Naxhije Dume: Vrasja e Qemal Stafës, pengu im i përjetshëm.Si i hengri Enveri dhe Nexhmija te gjithe shoket.Sketerra e internimit.

  1. Naxhije Dume: Vrasja e Qemal Stafës, pengu im i përjetshëm

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Naxhije Dume sot është plot 83 vjeçe dhe banon në një apartament të vogël në Tiranën e Re. Gjatë gjithë jetës e ka munduar një sëmundje e mushkërive, por përsëri mundi të jetojë gjatë. Shtëpinë e djalit, në të cilën po kalon pleqërinë, e kanë me qira. Naxhija qëndron e ulur në një divan dhe herë pas herë ndez cigaren e saj të preferuar, që e ka pirë vazhdimisht.

    Dhoma e pritjes është mobiluar sipas stilit klasik, me orendi që duket se janë të vjetra, por të mbajtura mirë. Edhe pse është e thyer në moshë, ajo që në vështrimin e parë të krijon përshtypjen e një gruaje të mbajtur mirë edhe pse ka vuajtur për më shumë se 56 vjet me radhë në vendinternimet e diktaturës. Naxhijen është për ta admiruar, pse ka një kujtesë fare të freskët dhe në tregimet e saj e ka të radhitur mirë gjithçka. Për herë të parë, pas 55 vjetësh, Naxhije Dume vendos kontaktin me mediat dhe tregoi gjithçka dinte për vitet e luftës. Tregimet e saj kundërshtojnë ato çfarë janë thënë deri më sot rreth eliminimit të anëtarëve të Grupit Komunist të Shkodrës, ku ka bërë pjesë edhe vetë, dhe zhvillimeve brenda Partisë Komuniste në momente kyçe të historisë së Shqipërisë. Kujtimet e saj, që i quan si testamentin e fundit që do të lërë, përpara largimit nga kjo jetë, mund të ndihmojnë në tërësi historinë e Shqipërisë. Naxhija, nuk kërkon të flitet për të me superlativa, por lutet të shkruhet me kujdes, sepse ajo e çmon thjeshtësinë dhe të qenin pa pretendime. “Unë kam bërë vetëm detyrën time”, të thotë ajo. Ish-shoqja e shkollës e Nexhmije Hoxhës, Fiqret Shehut dhe e disa grave të funksionarëve të tjerë komunistë, me të cilat e kishin lidhur jo vetëm studimi në Shkollën e Vajzave «Nëna Mbretëreshë» në Tiranë, por edhe idetë e përbashkëta për çlirimin e vendit dhe idetë komuniste në Shqipëri. Shtëpia e saj ishte bazë e luftës dhe në të kishin ndenjur me radhë Enveri, Qemali, Vasili dhe shumë drejtues të lëvizjes në Tiranë. Në kujtimet e saj, Dume rrok edhe disa nga pikat më të diskutueshme të historisë, ku më të rëndësishmet janë vrasjet e Qemal Stafës, Vasil Shantos, Vojo Kushit e të tjera fakte tronditëse të LANÇ-it. Kundër rrjedhës ajo ishte që në Konferencën e Parë të PKSH në Labinot, dhe kjo do t’i shënohej njëherë e mirë në biografi dhe do ta ndiqte nga pas gjithë jetën. Nëse gjatë luftës arriti të ishte deri dhe anëtare e KQ të PKSH-së që nga Konferenca e parë e vendit, në Labinot, ajo nuk e pati këtë fat edhe pas çlirimit. Naxhija do të ishte përkohësisht e preferuar në qeverinë e Enver Hoxhës, pasi ai e emëroi për vetëm gjashtë muaj në krye të dikasterit të Arsimit. Për t’i dhënë detyrën e re, në vitin 1948, e thirrën Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Naxhije Dume, atëherë do të thyente traditën e ekzekutivit, duke u bërë gruaja e parë ministre e Shqipërisë.

    Cila është origjina e familjes suaj?

    Linda në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Babai im ishte specialist pyjesh që nga Lufta e Parë Botërore. Ai e mbante familjen me një pension të vogël, të cilin nënkuptohet, e trashëgoi nëna, të cilin pas dënimit tim në vitin 1948 ia hoqën fare padrejtësisht. Babai, Dume Dumja, luftoi kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit duke u rreshtuar në batalionin e kolonjarëve në rrethinat e Pogradecit, pikërisht në atë rajon ku u vra dëshmori i lirisë Gani Butka, dhe xhaxhai i Petrit Dumes. Nëna ime e urtë, Vezire, më ndoqi pas mua dhe familjen time në të gjitha tallazet e jetës së vështirë, ku më përplasi historia e ashpër e diktaturës moniste. Shtëpia jonë në rrugën e Shën Gjergjit, në Tiranë, ku rrinim me qira, shumë shpejt u bë bazë e rëndësishme e LANÇ-it.

    Studiuat në institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”, çfarë ju ka mbetur në mendje nga ajo periudhë?

    Ishin ndoshta vitet më të bukura të rinisë sime. Kujtoj me shumë dashuri dhe nostalgji se shkolla jonë u shndërrua në një vatër të mrekullueshme kulture dhe atdhetarie. Në atë kohë, drejtor i Institutit «Nëna Mbretëreshë» ishte i respektuari Sotir Papahristo, njeri shumë autoritar dhe një nga pedagogët më të përkushtuar të arsimit atëherë dhe një nga njohësit më të mirë të gjuhëve greko-latine. Ai është përkthyes i shkëlqyer i prozës antke greke. Pedagogë të tjerë ishin personalitete të shquar si; Marie Kraja, Lola Gjoka, Kristina Hushi (Koliaka), Ollga Nikolla (Luarasi) (e motra e Migjenit), Gavril Meksi, Hysni Babameto, një pedagog i shkëlqyer. Filip Fishta, nipi i Gjergj Fishtës, Ahmet Gashi, e motra e Aleks Budës dhe ndonjë tjetër që ndoshta nuk më kujtohet për momentin. Në vitin 1933-34, Qeveria dhe ministri i atëhershëm i Arsimit, i mrekullueshmi Mirash Ivanaj nxori urdhrin për mbylljen e shkollave private të huaja, kryesisht atyre italiane. Si rezultat i këtij urdhri me përmasa pozitive kombëtare, në shkollën tonë vërshuan nxënëset nga të gjitha shkollat që u mbyllën si ajo e “Dakos” në Kamëz, shkolla e Kavajës e shkollat e tjera të mesme të Shqipërisë, që u mbyllën.

    Në institutin femëror në Tiranë kanë studiuar shumë vajza që më pas do të ngjisnin shkallët e karrierës në PPSH e qeverinë e Enver Hoxhës. Cilët ishin disa nga shoqet tuaja të kursit?

    Unë kisha shumë shoqe, por ato më të ngushtat ishin: Nexhmije Hoxha, Fiqret Shehu, Meri Papahristo, vajza e drejtorit të shkollës, Fatbardha Fico, vajza e diplomatit te shquar Rauf Ficos. Nuk mund të harroj të tjera shoqe si Fatmira Nepravishta, Vajza e Abedin Nepravishtës, kryetar i Bashkisë së Tiranës, Dhora Leka, personalitet publik dhe kompozitore e shquar e këngëve tona të mrekullueshme partizane, Liri Gega, vajza e ish-kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës që e kishte ndihmuar Enver Hoxhën aq shumë në rininë e vet. Kanë ngelur përgjithmonë në kujtesën time: Safo Çela (Marko) me origjine nga Leskoviku, gruaja e shkrimitarit të shquar antifashist Petro Marko, nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe tepër e talentuar në pikturë, Vera Blloshmi, vajza e Sara Blloshmit, Nermin Vlora, vajzë e bukur dhe simpatike, Shurete Turkeshi, vajzë e tregtarëve tiranas me origjinë nga Dibra, Bukurie Xhiku, e bija e prokurorit të përgjithshëm ushtarak, Shanisha Dosti, vajza e Hasan Dostit, ish-ministër i Drejtësisë, Dhorka Stratobërdha, Margarita Tutulani, Liri Belishova, Ramize Gjebrea, Eleni Pashko, Vera Malo, gruaja e Javer Malos, Margarita Totokoçi, Nefise Puto, Fatbardha Gega, kushërirë e Liri Gegës, Llambrini Mitrushi, aktiviste e shkëlqyer shtëpia e së cilës ishte bazë e sigurtë e Vojo Kushit, Safete Juka, vajza e Musa Jukës ish-ministër i Brendshëm, ishte një nga shoqet e mia më të ngushta. Edhe të tjera shoqe si: Saveta Shanto, motra e «Heroit të Popullit», Vasil Shanto, Musine Kokalari, Nimet Bala nga Kosova, Nafije Mema, gruaja e poetit të njohur, Lasgush Poradeci, më vonë arsimtare e shquar, Shyrete Turkeshi, gruaja e Eqerem Çabejit, të cilat më vonë u bënë antifashiste dhe personalitete të shquara të jetës politike shqiptare. Shyretja ishte anëtare e Grupit të të Rinjve dhe u përjashtua nga PKSH-ja që gjatë luftës. Nimet Bala dhe Nafije Mema ishin nxënëse të shkëlqyera dhe mbanin gjallë aktivitetin kulturor të shkollës, sidomos grupin teatral. Të mos harrojmë se klasa ime dhe klasat e tjera paralele ishin elita e vajzave të shquara dhe të kulturuara të Tiranës.

