STATUTI I PARTISË “LËVIZJA E LEGALITETIT”

FB_IMG_1474447031764.jpg

STATUTI I PARTISË
“LËVIZJA E LEGALITETIT”

NENI 1

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka lindur si lëvizje për mbrojtjen e legjitimitetit dhe rendit kushtetues. PLL është vazhduesja e ligjshme e ideve të Triumfit të Legalitetit si dhe e Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” e cila frymëzoi popullin shqiptar në luftën kundër okupatorit nazi-fashist. PLL është një bashkësi politike e pavarur, e organizuar mbi bazën e vullnetit të lirë të shtetasve shqiptarë, mendimi ideopolitik i të cilëve përputhet me parimet themelore dhe aspiratat e kësaj partie.

NENI 2

-Partia “Lëvizja e Legalitetit” lufton për krijimin e një Shqipëri të Lirë, Etnike e Demokratike, në përputhje me parimet bazë të Kartës së OKB-së dhe të dokumenteve themelore të OSBE-së, që me rrugë dhe mjete demokratike të vendosë në Shqipëri regjimin legjitim të Monarkisë Kushtetuese me në krye NMT Leka I-Mbret i Shqiptarëve dhe të Dinastisë së Tij.

-Asnjë organ nuk ka të drejtë të vendosë për pushimin e ekzistencës së Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

NENI 3

Emri i partisë është Partia “Lëvizja e Legalitetit” shkurt PLL.

NENI 4

Selia qendrore ndodhet në Tiranë.

NENI 5

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka vulën e vet e cila ka formën e rrethit. Në qendër është vendosur simboli i Partisë. Sipër simbolit është shkruar në formë harku “Partia Lëvizja e Legalitetit”. Ndërsa poshtë simbolit është shkruar Kryesia.

Vula e Partisë mbahet në zyrat e saj dhe vendoset vetëm mbi shkresa të nënshkruara nga Kryetari. Atje ku mungojnë zyrat vulën e ruan sekretari.

NENI 6

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka simbolin dhe flamurin e saj. Simboli është shqiponja dykrenore me përkrenaren e Skënderbeut sipër.

Flamuri i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ka formën e një katërkëndëshi të verdhë, në mesin e të cilit qendron simboli vendosur mbi një pjesë të kuqe në formë shqyti. Mbi shqytin dhe simbolin është shkruar “Partia Lëvizja e Legalitetit” në formë harku, dhe poshtë simbolit është shkruar viti “1924”.

NENI 7

Partia “Lëvizja e Legalitetit” vepron si parti politike duke pasur disiplinë dhe demokraci të gjerë brenda saj, në përputhje me normat e përcaktuara në këtë statut. Veprimtaria e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” zhvillohet brenda territorit të Shqipërisë së sotme politike, por edhe jashtë këtij territori, kur një gjë e tillë lejohet nga legjislacioni i vendeve përkatëse.

NENI 8

Strukturat e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ndërtohen dhe veprojnë sipas linjës vertikale. Në organet vendimore, vendimet e partisë merren me shumicë votash në përfundim të diskutimeve të lira të anëtarëve të partisë.

Në mbledhjet e Forumeve të PLL-së, çdo anëtar është i detyruar të ketë me vete librezën e anëtarësisë.

NENI 9

Vendimet e marra nga organet drejtuese të partisë, janë të detyrueshme për zbatim nga organet e tjera vartëse në parti, sipas shkallës hierarkike.

NENI 10

Partia “Lëvizja e Legalitetit” është parti e hapur për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut.

a.Anëtar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mund të jetë çdo shtetas, që ka mbushur moshën 18 vjeç, me qëndrim të përhershëm brenda e jashtë vendit, pavarësisht nga shtresa ose pozita shoqërore, kombësia, raca, seksi, botëkuptimi e besimi.

b. Anëtar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mund të jetë ai që pranon Programin dhe Statutin e Partisë, aktivizohet në veprimtarinë e saj, paguan kuotizacionin e anëtarësisë dhe nuk bën pjesë në të njëjtën kohë në parti të tjera politike.

NENI 11

Nuk pranohen në radhët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”:

a)Ish-anëtarët e nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, ish-anëtarët e Partisë Komuniste, ish-anëtarët e Partisë së Punës së Shqipërisë, ish-anëtarët e Partisë Socialiste, ish punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

b. Personat që kanë kryer krime politike kundër popullit.

c)Persona që u përmbahen pikëpamjeve komuniste, fashiste, raciste, antidemokratike, antihumane, luftënxitëse, terroriste, antipopullore e antikombëtare.

d) Ata që njollosin figurën e tyre morale dhe shoqërore.

e) Për raste të veçanta vendos Komiteti Drejtues.

