KUSH E RRËZOI SHTATOREN E DIKTATORIT HOXHA?Nga Tanush Kaso.

KUSH E RRËZOI SHTATOREN E DIKTATORIT HOXHA?
( Mbresa e kujtime nga 20 shkurti 1991 )
Nga fundi i viteve ’80, me ngjarjet politike që ndoqën njera-tjetrën në Rusinë Sovjetike dhe në Kampin socialist të Evropës Lindore. edhe në Shqipëri u shtuan shpresat për shembjen e regjimit komunist dhe për vendosjen e sistemit demokratik perëndimor. Populli ynë i shumëvuajtur, ishte përgatitur shpirtërisht për kthesën e madhe. Por, diktatori i fundit, Ramiz Alia, përpiqej si Don Kishoti, që ta frenonte rrotën e historisë. Ai kishte deklaruar në një fjalim, se erërat e ftohta të Lindjes, nuk do të depërtonin në Shqipëri; dhe se “edhe bar do hamë, edhe gjak do derdhim, por parimet nuk i ndryshojmë”. Mirëpo, rënia e murit të Berlinit, vrasja e çiftit Çaushesku në Rumani, demonstratat në Kavajë, Shkodër e Tiranë dhe sidomos përleshja e rinisë së kryeqytetit me policinë dhe futja nëpër ambasadat në muajt qershor e korrik të vitit 1990, e vranë frikën tek populli dhe i futën tmerrin Ramizit dhe Byrosë Politike, si edhe krerëve të tjerë të regjimit e të Sigurimit. Kësisoj, Ramiz Alia, nisi të kërcente tangon Leniniste “një hap prapa dhe dy përpara”. Ai përgatiti pa vonesë planin e tërheqjes provizore, për të shpëtuar veten dhe kastën e tij, dhe për të ecur pastaj përpara, duke ndjekur skemën e Katovicës. Për këtë qëllim, gjashtë muaj mbas demonstratës së 2 korrikut 1990 në Tiranë, ai vuri në përdorim disa nga besnikët e tij, të cilët i dërgoi tek studentët e Universitetit “Enver Hoxha”, për të organizuar atë veprimtari të kontrolluar prej tij, e cila do të quhej “Lëvizja studentore”, për të kaluar më vonë tek shpallja e “pluralizmit politik” ( të rremë) dhe tek krijimi artificialisht i partive të para, me drejtues të caktuar prej tij dhe me elementë të Sigurimit brenda tyre. E tillë ishte Partia Social-Demokrate e kryesuar nga ish ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi; Partia Republikane me kryetar Sabri Godon; Partia Ekologjike me në krye Namik Fadile Hotin, etj.. Po le të kthehemi tek studentët, të cilët -siç dihet dhe siç e theksoi edhe Ramiz Alia, ishin “bijtë e bijat e Partisë” dhe mund të përdoreshin siç donte ai, pa rrezikuar që të dilnin jashtë kontrollit. Edhe nja dy vite më parë kishte pasur rebelime tek studentët, po kurrsesi për motive politike. Ato ishin thjesht për përmirësimin e ushqimit, për energjinë elektrike e … madje edhe për liri seksuale (duke përdorur fjalë banale). Këtë e mbajnë mend fort mirë ata që ndiqnin universitetin në ato vite, po edhe një pjesë e qytetarëve të Tiranës; sidomos banorët pranë konvikteve, ku çdo natë dëgjoheshin britma e zhurmë shurdhuese. Megjithatë, aty nga dhjetori i vitit 1990, tek studentët u shfaqën edhe motivimet dhe parullat politike. Pati edhe përleshje me policinë. Ishte ajo kohë kur populli i Tiranës nisi t’i mbështesë fuqimisht studentët, duke u grumbulluar përditë tek sheshi pranë konvikteve të universitetit dhe duke demonstruar së bashku me ata. Turma e përbërë nga qytetarët, nga minatorët e Valiasit dhe nga punëtorët e fabrikave e të ndërmarjeve të ndryshme, shtohej nga dita në ditë. Për organizimin e tyre, merita i takon krerëve të Sindikatave të sapoformuara. Që nga fillimi i atyre tubimeve të zjarrta, kemi shkuar atje çdo ditë me disa nga fqinjët, ndër të cilët më kujtohet ai më entuziasti, Bahri Kokonozi. Aty takoheshim edhe me disa nga shokët ish-të burgosur, që punonin si specialistë për ndërtimin e oxhakut tek “Qyteti i Studentit”, si Karolin Shala, Haki Bulku, etj., të cilët i bashkoheshin tubimit të protestës. Ndërkohë ishin ngujuar në një grevë urie tek një sallë, një numër i madh djemsh e vajzash të Universitetit “Enver Hoxha”, të cilët kishin midis kërkesave të tyre edhe heqjen e atij emri të urryer. Çdo ditë nga persona të ndryshëm, drejtues me pardesy të bardha, punëtorë, studentë e sindikalistë, mbaheshin fjalime nga më të ashpërit kundër diktaturës dhe qeverisë komuniste. Hidheshin parulla tronditëse, si: “O Ramiz, o zagar! Do të varim në litar!”; “Enver-Hitler!”; “Liri Demokraci!”; “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, etj… Këto demonstrata të fuqishme vazhduan gjatë janarit e deri më 20 shkurt 1991. Nuk reshtën as në ditët e ftohëta e të acarta, kur kodrat dhe “Qyteti Studenti” ishin zbardhur nga dëbora, që si rrallëherë kishte rënë në Tiranë. Për të ndalur pak vrullin e demonstratave, qeveria urdhëroi mbylljen e Universitetit “Enver Hoxha”. Studentët u larguan nëpër rrethet e veta. Por, kjo masë nuk e pengoi zhvillimin si më parë të tubimeve me pjesëmarrjen e gjerë të popullit të kryeqytetit e të rrethinave. Me sa kuptohej, qeveria nuk shqetësohej nga ato demonstrata dhe nga sharjet “me themel e me çati”, mbasi i kishte lejuar vetë. Kjo provohej edhe nga fakti se policia nuk ndërhyri asnjëherë tek sheshi i demonstratave. Ajo trembej vetëm nga tejkalimi dhe dalja e tyre jashtë kontrollit. Po edhe për këtë, kujdeseshin njerëzit e besuar të Partisë, garda ramiziane me pardesytë e bardha që drejtonin nga tribuna. Ajo përbëhej nga “shokë” të Partisë, anëtarë ose sekretarë të saj, si dhe nja dy pedagogë, prindërit e të cilëve kishin dhënë shumë “prova besnikërie”, gjatë luftës dhe më pas.
