Histori rrenqethese… Familja Ismail Qemalit Persekutimet nga Diktatura..PASARDHËS TË MËNJANUAR ..

Histori rrenqethese .Familja Ismail Qemalit ,Persekutimet.

PASARDHËS TË MËNJANUAR TË ISMAIL QEMALIT

 

Për Enver Hoxhën dhe njerëzit rreth tij, por ca më shumë për një tip si Koçi Xoxe, pati mbërritur rasti i shkëlqyer që me një gur të vrisnin dy zogj.

Filloi ndjekja nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Më 29 janar 1946, pasdite, “në zyrën e Robinsonit ka shkuar Qamil Vlora (i nipi i Ismail Qemalit). Kur ky ka hyrë brënda ësht pritur shumë mirë. Pa humbur kohë Qamili nxjerr nga xhepi disa letra dhe ja dorëzojë Robinsonit, ky i fundit i merr dhe me një herë duke u ngrit, mbylli grilat e dritareve. Qamili qëndroi këtu 1 orë. Kur doli futi me të shpejtë disa letra në xhep dhe shikonte sa majtas djathtas, gjithashtu edhe kur shkonte kthente kokën mbrapa.

Qamili në kohën e Zogut ka qenë Sekretar në Ministrin P. Jashtme, mbas një abuzimi që bëri arratiset në Jugosllavi dhe prej andej në Francë. U kthye në Shqipëri me ardhjen e Fashizmit. Esht kushëriri i Sara Blloshmit”.

Sipas dosjes së hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme për Vandelaur Robinson, ky ishte major. Në vendin e vet qe bir i një koloneli pensionist dhe familja e tyre jetonte vetëm me rrogat e shtetit, duke mos qenë aspak i pasur. Pas pushtimit gjerman të Italisë ishte marrë nën armë dhe qe ngarkuar për të drejtuar gazetën “Mundimi”, të destinuar për Shqipërinë. Më pas nga “Radio-Bari” drejtonte transmetimet në gjuhën shqipe. Në Shqipëri, pranë Misionit Britanik pati ardhur menjëherë “pas formimit të Qeverisë së parë të Republikës Popullore në Berat, edhe më von së bashku me misjonin, erdhi këtu në Tiranë.

Detyra e tij në Misjon ishte ajo që të drejtonte zyrën e shtypit dhe të propagandës për kulturën angleze në Shqipëri. Punonte shumë dhe kishte një inteligjencë shum të mirë me gjith se edhe pak avdall, po për misjonin q’i kishin ngarkuar ishte shumë i zoti… Me gjithë se ishte laburist dhe tregohesh shum a pak në favor të Pushtetit t’onë, nga raportet e tija viheshe re e kundërta, shante dhe qortonte Pushtetin t’onë në një mënyrë të hapur dhe krejt të reme”.

Pasi në materialin e skeduar rreshtoheshin emrat e shumë shqiptarëve, të cilëve Robinsoni u shpërndante raportet e tij të dërguara për në Londër, por edhe një pjesë e atyre që i vinin prej andej, vihej në dukje se mes tyre ishte edhe Qamil Vlora.

Ismaili nuk përmendej.

Për drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas shënimeve të ruajtura në dosjen për atasheun e shtypit të Misionit Britanik në Tiranë, ai realisht me këtë funksion qe i maskuar. Duhej të ishte, bashkë me gruan e tij Sara Blloshmi, njeri i punëve të fshehta.

Ndërsa qenë shumë të sigurt për këtë gjë, edhe pse në kartelat shënimmbajtëse nuk ndodhet asnjë provë e kësaj veprimtarie agjenturore të Robinsonit, më 6 shkurt 1946, në orën 2.10 pasdite, përgjuesit e shtetit komunist shqiptar shënuan se “Sara Blloshmi së bashku me V.Robinson… hynë në Misjonin Anglez dhe qëndruan deri në orën 3.10. Kur dolën ishin me një maqinë të cilën e dirizhonte Majori Maxvell Arnot”.

Ndërkohë, më 2 mars, u bë martesa e Ismail Vlorës me Esma Hurshitin.

Me gjysh të pushkatuar dhe baba të futur në zgafellet e thella të një burgimi të gjatë politik, Esmaja nuk e fiku buzagazin e saj ngazëllues dhe veshi fustan të bardhë.

Ishte sfidë.

E saj, por mbi të gjitha e bashkëshortit, Ismail Vlorës.