NENI 12

Pranimi i anëtarëve të Partisë ” Lëvizja e Legalitetit” bëhet në mënyrë individuale, sipas kërkesës së secilit, me shkrim, drejtuar njërit prej seksioneve të Partisë. Kërkesa shqyrtohet paraprakisht në seksionin e Partisë të rrethit përkatës ku banon.

NENI 13

Anëtari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ka për detyrë:

a-Të mbrojë, të propagandojë e të zbatojë programin, politikën dhe vendimet e Partisë si dhe të respektojë kërkesat e Statutit. Të përmbushë detyrat që i caktohen në përputhje me Statutin dhe programin. Të respektojë normat e bashkëjetesës demokratike në Parti.

b-Të zhvillojë frymën e transparencës, tolerancës, debatit konstruktiv dhe mirëkuptimit reciprok në Parti. Të përhapë dhe propagandojë programin e Partisë dhe qendrimet e saj politike.

c-Të organizohet dhe kontribuojë maksimalisht në fushatat elektorale për arritjen e suksesit të Partisë.

NENI 14

Anëtari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ka të drejtë:

a) Të marrë pjesë në përpunimin e politikës, të qëndrimeve e vendimeve të Partisë në të gjitha nivelet, nëpërmjet diskutimit e debatit demokratik në forumet e Partisë, në shtyp dhe në forma të tjera demokratike; të shprehë lirisht mendimet e tij për të gjitha çështjet e Partisë si dhe mbi veprimtarinë e anëtarëve dhe organeve të saj.

b) Të zgjedhë e të zgjidhet në organet udhëheqëse të Partisë, në mënyrën e parashikuar në Statut.

c) Të marrë pjesë në mbledhjet partiake të çdo niveli qofshin, ku shqyrtohen probleme që kanë të bëjnë me personin e tij. Për këtë njoftohet vetëm dy herë.

d) Anëtari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” nuk mund të veprojë dhe të deklarohet në emër të Partisë, pa qenë i autorizuar, ose pa e gëzuar këtë të drejtë nga organet drejtuese.

NENI 15

Anëtari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ka të drejtën e daljes së lirë nga Partia me kërkesën e tij, duke njoftuar më parë seksionin e Partisë në të cilin bën pjesë ose ndonjë instancë më të lartë të Partisë.

Dalja nga Partia ose dorëheqja nga funksioni bëhet duke dorëzuar një njoftim me shkrim, duke dorëzuar teserën dhe duke njoftuar 15 ditë para largimit.

NENI 16

Përjashtimi nga Partia “Lëvizja e Legalitetit” bëhet në rastet e shkeljes së përsëritur të statutit të Partisë dhe programit të saj. Propozimi për përjashtim bëhet nga Seksioni përkatës dhe miratohet nga Komiteti Drejtues i Degës së Partisë të rrethit.

NENI 17

Organet kryesore të Partisë “Lëvizja e Legalitetit janë:

a. Kongresi i Partisë

b. Këshilli Kombëtar

c. Komiteti Drejtues

d. Kryesia e Komitetit Drejtues

e. Kryetari i Partisë

f. Komisioni i Kontrollit dhe i Respektimit të Statutit (Kryesia e Senatit)

NENI 18

Kongresi është organi më i lartë i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Ai mblidhet çdo katër vjet në vendin dhe ditën e caktuar prej Këshillit Kombëtar, me propozim të Komitetit Drejtues.

-Kongresi analizon veprimtarinë e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në periudhën midis dy kongreseve.

– Kongresi miraton Programin dhe Statutin e Partisë, diskuton dhe vendos vijën politike.

-Kongresi zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” si dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.

-Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret kur e kërkojnë 2/3 e anëtarëve të Komitetit Drejtues dhe kur kjo kërkesë mbështetet nga 2/3 e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

-Mandati i delegatit të PLL është katërvjeçar.

-Kongresi ose konferencat e jashtëzakonshme që zhvillohen deri tre muaj para mbushjes së afatit, zhvillohen me delegatët e mëparshëm.

NENI 19

Në Kongres marrin pjesë me votë deliberative:

a- Delegatët e zgjedhur nga Konferencat e degëve, në përputhje me numrin e përcaktuar nga Komiteti Drejtues në bazë të kritereve: 60% prej anëtarësisë, e përcaktuar kjo 4 muaj para ditës së kongresit; 40% në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.

b- Anëtarët e Komitetit Drejtues.

c- Deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive dhe të komunave, nëse janë anëtarë të PLL.

d- Ish kryetarët e Partisë, nëse janë akoma në Parti.

e- Kongresi nuk mund të shpallet më vonë se 60 ditë nga dita e skadimit të afatit katërvjeçar.

