Shqipëria një pjatë e përzier……

Shqipëria një pjatë e përzier e paudhësive

Deputetja e PD, Mesila Doda, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte shqyrtuar projektligji per “Hapjen e dosjeve te ish Sigurimit te Shtetit”, te propozuar nga qeveria dhe shoqeria civile./r/n/r/nLawmaker, Mesila Doda, speaks during a parliamentary session.

Nga Mesila Doda

Fjala e plotë mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë

Sot është një ditë e rëndësishme për t’u përkujtuar. Më 18 shkurt të vitit 1991 nisi greva e urisë e 728 studentëve të Universitetit të Tiranës, ndaj është një rast i mirë të kujtojme dhe përkujtojmë këtu në Parlamentin e Shqipërisë datën që bëri të mundur një kthesë historike në jetën e vendit.

Dëshiroj që sot t’i rikthehem këtij momenti që na ndryshoi e na rriti të gjithëve njëheri, jo thjesht si një person i privilegjuar që isha në rreshtat e atyre që shkruajtën historinë e jashtëzakonshme të përmbysjes së një sistemi, por që ta kthejmë këtë datë si një mundësi për të kuptuar çfarë bëmë gabim, ku u stepëm, çfarë bëmë mirë a keq dhe a u zhgënjyen njerëzit nga ne?

Greva e Urisë së studentëve të Universiteti të Tiranës ishte një akt i pastër politik për varrosjen e diktaturës në vend, për zhdukjen e miteve të rreme….Por a u zhduk miti i egër i diktaturës së veprimit dhe mendimit? Nuk u zhduk. Në këtë sallë i keni bashkë mite, gjysëmzotër të rremë, skllevër të mendimit e të shpirtit dhe njerëz të lirë që e paguajnë çdo ditë shtrenjtë lirinë e tyre, Kjo është edhe Shqipëria e sotme…një pjatë e përzier e dhunës, krimit, korrupsionit, lirisë së paepur, ambicjes, intrigës, idealizmit, hipokrizisë , servilizmit e varfërisë.

Ka pak pra, shumë pak për ta patur zili atë çka ndërtuam dhe për këtë të gjithë kemi faj. Ata që nënshtruan, që s’pranuan e s’pranojnë tjetrin, mitet e reja, të vjetra e të dhunshme të ndryshëm, por njësoj në mendje me ata çka rrëzuam para çerek shekulli, por janë njësoj me faj para realitetit dhe ata që heshtin, që përulen e nënshtrohen para forcës, dhunës së retorikës e turmës së paguar e skllave të mbretërve.

Çfarë ndërtuam? Ne ndërtuam një sistem që imitoi lirinë, imitoi demokracinë….kishte gjithë përngjasjen me të, por është një sistem i padrejtë. Është një sistem shpirtërisht e fizikisht i korruptuar, është një sistem që varfëron individin, e lë dhe e zhyt në mjerim shpirtëror e ekonomik. Mos të gënjejmë veten, ne kemi ndërtuar me duart tona, pak e përditë, mitin e padrejtë të vjedhjes, gënjeshtrës, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, trafikimit të pushtetit me banditë, ish-banditë e familjarë dhe kjo nuk është ajo që deshëm ne shkurt të ‘91. Kjo është tabloja e asaj që ndërtuam, ndaj nuk duhet të çuditemi që shqiptarët nuk besojnë më, që sot njerëzve të zhgënjyer nuk i duket gjë koha e terrorit dhe monstruozitetit të Enver Hoxhës. Para disa ditësh dëgjuam romancën e shekullit të tregohej nganjë plakë që ka mbetur e ligë, e ftohtë dhe kalkuluese deri ditën e fundit që duhet të shkojë nga kjo botë. Unë besoj se gjyqin e saj do e bëj Ai, tek i cili ajo nuk besoi dhe e mohoi gjithë jetën e saj mizore, por di të them që gjyqin këtu mbi tokë ne nuk ja bëmë kurrë. Askush nuk ja numëroi jetët e të vrarëve, torturuarve, dhunuarve, familjet e shqyera, jetët e dhunuara, varfërinë që e shkatërroi fizikisht e shpirtërisht këtë komb, tradhëtinë e shitjes së trojeve kombëtare, shkatërrimin e shtëpive të Zotit, zhdukjen e burgosjen e klerit…

Të mjerët ne… ishim të vetmit që ja lamë duart e gjakosura Ledi Makbethit, e amnistuam moralisht dhe ligjërisht nga krimet dhe e kthyem në një zonjë ëngjëllore që na tregon romancën e vet epiko-lirike. Ligjet që do duhej ta dënonin i lamë në mes, i zbutëm, madje i futëm qosheve hera-herës, historinë nuk e shkruajtëm drejt e qartë. Sa herë që duhet të bëjmë një akt të mirë për t’u ndarë sinqerisht nga krimi i djeshëm, aq herë fillojmë gjoja të zihemi mes nesh e t’i lëmë dosjet sirtareve, ligjet të pavotuara, krimin të amnistuar …e atëherë nuk duhet të habitemi që në këtë vend nuk dënohet kush, sepse nuk dënohet dot hajduti, kur nuk është dënuar krimineli, vrasësi. Ktheni kokën anash, ca do i gjeni në karrigen ngjitur me ju a disa rreshta më tutje.