    Çfarë i lidhi disa prej këtyre vajzave me lëvizjen komuniste, kur sipas jush shumica e tyre ishin fëmijë pasanikësh dhe njerëzish me influencë?

    Mbi gjithçka urrejtja për fashizmin dhe atdhedashuria. Të gjitha së bashku pushtimin e vendit nga Italia fashiste e pritën me urrejtje dhe u aktivizuan në të gjitha demonstratat dhe veprimtaritë atdhetare dhe antifashiste. Ato u inkuadruan së bashku me ne në aksione tepër të rrezikshme, duke mos pyetur fare për familjet dhe as për karrierën e prindërve të tyre.

    Ju thatë se ishit një nga anëtarët e Grupit Komunist të Shkodrës. A mund të kujtoni disa nga bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë?

    Megjithëse e re, unë duke qenë anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, që vepronte në Tiranë, isha e lidhur ngushtë me Qemal Stafën, Kristo Themelkon, Vasil Shanton, Vojo Kushin, Sadik Stavelecin, Zef Malën, Tuk Jakovën, Kristaq Tutulanin, Nexhmije Hoxhën e të tjerë, si dhe shoqet e mia të shkollës. Instituti Femëror Pedagogjik “Nëna Mbretëreshë” ishte një çerdhe atdhetarie, ku zhvillohej një aktivitet shumë i gjerë antifashist, sepse atje lufta dhe përpjekjet kundër okupatorit ishin tema e ditës. Karakteristikë e këtij institucioni ishte se trupa e pedagogëve me studentet ishte shumë e lidhur, ndonëse propaganda fashiste mundohej të bënte të kundërtën.

    Le të ndalemi në vitin 1941, që shënoi dhe formimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Çfarë mbani mend nga ajo ngjarje?

    Për ne të rinjtë e të rejat antifashistë të asaj kohe, formimi i PKSH-së më 8-14 nëntor të vitit 1941, ishte një eveniment me rëndësi historike. Bashkimi i grupeve komuniste, ishte një sihariq i madh që do të luante më pas një rol tepër të rëndësishëm për zgjidhjen e fateve të luftës, e cila po hidhte hapat e parë, kështu mendonim ne në ato ditë plot ankth, kur vendi ishte i pushtuar dhe Gjermania naziste ishte në dyert e Moskës. Nga mbledhja themeluese doli Komiteti Qendror provizor i përbërë prej shtatë anëtarësh, kësisoj filloi të organizohet struktura e partisë. Mbaj mend se nga fillimi i dhjetorit, ne të rejat themeluam në një shtëpi të lagjes sonë, Organizatën Komuniste të Grave. Pra, unë isha anëtare partie që nga viti 1941. Po ashtu, Nexhmije Hoxha dhe Shanisha Dosti, e cila më pas u nis për studime në Itali, Liri Gega, Shyrete Turkeshi, Meriban Najdeni, gruaja e Xhavit Qeses një itelektual i shkëlqyer, Fiqret Shehu, Viti Shahni (Mala) dhe të tjera si këto ishim nismëtarë të krijimit të kësaj organizate.

    Si është e mundur që vajza e ish-ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, Hasan Dosti, të kishte bindje komuniste. A nuk bëhej pengesë për të i ati?

    Përkundrazi. Me këtë rast dua të theksoj se në shtëpinë e Hasan Dostit, ish-ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, mblidheshim thuajse çdo ditë. Hasani ishte një burrë i thjeshtë me shumë kulturë, i ndershëm, jetonte vetëm me rrogën e tij, me të cilën mbante nëntë vetë. Ish-ministri i dinte përpjekjet dhe mundimet tona. Ato ditë ne përgatisnim maturën e vitit shkollor ´41-´42. Mbaj mend që ai na tha: “Unë jam me ju, që ta njihni dhe ta studioni Marksin, por nuk jam për t’u bërë anëtar i asnjë partie. Aderimi në to është vdekje e individualitetit”, ashtu e kuptonte ai. Kurse ne, të përfshira nga entuziazmi rinor, ishim për formimin e një partie të gjerë, antifashiste, të çiltër, të hapur dhe jo për një parti sektare. Këtu fillon aktiviteti ynë për zgjerimin dhe organizimin e Luftës Antifashiste dhe pjesëmarrjen e gruas dhe rinisë në të.

    Shtëpia juaj ishte një nga bazat e Qemal Stafës deri një ditë përpara se ai të vritej. Kjo ngjarje është një nga më të diskutuarat edhe sot ku bëhen akuza dhe kundërakuza. Cili është mendimi juaj për vrasjen e Qemalit?

    Në muajt prill-maj, u arrestua Zef Ndoja, i cili siç rezultoi më vonë kishte treguar gjithçka që dinte për bazat dhe teknikën e Partisë Komuniste Shqiptare në hetuesinë fashiste. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Qarkori i Tiranës mori të gjitha kundërmasat për t’u mbrojtur nga kjo goditje. Por të jemi të sinqertë humbjet tona ishin tepër të mëdha e të rënda. Në këto kushte, Qemali ishte urdhëruar që të shkonte me detyrë partie në Vlorë. Deri atëherë, ai banonte në shtëpinë time, në rrugën e Shën Gjergjit nr.44 dhe më tha që të shkoja e të kontrolloja shtëpinë fatale ku një ditë më pas do të vritej. Shtëpinë unë e pashë me kujdes. Ajo ishte e porsapërfunduar dhe atje nuk banonte njeri. Shtëpia nuk kishte brenda asnjë orendi dhe për shumë arsye nuk më pëlqeu që Qemali të qendronte në atë bazë. Ndaj, kur e takova, i thashë me insistim se ajo shtëpi ishte e papërshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurtë, e veçuar nga banesat e tjera të lagjes dhe ndodhej e zbuluar në mes të fushës, poshtë Medresesë, atje ku sot ndodhet fabrika e bukës. Qemali u shpreh se do të qëndronte në atë bazë vetëm një natë dhe kur të kthehej nga Vlora do ta bisedonim përsëri. Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enver Hoxha. Për mua ka mbetur enigmatik fakti edhe sot se nga e dinin Kristoja, e të tjerë këtë bazë kaq të rëndësishme në kushtet e konspiracionit tonë të madh! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit.

    Çfarë ndodhi më vonë?

