Uran Butka: E vërteta e luftës civile në Shqipëri

“Lufta e armatosur kundër organizatave, formacioneve ushtarake dhe individëve të cilësuar “armiq e tradhëtarë” u bë fillimisht kundër çetave vullnetare të Ballit Kombëtar, më pas të Legalitetit dhe të krerëve të Veriut.”

Cili është mendimi juaj për luftën antifashiste të kombit shqiptar?

Lufta Antifashiste e popullit shqiptar lindi dhe u organizua si reagim patriotik i shqiptarëve kundër pushtimit italian dhe më pas gjerman të Shqipërisë dhe i shërbeu çlirimit te vendit dhe kauzës së përbashkët antifashiste të popujve gjatë Luftës II Botërore.Kam vlerësim për këtë luftë patriotike e çlirimtare si edhe për sakrificat e gjakun e derdhur për liri të luftëtarëve e të dëshmorëve nacionalistë e partizanë, ndonëse historiografia shqiptare e ka trajtuar në mënyrë të njëanshme, të politizuar dhe të tjetërsuar, ndërsa politika e ka fetishizuar dhe instrumentalizuar.Deri në Kuvendin e Mukjes, përgjithësisht zotëroi fryma e mirëkuptimit, shpesh edhe e bashkëpunimit, ndërmjet dy organizatave kryesore politiko-ushtarake: Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar.

Secila organizatë kishte programin e vet të dallueshëm e të ndryshëm, por në themel të tyre ishte lufta kundër pushtuesve nazifashistë. Deri në atë moment kyç të historisë sonë të Luftës së Dytë Botërore, armik konsiderohej pushtuesi italian që kishte zaptuar Shqipërinë qysh më prill të vitit 1939 si dhe aleati i tij, okupatori gjerman, i cili sapo ishte dukur në horizontin shqiptar.Marrëveshja e Mukjes lindi si një nevojë e një kombi për vetëmbrojtje, për liri e bashkim, për civilizim e demokraci. Ajo është një çështje kyç në historinë moderne të Shqipërisë, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të asaj kohe lufte dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen.Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua më datën 1–3 gusht të vitit 1943 . Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë;. në një udhëkryq të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes; në një dualitet alternativash : nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore. Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i zgjedhur në Mukje, paraqiti këtë program:

1 .Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindse “Ja vdekje, ja liri”

2 .Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.

3 .Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.”Marrëveshja e Mukjes, ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares, është një kompromis i madh kombëtar, model pët të gjithë kohrat, madje edhe për sot.

Çfarë ndodhi më tej?

Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë vendosi që menjëherë pas shpalljes marrëveshjes të bënte një aksion të përbashkët kundër pushtuesve italianë. Në komunikatën e pas luftës, që gjendet në Arkivin shtetërot, Fondi 270, Dosja 5, v.1943, lexojmë:“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi, më datën 4 dhe 5 të gushtit 1943, në orën 10.00, pasi morën vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gëdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si edhe komunën e zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej Qafë-Shtamës… Plot në orën 7.10 të ditës së nesërme ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati tri orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike. Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A.P.Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje e fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 Prillit 1939. …Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.” Kjo luftë, tri ditë pas Marrëveshjes së Mukjes, tregoi se marrëveshja nuk mbeti në letër, por u mishërua në veprime konkrete; se marrëveshja ishte serioze, një lidhje bese dhe jo një tradhti që, sipas E.Hoxhës, binte ndesh me interesat e luftës; një betejë e përbashkët e forcave partizane dhe nacionaliste për liri dhe jo një “ grackë” siç thoshte E.Hoxha; një bashkëpunim i suksesshëm në luftë i udhëhequr nga struktura e re, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë.Pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes nga PKSH, me nxitjen e jugosllavëve, dhe pas Konferencës së Labinotit, 4-8 shtator 1943, që i shpalli luftë të hapur Ballit Kombëtar, me të cilin ishte në marrëveshje deri atëhere, si edhe me qarkoret e E.Hoxhës për të goditur ushtarakisht dhe asgjësuar Ballin Kombëtar (1 tetor 1943), nisi lufta civile në Shqipëri.

Ju pyesni, a kishte luftë civile në Shqipëri në vitet 1943-1945?

Në Librin tim “lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, kam argumentuar katëcipërisht me dokumenta të Arkivit Qendror të Shtetit, si edhe me dokumenta të arkivave britanike, italiane, gjermane, jugosllave, etj merr përgjigje të plotë dhe të dokumentuar kjo pyetje, e cila është kthyer në një dilemë.Lufta civile në Shqipëri në vitet 1943-1945, ishte një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një konflikt ushtarak midis të djathtës e të majtës, me pasoja tragjike jo vetëm për atë kohë. Ajo i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë armiqsore dhe ndërluftuese.

