44 Vjet te Internuar..nga Simon Mirakaj..

FB_IMG_1461171488890

Internim 17 Korrik 1945- 4 Korrik 1989
Muri i Berlinit kishte rënë, komunizmi ishte në grahmat e fundit, megjithatë në Shqipëri vazhdonin dënimet e arrestimet. Në 26 Qershor të 1989 unë me gjithë vëllain Sokolin mbushnim pesëshen e nëntë të internimit pra 45 vjet, na ishin ngjallur shpresat se internimit tonë i erdhi fundi. Në mbasditen e asaj dite na thërrasin në zyrën e këshillit, atje na priste një oficer i degës të punëve të brëndëshme, Rexhep Cuko që zëvëndësoi Vangjel Shtëmbarin, të cilët vinin një herë në pesë vjet që na komunikonin masën e përsëritjes së internimit me pesë vjet, kështu bëri edhe në dt.26 Qershor 1989, duke na lexuar formulën e zakonëshme :
-U mblodh komisioni i internim dëbimeve dhe vendosi tju shtojë edhe pesë vjet masën e internimit, pra pesëshen e dhjetë.
-Firmoseni …Na u drejtua: oficeri, shikuam njëri tjetrin e Sokoli prerazi i thotë:
-Nuk firmosim ….. u larguam jo shumë të mërzitur mbasi e dinim se ishte fundi i tyre. Nuk kishte kaluar një muaj nga marrja e pesëshes së dhjetë kur na thërrasin përsëri. Atë ditë të katër korrikut, unë po punoja në lëmë me Gjon Markagjonin në kthim gruri, ishte shumë vapë, të dy ishim me pantallona të shkurtra e me kapelet e kashtës në kokë për tu mbrojtur nga të nxehtit. Në lëmë skishte njeri, vetëm ne të dy dhe zogjtë që çukisnin grurin largoheshin e vinin përsëri pa u shqetësuar nga prania jonë. Nga ora dymbëdhjetë hodhëm lopatat e u drejtuam për në shtëpi, u freskova pak me ujin e kazanit që ishte lënë në diell e u futa në guzhinë, u shtriva në minder për të pushuar, dëgjoj një zë që thirri:
-O Sokol……Sokoli nuk luajti….. e unë I them:
-Sikur po thërret dikush o Sokol… pa shiko a më bëjnë veshët. Pa mbaruar fjalën kur hyn Vangjeli përgjegjsi i apelit, unë ngrihem nga minderi, ai pa që ne u shqetësuam e menjëherë na tha:
-Kam ardhur të ju jap një lajm të mirë:
-Ti Solol edhe ti Simon jeni liruar, ka ardhur një oficer nga Ministria e Brëndëshme e do të ju komunikojë vendimin. Kunata e fëmijët e Sokolit filluan të lotojnë nga gëzimi me lotët e tyre u bashkuan dhe lotët e Vangjelit.
-Po të gjithë jane liruar? i tha Sokoli.
-Po, të gjithë jeni liruar me përjashtim të Xhevat Tarushes edhe ai do lirohet mbas dy muajsh:
-Por ju lutem bëni sikur nuk dini gjë. Kunata Vali, me lot në sy i nxorri një llokum Vangjelit, ai vazhdoi:
-Ne do të bashkohemi të gjithë tek vendi i apelit e prej aty do shkojmë në zyrën e këshillit. Mbas pesë minutash u mblodhëm të gjithë tek caku, e prej aty hymë në zyrën e këshillit e u ulëm në stolat që kishte zyra. Vangjeli shkoi e lajmëroi oficerin i cili shoqërohej nga operativi dhe paria e vendit. Sapo hynë iu drejtuan tavolinës e u ulën në karriget ,Vangjeli nxorri listën e bëri apelin:
-Janë të gjithë e pyeti oficeri ?
-Po, ju përgjigj: Vangjeli. Oficeri i cili nuk i hoqi syzet lexoi vendimin:
-Komisioni i internim- debimit u mblodh dhe vendosi duke parë qëndrimin tuaj të mirë të ju heqë masën e internimit. Lexoi emrat e të gjithëve me përjashtim të Xhevat Tarushës, pra vazhdoi oficeri:
-Nga ky moment ju jeni të lirë, mbasi futi listën në xhep na u drejtua:
-Për ju kam një keshillë…. që mos të merreni me politikë. Ai priti që ne ta falenderonim për lajmin e dhënë por, e pa që priste kot. Mund të largoheni, dolëm vetëm duke ju thënë: Ditën e mirë, e pa ju dhënë as dorën. Sapo dolëm nga dera, filluam të përqafohemi me njeri tjetrin e duke uruar njeri tjetrin u drejtuam gjithesecili për në shtëpinë e vet, duke bërë planet e udhetimeve. Mbas 44 vjetësh bëra udhëtimin e parë për tek motra Lajdja në Savër pa marrë leje tek operativi ( oficeri i sigurimit) . Të nesërmen u nisëm për në Gradishtë tek nanë Palja, tek Mojsi e Leka që kishin pak kohë që kishin dalë nga burgu. Nanë Palja kur na pa i thirri Klores:
-Klore dil shpejt se erdhi Sokoli me Simonin e jane liruar, vuri dorën në zemër e nga sytë i rridhnin lot,
-Nana Pale mbaju, ne jemi lirue, i tha: Sokoli, u përqafuam me Kloren e Fatosin. Barakat ishin ngjitur me njëra tjetrën, menjëherë mbërriti Leka, Loli me fëmijët, Mojsi, Dava me fëmijët. U futëm të gjithë tek shtepia e Fatosit, atë natë nuk fjetëm. Lirimi jonë ndodhi plot mbas 44 vjet, në 4 korrik të vitit 1989.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s