    Dua të theksoj se në kushte që nuk i njoh, këtë shtëpi e kishte marrë me qira kundrejt kontratës, në emrin e tij, Beqir Minxhozi, të cilin rastësisht e arrestuan në dyqanin e një rrobaqepësi. Pas një kontrolli rutinë, që ndodhte shpesh, ai deklaroi adresën e tij të banimit. Përveç kësaj, Beqirit i gjetën në xhep edhe kontratën që kishte bërë me pronarin e shtëpisë ku do të banonte Qemali. Këtu doli se Beqiri posedonte dy shtëpi. Në këtë rast, policia dyshoi dhe e arrestoi. E mbajti në hetuesi për pak kohë dhe fill pas kësaj policia vendosi të kontrollonte bazën e re të Qemalit. Në këto kushte, e shoqja e Zefit, Drita Kosturi, që ishte e fejuara e Qemalit dhe Marije (Lezha) Jakova, të cilat nuk dinin se ç’kishte ndodhur me B.Minxhozin, me shpejtësi dolën nga rrethimi dhe çuditërisht shkuan në shtëpinë e Qemalit, që Drita e dinte mirë sepse ne të dyja e kishim parë dhe skicuar për t‘ja treguar Qemalit. Të nesërmen ndodhi vrasja. Së bashku me to ishte edhe Kristo Themelko dhe një shok tjetër që unë nuk e di dhe nuk e mora vesh kurrë se kush ishte ai. Këtë shtëpi e dinte vetëm Enver Hoxha. Ndërkohë Enveri më tha se “po shkoj te Mërkur Çela (ushtarak), por këtë që po ta them nuk do t’ia tregosh askujt, më kuptove?!”. Ndërkohë, askush nuk erdhi të pyeste se ku ndodhej Enveri! Vonë, pas çlirimit, vrasja e Qemalit u rihap dhe Beqirin e përjashtuan nga partia, por s’kaloi shumë kohë dhe e ripranuan. Përpara se të shkonte në bazën e re, Qemali ndodhej në shtëpinë tonë. Meqenëse të nesërmen do të udhëtonte për në Vlorë, kërkoi të bënte banjë. Teshat e tij, që mbetën te ne, nëna ime ia çoi nënës së Qemalit, me gjithë dhembjen e madhe për të se e konsideronte si djalin e saj. Në shtëpinë e re, Qemali gjeti Dritën, gruan e Zefit, Marie Lezhën, Kriston dhe shokun e panjohur. Së bashku pritën që dikush t’u sillte ushqim, dhe kur hodhën vështrimin jashtë dritares, vërejtën se forcat policore po i rrethonin. Kështu, Kristoja kërceu jashtë shtëpisë pasi shkatërroi tualetën e improvizuar dhe çau drejt fushës, nëpërmjet një rrëpire, kanal i thellë, që e favorizoi largimin e tij. Të njëjtën gjë bëri edhe Qemali, por mori drejtimin e kundërt dhe u vonua për të mbuluar me zjarr largimin e tre grave. Këtu ai u plagos dhe vdiq, ndërsa Drita, gruaja e Zefit dhe Maria, u arrestuan nga forca policore, kurse Shulja (Themelkoja) shpëtoi shëndoshë e mirë. Vlen të theksohet se Qemali çuditërisht ishte pa rojë personale! Kjo ishte ngjarja më tronditëse për ne shokët e tij, që e përjetuam me shumë dhembje. Mendoj se asnjëherë ky problem kaq i rëndësishëm nuk u sqarua plotësisht, aq sa edhe ditët e fundit kam venë re në shtyp një polemikë spekulative. Nëse, Kristo Themelko do të kishte faj për këtë që ndodhi, jam e bindur se Enveri dhe të tjerët nuk do ta linin pa e ndëshkuar rëndë. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me tre shoqet, që u ndodhën për momentin aty. Pra, për mua, konkluzioni përfundimtar do të ishte ky: Enver Hoxhën më shumë se kompleksi i neglizhencës, e ka munduar kompleksi i vetëfajësisë për vrasjen e Qemalit.

    Jetëshkrimi
    Naxhija, ish-ministrja, që jetën e kaloi në internim

    Naxhije Dume u lind më 3 janar të vitit 1921, në fshatin Lubonjë të rrethit të Kolonjës. Babai i saj ishte nëpunës dhe për këtë, asaj iu desh të shkollohej në Ersekë, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Korçë. Pasi përfundoi në vitet 1933-1941 Institutin Femëror «Nëna Mbretëreshë», e emëruan mësuese në shkollën «Avni Rustemi», në Tiranë. Naxhija mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe aktivitetet antifashiste të ditëve të para të prillit 1939. Në vitin 1943, Naxhija ishte sekretare e komitetit të gruas komuniste të Korçës, ndërsa në Konferencën e Parë të Vendit vetëm 23-vjeçare, ajo do të ishte një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror definitiv të PKSH-së. Një vit më vonë e zgjodhën delegate të Qarkut të Korçës për në Kongresin e Përmetit, nga ku vjen anëtare e Këshillit Antifashist. Së bashku me Kristo Themelkon, caktohen për organizimin dhe përurimin e Brigadës së XXII Sulmuese. Naxhija ishte nga një nga gratë që mori pjesë në mbledhjen e dytë të Komitetit Antifashist dhe punimet e plenumit të dytë të KQ të PKSH-së, që u mbajtën në Berat dhe që ka mbijetuar deri më sot. Me transferimin e Qeverisë së re në Tiranë, ajo emërohet pranë aparatit të Komitetit Qendror. Atje punoi deri në vitin 1948, vit në të cilin do të ngjitej në postin e ministrit të Arsimit. Deri atëherë, ajo ishte e vetmja grua shqiptare e të gjitha kohëve, që ishte emëruar si anëtare e ekzekutivit. Në Kongresin e Parë të PKSH-së, pas kritikash të ashpra dhe akuzash të pabazuara të Enver Hoxhes e Mehmet Shehut, Naxhije Dume u shkarkua nga të gjitha detyrat e larta shtetërore dhe partiake. Këtu fillon persekutimi i saj 54-vjeçar. Më pas, ajo caktohet drejtoreshë e Muzeumit Arkeologjik-Etnografik (1951) dhe drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare (1956). Pas Konferencës së Partisë së Tiranës filloi kalvari i ri edhe më i egër politik dhe administrativ për Nexhmije Dumen dhe bashkëshortin e saj Nesti Kerenxhi. Pasi kishte punuar gjatë si arsimtare, në vitin 1972 doli në pension. Dhjetë vjet më vonë atë dhe familjen e saj e priste një fatkeqësi edhe më e rëndë, pasi i internuan përsëri në Petë-Mavrovë e Selenicë, të Vlorës. Vetëm në vitin 1996 familja kthehet përsëri në Tiranë.

  2. “Fiqret Shehu e çoi Vojo Kushin në kurthin e Kodrës së Kuqe”

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Mbaj mend se mua më rekomandoi Nakua të diskutoja dhe ashtu me naivitetin tim, unë fola për rëndësinë e Konferencës së Pezës dhe citova një thënie të mrekullueshme të Ymer Dishnicës për këtë Konferencë. Nuk kisha asnjë paragjykim se ai ishte ndëshkuar nga Pleniumi i KQ për Konferencën e Mukjes. Ky diskutim ra si një rrufe në ditën e pastër me diell, dhe është quajtur vazhdimisht i qëllimshëm dhe lajthitje politike dhe unë u kritikova rëndë
    Ndonëse unë diskutova për Konferencën e Pezës, “mjeshtrat e mëdhenj” nënkuptuan mbledhjen e Mukjes, që edhe sot do të mbetet çështja më konfliktuale dhe më e diskutueshmja midis palëve pjesëmarrëse në Luftën Antifashiste, pra midis PKSH-së, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Kur unë po përgatitesha të shkoja në Korçë se po afronte koha e çlirimit të saj, Liri Gega më njoftoi taksativisht: “ti do të shkosh medoemos në Tiranë për t`u kuruar…”. Doemos ky qëndrim më shokoi, megjithatë bëra ashtu siç më kishin urdhëruar. Me shumë vështirësi hyra në Tiranë
    vijon nga numri i kaluar

    Naxhije Dume, 83-vjeçarja e cila rrëfen pas plot 55 vjetëve, dëshmon për mjaft fakte të panjohura të historisë së luftës. Pjesëmarrësja në Konferencën e Parë të vendit në Labinot, (17 deri më 22 mars të vitit 1943) tregoi disa prej konflikteve të kohës mes anëtarëve të Byrosë Politike të PKSH-së. Ajo për herë nxori nga kujtesa sjelljet servile të Enver Hoxhës ndaj përfaqësuesit jugosllav pranë Shtabit të Përgjithshëm, Vukmanoviç Tempos, dhe vrasjen misterioze të ish-shokut të saj, Vasil Shanto. Në numrin e sotëm të gazetës vijon dëshmia rreth asaj që ndodhi në Kongresin e Përmetit mes asj dhe Enverit për çështjen e revokimit të Ymer Dishnicës, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes.

    Po ashtu, Naxhije Dume shpjegon rrugën e mundimshme të Nesti Kerenxhit dhe Alqi Kondit për të sjellë në Shqipëri përfaqësuesit e ushtrive aleate. Dëshmitarja okulare e shumë ngjarjeve të asaj kohe hedh ditë edhe mbi vrasjen e Vojo Kushit, një tjetër anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, që vepronte në Tiranë. Në kujtesën e saj ka mbetur dhe qëndrimi i mbrapshtë i Enver Hoxhës, i cili e quajti Pleniumin e Dytë të KQ të PKSH-së në Berat si «prapaskenë». Sipas Naxhijes, ky ishte i vetmi plenium ku u mbajt qëndrim në mënyrë të hapur ndaj disa gabimeve që ishin bërë gjatë luftës, ku sigurisht më ashpër u sulmua Enveri, por ai u zgjodh përsëri në të gjitha funksionet e tij të mëparshme.