Dhe e vjehrrit, Qamilit, djalit të shtetthemeluesit.

Në atë 2 mars për të marrë nusen kishin shkuar edhe disa përfaqësues të misionit anglez, mes tyre edhe majori Vandelaur Robinson bashkë me të shoqen Sara Blloshmi.

Më 16 mars, dy javë më pas nga dasma, përgjuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbajtën shënim këtë herë jo për Qamilin, por për Ismailin.

Atë e bir tashmë qenë vënë në shënjestër.

Raporti i shkruar me dorë thoshte se “dolli nga shtëpia e Sara Blloshmit Ismail Qemali nga Vlora, ka marrë për grua të mbesën e Javer Rushitit, bashkë me gruan e tij, me Sarën e Majorin Robinson dhe një grua tjetër e pa njohur. Shkuan drejt Misionit Anglez. Avni Abazi dhendri i Javer Rushitit bën shumë takime me Ismail Qemalin që rri në apartamentet e Moskatit në Tiranën e re”.

Përgjimi i dy pasardhësve të shpallësit të pavarësisë kombëtare, Ismail Qemal Vlorës, u zgjat deri në fillim të dhjetorit.

Ia hodhën prangat në kyçet e duarve, duke ia vënë ato pas shpine, në datën 10. Urdhri ishte i Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Në të thuhej “Qamil Vlora, i biri i Ismailit dhe i Kleoniqit, vjeç 51, nga Vlora, me profesion nëpunës… akuzohet se ka mbajtë armë pa leje në kundërshtim me urdhëresën e Ministris P. Brendëshme. Me qenë se faji i tij parashikohet nga Neni 1 të ligjës Nr.21 datë 13 dhjetor 1945 si sabotator i pushtetit…”

Në të vërtetë, në dosjen e përgjimit të tij, mendimi qe: “Simpatizant i imperializmit anglez”.

U dënua me dy vite burgim.

I biri, Ismaili, i cili këto kohë kishte nisur shërbimin ushtarak, dy herë në muaj, aq shpejt sa atë kohë funksiononte posta, i dërgonte letra. Edhe i ati i përgjigjej me po këtë ritëm.

“Nga letra që më dërgove, – i thoshte të birit në një prej tyre, – të shoh të mërzitur, por duhet të bësh durim se jeta është e vështirë dhe se njerëzit janë shtyrë edhe nga dëshpërimi”.

Në vitin 1947, nëpërmjet një vendimi të marrë nga “Komisioni për Kontrollin e Rregjistrave”, familjes së Qamil Vlorës iu hoq mbiemri. Në njëfarë mënyre iu ndalua ta përdorte. Arbitrarisht iu vu “Ismaili”.

Në gjendje të rëndë fizike, dalë më në fund nga burgu, Qamil Vlora i regjistruar nga shteti komunist si Qamil Ismaili, ndërroi jetë në vitin 1950.

I biri, Ismaili, u arrestua në 1951.

Akuzohej për “humbje armësh” gjatë kohës që pati kryer shërbimin ushtarak në Korçë. U dënua me disa muaj burgim.

Më në fund, pasardhësi i drejtpërdrejtë në Shqipëri i shtetthemeluesit tonë, u rikthye në shtëpi, pranë buzagazit të tij, Esma Hurshitit.

Lindën njëri pas tjetrit pesë fëmijë.

Për fat dhe forcë mbijetimi, edhe djali tjetër i Qamilit, Xhevdet Vlora, u martua me Fatushe Kripën, me të cilën pati dy fëmijë: Ada (1965) dhe Qemali (1966).

Kur për arsye rutinë në vitin 1967 mori në dorë librezën e tij ushtarake, lëshuar nga Dega përkatëse e Tiranës, Ismaili (i riu) lexoi çfarë shkruhej në të: Quhej Ismail Ismaili; kishte lindur në 1920; me shtatlartësi 1.68; zotëronte gjuhët frënge, serbo-kroate dhe italiane; qe i paparti; me profesion ishte tornitor.

Një vit më vonë, më 1 mars 1968, kur për nevoja personale u hartua një dëshmi trashëgimie, çdo gjë u bë edhe më e qartë. Prej të gjithë pasardhësve të Ismail Qemalit, brenda dhe jashtë, për aq sa në Shqipëri ruheshin dokumente, mbiemri Vlora i ishte hequr nga shteti “socialist” vetëm Qamilit dhe të birit të tij, Ismailit.

