Familja e Diktatorit Hoxha,që çoi 320 Ton Flori në bankat e Zvicrës.

FB_IMG_1495694199636

Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës

Ndofta kjo është një histori e përjetshme në raportet e popullit me mbretin, presidentin, apo udhëheqësin që drejton vendin. Populli e zgjedh që të qeverisë, ndërsa ai veprimin e parë që bën pasi merr pushtetin është grabitja ndaj pasurisë kombëtare. Duke zgjedhur që në fillim dy gjëra: Shufrat e dajakut për kundërshtarët dhe shufrat e floririt për familjarët. Por me diktatorët si Enver Hoxha punët janë edhe më të ndërlikuara. Sepse ai zgjodhi që në fillim bangot e të akuzuarve për njerëzit e thjeshtë dhe bankat e Zvcrës për njerëzit e familjes. Liljana Hoxha, nusja e djalit të madh të Enver Hoxhës, Sokolit, disa herë i është drejtuar vjehrrës së saj, Nexhmije Hoxhës për ndarjen e drejtë të pasurisë së ish udhëheqësit të lartë të Shqipërisë, i cili drejtoi vendin tonë drejt errësirës, me “dorë të hekurt”. Kërkesa insistuese e Liljana Hoxhës bëhet mbi kriterin tradicional të ndarjes së pasurisë së prindërve në mënyrë të barabartë midis të gjithë fëmijëve të familjes. Gjithmonë, në bazë të intervistave të publikuara prej saj, kuptohet lehtësisht se Sokol Hoxha nuk ka marrë pjesën e duhur, ose atë që i takon, në krahasim me fëmijët e tjerë. Nga kjo histori kuptohet lehtë se edhe për shkak të komunikimit më të mirë të Nexhmije Hoxhës, me Ilir Hoxhën, ajo nuk është kujdesur në mënyrë të barabartë për të gjithë. Historitë e shumta të lidhjeve midis thesarit të florinjtë dhe Enver Hoxhës hedhin dritë të mjaftueshme për të kuptuar se ish sekretari i Parë i Partisë së Punës, i kishte marrë masat për sigurimin e jetës së pasardhësve të tij, deri në dy-tre breza. Por ndërkaq, mënyra se si ka jetuar familja e Nexhmije Hoxhës, pas vitit ‘90-të, pra, strehimi familjar i saj në ish –Institutin e Tokave, shtroi shumë pikëpyetje në lidhje me pasurinë e Enver Hoxhës, apo në lidhje me grabitjet e bëra prej tij ndaj pasurisë kombëtare. Ka me dhjetra shkrime e hulumtime për grabitjen e floririt nga Enver Hoxha duke e ndarë këtë aksion të vjedhjes në tre faza kryesore, e cila përkon me periudhën pak para çlirimit, me periudhën pas çlirimit dhe me periudhën e viteve ‘68-‘70. Në të gjitha rrëfimet e bëra nga dëshmitarë të cilët sot kanë vdekur, flitet për transportimin e floririt jashtë shtetit, pra në bankat e Zvicrës apo në Amerikën e Jugut, në emër të 3 fëmijëve të saj. Një mundësi tjetër e përfolur më shumë gjatë luftës dhe më pak pas saj, është groposja e arit në vende që i di vetëm Nexhmija. Në këtë mënyrë të vërtetat përzihen me një sërë legjendash, ku për shkak të sekreteve bankare, apo për shkak të mospublikimit të emrave nga bankat e Zvicrës, problemi mbetet akoma në pamundësi verifikimi. Këtë e ka përforcuar edhe gjendja financiare e familjes Hoxha pas vitit ‘90-të, ku ende nuk është shfaqur ndonjë fakt që të vërtetojë pasurinë e tyre përrallore. Për disa kohë u fol për lidhje të kompanisë “Iliria Holding”, me djalin e Enver Hoxhës, Ilir Hoxhën. Më tej u fol se firma “DEKA” ishte pronë e djemve të Enverit, e cila në zhargonin e përditshëm përkthehej: “Djemtë e Enverit Krenaria e Atdheut”. Për këtë gjë janë pyetur shpesh nëpër intervista edhe familjarët e kësaj familjeje, por askush prej tyre nuk ka konfirmuar pronësinë ndaj ndonjë kompanie të madhe në vend.