NENI 20

Këshilli Kombëtar mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Kongresit, të Programit, të Statutit nga ana e Komitetit Drejtues të Partisë.

a- Këshilli Kombëtar zgjedh nga gjiri i vet kryetarin.

b- Këshilli Kombëtar miraton listën e kandidatëve për kryetar komune, minibashkie dhe bashkie.

c- Këshilli Kombëtar miraton listën e kandidatëve për deputetë, duke respektuar hierarkinë e lartë partiake.

d- Këshilli Kombëtar mblidhet jo më pak se një herë në vit.

f-Këshilli Kombëtar përbëhet nga 91 vetë.

Në të kooptohen:

Komiteti drejtues

Kryetarët e degëve

Deputetët, kryetarët e bashkive dhe komunave të fituara nga PLL, nëse janë anëtarë të partisë.

g-Këshilli Kombëtar miraton programin elektoral të PLL.

Këshilli Kombëtar përcakton pozicionin politik të PLL në zgjedhje, aleancat para dhe pas zgjedhore dhe qëndrimet politike elektorale.

h-Këshilli kombëtar miraton Komisionin e Financës të përbërë nga 3 anëtarë.

NENI 21

Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar pas Kongresit, thirret nga Kryetari i Partisë jo më vonë se 21 ditë pas përfundimit të Kongresit. Nëse kjo nuk ndodh, Këshilli Kombëtar mblidhet vetvetiu brenda 30 ditësh nga përfundimi i Kongresit dhe merr vendime për drejtimin e Partisë.

Këshilli Kombëtar mund të mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Partisë, në konsultim me Komitetin Drejtues dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar.

-Ai mund të thirret gjithashtu me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

NENI 22

Komiteti Drejtues është organi më i lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Ai është përgjegjës përpara Kongresit dhe Këshillit Kombëtar, organizon dhe drejton punën për thirrjen e Kongresit të Partisë, është përgjegjës për zbatimin e programit politik, Statutit si dhe të direktivave e rekomandimeve të Kongresit.

a-Komiteti Drejtues drejton dhe bashkërendon gjithë veprimtarinë dhe organizimin e përgjithshëm të partisë, cakton redaksitë (ose redaksitë) e organit (ose organeve) qendrore të shtypit (medias) të Partisë, orienton dhe kontrollon punën e tyre.

b-Komiteti Drejtues administron mjetet e përgjithshme financiare dhe materiale të partisë nëpërmjet Kryetarit.

c-Komiteti Drejtues cakton numrin dhe emrat e Komisionit të Organizimit të Kongresit si dhe miraton procedurat e zhvillimit të Kongresit.

Çdo kandidat i miratuar ka të drejtë të ketë përfaqësues në këtë komision.

NENI 23

Komiteti Drejtues i zhvillon mbledhjet plenare jo më pak se katër herë në vit.

– Komiteti Drejtues përbëhet:

-Kryetari i Partisë,

-Nënkryetari

-Sekretari i Përgjithshëm

-Sekretarët e tjerë

-Një përfaqësues nga çdo prefekturë e vendit.

-Në Komitetin Drejtues kooptohen kryetari dhe sekretari i Senatit, kryetarja e Forumit të gruas, kryetari i Forumit të Rinisë.

-Neni 23/2

a.Kryesia e Komitetit Drejtues përbëhet nga:

Kryetari

Nënkryetari

Sekretari i Përgjithshëm

Sekretarët.

b.Nënkryetari, Sekretari i Përgjithshëm, Sekretarët, zgjidhen në Këshillin Kombëtar ndërmjet një ose disa kandidaturave të propozuara nga Kryetari i Partisë.

Në rast se për çdonjërin nga postet e sipërcituara Kryetari i Partisë ka paraqitur vetëm një kandidaturë dhe ajo rrëzohet, të drejtën për propozimin e kandidaturës ose kandidaturave vijuese, e ka Këshilli Kombëtar.

Për të gjitha pozicionet e mësipërme votohet me votim të fshehtë.

c.Mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Drejtues janë të hapura për anëtarët e Komitetit Drejtues, Kryeredaktorin dhë Zëdhënësin e Shtypit.

d.Kryesia e Komitetit Drejtues udhëheq veprimtarinë e përditshme të PLL.

NENI 24

Kryetari i Partisë:

a- Përfaqëson Partinë “Lëvizja e Legalitetit” brenda dhe jashtë vendit dhe vepron në emër të saj.

b- Harmonizon dhe drejton veprimtarinë politiko-organizative të partisë, në zbatim të vendimeve të Kongresit.

c- Pezullon për shkelje të Statutit dhe vijës politike, çdo anëtar të organeve ekzekutive. Për shkarkimin përfundimtar vendos Këshilli Kombëtar në konsultim me Senatin.