Dora e rëndë e Enver Hoxhës do të rishfaqej ciklikisht në fatin e familjes. Kur bija e tyre, Ariana, ra në dashuri, djali që donte ishte plot shpirt të mirë dhe mendje të hapët, çfarë nuk e kishte e ëma e tij, sekretare partie. Ajo nuk e donte këtë lidhje martesore.

Por dashuria triumfoi, siç di ajo t’i thyejë të gjitha pengesat që i dalin përpara. U lind edhe një vajzë e dëlirë, tani është nënë. Një ditë vjehrra, pra sekretarja e partisë, e cila kurrë nuk e pati pranuar nusen me “biografi të keqe”, vjen në shtëpi me librin e porsabotuar të Enver Hoxhës “Vite të vegjëlisë”. E tundi në ajër dhe kërcënoi të birin: “Je me ke je martuar ti!”

Në libër thuhej “Bej ishte edhe prefekti i Gjirokastrës, Javer Hurshiti, shtëpinë e të cilit e kishin blerë agallarët. Ky rridhte nga bejlerët e rënë të Gjirokastrës…”.

Kjo ishte goditja fatale. Familja e re nuk mundi ta përballojë dhe, për t’u vetëmbrojtur, u nda.

 

Kushërira Nermin Falaski

Deri sa ndërroi jetë, për pesë vitet e para të pasçlirimit, pa u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së pavarësisë kombëtare, jo vetëm Qamil Vlora, por mohimin publik për plot dyzetegjashtë mote, deri sa ndërroi jetë në ditët e para të Lëvizjes së Dhjetorit 1990, e përjetoi edhe i biri, Ismaili.

Nuk u përfill për t’u nderuar me këtë pjesëmarrje simbolike as edhe djali tjetër i tij, Xhevdeti.

Për ta mbuluar këtë diskriminim kombëtar për arsye ideologjike, hierarkia staliniste e kohës pati gjetur një “gjethe fiku”.

Ftonte kushërirën Nermin Falaski.

Për të bërë edukatë dhe për të dëshmuar të sjellshëm hartuesit e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, vëllimi i tretë, botim i vitit 2009, në zërin për të, mes të tjerash, kanë shkruar: “Lindi në Tiranë në një familje me lidhje të afërta me Ismail Qemal Vlorën… Në fund të luftës u vendos në Itali…”.

Nuk ishte vetëm mospërputhja e Falaskit me të drejtën e ligjshme të trashëgimisë sipas pemës gjenealogjike për të qenë me statusin e pasardhëses së parë (madje as të dytë, as të tretë, as të katërt dhe as të pestë), por mbi të gjitha ajo ishte edhe qytetare italiane. Për vetëm këtë arsye të dytë autoritetet komuniste të Tiranës i vunë censurë trashëgimtarit të parë ligjor, profesorit në Universitetin e Barit, Aleksandër Vlorës.

Historia si e ka përjetuar Ismail Qamil Vlora dhe familja e tij këtë gjendje të vazhdueshme mënjanimi dhe harrimi të qëllimshëm do të jetë subjekti i vazhdimit të këtij shkrimi.

 

Dy Ismailë që nuk u takuan kurrë

Ismail Qamil Vlora dhe Ismail (Qemali) Vlora, gjysh e nip, nuk janë takuar kurrë në këtë jetë. Nuk u panë dot vetëm për një fill kohe. I ndau hapësira e ngushtë 1919-1920. Në të parin vit ndërroi jetë burrështeti ynë i shquar i 28 Nëntorit 1912 dhe në të dytin lindi pasardhësi i brezit të dytë të tij.

Ja pse edhe mund, për një apo dy vite më tepër të Ismail Qemalit, ky ta shihte e t’i gëzohej nipit të vet. Patjetër do të ngazëllohej shumë. Kishte të njëjtin emër: Ismail. Sigurisht edhe po atë mbiemër: Vlora.

Ishte një ringjallje e tij në pemën gjenealogjike të familjes së tyre numërmadhe, sepse në pemën e veprës historike kombëtare Ngritësi i Flamurit ishte i papërsëritshëm dhe i patrashëgueshëm.

