Telitin. Përmes dëshmive tronditëse dhe dokumenteve historike, ky film përcjell persekucionin dhe genocidin masiv që diktatura komuniste ushtroi ndaj intelektualëve të kohës, në periudhën 1944-1951, duke eliminuar dhe përndjekur egërsisht, me metoda çnjerëzore, pjesën më të shquar të tyre. “Në një 1 orë e 13 minuta, së bashku me stafin realizues, kemi trajtuar dënimin e 512 personaliteteve të elitës shqiptare, përmes fotografive, videove dhe tregimeve”, thotë Aliko, i cili ka vuajtur dy dekada burg, duke nisur nga prilli i vitit 1946. Ngjarjet reale të torturave, internimeve, ekzekutimeve, burgimeve, të vuajtura nga intelektualët, që cilësoheshin si “kërcënimi i kombit”, përfshijnë një periudhë 6-vjeçare, që nis nga 28 tetori i vitit 1944. Z.Aliko që ka punuar 4 vjet për skenarin e filmit, ndalet tek politika e atij sistemi, duke nënvizuar se, “të marrësh pushtetin, duhet dhe ta mbash atë. Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse eliminoheshin të gjitha gjurmët dhe kërcënimet që vinin nga intelektualët dhe patriotët, të cilët ishin pengesa kryesore e regjimit totalitar”. Dokumentari nis në pragun e çlirimit të vendin, kur startuan dhe procedimet për zhdukjen e individëve që kërcënonin politikën vendase, të pasuara me 5 gjyqe speciale dhe ushtarake. “Në vitin 1944, kryeqyteti u bë dëshmitar i masakrave më të mëdha të bëra ndonjëherë kundër intelektualëve, patriotëve dhe ish-funksionarëve të shtetit, pa procese gjyqësore, pa mbrojtje. Me urdhër të Enver Hoxhës, atë kohë u eliminuan rreth 100 persona, prej të cilëve janë identifikuar vetëm 38”, tregon Aliko. Pas kësaj masakre, regjistrohet gjyqi i 14 prillit 1945. “Gjyqi special i ’45 numëron 17 viktima të pushkatimeve. Ndër ta, Haxhi Përmeti, Bari Omari, kunati i Enver Hoxhës, Kostandin Kote, etj”., rrëfen skenaristi. Duke folur për ligjet e asaj kohe, që lejonin ekzistencën e partive të tjera, të tilla si Bashkimi Kombëtar, Legaliteti dhe Socialdemokratët, Aliko nënvizon se, “të gjitha këto parti do të ishin pengesë për regjimin, ndaj njerëzit që i mbështetën ato u asgjësuan si kundërshtarë të Partisë Komuniste”. Në Janar të 1946, u morën masa ekstreme ndaj dhjetëra njerëzve, mbi të cilët u hodhën akuza të pabaza. “Në këtë gjyq u pushkatuan 9 persona, ndër ta Sami Qelibashi, Qelam Koka, Xhahit Koka, Qelam Dibra, Ali Tirana, etj”., kujton Aliko. Dënimet vijuan me gjyqin ndaj të akuzuarve për sabotim të kënetës së Maliqit. “Gjyqi i famshëm i Maliqit”, ku u dënuan me varje Kujtim Beqiri, Abdul Sharra, si dhe u dënuan me pushkatim Vasil Nano, me gruan Zyranë, shtatëzanë, Mirush Përmeti dhe shumë e shumë të tjerë. Skenaristi Aliko ndalet në filmin e tij dokumentar edhe në gjyqin ndaj intelektualëve të arsimuar në shkollën Teknike “Harry Fultz”, një fidanishte siç e quan ai të kulturës shqiptare”. Në këtë gjyq u pushkatuan 22 vetë. Pjesë e këtij dokumentari është dhe procedimi i deputetëve pas zgjedhjeve të vitit 1945, periudhë në të cilën u pushkatuan Selaudin Toto, Selim Kokolari, etj. Në kujtesën e legjendës së qëndresës në burgjet e diktaturës nuk mund të anashkalohej dhe hedhja e bombës në ambasadën Sovjetike, më 1951. Intelektualët që shpëtuan nga ky antentat u ekzekutuan më vonë. Eksplozivi i përgatitur u hodh në oborrin e ambasadës, ku aktualisht ndodhet Ministria e Arsimit, për të eliminuar pjesën e mbetur të intelektualëve. “Atë kohë isha në burg”, rrëfen Aliko, i cili në bazë të hulumtimeve tregon se në atë gjyq, pa avokat dhe pa mbrojtje, të organizuar nga Byroja Politike me Sigurimin e Shtetit, me në krye Mehmet Shehun, u dënuan me vdekje 22 intelektualë, ndër ta dhe gruaja më intelektuale e kohës, Sabiha Kasimati. Në filmin dokumentar paraqiten dhe mjediset e burgjeve, të njohura ndryshe si garnizone të torturave çnjerëzore si të Tiranës, Burrelit, Shkodrës, Gjirokastrës

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s