Personi i pezulluar ka të drejtën e ankimit në Senat brenda 10 ditëve.

d- Kryetari i Partisë relaton në Komitetin Drejtues dhe Këshillin Kombëtar për probleme të rëndësishme politike të Partisë.

e- Kryetari është anëtar i përhershëm i Këshillit Kombëtar.

f- Në mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të çdo viti kryetari mban raportin e shpenzimeve financiare për vitin e kaluar.

NENI 25

Çdo anëtar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ka të drejtë të vendosë kandidaturën për kryetar partie.

a.Kandidaturat për kryetar partie miratohen nga Komiteti Drejtues në konsultim me Senatin.

b.Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë.

c.Kryetari zgjidhet ndërmjet dy ose më shumë kandidaturave.

Fiton ai kandidat që merr 50% + 1, vota të vlefshme, në raundin e parë. Nëse kalohet në balotazh, fituesi shpallet me shumicën e votave të vlefshme.

NENI 26

Kryetari i Partisë, i zgjedhur në Kongres i kërkon votëbesimin Këshillit Kombëtar për anëtarët e Komitetit Drejtues.

Kryetari i Partisë, gjatë mandatit të vet ka të drejtë të bëjë ndryshime, duke i kërkuar Këshillit Kombëtar të miratojë emrat e stafit të propozuar prej tij.

NENI 27

Nënkryetari i Partisë ndihmon kryetarin në zbatimin e vendimeve politike si dhe vendimeve të organeve qendrore.

– Nënkryetari i Partisë zëvendëson kryetarin. Kur kryetari mungon, me autorizimin e tij merr kompetencat e kryetarit të Partisë.

– Nënkryetari përfaqëson Partinë në takime të nivelit të tij.

NENI 28

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë organizon dhe koordinon punën e Partisë nëpërmjet sekretarëve përkatës.

-Përfaqëson Partinë në nivelin e vet në të gjitha takimet.

NENI 29

Sekretarët e tjerë kryejnë detyrën e tyre sipas profileve përkatëse, nëpërmjet departamenteve.

NENI 30

Drejtorët e departamenteve emërohen nga Kryetari, në bashkëpunim me Komitetin Drejtues.

Kapitulli Nr. IV

NENI 31

Në rrethet e Shqipërisë, por edhe jashtë vendit, ngrihen degët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Organi më i lartë i Partisë në degë është konferenca e Partisë së degës; ajo mblidhet një herë në dy vjet.

-Kur e kërkojnë rrethanat mund të mblidhet Konferenca e jashtëzakonshme e Partisë, me kërkesën e 2/3 të anëtarëve të Komitetit Drejtues të Degës.

NENI 32

Konferenca e Partisë së Degës dëgjon dhe shqyrton raportin e Komitetit Drejtues të saj, relacionet e ndryshme dhe:

a.Bën analizën e punës ndërmjet dy konferencave dhe përcakton detyrat për të ardhmen.

b.Konferenca e degës zgjedh kryetarin dhe Komitetin Drejtues të saj.

c.Kur përkon me zhvillimin e Kongresit, Konferenca zgjedh delegatët e degës për në Kongresin e Partisë.

NENI 33

Komiteti Drejtues i degës në rreth, i zgjedhur nga Konferenca, drejton gjithë veprimtarinë e Partisë në rreth në periudhën ndërmjet dy konferencave.

a.Ai organizon e drejton punët për thirrjen e përgatitjen e konferencës së Degës së Partisë, ndjek dhe shqyrton çeshtjet e ndryshrne të punës së Partisë në të gjitha fushat;

b.Orienton veprimtarinë e grupeve të këshilltarëve të PLL në komuna, bashki e qarqe.

-Përfaqëson Partinë në marrëdhënie me partitë e forcat e tjera, organizmat shoqërore e institucionet e ndryshme në rreth.

c.Administron mjetet financiare e materiale të Partisë.

d.Komiteti Drejtues i degës organizon dhe drejton fushatat zgjedhore në territorin e degës.

NENI 34

Komiteti Drejtues i Degës i zhvillon mbledhjet jo më pak se një herë në dy muaj;

a. Komiteti Drejtues i Degës ngre dhe organizon departamentet e Partisë në Degë, sipas nevojave të saj dhe në përputhje me to orienton dhe kontrollon veprimtarinë e tyre.

b. Komiteti Drejtues i Degës miraton kandidatët për këshilltarë të komunave dhe bashkive.

c. Propozon në Komitetin Drejtues të PLL kandidaturat alternative për kryetar komune, kryetar minibashkie, kryetar bashkie dhe deputet.

NENI 35

Komiteti Drejtues i Degës zgjedh nënkryetarin ose nënkryetarët dhe i propozon Komitetit Drejtues të PLL jo më pak se dy kandidatura për emërimin e sekretarit.

NENI 36

Nëndega vepron sipas ndarjes administrative në komuna, bashki ose rajoni e minibashkie për qytetet e mëdha. Ajo përfshin të gjitha seksionet e ndodhura në territorin e saj.

Nëndega koordinon veprimtarinë e degës me seksionet e saj.

NENI 37

Nëndega krijohet kur ka jo më pak se tre seksione. Kryetarët dhe sekretarët e seksioneve zgjedhin kryetarin e Nëndegës.

NENI 38

Organizmat bazë të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” janë seksionet.

a.Në përputhje me kriterin territorial, seksionet e Partisë ngrihen në bazë lagjeje, fshati, qyteti etj..

b.Krijimi, shtrirja, bashkimi ose ndarja e seksioneve vendoset nga Komiteti Drejtues i Degës përkatëse.

c.Seksioni organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qendrimet e partisë si dhe bën pranimin e anëtarëve të rinj të PLL.

d.Gjithashtu seksioni bën propozime dhe sugjerime degës për çdo problem që gjykohet se është në interes të PLL.

e.Seksionet mbajnë lidhje me Komitetin Drejtues dhe janë të varura organizativisht prej tij.

NENI 39

Seksioni i Partisë krijohet kur ka jo më pak se 5 anëtarë; kur numri i anëtarëve të Partisë kalon mbi 30, me miratimin e Komitetit Drejtues të Degës, krijohen dy ose më shumë seksione.

Seksioni mblidhet jo më pak se një herë në muaj.

Kapitulli Nr.V

NENI 40

Kandidatët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, formojnë grupin parlamentar.

a.Grupi përfaqëson dhe mbron interesat e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Kuvend.

b.Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe këshilltarët e zgjedhur në pushtetin vendor.

NENI 41

Deputeti ose Grupi Parlamentar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” është i detyruar të veprojë në përputhje me linjat politike të Partisë, si dhe të zbatojë vendimet e organeve drejtuese të saj.

a.Në rast se deputeti nuk vepron konform Statutit dhe vendimeve të organeve drejtuese të Partisë, me propozim të Komitetit Drejtues në konsultim me Senatin dhe vendim të Këshillit Kombëtar, atij i hiqet e drejta të përfaqësojë Partinë.

b.Kryetari i Partisë, nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare, është automatikisht kryeministër. Në të gjitha rastet e tjera, kryetari i Partisë është kryetar i Grupit Parlamentar.

Kapitulli Nr.VI

NENI 42

Organizmat partnere të PLL janë:

-Forumi i Veteranëve (Senati)

-Forumi i Rinisë

-Forumi i Gruas

-Këto forume synojnë të përhapin idetë dhe programin e PLL në grupet shoqërore ku ato veprojnë.

-Ato janë të strukturuara përafërsisht si PLL dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar

NENI 43

Çdo anëtar i PLL ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në Partinë “Lëvizja e Legalitetit”.

-Në PLL respektohet diversiteti i mendimit.

NENI 44

Vendimet në organet vendimmarrëse merren me shumicë absolute (50% +1) të votave të vlefshme të pjesëmarrësve që kanë të drejtë vote.

NENI 45

Votimi bëhet i fshehtë ose i hapur duke ngritur dorën.

NENI 46

Anëtarëve të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mund t’u jepen: Vërejtje; Pezullim; Përjashtim.

a.Vërejtja jepet me shkrim për gabime të lehta.

b.Pezullimi jepet për shkelje statutore dhe morale.

c.Përjashtimi jepet për shkelje të rënda politike, apo morale që dëmtojnë rëndë imazhin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

Kapitulli Nr.VIII

NENI 47

Komisioni i Kontrollit dhe i Respektimit të Statutit përbëhet nga Kryesia e Forumit të Veteranëve, Senatit.

NENI 48

Çdo gjë që nuk është e parashikuar në këtë Statut, mbetet në kompetencë të Komitetit Drejtues të PLL-së në konsultim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë.

NENI 49

Të ardhurat e Partisë dhe financat sigurohen nga:

a.Kuotat e anëtarëve të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

b.Të ardhura nga persona fizikë e juridikë.

c.Të ardhura nga degët jashtë atdheut.

d.Të ardhura nga shtypi i Partisë.

e.Donacione të ndryshme brenda kuadrit ligjor.

f.Të ardhurat e parashikuara nga ligji.

NENI 50

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka numrin e vet të llogarisë në Bankë.

NENI 51

Statuti mund të ndryshohet vetëm nga Kongresi i Partisë “Lëvizja Legalitetit”.

NENI 52

Ky Statut hyn në fuqi menjëherë.

NENI 53

Në momentin që ky Statut hyn në fuqi, abrogohet Statuti paraardhës.

PROGRAMI I PARTISE LEVIZJA E LEGALITETIT

Partia “Lëvizja e Legalitetit” është një parti kombëtare me qendër në Tiranë. Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare të rënë në fushën e nderit për lirinë e pavarësinë e tokës Arbërore, besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit, me bazë ideje dhe veprimi ” Atdheu mbi të gjitha”.

Ajo është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” e krijuar në zjarrin e Luftës kundër nazi-fashistëve në nëntor të vitit 1943.

Me dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët, kjo Parti mbijetoi dhe zhvilloi në Botën e Lirë aktivitetet si formacion i organizuar politik në favor të çështjes kombëtare dhe kundër diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri.

E ndërgjegjshme për detyrimet që ka ndaj popullit dhe kombit shqiptar, PLL siguron se, si programi, ashtu dhe veprimtaria e saj, përjashtojnë përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve politike të vendit dhe konfirmon bindjen e saj në drejtësinë e dokumenteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së, parime të cilat shërbejnë si bazë dhe busull orientimi në tërë dokumentet dhe veprimtarinë politike të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka luftuar të tre diktaturat shkatërrimtare dhe më të egra të këtij shekulli për popullin shqiptar: fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin sllavo-ndërkombëtar.

Ajo e konsideron 7 prillin e vitit 1939 si fillimin e tragjedisë kombëtare dhe i të gjitha fatkeqësive të mëpastajme për popullin shqiptar, pasoja nga të cilat ende nuk jemi ndarë. Partia “Lëvizja e Legalitetit” asnjëherë nuk ka pranuar dhe vazhdimisht ka luftuar statusin politik, antikombëtar dhe antikushtetues, të krijuar në Shqipëri jo vetëm pas prillit 1939, por edhe pas 24 majit 1944.

Ajo është e mendimit se me vendosjen e përsosjen e plotë të demokracisë, populli është përcaktuesi më i mirë për vendosjen e formës së regjimit, Monarki Kushtetuese apo Republike.

Në fushën politike

1. Partia “Lëvizja e Legalitetit” lufton për krijimin e një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike, në përputhje me parimet bazë të Kartës së OKB-së dhe të dokumenteve themelore të OSBE-së.

2. Konsekuente me parimet e legjitimitetit e të demokracisë dhe në përputhje me të drejtën historike, politike e juridike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” aspiron dhe lufton që me rrugë dhe me mjete demokratike të vendosë Monarkinë Kushtetuese me Lekën I Mbret i Shqiptarëve. Njëkohësisht, ajo respekton të drejtën sovrane të popullit për të zgjedhur me anë të referendumit mbarëkombëtar formën e regjimit që pëlqen (Monarki Kushtetuese apo Republikë).

3. Partia “Lëvizja e Legalitetit” lufton që në Shqipëri të vendoset një shtet ligjor, modem bazuar në kushtet e vendit dhe përvojën ndërkombëtare. Ajo konsideron si objektiv e angazhim të përhershëm të saj sigurimin me ligj të drejtave e lirive themelore të njeriut, si e drejta e pronës, e drejta e fjalës dhe e shtypit, e drejta e organizimit politik, e zgjedhjes dhe e të zgjedhurit, liria e profesionit, qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i ideve të përcaktuara në aktet e njohura ndërkombëtare (Deklarata e OKB-së për të drejtat e njeriut e të qytetarit dhe të OSBE-së për këtë çështje) dhe respektimin e tyre rigoroz me praktikë.

4. Ajo është për respektimin e lirë të ndërgjegjes. Në shoqërinë pluraliste botëkuptimi nuk mund të futet në kornizë ideologjike të njëanshme e moniste. Partia “Lëvizja e Legalitetit” njeh lirinë e besimit fetar dhe e mbron atë sipas parimit “Fe e lirë në shtet të lirë”.Ajo njeh të drejtën e ushtrimit të lirë të ceremonive të kultit dhe të veprimtarisë të komuniteteve e të institucioneve fetare që kanë për qëllim lirinë e plotë të besimeve në një shtet laik, mbron e respekton besimet e kombit pa asnjë preferencë.

5. Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka për qëllim mbrojtjen dhe lirinë e pakicave kombëtare me të drejta dhe detyra të barabarta ndaj ligjeve dhe institucioneve të vendit. Këto të drejta i shtron në kushte të barabarta dhe reciproke me kombet përkatëse.

6. Partia “Lëvizja e Legalitetit” përkrah sindikatat dhe funksionimin real të tyre, që ato të kthehen në organizata të vërteta demokratike e luftarake në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të tyre e në pajtimin me interesat kombëtare, që ato të mos jenë të varura nga shteti dhe partitë politike. Ajo njeh të drejtën e grevës.

7. Partia jonë nuk e ndan diasporën shqiptare nga populli shqiptar. Ajo do të luftojë që të gjithë të mërguarve politikë dhe ekonomikë që ndodhen në botë, t’u njohë të drejtën e qytetarisë së dyfishtë dhe ata të gëzojnë të gjitha të drejtat politike që rrjedhin prej saj.

8. Ajo është për një politikë të jashtme aktive dhe dinamike, për zgjerimin dhe ngritjen në nivele të reja cilësore të marrëdhënieve të Shqipërisë me të gjitha vendet sipas parimeve të respektimit të sovranitetit kombëtar, të barazisë e të leverdisë reciproke, të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri-tjetrit, duke synuar mbrojtjen e interesave të vendit tonë dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të tij, si dhe në interes të paqes, të sigurisë e të bashkëpunimit në Ballkan, Evropë dhe në botë.

Në fushën ekonomike

1. Partia “Lëvizja e Legalitetit” konsideron si objektiv dhe angazhim të përhershëm të saj kapërcimin e shpejtë dhe pa tensione shoqërore të krizës së rëndë e të gjithanshme ekonomike e të pasojave të tjera shkatërruese të sistemit totalitar komunist 50-vjeçar në fushën ekonomike. Ajo është për ristrukturimin e plotë të vendit, për zhvillimin me përparësi dhe modernizimin e degëve më të leverdishme të prodhimit e të sferave të tjera të ekonomisë.

Qëllimi do të jetë arritja e standardeve evropiane.

2. Rruga e vetme e suksesit në zhvillimin e ekonomisë është reformimi tërësor e rrënjësor i krejt sistemit ekonomik të vendit nëpërmjet privatizimit. Ekonomia e tregut ( ashtu si edhe shteti juridik, principet e pluralizmit dhe të drejtat themelore të njeriut) përbën një precedent historik (periudha 1920-1939) dhe parimin bazë të politikës ekonomike të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

3. Nisur nga parimet se prona private është e shenjtë dhe e paprekshme, baza dhe garancia e qytetërimit njerëzor, nisur nga historia mbi 2500 vjeçare e pronës dhe e qytetërimit shqiptar në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare të së drejtës së pronës, Partia jonë u njeh të gjithë titujt pronësorë pronarëve të tyre të ligjshëm; për rastet e pamundura pronarët të kompensohen nga shteti.

Ajo ka qenë dhe do të jetë kundër çdo lloj eksperimenti të kryer në emër të “revolucionit” apo “reformave” të motivuara nga qëndrime ideologjike apo partiake që cenojnë shenjtërinë e pronës private.

4. Për t’ju përgjigjur një ekonomie moderne tregu është e nevojshme reformimi i plotë i sistemit bankar, i sistemit të kreditit dhe atij fiskal, i praktikës monetare dhe buxhetore si dhe i çmimeve dhe i politikës doganore.

5. Për rritjen e mirëqenies së vendit, Partia jonë është që, në Shqipëri të zhvillohet sa më parë turizmi cilësor, ti jepet përparësi industrisë së lehtë e ushqimore dhe atyre degëve të ekonomisë me efektivitet të lartë.

6. Të stimulohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat zhvillimi i infrastrukturave si ai i rrugëve e autostradave, transportit ajror, hekurudhor e detar, i telekomunikacionit etj.

7. Të zhvillohen ato degë të industrisë së rëndë, nxjerrëse dhe përpunuese për të cilat sigurohet lënda e parë në vend dhe që kanë efektivitet të lartë.

8. Partia jonë synon modernizimin e bujqësisë dhe të fshatit, ku të funksionojnë fermat individuale apo kolektive të bazuara në iniciativën e lirë; ngritjen e nivelit të lartë të bazës materiale, tregtare, postare; telefonizimin, urbanizimin dhe zhvillimin e turizmit në fshat.

9. Partia “Lëvizja e Legalitetit” synon funksionimin e një sistemi dinjitoz të asistencës sociale. Gjithashtu ajo angazhohet për një emigracion ekonomik të organizuar dhe të drejtuar nga shteti në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

10. Partia jonë është për zhvillimin e gjerë të marrëdhënieve ekonomike me botën e jashtme duke përfshirë marrjen e ndihmave dhe të kredive, tërheqjen e kapitaleve të huaja, krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me partnerë të huaj dhe forma të tjera, duke krijuar të gjitha kushtet materiale dhe ligjore për tërheqjen e kapitalit të huaj, investimet e përbashkëta, garantimin e investimeve dhe lejimin e iniciativës së lirë të individëve e të ndërmarrjeve për marrëdhënie me partnerë të huaj, duke i dhënë përparësi diasporës shqiptare.