    Mund të na shpjegoni rrethanat në të cilat u vra Vojo Kushi, një tjetër shok i Grupit Komunist të Shkodrës, i cili ishte komandant i njësiteve guerile të Tiranës, një atentator e guximtar aq i madh sa edhe Vasil Shantoja, të dy “Heronj të Popullit”?

    Me të drejtë njerëzit mund të thonë se përse unë, sot, mbas 60 vjetësh, kujtoj pikërisht këto, vrasjet tragjike të shokëve dhe miqve të mi Qemal Stafa, Vojo Kushi, Vasil Shanto e shumë të tjerë, të cilët ranë në ditët e zjarrta të luftës, apo u eliminuan padrejtësisht gjatë LANÇ-it e mbas çlirimit. Kur vendosa të them të gjitha ato që di, rreth luftës dhe regjimit të kaluar, mendova se kështu mundi t“i shërbej sado pak historisë së vendit tim. Këto kujtime janë si të thuash testamenti im i fundit, para se të largohem mjaft e lodhur nga kjo jetë, por e qetë, sepse mbi ndërgjegjen time nuk kam shkelur kurrë. As shoqeve e shokëve të mi, të luftës dhe të punës, nuk besoj se ju kam “rënë në qafë”, për çka vendosa të them vërtet në moshën 83- vjeçare, por kujtesën dhe logjikën e kam ende të fortë dhe të mirë. Ky ishte dhe pengu im që më ka munduar gjithë jetën. Nuk besoj se ju duket pak që unë, dëshmitare okulare e ngjarjeve kaq të dhembshme dhe që kam lexuar kaq shumë shtrembërime, të hesht e detyruar nga rrethana që dihen për më shumë se 55 vjet. Për Vojo Kushin, menjëherë pas çlirimit më është drejtuar me dhembje në zemër, Llambrini Mitrushi, me origjinë nga Fieri. Në familjen e saj Vojo Kushi kishte gjetur një bazë të sigurtë, ku e ndjente veten si në shtëpinë e tij. Nga kjo bazë, Vojoja ishte nisur në dhjetëra misione e aksione luftarake dhe nuk ishte rrezikuar asnjëherë. Vojo Kushi, me origjinë nga Shkodra, madje me origjinë sllave nga Mali i Zi. Ai ishte një djalosh i bukur, me trup atleti, i cili me kërkesën e PKSH-së ishte kthyer nga studimet e larta në Itali. Ai, u vu tërësisht në shërbim të lëvizjes. Vojoja ishte njeriu më i përshtatshëm dhe më i suksesshëm që u caktua për drejtimin e luftës guerile në një qytet të madh, siç ishte Tirana. Pas vrasjes së tij, drejtimin e njësiteve, me sa di unë, e zëvendësoi Beqir Balluku, që ishte po aq trim dhe organizator i mirë ushtarak sa edhe Vojo Kushi. Por, le të kthehemi te historia e vrasjes së Vojos. Llambrinia më ka thënë: “Një ditë prej ditësh erdhi në shtëpinë tonë (bazë e Vojo Kushit) Fiqret Sanxhaktari (Shehu) dhe e njoftoi atë se duhej të shkonte te shtëpia e Kodrës së Kuqe, ku ndodhi vrasja. Sipas Fiqretit, në Kodrën e Kuqe do të zhvillohej një mbledhje me rëndësi të madhe. Shtëpia ishte e motrës së Llambrinisë, që kishte burrë Jonuz Bllakçorin, një intelektual i mirëfilltë, që studimet i kishte kryer në Vjenë. Jonuzi dispononte një bibliotekë të shkëlqyer, që rrallë kush e kishte atëherë në Tiranë. Në këtë ambient, Vojo Kushi e ndjente veten të sigurt dhe lexonte, sa herë kishte kohë të lirë, librat e Jonuzit, i cili çuditërisht vdiq si i internuar nga regjimi i kaluar. Megjithëse kishin kaluar shumë vite që kur ndodhi tragjedia e Vojos, Llambrinisë kjo ngjarje nuk i hiqej nga mendja, sepse atë ditë në Kodrën Kuqe nuk u bë asnjë mbledhje e thjeshtë dhe jo më e rëndësishme. Siç dihet, në atë shtëpi u gjendën të rrethuar përveç Vojos edhe Sadik Staveleci e Xhoxhi Martini, të cilët luftuan e ranë si trimat, aq sa legjenda e Kodrës së Kuqe mbeti në Historinë e Shqipërisë.

    Në pranverën e vitit 1944, zhvilloi punimet Kongresi i Përmetit dhe ju ishit një nga delagatët e Qarkut të Korçës atje. Çfarë kujtimesh ju zgjon ky eveniment historik?

    Të pafundme janë kujtimet rreth kësaj ngjarjeje të shënuar për historinë e popullit tonë. Po vinte maji i vitit 1944. Ne partizanët shqiptarë, që kishim mundësi të dëgjonim rregullisht lajmet e Radio Moskës, Radio Londrës e stacione të tjera, po mësonim të entuziazmuar se sukseset e ushtrive aleate ishin madhështore. Ushtria e Kuqe tashmë, po luftonte kundër fashistëve edhe jashtë territoreve të BRSS-së. Anglo-amerikanët kishin zbarkuar në Itali e po marshonin drejt veriut të saj plot sukses. Po përgatitej së fundi hapja e Frontit të Dytë. Ushtritë antifashiste të Ballkanit, bashkë me to edhe ushtria jonë, ndihej se e kishin të sigurtë kremtimin e fitores. Po përgatitej Kongresi i Parë Antifashist, i cili do të mbahej në Përmetin e zhuritur nga lufta, por të çliruar nga okupatori. Me këtë rast, në të gjithë territorin e Shqipërisë, po zgjidheshin delegatët e parë nga të gjitha forcat antifashiste.

    Kush ishin delegatët e Qarkut të Korçës?

    Më kujtohet se nga Korça delegatë për në këtë Kongres u zgjodhën përveç meje edhe përfaqësuesi i klerit ortodoks, Pajsi Vodica, babai i shokut tonë Josif Pashko, Koço Theodhosi, zoti Bratko e të tjerë, të cilëve ju kërkoj ndjesë që nuk ua mbaj mend emrin (Kjo për faktin se shtëpinë time e bastisën disa herë gjatë kontrolleve që bëri Sigurimi i Shtetit, ku u sekuestruan shumë fotografi, letra të rëndësishme, dokumente e ditare me vlerë). Kongresi i Përmetit ishte për ne një manifestim i madhërishëm i gjithçkaje që kishim bërë dhe po bënim për çlirimin e atdheut të robëruar, ku më pas do të ndërtonim një sistem demokratik. Vendimet historike të Kongresit të Përmetit dhe rëndësia e tyre dihen nga të gjithë dhe unë në këto kujtime nuk marr përsipër të flas ekskatedra dhe të marr poza filozofike, apo të një analisteje të përsosur. Jo, unë po tregoj thjesht impresionet e mia. Ne atëherë nuk mendonim thellë se në këto transformime demokratike mund të shkelnim edhe rregullat ndërkombëtare, sidomos kërkesat e Kartës së Atlantikut, e cila siç e dimë u nënshkrua më 14 gusht të vitit 1941 dhe ishte i detyrueshëm për të gjithë vendet që aderuan në Koalicionin e madh Antifashist. Dokumenti që u firmos kishte rëndësi të madhe aq sa ka forcë prapavepruese edhe sot e kësaj dite. Në këtë dokument shumë të rëndësishëm bëhej fjalë për qëllimet e luftës kundër Gjermanisë fashiste dhe anëtarëve të Boshtit, për ndërtimin e paqes pas luftës, për territoret e pushtuara dhe të drejtat e popujve për vetëvendosje. Për më tepër, Karta e Atlantikut krijoi premisat e krijimit të Koalicionit të Madh antihitlerian. Siç e shihni, pra, ne kishim dijeni të plotë për gjithçka që bëhej në botë.

    A kishin ardhur ndërkohë të gjithë përfaqësuesit e aleatëve?
    Jo të gjithë. Deri atëherë, pranë Shtabit të Përgjithshëm kishin mbërritur përfaqësuesit e aleatëve britanikë dhe së shpejti priteshin të vinin edhe përfaqësuesit e Ushtrisë së Kuqe sovjetike, përfaqësuesi i ushtrisë amerikane si dhe të ushtrisë partizane jugosllave. Pra, lufta jonë katër-pesë vjeçare ishte e njohur edhe nga Koalicioni i Madh Antifashist. Mund të them pa hezitim se kjo ishte arritja më e madhe dhe garancia më e plotë për tërësinë teritoriale të vendit tonë.