Më 20 shkurt 1991, dita ishte e ngrohtë dhe pjesëmarrja në demonstratë më e madhe se kurdoherë. Përveç popullit të kryeqytetit, rinisë shkollore, punëtorëve të Uzinës së Traktorëve, të Poligrafikut, të Minierës së Valiasit, të Uzinës “Partizani”, të Kombinatit të Tekstileve, të Ndërmarjes artistike “MIgjeni”, etj., kishin ardhur edhe nga Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe fshatrat e afërme. Entisiazmi dhe britmat frenetike arritën kulmin, kur e mori fjalën artistja e njohur Raimonda Bulku. Mbas asaj, turma u vu në lëvizje dhe mori drejtimin e qendrës së kryeqytetit, për të vazhduar demonstrimin. Një pjesë e madhe, ku ishim edhe ne, ish-të burgosurit politikë, marshoi për tek sheshi qendror, ku qëndronte edhe shtatorja prej bronxi e diktatorit Enver Hoxha. Pjesa tjetër u kthye tek Radio-Televizioni dhe mori rrugën për tek “Blloku i Udhëheqjes”, me qëllim që ta sulmonin e ta asgjësonin atë. Por mjaftoi thirrja e një “pardesyje të bardhë”, të cilëve turma i besonte verbërisht, për ta kthyer mbrapësht të gjithë atë masë njerëzish, që nuk do të kishte forcë për ta ndalur. Ndërkohë, mizëria e njerëzve që dolën tek sheshi qendror, me thirrjet “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë diktatura!”, “Enver-Hitler!”, etj., rrethuan shtatoren e diktatorit. Policia, me shkopinj gome e me qenë përdore, u vërsul për ta larguar e për ta shpërndarë turmën e egërsuar. Por, ishte e pamundur. Nuk bëri gjë as një makinë policie që hodhi ujë mbi demonstruesit. Si policët ashtu edhe makina e ujit, u qëlluan nga mijëra copa pllakash të shkulura e të hedhura ma vrull mbi ta. Në pamundësi për të vepruar më tej, policia u largua e u tërhoq mënjanë. Nga larg lëshoi disa breshëri plumbash gome, nga të cilat nuk u tremb askush. Dikush lidhi një kavo çeliku tek dora e bronxtë e diktatorit, e cila u tërhoq nga një kamion, që u gjend pak më tej. Një grup të rinjsh të fuqishëm e të guximshëm, nisi ta shtyjë shtatoren, e cila, mbasi u lëkund disa herë majtas e djathtas, u shemb përdhe, e shoqëruar nga mijëra britma gëzimi. Atëherë u afruam të gjithë pranë atij përbindëshi të shtrirë, për ta parë më nga afër. Shumë demonstrues nuk pushonin së shari e së godituri me shqelma e me gurë atë simbol të së keqes. Pastaj disa të rinj e lidhën mbas makinës dhe e tërhoqën zvarrë deri tek studentët e ngujuar në grevën e urisë. Pllakat e mermerit të zi, që ishin tek piedestali i monumentit, u zopëtuan nga të pranishmit dhe gjithsecili merrte nga një ose disa copa për kujtim nga ajo ditë e shënuar dhe historike. Ashtu bënë edhe shokët e mi të burgjeve. I moshuari dhe i sëmuri Ibrahim Xorxi, mori disa copa për t’ua dhuruar miqve të tij që nuk kishin mundur të merrnin pjesë në atë ngjarje historike. Edhe unë mora nja dy copa, të cilat ia çova në shtëpi, bashkëvuajtësit Riza Kuçi, i cili prej disa kohësh dergjej në shtrat nga një sëmundje e vjetër.
Ai u gëzua shumë dhe tepër i çuditur, më drejtoi pyetjen: Po kush e rrëzoi shtatoren e diktatorit? Dhe përgjigja ime ishte e menjëhershme: E rrëzoi urrejta mbarëpopullore e grumbulluar ndër vite. Kur shtatorja ra përtokë, askush nuk doli të thoshte dy fjalë, Asnjë organizatë, parti apo individ, nuk e mori autorësinë e atij veprimi spontan dhe të papërsëritshëm në historinë e Shqipërisë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s