Sipas jush cilët janë përbërësit e luftës civile?

Konfrontimi i brendshëm i armatosur për motive politike, ideologjike, pushtetore e kombëtare midis grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, rezistenca kundërkomuniste me armë dhe lufta e përgjakshme për shtypjen e saj, janë përbërësit kryesorë të luftës civile në Shqipëri (1943-1945 e më tej).Si një fenomen shoqëror, lufta civile nuk ndodhi rastësisht apo nuk nisi menjëherë. Ajo i ka fillesat qysh me pushtimin fashist të Shqipërisë, i cili u çeli udhë dy rrymave politike dhe luftarake të kundërta: Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të dyja lëvizje të përftuara si një reagim ndaj pushtimit të huaj, por me mendësi, platforma e vija politike të ndryshme: njëra e djathtë, tjetra e majtë, njera kombëtare dhe tjetra internacionaliste. Këto lëvizje thithën, ngërthyen dhe mobilizuan secila pjesë të konsiderueshme të popullsisë së fshatit e të qytetit, që u përfshinë në këtë luftë, kështu që u bë ndarja e madhe e shqoqërisë në dy kampe të kundërt, njëri i udhëhequr nga organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe tjetri nga Partia Komuniste.

Kështu që edhe Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH dhe E.Hoxha si edhe e dominuar nga detyrat e revolucionit komunist e të marrjes së pushtetit me dhunë e gjak, e kapërceu shtratin e luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe i vuri shqiptarët në luftë të pamëshirshme kundër shqiptarëve. Ajo degradoi kryesisht në një luftë civile për pushtet dhe për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri.Vetë ekzistenca e PKSH, një parti e tipit bolshevik dhe drejtimi i Luftës NÇ prej saj ishin premisa të luftës civile në Shqipëri. Ndërkohë edhe Fronti NÇ, edhe Këshillat NÇ, edhe Ushtria NÇ, organizatat e masave etj. u indoktrinuan dhe u shndërruan gradualisht në organe të PKSH, si në Rusinë sovjetike. Ishin udhëzimet e Kominternit si edhe përvojat jugosllave të praktikuara ato që, për formimin e funksionimin e Frontit NÇ si kusht të parë vinin dominimin e tij të plotë prej Partisë Komuniste, e cila duhet të ruante vazhdimisht rolin udhëheqës në Front dhe një organizim stalinist, duke mos lejuar hapësira dhe mundësi pluralizmi apo aleance, duke i shpallur luftë kundërshtarëve politikë, që nxisnin luftën civile, nëpërmes së cilës të merrej pushteti. Të gjitha urdhëresat e Hoxhës drejtuar komiteteve qarkore të partisë apo drejtuesve të lartë Ushtrisë NÇ e kanë të shprehur qartë dhe prerë arsyen madhore të shpalljes së kësaj lufte civile: marrjen e pushtetit. “Në radhë të parë na paraqitet çështja e pushtetit, – udhëzonte E.Hoxha. “Me forcë dhe me armë të marrim pushtetin në duar” – deklaronte ai. “Mendonim se kështu neve do t’i zhduknim ata që ishin jashtë Frontit… Kur krerët e Ballit erdhën të luftonin bashkë me ne, Liri Gega më ka thënë se nuk duhej t’i pranonim dhe nuk duhet t’i linim të luftonin ballistët se do të fitonin simpathi dhe influencë… Në çdo diskutim e në çdo mendim ka mbizotërruar mendimi i Lirisë, se ne shikonim tek ajo gojën e shokëve jugosllavë.. ” – dëshmonte Hysni Kapo. Këto praktika terroriste bolshevike bënë që lufta civile në Shqipëri të shfaqej gjithnjë e më e verbër, më e pamëshirshme, më e përgjakshme. Lufta e armatosur kundër organizatave, formacioneve ushtarake dhe individëve të cilësuar “armiq e tradhëtarë” u bë fillimisht kundër çetave vullnetare të Ballit Kombëtar, më pas të Legalitetit dhe të krerëve të Veriut.

Si u zhvilluan më tej ngjarjet?