    Nexhmije Hoxha thuhet se ka diskutuar në Kongresin e Përmetit a ju kujtohet ndonjë gjë nga diskutimi i saj?
    Më ka bërë shumë përshtypje se është shtrembëruar fakti sikur në Kongres ka diskutuar edhe Nexhmije Hoxha, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Në këtë Kongres, Nexhmija nuk ka diskutuar. Mbaj mend se mua më rekomandoi Nakua të diskutoja dhe ashtu me naivitetin tim, unë fola për rëndësinë e Konferencës së Pezës dhe citova një thënie të mrekullueshme të Ymer Dishnicës për këtë Konferencë. Nuk kisha asnjë paragjykim se ai ishte ndëshkuar nga Pleniumi i KQ për Konferencën e Mukjes. Ky diskutim ra si një rrufe në ditën e pastër me diell, dhe është quajtur vazhdimisht i qëllimshëm dhe lajthitje politike dhe unë u kritikova rëndë. Evidentimi i Ymer Dishnicës në disa raste, krijoi një klimë mbytëse rreth meje. Kjo për shkak se Ymerin dhe Mukjen e kishin kritikuar edhe përfaqësuesit jugosllavë. Ndonëse unë diskutova për Konferencën e Pezës, “mjeshtrat e mëdhenj” nënkuptuan mbledhjen e Mukjes, që edhe sot do të mbetet çështja më konfliktuale dhe më e diskutueshmja midis palëve pjesëmarrëse në Luftën Antifashiste, pra midis PKSH-së, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Kur unë po përgatitesha të shkoja në Korçë se po afronte koha e çlirimit të saj, Liri Gega më njoftoi taksativisht: “ti do të shkosh medoemos në Tiranë për t`u kuruar…”. Doemos ky qëndrim më shokoi, megjithatë bëra ashtu siç më kishin urdhëruar. Me shumë vështirësi hyra në Tiranë. Takova rastësisht doktor Pustinën, i cili më rekomandoi qetësi, pushim e regjim shtrati, ç`ka ishte e pamundur për situatën konkrete. Ai më rekomandoi të merrja kalçium e vitamina, sepse sigurisht në spital nuk mund të shtrohesha. Ç`të them më për këtë çështje.

    Që pas operacionit armik të Dimrit ishte vendosur të thirreshin pranë Shtabit të Përgjithshëm përfaqësuesit e aleatëve dhe të ushtrisë jugosllave. Si u vendosën kontaktet me ta?
    Burri im, Nesti Kerenxhi, në këtë kohë nuk ishte në punimet e Kongresit të Përmetit. Ai mori detyrë të shkonte të takohej me marshallin Tito, në kuartierin e tij që ndodhej në ishullin Vis. Ai u nis në këmbë nga Panariti, ku drejtonte shkollën e parë të partisë me kuadrot kryesorë politiko-ushtarake të LANÇ-it, në drejtim të Cërrikut, Pezës e Tiranës. Në Tiranë, Nesti takoi Zeqi Agollin, mori me vete si pjesëtar të dytë të delegacionit Alqi Kondin 18 vjeçar, e u nis për në Shkodër. Aty, takoi Çun Jonuzin, një shok besnik të LANÇ-it dhe një bazë e çmuar e luftës në Koplik. Ai i përcolli për në Mal të Zi. Pas shumë peripecish mbërritën në destinacion dhe takuan trupat e Korpusit Partizan jugosllav dhe një përfaqësues të Ushtrisë së Kuqe, të cilit Nesti i tha: “Njofto eprorët e tu se kam ardhur të marr përfaqësuesin e ushtrisë suaj për në Shqipëri”…. Prej andej me aeroplan shkoi në Bari të Italisë, të cilin farcat aleate e kishin çliruar. Mbërriti me anije në ishullin Vis, në veri të Adriatikut, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Titos. Mbasi takoi Titon, e i dorëzoi dokumentet përkatëse, zhvilloi bisedime zyrtare me të dhe me kërkesën miqësore të J.B.Titos ata qëndruan në ishullin Vis përreth një muaj. Kjo kohë ishte e mjaftueshme që i duhej delegacionit ushtarak zyrtar jugosllav për t`u përgatitur për të ardhur në Shqipëri. Në kthim, Nesti mori me vete përfaqësuesit e ushtisë jugosllave. Në Bari të Italisë, mori përfaqësuesit e ushtrisë amerikane, që kryesoheshin nga shqiptaro-amerikani kapiten Thoma Stefani, dhe pasi zbarkoi me anijen ushtarake amerikane në Himarë, u kthye në selinë e Shtabit të Përgjithshëm, i cili ndodhej në Helmës, të Skraparit, ku po zhvilloheshin punimet e Kongresit të Parë të Rinisë. Ndërkohë, Alqi Kondi, me avion luftarak shkoi në Greqi dhe solli prej andej majorin Ivanov dhe radistin e tij, përfaqësues i ushtrisë sovjetike, që po ashtu mbërritën në Helmës. Pra, Nesti dhe Alqi Kondi nuk ishin në punimet e Kongresit të Përmetit, por kishin kryer ndërkohë një mision të madh. Këta të dy ishin të parët partizanë shqiptarë që gjatë luftës takuan personalisht marshallin Tito dhe biseduan me të përzemërsisht, ndonëse ishin fare të rinj, kurse Tito rreth 54-vjeçar. Përshtypjet për Titon si njeri dhe udhëheqës i madh janë shpjeguar gjerësisht në shkrimin tuaj në gazetën “Itervista”, por se duhet shkruar edhe për këtë problem në gazetën tuaj.

    Dihet se ju dhe Shulja (Kristo Themelko) ishit përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm dhe Komitetit Qendror në krijimin e Brigadës së XXII Sulmuese në zonën e Pezës. Si e përjetuat këtë ngjarje?
    Ishte kënaqësi të shikoje se si zgjerohej lufta e popullit shqiptar kundër nazi-fashizmit. Tashmë në qendër të vendit, fare pranë kryeqytetit formohej një formacion i ri partizan. Kjo Brigadë fliste për faktin se çlirimi i vendit ishte i shpejtë, ndërsa okupatori ishte i pafuqishëm të ndalonte disi këtë shpërthim të luftës sonë. Unë me Kristo Themelkon, u nisëm për në Pezë, sipas urdhrit që kishim marrë, për të përgatitur, organizuar e inauguruar Brigadën e XXII-të Sulmuese. Katër batalionet e saj u formuan nga partizanët më elitarë e më cilësorë të Grupit të Pezës, nga Shijaku, Kavaja, Peza, Tirana e vise të tjera të Shqipërisë. Unë u mora intensivisht me krijimin e organizatave të partisë nëpër batalione. Mbaj mend gjithashtu se komandant i kësaj Brigade ishte caktuar Sali Verdha, një nga drejtuesit trima e me përvojë luftarake të zonës së Pezës. Ai më pas i drejtoi me sukses luftimet e kësaj brigade në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Kjo Brigadë luftoi me trimëri në Pukë, Gomsiqe, Shkodër, Mal të Zi dhe vise të tjera të Jugosllavisë. Pasi u inaugurua brigada, mori detyrat luftarake të ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti Suprem. Unë, disa shoqërues dhe familja e Esat Dishnicës, Esati ishte nipi i pronarit të fabrikës së cigareve “Flora”, që sponsorizoi Grupin Komunist të Korçës dhe krijimin e PKSH-së, u nisëm për në Odriçan, më këmbë pranë Shtabit të Përgjithshëm, i cili po përgatitej për ativitetet e rëndësishme që do të zhvilloheshin në Beratin e çliruar…

  3. “Ju rrëfej misterin e vrasjes së Vasil Shantos”

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Dje, Naxhije Dume tregoi se si u ingranua në lëvizjen komuniste kur ishte nxënëse e Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë”, në Tiranë. Ajo foli rreth marrëdhënieve me shoqetet e klasës Nexhmije Hoxha, Fiqret Shehu dhe të tjera vajza, që më pas do të ishin gra të personaliteteve të regjimit të kaluar.

