Varr masiv nga koha e diktatures ne Kraste te Elbasanit:

Ju rrëfej pushkatimet në Krastë

Fatos Salliu

“Bishti i Krastës” në Krastë të Elbasanit është lokalizuar si një nga 29 varret masive të kohës së diktaturës.

Fjala e fundit: Të rrojë Shqipëria! Fjala e fundit: Poshtë diktatura! Fjala e fundit: Amanet fëmijët! Fjala e fundit: Shqipëria e lirë!

Këto kanë qenë amanetet e fundit e të paktën 4 prej intelektualëve elbasanas që u pushkatuan pa gjyq në vendin e quajtur “Bishti i Krastës” në Krastë të Elbasanit. Ky vend është përfshirë mes 29 varreve masive të periudhës së diktaturës.  Odisea 25 vjeçare e kërkimeve nga familjarët ka rezultuar pa sukses, edhe për faktin se ekzekutorët nuk e kanë çelur gojën kurrë.  E gjithë kjo sagë përpjekjesh është pasuar me zhgënjim…

Por së fundmi ka një projekt shpresëdhënës. Komisioni Ndërkombëtare për Personat e Humbur dhe Institutit i Integrimit të Përndjekurve Politikë kanë konceptuar një hartë të ekzistencës së varreve masive në Shqipëri e cila fillon nga Shkodra e përfundon në skajin më të largët të Gjirokastrës. Sipas projektit, që është konceptuar në disa faza, mes të tjerash përfshihen, gërmimet, analizat e ADN-së, identifikimi, varrimi etj. Bëhet fjalë për mbi 6000 të pushkatuar nga viti 1944 deri në vitin 1990.

Intelektuali elbasanas Sali Dardha tregon se një nga vendet famëkeqe të ekzekutimit ka qenë Bishti i Krastës  ku mes të ekzekutuarve janë edhe katër intelektuale si Mahmut Maçi, Fadil Gurmani, Kamer Kazazi dhe Xhafë Miraku.

Sali Dardha: Ja si i ekzekutuan katër intelektualë (Intervista)

  1. Dardha ju jeni një nga hulumtuesit e thellë të historisë së Elbasanit. Çfarë mund të na thoni për pushkatimet në kohën e diktaturës dhe varret masive në Krastë?

Këtu ku jemi ndërthuren dy tablo krejt të kundërta të historisë së këtij qyteti. Krasta ishte një ndër vendet e preferuara të qytetarëve elbasanas të cilët mblidheshin këtu për festën pagane të Ditës së Verës. Më të gëzuar ishin veçanërisht fëmijët. Di që, këtu, pikërisht ku ndodhemi ne, janë ekzekutuar shumë qytetarë dhe intelektualë të ndershëm të këtij qyteti. Njerëz të ditur e të kulturuar, njerëz të formuar në perëndim. Nga hulumtimet e mia, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, mendohet se këtu janë ekzekutuar pa asnjë shkak katër intelektuale; Mahmut Maçi, Fadil Gurmani, Kamer Kazazi dhe Xhafë Miraku. Fatkeqësia dhe faji i vetëm i tyre ishte pse kishin studiuar në perëndim. Asnjë faj, asnjë të keqe nuk i kishin bërë ata as qytetit, e as kombit tonë. Ata kishin si mision përgatitjen e arsimtarëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe u shpërblyen në mënyrën më makabre nga regjimi i egër diktatorial që i ekzekutoi pa mëshirë.

Si u justifikua vrasja apo zhdukja nga regjimi i kohës?

Ekzistonte një formulë standarde e komunizmit në atë kohë që këta janë bashkëpunëtorë të fashizmit. Mjafton që të dije gjermanisht, pasi ata i përkisnin shkollës austriake, ose italisht, dhe i etiketonin borgjezë, bashkëpunëtorë të fashizmit apo nazizmit, ndërkohë që ishin njerëz shumë të ndershëm. Shumë prej tyre ishin asnjanës, madje kanë marrë pjesë në luftë kundër okupatorit. Mund të them për Xhafë Mirakun.

Sa mund të jenë vrarë në këtë vend?

Mendoj se shumë. Ka dhjetëra familje në Elbasan që të afërmit u zhdukën pa nam e nishan. Por shifër të saktë nuk mund të them. Vetëm disa prej tyre mendoj se janë vrarë në këtë kodër.

A ka pasur përpjekje të familjarëve për gjetjen e eshtrave të të afërmve?

Po. Prej vitesh qytetarët e Elbasanit e njohin këtë si një vend ekzekutimi të kundërshtarëve të regjimit komunist. Mjaft prej familjarëve të të vrarëve kanë bërë përpjekje maksimale për të gjetur varret e të afërmve. Mbaj mend që në vitet 1993-94 ka pasur përpjekje nga bashkia e Elbasanit kur kryetar i PD-së ishte Uran Kostreci dhe kryetar i bashkisë Emin Haxhiademi. Ata ishin vetë të persekutuar të regjimit komunist dhe ndihmuan shumë familjarët për të gjetur eshtrat.

Por edhe pse gërmimet zgjatën me muaj dhe në ndihmë të tyre shkuan edhe mjete të motorizuara nuk u gjet gjë. Mendoj se kërkimet janë pa sukses pasi, ata që kryen ekzekutimet, ata që kryen rolin e xhelatit, nuk pranuan të bashkëpunonin, të tregonin. Ndoshta kishin frikë nga hakmarrja. Por ky akt të paktën do t’i çonte pa brengë në botën e përtejme, nëse e kishin një të tillë. Mendoj se duhej të silleshe si ata (xhelat) që të mund të mësoje të vërtetën.

Mendoni se do të gjenden një ditë?

Unë mendoj se po. E vërteta vonon por nuk harron. Është çështje ditësh.

images

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s