Ne nuk sollëm modele të bukura, nuk ndërtuam të kundërtën e monstrës që rrëzuam në shkurt’91. Ne nuk sollëm heronj të mirë, ata që nuk vjedhin, nuk dhunojnë, ata që nuk vrasin, ata që respektojnë mendimin e tjetrit edhe kur nuk janë dakord me të, ne nuk sollëm shtetbërësin idealist që merret vesh me atë që ka përballë për të mirën e vendit të vet, që di të ulet për hir të progresit e të arritjes së qëllimeve të mëdha të kombit. Ne, e gjithë kjo klasë politike, nuk e krijuam dot heroin tonë të mirë.

Sot, në këtë ditë është mirë që t’i vëmë emrin e vet historisë së këtij vendi.

Do doja të përfundoja këtë fjalë duke lajmëruar se iniciativave që kemi ndërmarrë për t’u ndarë nga e shkuara, atyre për hapjen e dosjeve, dekriminalizimin, heqjen e medaljeve dhe titujve të nderit për xhelatët e diktaturës, do i shtojmë edhe iniciativa të tjera, tejet të rëndësishme që të marrë një pozicionim të qartë e gjithë kjo klasë politike. Shqipëria e ka jetike aprovimin e platformës kombëtare të dekomunistizimit, ku të pasqyrohet:

  1. Nevoja për një ligj për kujtesën historike. Të rinjtë të mësojnë të kaluarën e vërtetë dhe të njihen masakrat dhe kriminelët. Të punohet për gjetjen e trupave të viktimave duke përdorur informacionet që duhet të jepen me ligj nga ata që disponojnë informacionin.
  2. Të aprovohet ndryshimi ligjor për ndalimin e përdorimit në publik të simboleve komuniste dhe figurave të kriminelëve të regjimit të kaluar.
  3. Të hiqet çdo titull nderi për cilindo funksionar që është i përfshirë në krimet e ish-regjimit të kaluar.
  4. Të mos jepet asnjë dëmshpërblim për ish-funksionarët komunistë që më vonë u deklaruan të persekutuar.
  5. Të largohen kriminelët nga administrata dhe politika. Të ndalohën përfundimisht ish-gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër të bëhen pjesë e sistemit të sotëm të drejtësisë. Nuk mund të ketë dekriminalizim të keqbërësve të rinj dhe falje për xhelatët e vjetër. Kriminelët e keqbërësit e të gjitha kohërave duhen ndaluar të jenë pushtet mbajtës.
  6. Të gjenden të zhdukurit te diktaturës, të nderohen të rënët, martirët. Historia e vërtetë e Shqipërisë duhet të jetë pjesë e edukimit, pjesë e kurrikulave zyrtare në shkollat tona.

Kjo nuk është thjesht deklaratë për përdorim politik, por platform, të cilën herët a vonë politika do detyrohet ta konsiderojë, sepse shfaqje si ato që shohim sot do vazhdojnë të prodhojnë destabilitet kombëtar per shkak të modelit të keq që sjellin. Ky Parlament duhet të ndërtojë në mënyrë urgjente një komision ad-hoc për aprovimin e kësaj platforme dhe monitorimin e saj.

Më së fundi, do kisha një kërkesë që s’do duhej të vinte nga unë, por nga ju që miratuat ligjin gjysmak të dosjeve. Votoni komisionin e hapjes së dosjeve, votojeni urgjentisht se edhe atë ligj gjysmak që miratuat e keni lënë pezull dhe ende nuk e keni filluar një process, i cili u ndërtua pa vizion dhe pa dëshirë për të zbardhur të vërtetën. Më së fundi, do ju ftoja të gjithëve që në përfundim të kësaj fjale të kryejmë një akt nderimi në respekt të grevës së urisë së studentëve. Ju ftoj që të çohemi në këmbë dhe t’i bëjmë një duartrokitje si akt nderimi dhe falenderimi për studentët e dikurshëm, rebelët që ndryshuan historinë e këtij vendi.

Advertisements

Një mendim mbi “Shqipëria një pjatë e përzier……

  1. Ah moj Mesila, po ku ishe ti tash 25 vjet qe sot paske bere bilancin e zi se te zi ti me koleget tu e bete dhe i zi eshte?!
    Ke do genjesh me keto prralla?
    Kush mund te besoje ty qe dhe ti si cdo deputet ke vilat e hotelet kudo ne vend si prona te tuat regjistriar ne emer te te afermeve te tu per tu fshehur gjurmet….,
    Si cdo mashtrues tjeter politik ke dhe ti plot miliona te fshehura neper konto te zeza deri ne Kine.
    Mjaft me me genjeshtra.
    Ju jeni te gjithe hajduter kurvar e mafioz qe duhet te ju fshije fshesa e hekurt e popullit.

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: