“Në kampin e Tepelenës komunistët lanë të vdisnin nga uria 300 fëmijë”Rrno për me Tregue.nga Agim Musta.

hqdefault

“Në kampin e Tepelenës komunistët lanë të vdisnin nga uria 300 fëmijë”

29/03/2012 Agim Musta rrëfen për kampet e internimit dhe sajimin e bandave diversante në diktaturë
Në emisionin e Nebil Çikës “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos kanë ndodhur vrasje makabre. Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.

– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?

– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.

– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?

– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut. Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, -thotë ai

– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?

– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.

– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?

– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.

– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?

– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

– Zoti Musta, të qëndrojnë edhe pak në problemet që hasën edhe shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit jugosllav. Mund të na thoni diçka lidhur më këtë gjë, pasi është një histori ku thuhet se diktatura në Shqipëri ishte e mirë për kosovarët dhe e keqe për shqiptarët?

– Dihet se shumë Kosovarë kanë vuajtur nëpër burgjet e Shqipërisë. Shumë djem të rinj kosovarë kanë vuajtur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet në Shqipëri. Shumë djem kosovarë të mirarsimuar, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, erdhën në Shqipëri për të mësuar kulturën shqiptare. Komunistët kishin disa shtëpi sekrete sigurimi. Një në Shijak dhe një në Krujë. Aty bëhej filtrimi i tyre. Një pjesë shumë e vogël e tyre merreshin dhe bëheshin agjent të Sigurimit, ndërsa të tjerët internoheshin e burgoseshin vetëm pse nuk pranonin të bëheshin agjentë të Sigurimit. Unë kam pasur disa kosovarë ne burg. Shumë prej tyre janë ekzekutuar.

– Do të kalojmë në një pjesë tjetër të librit tuaj, atë ku luftëtarët e lirisë quhen “Desantët apo diversantët” . Në insertin që unë kam përgatitur flitet për një gjyq dhe pamjet janë marrë nga një film i vitit 1952, në të cilin ishin të ftuar edhe gazetarë nga blloku lindor. Çfarë mund të na thoni për këtë ngjarje?

– Janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe unë dua të faktoj një gënjeshtër të madhe që ka shkruar Ramiz Alia në librin e tij. Ai thotë se Zenel Shehu bashkëpunoi me komunistët dhe se ata e kishin falur. Ky është mashtrimi më i madh që ata kanë thënë, pasi Zenel Shehu është ekzekutuar nga komunistët. Gazetarët që ishin aty ishin të tërë komunistë. Vetëm një gazetar polak i gazetës “Tribuna” dallonte nga të tjerët. Kur u kthye në Poloni, ai ka thënë se “gjyqet që bëhen në Shqipëri janë kostume të zeza të qepura me pe të bardhë”. Ato gjyqe ishin komplet të manipuluara. Aranit Çela, i cili sot bredh bulevardeve dhe ndërron kostumet angleze, u ka marrë lekët dhe florinjtë diversantëve. Është mbi 90 vjeç dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Bëri dy vjet burg kur erdhi demokracia dhe mori qindra milionë lekë si dëmshpërblim..

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s