Historia e grabitjeve
Kinezët kanë një shprehje që thotë: “Dashnoren çdo të shtunë rrihe. Edhe nëse ti nuk e di përse po e rreh, kjo nuk prish punë. Sepse e di vetë ajo, e cila gjatë javës do të ketë bërë patjetër ndonjë gabim që ta meritojë rrahjen”. Krahasimi është gjithsesi i pasaktë, por edhe në rastin e udhëheqësve të lartë ndodh e njëjta gjë. Çdo akuzë për grabitjet e pasurisë ndaj tyre, është e drejtë, sepse padyshim gjatë qeverisjes ata kanë bërë patjetër ndonjë vjedhje astronomike të thesarit. Por në rastin e Enver Hoxhës punët ndryshojnë. Ai akuzohet nga bashkëkohësit e vet se ka vjedhur arin e shtabit të përgjithshëm, apo ka përfituar shuma të mëdha nga konfiskimet dhe tatimi i jashtëzakonshëm, ku floriri nuk regjistrohej i gjithi. Sipas dokumenteve, thuhet se në vitin 1943 në Labinot, Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Në atë kohë Fetah Ekmeçiu ishte i ngarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë mbas ngjarjes së sipërpërmendur Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe trupi nuk ju gjet kurrë. Gjithçka mbeti mister dhe kjo e shton dyshimin sepse në librat e ndryshëm të historiografisë komuniste apo në kujtime të bashkëkohësve tregoheshin 4 histori të ndryshme për rrethanat e vdekjes. Dhe nuk thuhej kurrë e njëjta gjë rreth fundit të jetës së Fetah Ekmeçiut. Herë thuhej që ra në një gropë, herë thuhej se e helmuan, herë se ra në greminë dhe herë thuhej që ra në përpjekje me gjermanët. Në atë kohë kjo gjë hidhej në formë dyshimi ndaj Enverit. Enver Hoxha gjithnjë i ka pasur zili të pasurit. Madje që nga koha kur ishte student në Paris. Ishte e qartë që Enver Hoxha e kishte kërkuar vjedhjen e floririt për të pasur një lloj sigurie pas lufte nëse nuk do gjendej në krye të shtetit. Floriri i groposur më 1943 do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959 me porosi të Enver Hoxhës. Dhe Sami Baholli pasi e nxori thesarin nga toka me porosi të Enverit, ia çoi këtij të fundit në shtëpi. Por ky është vetëm një rast i shkëputur dhe i parëndësishëm në krahasim me grabitjen titanike që i është bërë thesarit të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Dhe në atë kohë, askush nuk mund të vinte dorë në atë thesar pa urdhrin Enver Hoxhës. Ndërsa batalioni i ministrave të Financave nuk kishte asnjë kompetencë për të bërë veprime financiare të rëndësishme pa dijeninë e Enverit. Kush vepronte me kokën e vet pushkatohej. Por ndërkaq, Enver Hoxha pushkatonte edhe ministrat e pafajshëm të financave të cilët nuk kishin bërë asnjëherë, asnjë krim. Sepse në errësirën e tunelit komunist, inkuizicioni ishte i tmerrshëm. Ndërsa për veten e tij dhe për familjen e tij dritat e këtij tuneli ishin të ndezura dhe dyert e këtij tuneli ishin të hapura. Njëlloj, si dyert e tunelit të thesarit të Kërrabës, ku nuk shënohej e gjithë sasia e arit që vinte nga konfiskimet, nga përpunimi i bakrit, etj, etj. Sipas disa zërave thuhet se një pjesë e thesarit të vendit është transportuar nga dy-tri ministra të Financave, në emër të familjes Hoxha. Njëri prej tyre dhe më kryesori ishte Haki Toska. Por komisioni i ngritur nga Berisha në vitin 1992-93 nuk mundi ta çonte deri në fund hetimin e këtij problemi.