    Naxhija nuk mund të harrojë kurrë anëtarët e Grupit Komunist të Shkodrës që vepronin në Tiranë, pjesëtare e të cilit ishte edhe ajo e Nexhmije Hoxha. Përherë e kanë munduar rrethanat misterioze në të cilat u vra Qemal Stafa, që kishte ndenjur për një kohë të gjatë në shtëpinë e Dumeve, bazë e rëndësishme e luftës. Qemali kishte ndërruar vendqendrimin e tij vetëm një ditë më parë dhe për këtë kishte dijeni vetëm Enver Hoxha. Sipas saj, pas vrasjes së Qemalit u dhanë nga PKSH-ja udhëzimet që udhëheqësit e lëvizjes të kalonin në ilegalitet të plotë. Ajo, dëshmoi për gjithë punën e saj në Qarkun e Korçës, ku me përkushtim drejtoi organizatat e grave dhe të rejave. Naxhija në Korçë gjeti edhe Fiqret Shehun, e cila sapo kishte dalë nga burgu. Sot ajo rrëfen gjithçka rreth zgjedhjes së saj në Komitetin Qendror të PKSH-së në Konferencën e Parë të Vendit, që zhvilloi punimet nga 17 deri më 22 mars të vitit 1943. Në kujtesën e saj kanë mbetur përplasjet me Enverin në këtë Konferencë pasi në diskutimin e saj kundërshtoi zgjerimin e formacioneve partizane, ndërsa kërkoi përsosjen dhe kualifikimin e tyre në pikëpamje të aftësive luftarake, ngriti problemin e angazhimit direkt në aksione të vajzave që merrnin pjesë në luftë. Sipas saj, deri atëherë femrat luftëtare ishin marrë me arnimin dhe larjen e rrobave të efektivave, apo me punë të dorës së dytë, kur ato duhet të luftonin direkt në front. Më interesant janë deklarimet e Naxhijes për atë që ndodhte në organet drejtuese të luftës dhe intrigat që filluan të nisnin që atëherë mes konkurrentësh, në Byronë Politike. 83-vjeçarja hedh dritë mbi sjelljen servile, as pak dinjitoze të Enver Hoxhës, ndaj përfaqësuesve të vendeve fqinje atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm, kryesisht ndaj atij jugosllav. “Kjo iu linte përshtypje të keqe shokëve të tjerë, që ishin të pranishëm në takimet e Enverit me ta”, të thotë Naxhija. Edhe njëherë ajo shpjegon rrethanat në të cilat u vranë Vasil Shanto dhe Vojo Kushi, për të cilat u ngarkuan me përgjegjësi njerëz të pafajshëm.

    Ju mësuat shumë nga kjo ngjarje e hidhur e vitit 1942. PKSH-ja do të urdhëronte të kalohej në ilegalitet të thellë, çka binte ndesh me zgjerimin e LANÇ-it. Si u veprua më pas?

    Shumë udhëheqës të lëvizjes dhe organizata kaluan në ilegalitet të plotë. Të njëjtën gjë bëra edhe unë me shoqet e mia. Menjëherë, u bë ndërrimi masiv i bazave të luftës dhe teknikës së partisë. Shokët ishin udhëzuar posaçërisht që të ruanin jo vetëm rregullat e konspiracionit dhe vigjilencës, por të lëviznin të kujdesshëm, të armatosur dhe të pajisur me dokumente identiteti të pazbulueshme nga policia fashiste, e cila në vitin 1942, nën presionin e dështimeve të mëdha, brenda në Itali dhe në vendet e pushtuara, po tregohej agresive si i mbyturi që kapet pas çdo gjëje, mjafton që të shpëtojë kokën. Kështu, lufta jonë hyri në një fazë të re. Pas diplomimit, u emërova arsimtare në shkollën “Avni Rustemi”, afërsisht diku në rrugën “Qemal Stafa”. Shoqja ime Dhorkë Stratobërdha më njoftoi se më kërkonte kuestura. Ishte 12 maji i vitit 1942. Atëherë shkova për të marrë raport te doktori ftiziatër, Petraq Leka, që ta kisha si justifikim për çdo rast. Pasi e mora raportin po kthehesha në shkollë. Një tjetër shoqja ime, kunata e Qazim Mulletit, më tha se policia kishte mbërritur përpara meje në shkollë dhe më kërkonin mua. Nuk arritën të më kapin, falë njoftimit të saj. Ajo nuk ju tregoi fashistëve adresën time. Të mos harrojmë se Qazim Mulleti ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës. Pra, që nga ajo ditë, unë dola ilegale. Vrasja e Qemalit ishte bërë mësim për ne. Kështu që na kishin porositur të tregoheshim të kujdesshëm, të ruheshim nga provokimet dhe të ishim thellësisht konspirativë. Pas daljes në ilegalitet fillova të punoja me të rejat e shkollave pa u druajtur, sepse nuk bija në sy dhe lëvizja lirisht. Përveç kësaj, dy motrat e mia ishin martuar me oficerë; njëri i xhandarmërisë dhe tjeri i prapavijës, dhe ky fakt ishte në favorin tim. Më 22 qershor të vitit 1942 më njoftoi Misto Mame, të cilin e kisha shumë shok, kisha konsideratë për të se ishte djalë i përsosur dhe mjeshtër i konspiracionit të luftës në qytet, se isha caktuar për punët e partisë në Korçë.

    Tashmë atje do të kishit të tjera detyra më të rëndësishme dhe njohje të gjera me komunistë të rinj e të vjetër, të qytetit dhe të fshatit. Kush ishin bazat e luftës dhe drejtuesit e Qarkorit në Korçë?

    Lidhjen e partisë më udhëzuan t’ia dorëzoja shokut Petro Papi, njërit prej udhëheqësve të luftës atje. Ai menjëherë më sistemoi në një bazë të sigurtë. Pas disa ditësh erdhi e më mori Nesti Kerenxhi, i cili më vonë do të ishte shoku im i jetës. Shkuam në mbledhjen e parë të Komitetit Qarkor. Në këtë mledhje u ngarkova me punën organizative të gruas dhe të të rejave. Mbaj mend se sekretar politik në atë kohë ishte Pandi Kristo, të cilin e njoha gjatë aktivitetit në këtë qark, kur Lufta Antifashiste kishte shpërthyer me përmasa mjaft të gjera, si në qytet ashtu dhe në fshat. Më kujtohet se më strehuan në familjen e Dhora Lekës, Marika Leshnjës, Efti Ifticës, Nasi Gjokës. Baza të rëndësishme për mua ishin shtëpitë e familjeve Shamblli, Jorgji, një familje tjetër, diku në lagjen e vllehëve, Samsuri, Stasa dhe shumë të tjera. Aktiviteti me gratë dhe të rejat në Korçë ishte shumë interesant, sepse ambienti ishte pro LANÇ-it. Në Korçë kryesisht u njoha me anëtarët e Qarkorit edhe komunistë të rinj e të vjetër si Nexhip Vinçani, Ymer Dishnica, Taqi Skendi, Dhori dhe Ilektra Samsuri, Pëllumb Dishnica, Nella, Raqi dhe Nesti Kerenxhi, Ramadan Xhangolli, Koço Theodhosi, Kleopatra Maliqi, Nasi Gjoka, Kiço dhe Raqi Shamblli, Nesti dhe Petraq Titani, Andon Cicani, Todo Manço, Tasi Blushi, Sotir Manushi, Andrea Ziu dhe të tjerë që po t´i rendisim të gjithë do të bëhen shumë. Brenda në qytet gëlonte aktiviteti i njësiteve guerile, i atentateve të bujshme kundër spiunëve dhe tradhtarëve. Shpërndarja e komunikatave, shkrimi i parullave kundër pushtuesit fashist, mbledhja e ndihmave dhe armatimeve për luftën. Ndërkohë, ishin krijuar çetat e Moravës, e Kolonjës, e Gorë-Oparit, e Mokrës, e Ostrovicës, e Vithkuqit, e Rrëzës së Korçës e tjera dhe po përgatitej faza e kalimit në krijimin e batalioneve partizane. Për hir të së vërtetës qyteti i Korçës ka ndihmuar shumë për furnizimin me ushqime dhe veshmbathje të forcave partizane greke të EAM-it. Grekët vërtetë dërgonin tek ne në Korçë paratë, që i administronte me ndershmëri proverbiale Koço Theodhosi, por materialet me shumë vështirësi i siguronim dhe i nisnim ne për në destinacion.

    Naxhije Dume, e vetmja anëtare e KQ PKSH-së që nga Konferenca e Parë e Vendit të marsit 1943. Si ndiheni sot pas 60-të vjetësh?