11. PLL do të punojë që vendi ynë të aderojë me të drejta të plota në të gjitha organizmat ekonomiko-financiare e tregtare evropiane dhe botërore. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë që çdo marrëveshje dhe çdo veprimtari e përbashkët me partnerë të huaj, të mbajë parasysh interesin kombëtar të vendit, duke shmangur çdo veprimtari që rrezikon të vërë vendin dhe popullin tonë në pozita nënshtrimi dhe të pafavorshme ekonomike dhe politike.

Në fushën sociale

Partia “Lëvizja e Legalitetit” mban parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi, krizën e rëndë dhe të gjithanshme. Programi social i saj mbështetet në trashëgiminë më të mirë historike të periudhës së ekzistencës së shtetit të parë të pavarur shqiptar dhe në konceptet, normat e parimet bazë të qytetërimit bashkëkohor perëndimor.

1. Duke pasur në qendër të saj njeriun e lirë, dinjitetin e tij në një shoqëri ku sundon ligji dhe drejtësia shoqërore, ajo njëherazi do të luftojë që të ruhen, mbrohen dhe zhvillohen më tej traditat dhe virtytet më të mira të popullit shqiptar.

2. E drejta për punë është një e drejtë themelore e njeriut Partia jonë kërkon që shteti të përgjigjet me ligj për realizimin e kësaj të drejte. Ai, të sistemojë, të bashkërendojë e të përcaktojë lëvizjen e fuqisë punëtore brenda vendit, t’u japë zgjidhje optimale problemeve të zënies me punë të forcave të afta, të kujdeset për kufizimin maksimal të fenomenit të papunësisë duke përfshirë rikualifikimin e të papunëve dhe emigracionin ekonomik të organizuar, si dhe të sigurojë e asistencë sociale për të papunët dhe për familjet e tyre.

3. Partia jonë kërkon që shoqëria shqiptare të krijojë kushte sa më të përshtatshme materiale dhe shpirtërore të veprimtarisë së inteligjencës, inkurajimin dhe shpërblimin e drejtë të punës së kualifikuar intelektuale, për zhvillimin e lirë dhe të gjithanshëm të mendimit krijues, specializimin e lartë të inteligjencës brenda e jashtë vendit, lidhje, kontakte e shkëmbime të gjera të inteligjencës sonë me shkencën e kulturën botërore.

4. Partia “Lëvizja e Legalitetit” do të përpiqet për një legjislacion që të mbrojë familjen dhe të sigurojë mirëqenien morale, shëndetësore e materiale të nënës, të fëmijës, të pleqve, të të papunëve dhe të invalidëve.

5. Partia “Lëvizja e Legalitetit” mbështet aspiratat dhe kërkesat e drejta të rinisë për punë, arsim e kualifikim të përshtatshëm. Ajo do të përkujdeset që brezit të ri t’i kthehet besimi në të ardhmen e vet dhe të atdheut, që prej tij të largohet rreziku i plagëve të tilla shoqërore si papunësia, droga, alkoolizmi, rrugaçëria, etj., duke i krijuar asaj kushte për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit, të prirjeve e të talentit, si dhe për pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën shoqërore, politike, ekonomike e kulturore të vendit.

6. PLL do të përpiqet për ristrukturimin dhe përmirësimin rrënjësor të shërbimit mjekësor. Ai do të jetë shtetëror dhe privat, falas dhe me pagesë, sipas zgjedhjes së të sëmurëve që duhet të jenë të siguruar në shoqërinë e sigurimit.

7. PLL do të luftojë që ish të burgosurit e të përndjekurit politikë, luftëtarë të demokracisë, të rikthehen në jetën qytetare duke ndihmuar me përparësi si për punësimin, strehimin dhe shpërblimin material për të gjithë kohën e dënimeve që kanë vuajtur.

8. PLL do të synojë që shteti të përkrahë me efikasitet fëmijët jetimë, të braktisur dhe të keqtrajtuar duke u siguruar atyre rritjen dhe edukimin në institutet shtetërore.

9. Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon që të vihet në zbatim legjislacioni i nevojshëm për mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e ekuilibrave natyrore dhe, në kushtet e iniciativës private, të ushtrohet kontrolli i vazhdueshëm nga shteti.

“PARTIA “LEVIZJA E LEGALITETIT”

Tiranë, më 21 Shtator 2016

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s