Komisioni i hetimit të thesarit
Kështu për të verifikuar transfertat e thesarit të Shtetit nga vitit 1938 – 1990 si dhe procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, në fund të vitit 1991-92, me nismën e Partisë Demokratike u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar i cili kishte këtë përbërje, Blerim Çela PD – deputet i Shkodrës kryetar i komisionit, Gëzim Luli PD – deputet i Shkodrës, Behadin Bakalli PD – deputet i Shkodrës, Vehbi Gruda PD – deputet i Shkodrës, Teodor Keko PD – deputet i Tiranës, Qemal Disha PS – deputet i Matit, Sami Kushta PS – deputet i Librazhdit, Shkëlqim Cani PS – deputet i Ersekës, Thoma Miço “Omonia” – deputet i Sarandës. Në thelb komisioni dështoi në synimin e tij, por ai hapi disa nga “petët e lakrorit”. Pas një pune të madhe deputeti Blerim Çela lexoi më 22 janar raportin në emër të komisionit. Pas një argumentimi të hollësishëm, deputeti Çela në emër të komisionit parashtroi këto përfundime:

“1-Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944.

2-Ish Mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar si të ardhura personale të oborrit nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.

3-Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasira janë mbajtur një herë në degët e Punëve të Brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar siç argumentuam më lart dhe shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar.

4-Në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori. Në fakt në thesar janë futur nga sekuestrimet vetëm 3.029 kg ar… Mungojnë 280 ton ar.

5-Gjatë kohës së diktaturës komuniste janë bërë dalje 7.600 kg ar.. Kjo sipas të dhënave të mara nga drejtori i thesarit të shtetit… dhe janë përdorur për të blerë grurë 224 kg; janë përdorur për dikasteret e ndryshme 37 kg; janë humbur në kambizëm 4.072 kg; janë dhënë për tregtinë e jashtme 3.200 kg për blerje mallrash. Asnjë përgjegjësi nuk është mbajtur për humbjet në kambizëm për 4 ton ar me vlerë 60 milion dollarë. Thesari i Shtetit është i shenjtë, me të nuk mund të luhet, ndryshe kushdo që e prek duhet të përgjigjet me kokë. Se si është përdorur 3.200 kg për blerje mallrash, kjo kërkon një kontroll të dytë nga organe të specializuara me autorizim të parlamentit.

6- Duhet të ngrihen grupe hetuesish me specialistë të aftë për të nxjerrë se ku shkon ari në sasi prej 280 ton duke ballafaquar fatkeqët e grabitur me grabitësit e veshur me rrobën e shtetit…

7-Duhet bërë kontroll në uzinën e Rubikut me mandat parlamentar e të qeverisë për të kontrolluar sasinë e arit të prodhuar në se përputhet me atë të futur në thesar.

8-Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe thesari në ruajtje kudo qoftë nga specialistë të Bankës së Shtetit duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe atë të dërguar jashtë shtetit”.
Pas këtij raporti të gjithë ngritën supet dhe heshtën. Veprimet e tjera që u bënë ishin thuajse formale dhe jeta në Shqipëri vazhdoi si edhe më parë. Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha u dënuan në gjykatë me akuzën për shpenzime të tepërta për kafe, ose për telefona.

Ndërkaq, Blerim Çela është i vendosur edhe sot e kësaj dite, se Enver Hoxha është pjesë e mafies politike që vuri dorë mbi thesarin e floririt gjatë viteve të pushtimit komunist. Madje ai është kryesori në zhdukjen e thesarit. “Ne mund të bënim më shumë me anë të atij komisioni, por atëherë ishte fillimi i pluralizmit dhe të gjitha proceset kërkonin nxitim për të fituar kohën e humbur” është shprehur ai.