Dy Ismail Vlorat nuk u panë kurrë e, megjithatë, ngjashmëria intime mes tyre, e brendshme, ishte tepër e madhe. Nuk shfaqet në siluetën e përgjithshme fizike të trupit, as aq fort në disa tipare të fytyrës (përveç syve që i shkëlqejnë si të gjyshit), por mbi të gjitha në karakteristikat kryesore të formimit si individualitet dhe identitet social, në ndjenjën dhe vetëdijen e kombëtarizmit, në dhuntitë e sjelljes publike, në marrëdhëniet e ngushta me kulturën, jo pak edhe në temperament.

Ismaili pasardhës, nipi, ishte natyrë e qetë dhe mendje e matur. Në çdo bisedë, edhe më të tensionuarën, nuk nxehej dhe për ta zgjidhur nuk kërkonte kurrë shtegun e sherrit. Nuk e ngrinte asnjëherë zërin për t’u imponuar dhe për të mosha e bashkëbiseduesit nuk kishte rëndësinë që ndaj një të moshuari të sillej ndryshe dhe ndaj një të riu apo edhe fëmije krejt në tjetër mënyrë.

Ismail Vlora i riu mund të ndryshonte formën e komunikimit për ta bërë sa më të frytshme shkëmbimin e mendimeve, por asnjëherë përmbajtjen dhe të drejtën e secilit për të qenë i barabartë që nga fillimi deri në fund të bisedës.

Kjo cilësi ka qenë vënë re tek Ismaili, i vjetri, një komunikues virtuoz.

Ismaili nip nuk krekosej. Edhe këtë karakteristikë e kishte të ardhur, nëpërmjet ADN-së, nga Ismaili gjysh.

Të pesë fëmijët e Ismailit të ri dëshmojnë se babai i tyre nuk u ka bërtitur kurrë. Nuk i ka goditur as edhe me vetëm një gisht. Për shqiptim fjalësh banale apo skërmitje të sharash as që bëhet fjalë.

Edhe Ismaili i vjetër kështu regjistrohet nga kronikat e kohës: asnjëherë i vrazhdë, shpesh fjalëbutë. Gojëmbël.

Ismail Qamil Vlora duke mos qenë lajkatar, qe përkëdhelës, po ashtu si gjyshi.

I lindur në Francë dhe kaluar atje vitet e fillimjetës, fjalët e huaja më të përdorura, kur ato nuk mund të shmangeshin, i zgjidhte nga kjo gjuhë. Ato turke, ende të shumta në fjalorin e disa të tjerëve, qenë për të mjaft të rralla. I mbante larg. Bënte përjashtim dhe qe mjaft e privilegjuar në të folurën e tij fjala “xhan”.

Fëmijëve të vet u thoshte përherë “Xhan, xhan i babait!”

Në marrjen e vendimeve të rëndësishme Ismaili nuk ngutej. Të gjitha ato që mori gjatë jetës së vet u provuan nga koha se qenë të drejta.

A nuk ishte një shembull i tillë Ismail Qemali i 1912-s?

Ismaili nip nuk e rrezikoi asnjëherë integritetin e tij dhe të familjes në favor të ndonjë përfitimi politik. Për t’u ulur (apo gremisur) në rehatin e një të privilegjuari, ai fare lehtë mund të tjetërsohej, të ndryshonte cipën morale, të kameleonte. Mbeti tërë jetën tornitori me katër gjuhë të huaja dhe kryefamiljari i gjashtë frymëve të tjerë me vetëm një rrogë të vogël.

Nuk i hapi kurrë rrugë të gënjyerit, edhe në rastet kur fshehja e së vërtetës së madhe mund t’i shpëtonte kokën. I biri Darling tregon se, kur qe nxënës shkolle në klasën e shtatë, një ditë i dërguan kolektivisht për të vizituar shtëpinë në të cilën ishte themeluar Partia Komuniste Shqiptare. Atje, ai lexoi se me rastin e asaj ngjarjeje, Tirana qe mbushur me trakte dhe lajmi i krijimit të PKSH ishte përhapur kudo nëpër popull.

Kur këtë Darling ia tha të atit, pa dëshiruar patjetër prej tij një mendim, ky nuk u skrupullos brenda heshtjes dhe as u tut, por i shpjegoi se Partia Komuniste vërtet qe themeluar në atë shtëpi, saktësisht më 8 nëntor 1941, por lajmi nuk u mor vesh. Po ashtu shtoi se as trakte nuk kishte nëpër rrugë: “Isha njëzetë e një vjeç dhe as unë dhe as shokët e mi nuk pamë në vende të dukshme ndonjë të tillë”.

