Tmerret e Internimit..Si ma hëngri Qeni Bukën..Nga Simon Mirakaj..

images (4)

Qeni që më hëngri bukën.
Ishte fund gushti edhe pse ishte mëngjes dielli i kishte zbrazur rrezet duke shpërndare nje nxetësi përvëluse,
Simon, më tha brigadieri :
Do shkosh në Godolesh se kanë mbetur nja dy skolina misri pa vaditur.
Isha bërë mjeshtër në vaditje e kisha merak, kur vadisja doja ta çoja ujin në çdo bimë. Shkova në shtëpi mora çantën e bukës që e kisha bërë gati me nja dy speca të skuqur, dy domate pak gjizë dhe bukë, mora dhe bidonin e ujit, mbatha gjysmat e çizmeve kapelen e kashtës në kokë mora lopatën u nisa, ishte pak larg rreth një km e gjysëm, rruga ishte gjithë pluhur që ngrihej si mjegull prej qerreve që kalonin të ngarkuara me jonxhë, ndërsa në dimër kjo rrugë ishte e pa kalueshme se balta të shkonte deri në brez, vetëm qerret e traktorët me zinxhire kalonin që të tërhiqnin rimorkjot me misër apo pleh. Mbërrita te vendi i punës hoqa çantën e bukës e bidonin e ujit nga supi, nuk kishte as një hije i kishin prerë te gjithë plepat anës rrugës, mblodha ca gjethe misri e mbulova bukën dhe ujin, mora lopaten e hapa grykën ku do kalonte uji për të vaditur. Kanali kishte shumë ujë por unë ktheva aq sa mund ta përballoja e ngrita grykën që uji mos të shpërthente anash, parcela e misrit ishte 220m e gjatë kështu uji për të dalë në krye donte një orë, por duhej ndihmuar duke pastruar vijën nga barishtet, misri ishte afër pjekjes kallinjtë e misrit e kishin mbushur kokrrën mirë, herë pas here futesha në vijën e ujit laja ftyrën freskohesha me ujin qe më vinte nga pas me shpejtësi, edhe vijën e ujit e ngrija nga pak në mënyrë që uji të mos shpërthente anash, vaditja duhej të fillonte nga fundi, nganjëherë ulesha për të pushuar nën hijen e misrit të dendur, nuk mund të qëndroje gjatë brenda se të zihej fryma, kisha hequr kanatieren, gjysmat e çizmeve, pantallonat , isha në brekë, gjethet e misrit më fërkonin krahët e më digjnin, sa të lëvizje pak degët e misrit shkundeshin duke të lëshuar një pluhur të zi që të hynte në gojë e kur pështyje ,pështyma të dilte e zezë, dukej vetja sikur punoje në minierë. Parcelat e misrit ishin afër me njëra tjetrën , kur dola në fund të skolinës për të bërë një pritë kanalit kullues pashë gra që prisnin bar me shatë në parcelën tjetër, disa i hodhën shatat e u hodhën në kanal për tu freskuar u hodhën me gjithë rrobe . U futa përsëri brënda skolines, uji kishte mbërritur te prita e fundit e vijës, kështu fillova të hap gojza të vogla, fillova të vadis duke i dhënë drejtimin e duhur ujit për ta çuar në çdo bimë të misrit. Isha lodhur, dreka po afrohej, sistemova ujin që unë të pushoja afërsisht një orë e të mos kishte rrezik përmbytje. U nisa për të shkuar te çanta e për të pirë ujë, pak kishte mbetur në bidon ishte ngrohur megjithate e ktheva, lashë pak sa për të ngrënë bukën, shikoj çantën ishte e hapur buka përjashta me gjithë specat e domatet në tokë, kush ka pasë punë me të thashë me vete, kur shikoj pak më tej një qen që kur më pa filloi të tundte bishtin sikur të më thoshte se e hëngra unë, mora një plis që ta godisja e ngrita dorën, ai nuk levizi por po më shikonte duke tundur bishtin përsëri mu duk sikur më thoshte:
Më fal e hëngra nga urija…
E pashë, i numëroheshin brinjet ishte i dobët si unë , me kishte pritur per te me thene që e hëngra bukën se më kishte marrë uria, nuk ishte larguar ndoshta për të më kërkuar të falur, atëhere e ula plisin dhe qëllova ujin. Po tani çfarë të bëja? Mezi rrija në këmbë nga uria, qeni ndiqte lëvizjet e mija, shkova iu afrova ai nuk lëvizi , fillova ta përkëdhel e ti flas :
E di bukën e kujt ke ngrënë? Mos trego,mos i thuaj shokëve.
Unë jam quajtur armik nga diktatori i zi që në fëmijëri, prandaj të lutem ik… se po të shohin me mua do të rrahin, ti nuk e di që një shokun tënd i quajtur Tartarin që rrinte me të burgosurit ishte bërë mik me ta, e denuan me varje si pjestar i revoltes të Spaçit, prandaj ik… ai më kishte ngulur sytë, e unë vazhdoja ti them ik … qeni duket e kuptoi lutjen time, uli kokën e i bindur për ato që i thashë… u nis e herë pas here kthente kokën për të më parë deri sa u largua duke vrapuar e nuk u pa më. Po unë çfar të bëja ? Hyra në parcelë e hapa një kalli misri, kokrrat ishin të mira për të pjekur, dola në rrugë e fillova të mbledh bajga të thata e ndonjë krande , mbusha mirë krahun e u futa në parcelë thellë që të mos më shikonin, mora çakmakun e ndeza krandet e thata e sipër tyre vendosa bajgat e thata, ndeza dhe nje cigare , këputa nja tre kallij misri e i vura për ti pjekur. Fillova të ha me shumë uri, piva dhe ujin qe më kishte mbetur, shkova pashë ujin e vaditjes, çdo gjë ishte në rregull, bëra një pritë vijës më përpara, hapa ca gojza të vogla që të hynte uji në të dy anët e skolinës, shkova përsëri te zjarri duke i kthyer kallinjtë për ti pjekur, kishte mbetur një pa u pjekur duke i fryrë zjarrit u poq edhe ai, mbasi mbarova, boçet e misrit i groposa, zjarrit i hodha ujë për tu shuar. Më ndezi etja për uje, bidoni nuk kishte më, atëhere u zhyta në kanal u lava, po etjen nuk ma hoqi, dola nga kanali mora kanatjeren e ju drejtova vijës vaditëse, vura kanatjeren siper ujit per ta kulluar nga llumi e u shtriva e fillova të pi ujin mbi kanatjere, në vijë shikoja krimbat e vegjël që notonin, ata ishin të vegjël nuk kishin çfarë të më bënin, u denda mirë me ujë kanali e u shtriva në vijën e ujit duke parë qiellin e kaltër duke ju lutur që të mos tregonte për atë që kishte parë. Mbasi pushova pak fillova përsëri punën, nga darka e kisha përfunduar vaditjen e dy skolinave e i lodhur u ktheva për në shtëpi, duhej ecur shpejt për të mbrritur në kohë në apel .

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s