Ja si e pershkruan Mit’hat Frasheri qe udhetonte nga Manastiri drejt Elbasanit per ne Kongresin e shkollave shqipe ne Elbasan bashke me delegatet.Nga Shefqet Deliallisi.

Shefqet Deliallisi
12 febbraio 2014 ·

Nga liqeni i Ohrit drejt Elbasanit..
Viti 1909, e vetmja rruge ishte ajo e karvaneve…
Ja si e pershkruan Mit’hat Frasheri qe udhetonte nga Manastiri drejt Elbasanit per ne Kongresin e shkollave shqipe ne Elbasan bashke me delegatet…..

Shënime udhetimi..
Drejt Elbasanit

Nga Mit’hat Frashëri

19 gusht 1909

Zbardhëllimi më gjeti të zgjuar: një mëngjes i bukur dhe i kthjellët, një veri i lehtë dhe i ftohtë. Me zërat e këndezëve po përzjeheshin hingëllimat e kuajve. Bëmë hesapin me hanxhinë dhe u nisëm. Hesapi s’është i gjatë se në këtë han të bekuar veç kashtës dhe elbit s’gjendet gjësendi tjatër.
Tani karvani ecte fare i madh, jemi më tepër se njëzet kuaj. Shokët e mij janë delegatët e Manastirit ( zoti G.Qiriazi dhe zonja P.Qiriazi) delegatët e Ohrit dhe të Strugës ( Hamdi dhe Abdullah beu) dhe delegatët e Korçës e të Skraparit me të cilët u bashkuam në këtë han të Qukësit: Orhan beu, Idhomen Kosturi dhe Abdullah beu; bashkë me këta dhe Osman effendi Zuraja, bashkëdelegat i Selanikut, Baki efendi Berati, shok i udhës dhe zot i fjalës.
Qukësi është një fshat i pandarë, çdo shtëpi një nishan dyfeku larg nga njëra tjatra: këtu rri dhe një mydir, disa xhandarë dhe një telegrafçi, po që të tërë kanë zënë dhoma në han të ri. Duke parë sa shumë punon kjo udhë dhe sa i lig është hani, njeriu kupton se me të vërtet në këta vënde të varfra jeta dhe shëndeti s’kanë fare ndonjë vleftë.
Udha gjer më një vend kish zënë të bëhej, domethënë ishte një shoes e vjetër që s’është shtruar, pastaj një udhë mali me gjithë bukuritë dhe rëndësitë e saj.
Më të mëngjër kemi brigje të mveshur me drurë, plot gjeth; më të djathtë rrjedh Shkumbini atje poshtë dhe më tej mallet e mëdhenj të Çermenikut: pamjet vërtet fort të bukura dhe plot ëmbëlsi; edhe mendohem: pa dyshim njerëzija këtu, është mbytu në moskamje, në padije dhe në egërsi; po këta pyje mund të na japin një begati dhe ata male mund të ushqejnë me mijë dhen e lopë. Shkojmë nga fshati Çura,(duhet te flitet per Xhyren Sh.D) ca shtëpi të përndara dhe ca ara të varfra: shtëpitë janë si varre të zes, pa penxhere, pa dritë, pa erë. Njerës nuk sheh gjëkund, thotë njeriu se këto ndenjtje janë pa frymë.
Këtu bashkëudhëtari ynë, Hamdi beu nga Ohri, më rrëfen një shkëmb, një gur i lartë dhe i vetëm, brënda në drurë; këtij shkëmbi edhe sot fshatarët këtu i thonë Gur i Skënderbeut. Kujtimi i trimit të madh qënka më i gjallë në fshatra e në mal, se sa në qytetet!
Më të djathtë, atje tej mbi malet e Çermenikut, shoku ynë tjatër Osman efendiu, na rrëfen një shkëmb më të madh, Gur i Muzaqit, përmi katundet neshta dhe Zdransha: më ato duken ca kasha e fortesa të gjermadhosura, ku qënkan gjendur sende dhe monedha(para) të vjetra.
Pas katër orë e gjysmë, arrijmë në Babja, ku një han dhe një gurëz anë udhës po na presim që të hamë drekë.