Duke pasur kulturë të brendshme pedagogjike, pra art të sjelluri, cilësitë e mira dhe çdo vlerë njerëzore, Ismail Vlora i riu nuk i përcillte te fëmijët e vet me anë të dhënies së këshillave, mënyrë kaq fort e përhapur te shumë prej nesh që mendojnë se ashtu e edukojnë një bir, vajzë, nip apo mbesë. Ai e bënte këtë nëpërmjet shembullit të tij të mënyrës së të jetuarit. Për të nxjerrë në pah një veprim të gabuar të fëmijëve Ismailit pasardhës nuk i duhej të përdorte asnjë lloj ndëshkimi. Me këtë rast dilte nga goja e tij vetëm fjalia e shkurtër “Këtë gjë unë babait tim nuk do t’ia kisha bërë”.

Nuk fliste për jetën e vet, por kjo nuk qe mbyllje në vetvete, tërheqje për t’u shkëputur nga realiteti, heshtje. Ishte e kundërta. Ismail Vlora i riu merrte pjesë në jetë duke folur pak. Duke u hapur aq sa duhej për ta thënë në të njëjtën kohë të vërtetën dhe për të mbrojtur familjen.

Ishte dhunti diplomatike si e të gjyshit?

Patjetër. Por, mbi të gjitha, ishte edukatë. Kjo ka një fuqi të jashtëzakonshme për të mbrojtur fatet e njerëzve, veçanërisht në kohë të vështira. Në gjysmëshekullin e jetës së tij në realkomunizëm dhe mes hungërimit të luftës së klasave qe edukata ajo që e pati bërë përherë e më pak të cenueshëm nga egërsia e sistemit politik. Brutaliteti i diktaturës kriste e thërrmohej para mirësjelljes qytetare dhe kombëtare të Ismail Qamil Vlorës.

Stalinizmi afro pesëdhjetëvjeçar shqiptar më shumë se individin mospajtues godiste familjen e tij, këtë qelizë të brishtë dhe njëkohësisht gur të fortë themeli të shoqërisë. Bolshevizmi e dinte se po të denatyrohej familja, të çrregullohej jeta e saj, e humbiste fuqinë e rezistencës dhe të kundërshtimit të së keqes i gjithë trupi i popullit. Kështu, të sëmurë, mund ta sundoje mjaft më lehtë.

Gjyshi Ismail jo vetëm nuk e përjetoi, por as e pati shkuar ndonjëherë në mendje se pasardhës të tij do të kalonin një ditë nëpër këtë ferr e purgator. Përvoja e nipit me të njëjtin emër, në pemën gjenealogjike të Vlorajve, do të qe unike. Prandaj edhe Ismaili i ri u kap fort pas rrënjëve të veta, virtyteve të edukatës dhe të familjes.

Ismail Vlora nip nuk shprehu asnjë ndjenjë pikëllimi se nga jeta e vet, ajo e vetëm një punëtori, ndihej i penduar, i bërë pishman. Nuk vuajti kurrë nga ky kompleks, i cili mund t’ia ndërlikonte jetën edhe në një kohë kaq shumë të ngatërruar siç ishte diktatura staliniste.

Ai asnjëherë nuk ra viktimë e dëshpërimit. Pesimizmi për Ismailin e ri ishte një grackë, ku mund të binin dhe humbnin fatet e tre vajzave dhe dy djemve, këta të fundit gjenerata që bashkë me dy fëmijët e të vëllait, Xhevdetit, qenë mes Vlorajve pasuesit në familje të kryetarit të parë të shtetit shqiptar.

I duhej t’i ruante, jo t’i rrezikonte.

Bashkë me Esma Hurshitin, ai u komunikoi vetëm optimizëm. Filozofia e tij e durimit për një ditë më të mirë, e cila do të vinte në një të nesërme, ishte përherë e shprehur prej tij në fjalët “ka edhe më keq”.

Sipas të bijve, Ismail Vlora i riu, optimisti në kohë pesimizmi, dëgjonte përherë muzikë. Të vendit të vet, doemos, por edhe franceze. Edit Piaf, Sharl Aznavur apo Zhilber Beko qenë tingujt e ngrohtë për të.

Esmaja adhuronte muzikën klasike italiane, tenorët e saj, veçanërisht Luçiano Pavarotin.