Në një letër që E.Hoxha i shkruante më 5 tetor 1943 Koci Xoxes, që drejtonte PK të qarkut të Korçës, e udhëzonte për asgjësimin kudo të çetave të ballit Kombëtar, këshillat balliste dhe personalitetet nacionaliste: “Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë në çdo anë qoftë. Çetat e atjeshme të Ballit të likujdohen pa u grumbulluar dhe pa e marrë veten. Sa për bashkëpunimin me Fazlli Frashërin, mos u gënjeni. I bini, pra edhe Faslliut, edhe atij që e ka bërë Faslliun.” “Në këto momente, – udhëzon Koci Xoxe, krahu i djathtë i Hoxhës në atë kohë, – përpara Ushtrisë Nacionalçlirimtare paraqitet urgjente marrja e pushtetit, duke zaptuar krahina e qytete. ”Nisja e luftës civile vërtetohet edhe nga një dokument i Shtabit të Përgjithshëm NÇ: “Në vjeshtë 1943 Partia Komuniste dhe Fronti NÇ u detyruan t’i shpallin luftë për vdekje Ballit Kombëtar”(Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm NÇ)Mandej , nisi lufta kundër Legalitetit në Krujuë, Mat dhe Dibër dhe krerëve të veriut, si edhe mësymja ushtarake për të nënshtruar veriun antikomunist, që përfundoi me gjakderdhje të mëdha në Shkodër, Nalësinë e Madhe, Dukagjin, NIkaj Mertur, Tropojë e malësinë e Gjakovës, për të kaluar mandej në Kosovë e trevat e tjera shqiptare.Nuk kemi të bëjmë më me luftime sporadike apo lokale. Lufta e armatosur ndërmjet fuqive ushtarake të Ballit Kombëtar dhe ushtrisë NÇ, tashmë ishte e organizuar dhe kishte dalë në plan të parë. Përveç të vrarëve në luftë, pasojnë të pushkatuarit e robërve të luftës si edhe viktimat e shumta nga popullsia e pafajshme, grabitjet e pasurive, djegiet e shkatërrimet. Në ballë të kësaj lufte civile të përgjakshme u vu Brigata e Parë Sulmuese, e cila betejat e saj të para i bëri kundër forcave nacionaliste në gjithë vendin. Një nga ato qe lufta në afërsi të Lushnjës, tek kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem, më 21 tetor 1943 kundër forcave nacionaliste. Mehmet Shehu shkruan: “ U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë”. Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65 robërve , që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës me pseudonimin Salë. Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit, kishte dhe një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën civile si një zanat të vjetër.Në letrën e datës 30.11.1943 Mugosha e qorton M. Shehun për moskordinimin si duhet të forcave të Brigadës I dhe i kërkon atij që forcat e kësaj brigade të jenë të pamëshirshme “tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm” kundër nacionalistëve. Ai i kërkon të për me shkelë Dukatin, fshat nacionalist dhe me e zhdukë nga faqja e dheut.”

Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, u vranë dhjetra banorë të pafajshëm të fshatit, luftëtarë nacionalistë që mbronin fshatin dhe dhjetra partizanë. A nuk ishte kjo luftë civile?

Viti 1944 ishte viti i luftës civile në gjithë hapësirën shqiptare, që vazhdoi edhe në vitin 1945. Mjafton të përmendim luftrat kundër forcave të Muharrem Bajraktarit, luftën kundër forcave të Kryezinjve, luftën kundër Preng Calit e kështu me radhë, tashmë të dokumentuara. Lufta civile është ana e panjohur, pjesa vetvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi nga pengu e tabutë e së shkuarës, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si njerëz plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes. Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftrat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmëshekullor dhe leximi i keq i historisë i cili vazhdon edhe sot, kanë nevojë më së shumti për të vërtetën, drejtësinë dhe paqen.

Cili është mendimi juaj për optikën e historianit Paskal Milo ndaj kësaj çështjeje?

Historia ka nevojë të korigjojë vetëveten. Historiani dhe politikani Paskal Milo, e mohon luftën civile. Ai nuk është ndarë ende nga mendësia komuniste, por edhe nga interesat elektorale të tij. Natyrisht ai kërkon të mbrojë një kauzë politike, një deformim e mashtrim të historiografisë së kaluar, ku ka bërë pjesë edhe vetë, por kërkon të marrë edhe vota, që të mbahet në politikë. Ai thotë se Uran Butka është ndikuar nga familja Butka (patriote, antifashiste dhe demokrate) dhe mua më vjen mirë që i kam mbetur besnik kësaj tradite, si edhe të vërtetës historike.

Bisedoi : Ilir  BUSHI

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s