Floriri dhe arratisja
Thesari është i popullit, por në të gjitha kohrat ai u ka shërbyer pushtetarëve, ose është vjedhur prej tyre. Në të gjitha rastet drejtuesit tradicionalë të shteteve të mëparshme në vëmendjen e tyre kanë pasur dy gjëra kryesore. Ata i kanë vënë rëndësi faktit që të lënë një derë të hapur ikjeje, në rast kryengritjeje, pushtimi, apo grushti shteti dhe të sigurojnë një depozitë floriri për familjet e tyre, që mund t’i përdornin në të ardhmen. Në të gjitha rastet dhe në prag të ngjarjeve të vështira, mendja e politikanëve shqiptarë ka shkuar gjithmonë, ose kryesisht tek floriri, njëlloj siç shkon mendja e atij që është duke u mbytur tek barkat e shpëtimit. Thuhet se Enver Hoxha, në vitin 1943 në Labinot, mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Por e gjitha kjo duket si një shaka përpara grabitjeve të mëdha që janë bërë me arin shqiptar në vitet e sistemit komunist, ku mungojnë diferenca marramendëse nga inventarët e bërë.
Inventari
Komunistët u sollën shumë keq me floririn e gjetur dhe me floririn e konfiskuar, pa llogaritur këtu arin e nxjerrë nga Rubiku. Pas ardhjes më dhunë në pushtet përmes luftës civile, si pasojë e lëvizjeve të sipërpërmendura, forcat komuniste gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Kjo provohet nga proces-verbali i nënshkruar nga zotërinjtë Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Abdyl Këllezi. Ndonëse në Thesarin e Shtetit ndodheshin vetëm 90 kg ar, në duar të popullatës shqiptare ndodheshin rreth 320.000 kg ar (ose 320 ton ar). Një pasuri e tillë e pakrahasueshme, natyrisht që do të mund të rimëkëmbtë edhe shtetin më të shkatërruar e jo më Shqipërinë. Pikërisht këtu tragjedia do të përhapej në një plan tjetër. Ligji për tatimin e jashtëzakonshëm dhe ligji për konfiskimin e pasurive private, masakroi pronarët dhe shtoi mundësinë e spekulimeve për udhëheqësit e vet. Sipas specialistëve dhe studiuesve të kësaj fushe, ku një rol të veçantë kanë luajtur hulumtimet e Kastriot Dervishit, thuhet se ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit një artikull i botuar vite më parë në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim është botuar në faqet 14-15 të numrit të gushtit 1984 në revistën në fjalë me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”. Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit ishte një shifër zyrtare. Ndër të tjera autori Nuri Mehmeti në shkrimin e tij thotë: “…Pushteti i ri i vendosur menjëherë pas çlirimit të atdheut, që nisi të kryente funksionet e tij si diktaturë e proletariatit, kërkonte patjetër edhe bazën ekonomike… Në janar të vitit 1945 doli ligji i mbi konfiskimin e pasurisë së shtetasve italianë e gjermanë. Gjithashtu në janar doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj godiste veçanërisht atë pjesë të borgjezisë që kishte grumbulluar pasuri të mëdha… Në shumë raste elementët e tatuar nuk pranonin të paguanin shumën e caktuar, me pretekstin se nuk e kishin atë… disa u përpoqën të nxirrnin ar e sende të tjera jashtë shtetit… Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të punëve të brendshme, veçanërisht atyre të policisë për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët e tregtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e madhe. Ndihmuan punëtorët e specialistët që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura, ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë pranë kapitalistëve të kaluar etj. Kështu u arrit të zbulohen depo të nëndheshme në parcelat e oborret e kapitalistëve, bejlerëve e tregtarëve. U gjetën qypa me flori jo vetëm në betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm si në Durrës, Tiranë, etj. Në Elbasan u zbulua një sasi e madhe mallrash të tregtarit H.B., në një depo të nëndheshme, përsipër së cilës ishin mbjellë presh e perime të ndryshme. Zbulime të tilla u bënë edhe në Shkodër, Durrës, Korçë. Deri në fund të vitit 1948 u zbuluan 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta. Organet e punëve të brendshme ndoqën gjithë zhvillimet e ngjarjeve duke bërë një luftë këmbëngulëse kundër elementëve spekulativë e matrapazë…”. Por