Ndërkohë Ismaili i ri dëgjonte edhe radion “Zëri i Amerikës”, të cilin veprim para nëntëdhjetës e bënin fshehurazi shumë pak shqiptarë.

Lajmet e Radio Rai-t po ashtu i ndiqte. Më pas edhe të televizionit publik italian. Këto të fundit i shihnin nëpërmjet antenave legale dhe të fshehura shumë prej bashkëkombësve të tij.

Ismail Qamil Vlora, ndërsa u moshua, humbi dëgjimin nga njëri vesh. Vuri një kufje mono. Për të dëgjuar zhvillimet përtej kufijve, ku rrinte shpresa e shpëtimit, aparatin e thjeshtë e vendoste sa më afër altoparlantit të radios apo të TV-së. Ashtu, i menduar dhe i pafjalë, humbiste në dëgjimin e gjatë.

Çdokush në shtëpinë e tyre e dinte që për këtë çfarë po shihte, babanë me veshin tek “Zëri i Amerikës”, nuk duhej të fliste jashtë. Këtë porosi i ati asnjëherë nuk ua pati dhënë. Ajo kuptohej. Ishte bërë vetvetiu ligj i jetës së brendshme të familjes. Një nga maturitë e nipit të Ismail Qemalit shtetthemelues dhe të bashkëshortes së tij me gjysh të pushkatuar dhe baba të burgosur e të persekutuar politikisht, qe dhuntia për t’i bërë të aftë fëmijët të dallonin e ndanin mirë çfarë duhej thënë brenda shtëpisë e çfarë mes njerëzve të tjerë, në rrugë.

I biri i Ismailit të ri, i cili ka marrë emrin e gjyshit, Qamili, dëshmon se në mbrëmjen e 18 dhjetorit 1981, kur pas lajmit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut, televizioni shtetëror nisi të transmetonte muzikë të zakonshme, pra si të mos kishte ndodhur asgjë, i ati pati thënë menjëherë: “E paskan vrarë”. Batuta e rrezikshme nuk e kapërceu kurrë pragun e shtëpisë.

Ismail Vlora i riu pëlqente të lëvizte në këmbë dhe rrugën për në punë, e bënte duke ecur. Ndonjëherë merrte me vete edhe një prej djemve. Gjithë kohën, derisa mbërrihej në kangjellën e hekurt të vendpunës, ai tregonte histori nga lufta e Trojës apo shumë episode prej mitologjisë së lashtë greke. Qe mjeshtër i njohjes së saj.

Pastaj futej në torneri e ngrinte në krahë rule dhe masa të mëdha hekuri, gize apo çeliku. Kur në raste të tilla ndodhte ta shihnin fëmijët e tij, ata shtangeshin. Ku e gjente tërë atë fuqi babai i tyre?

Ndërkohë, punëtori me katër gjuhë të huaja, në bibliotekën e tij të mpakur prej sekuestrimit pësuar nga i ati, mes rreth pesëdhjetë librave të çmuar, ku shumica qenë në frëngjisht dhe që të gjithë të blerë në Paris, ndodheshin enciklopedi historike, fjalori “Petit Larousse”, letërsi artistike nga Hygo (“Të mjerët”), “Lulet e së keqes” prej Baudelaire, vëllime nga Anatol Franse. Nuk mungonin edhe dy-tri libra shkollorë të fundviteve tridhjetë. Nostalgjia për Francën i ngazëllehej Ismailit të ri vetëm ashtu, prej kujtimit të bankave të shkollës. Atje kishte njohur shumë prej elitës së botës. Në vendet e tyre një ishte bërë nënsekretar shteti dhe një i dytë ministër i oborrit mbretëror të Tunizisë.

Një detaj që nuk duhet harruar: Ismaili dhe Esmaja prej fëmijëve të tyre mbahen mend me libër në dorë. Tek lexonin përditë.

Madje mbesa e Javer Hurshitit, pas vitit 1990 dhe hapjes së kufijve, birit Darling të emigruar në Itali nuk i kërkoi asnjë rrobë, madje qoftë edhe gjë të vogël e të dëshiruar për një grua: një shall. Porosiste vetëm libra. I kishte titujt gati, dëgjuar për botimet e reja nga televizioni italian. Por edhe nga librat e vjetër, çfarë mbante mend nga jeta e saj e rinisë, sidomos kur studionte te shkolla “Nëna Mbretëreshë”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s