    Pranverën e vitit 1943, në fashtin Polenë, u bënë zgjedhjet e reja për në Qarkorin e Korçës dhe caktimi i delegatëve për në Koferencën e Parë të Vendit të PKSH-së, e cila u mbajt në Labinot të Elbasanit, nga 17 deri në 22 mars të vitit 1943. Punimet e koferencës së Qarkorit të Korçës i drejtoi me shumë kompetencë, Ymer Dishnica, i cili prej kohësh ishte kthyer nga studimet universitare në Francë dhe qe kooptuar tashmë, në udhëheqjen qendrore të PKSH-së. Në koferencën e Polenës, u zgjodhën 6 delegatë për në Koferencën e Parë të vendit si dhe dy të ftuar, që ishin Miha Lako dhe Pilo Peristeri. Në Labinot morën pjesë 70 delegatë dhe të ftuar nga i gjithë vendi dhe u zgjodh Komiteti Qendror i përhershëm i përbërë prej 15 anëtarësh dhe 5 kandidatësh. Midis tyre Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Ymer Dishnica, Tuk Jakova, Pandi Kristo, Nako Spiru, Vasil Shanto, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Kristo Themelko, Ramadan Çitaku, unë, Nesti Kerenxhi, Petro Papi, Bedri Spahiu, Gjin Marku, e ndoshta dhe të tjerë që nuk më kujtohen. Sekretar i Përgithshëm i Partisë Komuniste u zgjodh Enver Hoxha, ndërsa Sekretar Organizativ i PKSH-së megjithëse ndodhej i burgosur në Burgun e Tiranës, u zgjodh Koçi Xoxe. Pas kësaj LANÇ-i mori zgjerim të madh, sidomos në jug të vendit. Po krijoheshin forcat e armatosura partizane në Pezë, Korçë, Shkodër, Dibër, Martanesh, Vlorë, Gjirokastër, Mallakastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Mokër e të tjera vende. Kishte ardhur koha, tashmë, për përgatitjen dhe formimin e Shtabit të Prëgjithshëm të UNÇL-së. Lufta po merrte përmasa të reja dhe kërkonte si domosdoshmëri drejtmin e centralizuar, të specializuar të forcave të armatosura partizane dhe atyre teritoriale. Pas punimeve të Konferencës së Labinotit, u kthyem në Korçë për të vënë në jetë vendimet e rëndësishme të saj, që mori përmasat e një kongresi partie në kushtet e luftës.

    Bashkëkohësit tuaj janë shprehur se keni diskutuar kundër rrymës së Konferencës. A nuk patët pasoja nga ky guxim i tepruar, kur Enver Hoxha po e tregonte veten si jo tolerant?

    Jo, aspak, sepse unë u tregova e çiltër dhe thashë mendimin tim, pa pasur prapamendime të tjera. Ja çfarë ndodhi konkretisht. Në konferencë, pasi foli Mehmet Shehu për ushtrinë dhe sukseset e saj, unë e enetuziazmuar diskutova në kundërshtim me frymën e konferencës dhe propozova që çetat partizane të mos zgjeroheshin, por përkundrazi të mbeteshin ato që ishin ose të ngushtoheshin dhe ndërkohë, të specializoheshin më tepër, duke u kualifikuar vazhdimisht në pikëpamje të përgatitjes luftarake në mënyrë që të kishin sa më pak humbje në njerëz. Diskutimi im u kuptua shtrembër dhe hëngra një dajak të mirë që më vonë do të më kushtonte jo pak dhe do të më ndiqte nga pas gjithë jetën. Tashmë, dikush kishte filluar të regjistonte gabimet tona për të na i kujtuar më pas, çka duket e çuditshme, por mendoj se kjo ishte eksperienca e atyre që hiqeshin si miqtë dhe shokët tanë. Gjithashtu, unë shtrova mjaft çështje për rininë dhe sidomos për shoqet partizane, që po shtoheshin vazhdimisht në radhët e formacioneve luftarake. Theksova, që shoqet të mos merreshin me aktivitete dytësore si larje teshash, qepje dhe arnim e të tjera, por atyre t’u caktoheshin detyra luftarake konkrete dhe kryesisht saniteti, infermieritë, spitalet partizane dhe të tjera.

    Kur ju ishit në Qarkun e Korçës, aty erdhi edhe Fiqret Shehu, pas daljes nga burgu, e cila ishte përjashtuar nga partia. Cilat ishin relatat tuaja me të?

    Gjatë punës në Korçë pata kontakte dhe e kam ndihmuar Fiqret Sanxhaktarin (Shehu), nuk mund të veproja ndryshe, sepse e kam patur shoqe shkolle dhe idealesh. Ajo ishte dërguar në Korçë me masë të rëndë partie. Relatat e mia me të ishin si me të gjithë shokët e tjerë të luftës. Madje, unë mendoja se Fiqreti duhej ndihmuar më shumë se të tjerët, pasi ajo ishte akuzuar për terrorizëm, për rrëmbimin e vajzës së vogël të Man Kukaleshit, që binte në kundërshtim me parimet tona të luftës, rast ky që njihet tashmë thuajse nga të gjithë. Ndërkohë, Fiqret Shehu në Qarkun e Korçës punoi mirë dhe në rastin më të parë kur u përurua Brigada e Parë Sulmuese në Vithkuq, të Korçës, ajo u atashua pranë shtabit të kësaj Brigade dhe siç dihet më vonë u martua me Mehmet Shehun. Megjithatë, unë kam pritur e përcjellë për në shtabin e Përgjithshëm, Sejfulla Maleshovën, Vasil Shanton, Nako Spirun, Nexhmije Hoxhën dhe Liri Belishovën, Omer Nishanin, Manol Konomin e shumë e shumë të tjerë. Ajo çka dëshiroj të shpjegoj është se disa herë kam pritur edhe Vukmanoviç Tempon.

    Pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm u shfaq disa herë Vukmanoviç Tempo, ish-anëtar i udhëheqjes së PKJ-së. Dihet që e kini takur disa herë atë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga këto takime?

    Tempo kishte ardhur në Shqipëri disa herë. Ishte takuar me udhëheqjen qendrore të partisë, pra me Enverin, Sejfulla Maleshovën, Nako Spirun, Koçi Xoxen e të tjerë. S.V.Tempo ishte takuar për herë të parë me drejtuesit e luftës në Labinot pas Konferencës së parë të vendit nga fundi i marsit 1943. Ai do të vinte përsëri qershorin e vjeshtën e vitit 1943. Për hir të së vërtetës duhet thënë se entuziazmi ynë për këto takime që u bënë më vonë ishte i ligjshëm, pavarësisht nga shtrembërimet dhe politika e ditës. Sot, megjithëse ka kaluar shumë kohë, duhen riparuar thuajse të gjitha marrëdhëniet e ditëve të luftës me fqinjët tanë antifashistë.

    Kush ishte autori i këtyre shtrembërimeve?

    Autori kryesor i këtyre shtrembërimeve antihistorike, sigurisht ka qenë vetë Enver Hoxha, sepse ishte pjesëmarrësi dhe aktori kryesor i të gjitha ngjarjeve. Shtrembërimet e qëllimshme të fakteve historike, Enveri ua përshtati momenteve kur lëkundeshin pozitat e tij politike dhe personale. Ai u tregua i pamëshirshëm në shkatërrimin e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të lavdishme të kombit shqiptar. Kjo histori po shkruhej me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të vendit, pavarësisht nga bindjet politike të tyre. Në takimet me Tempon, përkthyes i pazëvendësueshëm ishte Ramadan Çitaku, i cili gjatë gjithë jetës së tij u tregua guximtar dhe korrekt. Enver Hoxha e paraqet atë sikur ishte i rastësishëm në përkthimet dhe bisedimet e tij me Tempon dhe harron se Çitaku ishte një nga anëtarët e parë të Byrosë Politike, që nga themelimi i PKSH-së. Në Korçë, Tempon e kam takuar tre herë. Fillimisht e strehova te shtëpia e Dhorës, gruas së Pandi Kristos, që ishte një bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste. Pandi Kristoja, atëherë ishte Sekretar Politik i Qarkorit. Në këtë rast, Tempoja ishte i shoqëruar nga një anëtar i KQ të Partisë Komuniste greke, për të cilin Enveri në librin “Titistët” gënjen fund e krye. Sepse, nuk ishte hera e parë që ne takoheshim me përfaqësuesit e Partisë Komuniste greke. Në Greqi kanë shkuar shpesh Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Nesti Kerenxhi dhe të tjerë, por edhe ata kanë ardhur në Shqipëri, për çka Enveri ose nuk ka patur dijeni, ose bën sikur nuk ka pasur. Miku ynë nga Greqia, vërtet nuk komunikonte thuajse fare me ne, por ai ishte i dërguari i Partisë Komuniste të shtetit fqinj, që luftonte prej vitesh fashizmin dhe okupatorët njësoj si ne. S.V.Tempo ishte njeri i komunikueshëm dhe i preokupuar për luftën. Ai kërkoi që ta shoqëromin sa më parë për në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë sonë, ku ndodhej dhe udhëheqja e KQ të PKSH-së. Mbaj mend, që i nxorëm nga Korça pa probleme dhe i nisëm për në destinacion.