ndërsa nga ekonomistët e sistemit komunist pranohet një shifër e tillë sekuestrimesh, përkundrazi, nuk jepeshin të dhëna se ku kishin përfunduar ato. Por të dhënat e tjera zyrtare janë krejt kontradiktore. Kështu sipas një shkrese sekrete të nënshkruar nga drejtori i Thesarit, Fahri Hoxha më 16 janar 1992, merret vesh se sasia e arit të hyrë në Thesar nga sekuestrimet në periudhën 1 dhjetor 1944 – 31 dhjetor 1990 është vetëm 3.029 kg. Ndërsa në periudhën 1 dhjetor 1944 deri në 31 dhjetor 1990 në Thesarin e Shtetit kanë hyrë gjithsej 8.749 kg ar dhe kanë dalë 7.600 kg ar. Mirëpo shifra e 43.816.682 copë monedhave nuk është baraz me 3.029 kg ar, por me minimumi 320 ton ar. Atëherë vetiu lind një pyetje që do përgjigje: kush e vodhi floririn? Kush e grabiti atë në kohën kur askush nuk hidhte dot asnjë firmë pa lejen e Enver Hoxhës?
Sekserët e floririt
Sipas hulumtuesve, sekserët e Enver Hoxhës për transportimin e floririt, kanë qenë dy prej ministrave të Financave, por edhe disa njerëz të tjerë misteriozë. Vlerat monetare të familjes Hoxha i ka qarkulluar në perëndim dhe në Amerikën Latine një njeri i afërt i familjes Hoxha. Ai lëvizi për shumë vjet në Francë, Kanada dhe Amerikën e Jugut, për të qarkulluar dhe depozituar vlerat e thesarit shqiptar në emër të familjes Hoxha, i cili më vonë u pushkatua me një vendim gjyqësor për falsifikim. Gjyqi i tij është bërë në Kombinat, ku ai u akuzua së bashku me Gaspër Çurçinë për biletat e trenit. Kjo gjë e shton misterin për të gjetur ku ndodhet një pjesë jo e vogël e floririt të grabitur të shqiptar. Po ashtu nuk janë të pakta informacionet që qarkullojnë se për Amerikën e Jugut një rol jo pa rëndësi kanë luajtur edhe lidhjet politike të Enverit, me individë të kësaj zone. Si psh, Zhoao Amazonas, njeriu që ishte i pranishëm më shumë se kushdo në kongreset e Partisë së Punës. Në Zvicër ndodhet vetëm një sasi e caktuar e arit shqiptar. Ajo me e madhja ka kapërcyer në Kanada dhe Amerikën e Jugut. Gjithashtu, në bazë të hulumtimeve të K. Devishit, mësojmë se një vjedhje gjigande është bërë edhe nëpërmjet kambizmit të asaj kohe. Me anë të vendimeve nr 5, 430 dhe 84 të datave 7 janar 1988, 7 dhjetor 1988, dhe 8 mars 1989, janë transferuar jashtë shteti për qëllime kambizmi 4.072 dhe 13.193 kg argjend. Një shumë e tillë e justifikuar për kambizëm është pamundur të ketë shkuar e gjitha në destinacionin që thuhet. Për skandalin në fjalë ka shkruar më 26 qershor 1991 edhe gazeta “RD”. Sipas gazetës, specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kishin zbuluar se llogaritë e bilancit valutor nuk rakordonin. Gazeta kritikon gjithashtu heshtjen e drejtorit të Bankës së Shtetit Niko Gjyzari dhe të drejtorit për marrëdhënie me jashtë Kamber Myftari. Po në këtë artikull bëhet fjalë se njeriu që është marrë me “kambizmin” është Dhimitër Gazhda, i cili sipas gazetës kishte dy muaj që jetonte në Greqi. Humbjet që kishte pasur shteti shqiptar në një rast të tillë sipas gazetës ishin rreth 200 milion dollarë. Padyshim që i ashtuquajturi “kambizëm” në prag të kapitullimit të regjimit komunist nuk ka qenë gjë tjetër veçse maskim i kalimit të llogarive në favor të udhëheqësve të lartë komunistë. Nga ana tjetër sipas një dëshmie që ka dalë edhe në shtyp Banka e Shtetit Shqiptar për periudhën 1983 – 1987 ka porositur 396 copë arka që shërbejnë për transportimin e arit. Nga këto vetëm në vitin 1983 janë porositur 196 copë, ndërsa pjesa tjetër në vitin 1987. Kjo sasi arkash sipas specialistëve mund të shërbente vetëm për një sasi prej 180 ton ar. Dhe në atë kohë të gjithë e dimë se asgjë nuk ndodhte pa urdhrin e Enver Hoxhës, i cili ndryshe nga Ahmet Zogu që la shenja gjatë grabitjes, ky i fundit e kreu vjedhjen e thesarit në qetësi dhe misteriozitet të plotë. Sepse ndryshe nga Zogu që i bëri veprimet në emergjencën e pushtimit të vendit, ky i fundit e pati të gjithë kohën e nevojshme për të vepruar me plane të fshehta dhe prapaskena tinzare.
Nga gazetari Ilir Bushi

http://www.albdreams.net/enver-hoxha-komunisti-tinzar-qe-coi-floririn-e-shqiperise-ne-bankat-e-zvicres/

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s