Poshtë Babjes, tej Shkumbinit po shohim çadra ushtarësh: këto janë çadrat e ushtarëve që punojnë në udhë. Pesëqind ushtarë nga ata që bënë trubullimin e 31 marsit në Stamboll, janë dërguarë këtu që të punojnë në udhë: tani udha, duke nisur nga Ura e Qukësit do të shkojë buzë Shkumbinit më anë të djathtë dhe jo nga shkëmbenjtë dhe nga malet e Çuras e të Babjes, sikundër që ish shënuar herën e parë. Udha sot gjer në Babje ka arritur dhe pandehet se në vaftë kështu, gjer motin që vjen do arrijë në Elbasan: nga vija e re udha do të jetë më e mirë se s’ka të përpjetë e të tatëpjetë.
Një ngrënie e lehtë, ca bukë, ca mish, një ujë të ftohtë neve dhe ca bar kuajve, na jep fuqi. Udha prap nis gazmore se rreth nesh çdo gjë që shohim, na gëzon sytë dhe shpirtin, jo se është zbukuruar prej dorës së njeriut, po një bukuri e egër, një bukuri pa fitim për këta njerëz.
Mbi udhët shohim ca gurë që më ngjajnë me serpentit dhe mendohem se në ato vënde do të ketë dhe metal kromi:kush e di se mbase një ditë do të jetë një burim begatije dhe lumturije.
Me shokun e afërm, zotin Idhomene, po kuvëndojmë mbi nevojat e mëdha që ka vëndi ynë për udhë që të mundim të lëvrijmë dhe të punojmë. Po mendohemi se kjo udhë e re në mes Manastirit dhe Elbasanit, duke u zgjatur gjer në Durrës, do të çelin një rrugë të re dhe të lehtë: kjo udhë duke u bashkuar dhe me Korçën do sjellë një lehtësi të madhe në tregti të Shqipërisë së mesme: sot placket e Triestës vijnë prej Selanikut me udhë të hekurtë në Manastir; po ahere do vijnë drejt për drejt nga Durrësi dhe bëhet një ekonomi e madhe.
Po dhe shumë dobi e lehtësira do kemi kur të mundin të punojmë dhe automobilët mbi këto udhë: ahere një udhë dy dtitësh do bëhet një gjysëm dite dhe automobilët do jenë si gjysmë udhë të hekurta.
Duke kuvënduar kështu po harronin kohën, kur përnjëherë një shok na thirri së prapsmi: këtu duhet që të zbrisnim nga kuajt dhe të ecim më këmbë, se ish një e tatëpjetë e keqe. Ndodheshim në një vend që i thonë Brinjë e Polisit dhe me të vërtet u zbritëm kafshëve, se në Shqipëri më të rallë mund njeriu që të udhëtojë një ditë të tërë pa u shtrënguar që të zbresë nga shala.
Kjo e tatëpjetë që e lodhe pak njerinë, se është tërë gurë dhe ferra, po shpirti kënaqet me një pamje të çudiçme: Shkumbini me gjarpërimet e tij dhe me të dy anët e gjelbërta vërtet bën një tabllo të rallë dhe të çudiçme. Tani jemi te Ura e Haxhi Beqarit, një urë e gurtë bërë dyqint vjet më parë. Atje kafshët dhe njerëzit çlodhen pak: të parët pinë një kafe, të dytët një ujë në lumë.
Ng aura shkojmë më të djathtë. Pas kësaj kemi një udhë shesh.
Kur arritëm ne Rrap i Vojvodës, gjetëm një shumicë njerës nga Elbasani që na kishin dalë përpara bashkë me Dervish benë.
Një fjalë mirseardhjeje prej pritësit dhe një fjalë ngjatjetimi prej nesh dhe gjithë më këmbë hyjmë në qytet drejt në klubin Bashkimi, ku na pret dhe një shumicë tjetër.

Fotot : pamje nga Udhetimi..

"Nga Quksi drejt Elbasanit.."
Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s