    A keni asistuar ndonjëherë në takimet e Enver Hoxhës me Vukmanoviç Tempon?

    Unë isha e pranishme në takimin e dytë mes tyre, qershorin e vitit 1943, por nuk kisha pse të merrja pjesë në diskutime, sepse ato ishin të një niveli më të lartë se Komiteti Qarkor. Mund të konfirmoj, se i gjithë vreri që derdh Enver Hoxha kundër Tempos në kujtimet e tij, është kryekëput i pavërtetë. Në të kundërt, Enveri sillej ndaj Tempos, apo të dërguarve të tjerë nga partitë komuniste të vendeve fqinje, me një kompleks servilizmi të neveritshëm. Ai madje, nuk pyeste fare për përshtypjet e këqija që linte te pjesëtarët e tjerë në bisedime, të cilëve u vinte sinqerisht ndot për këtë sjellje aspak dinjitoze të tij. Unë, tashmë nuk kam as moshën dhe as dëshirën që të merrem me deklarime dhe polemika të kësaj natyre, por kjo është e vërteta që mendoj se do t‘i shërbej historisë. Tempoja, këtë herë vinte nga Maqedonia dhe kishte me vete edhe një radioteknik. Ne atëherë, me shumë përpjekje dhe rrezik të madh, nën hundën e okupatorit, ndërmorëm aksionin e rëndësishëm për çmontimin e Radio Korçës dhe transportimin e aparaturave në zonën partizane të malësisë së Vithkuqit. Edhe për këtë rast, në kujtimet e Enver Hoxhës ka një shpjegim shumë anekdotik, për të cilin nuk ia vlen të zgjatesh. Radioja doli në mal dhe lufta jonë filloi të fliste me zërin e vet.

    Çfarë ndodhi në takimin e tretë të Enverit me Tempon?

    Herën e tretë, S.V.Tempo erdhi i shoqëruar me një vajzë shumë simpatike, të cilën e prezantonte si sekretare, por në fakt ajo ishte Milica, që më pas do të bëhej gruaja e tij. Edhe për këtë grua, Enveri tregon “trimërirat” e tij të mëdha, se e kishte bërë të qajë, e të tjera, çka për kohën që shkruante pas shumë vitesh kujtimet e tij, nuk ishte dinjitoze për t`u shkruar dhe as serioze për t´u kujtuar e treguar! Dua të theksoj se në kohën kur punoja në Qarkorin e Korçës, në fakt isha në krye të tij, sepse Pandi Kristo ishte transferuar në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, kam pritur nga Tirana dhe i kam përcjellë për në vendndodhjen e Shtabit të Përgjithshëm shumë kuadro të rëndësishëm të luftës si: Sejfulla Maleshovën, Nako Spirun, Omer Nishanin, Nexhmije Hoxhën, Liri Belishovën e të tjerë. Nënkuptohet, ata ishin të pajisur me dokumentë false, të maskuar në pamje e në veshje, çka ishte një domosdoshmëri e kohës së atij konspiracioni të madh. Nuk mund të harroj kurrë nisje-përcjelljet e shpeshta të Vasil Shantos. Tempoja erdhi në Shqipëri edhe pas çlirimit, madje dy herë në vitin 1945 dhe aty nga viti 1947.

    Tempon, me sa është shkruar edhe më parë, në udhëtimet e tij për në Mal të Zi, shpesh e shoqëronte Vasil Shanto. Fakt është se ai u vra pikërisht kur ishte duke u kthyer nga një mision i tillë. Historia e ka shumë të diskutuar këtë vrasje. Cili është mendimi juaj rreth saj?

    Hera e fundit që do të bashkëpunoja, në Korçë, me Vasil Shanton për çështje lufte, më ka lënë një brengë të madhe. Përse do të thoni ju? Ja se si qëndron e vërteta. Ai, si shumë herë më parë, ishte caktuar të shoqëronte Tempon për në Mal të Zi. Pra, as më shumë e as më pak, ai ishte caktuar, si një korrier i thjeshtë i S.V.Tempos. Këtë rast, unë e kam quajtur shpërdorimin më të madh që i bëhej këtij personaliteti të fuqishëm të LANÇ-it dhe kësaj figure qendrore të lëvizjes. Ende sot, pyes e indinjuar: vallë ky qëndrim duhej mbajtur me një anëtar të Komitetit Qendror si Vasili? Ky hero atentator i përsosur, mjeshtër i madh i luftës guerile në qytete, sidomos në Shkodër e në Tiranë, klandestin i papërsëritshëm e që ishte aq i vyer për Shqipërinë, duhej keqpërdorur si shqërues-korrier i një udhëheqësi 30-vjeçar jugosllav?! A thua nuk kishte të tjerë partizanë trima që mund ta shoqëronin Tempon?! Aq më tepër që Vasil Shantoja e kishte bërë disa herë këtë rrugë të rrezikshme dhe ishte ekspozuar. Unë them jo, nuk duhej vepruar kështu! I nisa Vasilin dhe Tempon me një automjet që e drejtonte një njeriu ynë i besuar. Aq e vërtetë është kjo sa unë ju dhashë me vete nënën time, për ta lehtësuar kalimin e tyre nëpër postblloqet e armikut, të cilët ishin bërë thuajse të pakalueshëm si rezultat i kontrolleve të shumta dhe të imtësishme. Vasili, Tempoja dhe nëna kaluan pa probleme. Mbërritën në Tiranë dhe u vendosën në bazën tonë të sigurtë, që ishte shtëpia e familjes së Zeqi Agollit. Prej andej, të dy shokët udhëtuan për në Shkodër e Mal të Zi. Para se të largohej nga Korça, Vasili më tha: “Naxhije, mendoj se ky do të jetë udhëtimi im i fundit”. Në fakt ashtu ndodhi. Vasil Shantoja u vra në rrethana enigmatike, në breg të Liqenit të Shkodrës, duke u kthyer nga misioni i tij i fundit luftarak. Kësisoj, me vrasjen e Vasilit lufta humbi një nga heronjtë e saj të pazëvendësueshëm…

  4. Naxhija: “Prapaskena e Beratit”, pjellë e fantazisë së Enverit

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Edhe pse në moshë madhore, Naxhija duket se i ka ngulitura mirë në mendje të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë luftës. Në numrat e kaluara të gazetës, ajo dëshmoi për vrasjen e Qemal Stafës, Vasil Shantos e Vojo Kushit. Po ashtu, dëshmitë e saj zbardhin përplasjet me Enverin në Konferecën e Parë të vendit dhe Kongresin e Përmetit. Sot ajo vendosi të shpjegojë aktivitetet e Beratit dhe se si u zhvilluan atje debatet mes anëtarëve të Byrosë Politike. Vendin kryesor në tregimin e saj e zënë faktet që kundërshtojnë Enverin, i cili historinë e Shqipërisë e ka shkruar në përshtatje me interesat e tij politike. Dume thotë se në Berat nuk kishte asnjë prapaskenë ndaj askujt dhe nga askush.

    Një tjetër vrasje misterioze ka ngelur në kujtesën e saj: ajo e Jorgo Plakut, njërit prej ilegalëve të parë të Lëvizjes Antifashiste. Naxhije Dume shpjegon se si ndodhi ky ekzekutim dhe akuzat që hodhi më vonë Panajot Plaku, vëllai i Jorgos, pas arratisjes në Jugosllavi për Enverin.

    Cili është mendimi juaj mbi enigmën e vrasjes së Jorgo Plakut, përjashtuar nga partia në atë kohë?

    Jorgo Plaku, rrjedh nga një familje atdhetare. Familja e tij ishte bazë e Luftës Atifashiste në Hoçisht të Devollit. Të gjithë ishin të lidhur me luftën. Jorgo Palku, kur ishte maturant ne shkollës teknike të Hary Fulcit, doli në ilegalitet. Ai ishte një nga ilegalët e parë në Shqipëri. Jorgua u dërgua më pas në zonën e Vlorës dhe u inkuadrua në një nga çetat e saj. Me sa mbaj, për veprimtarinë në këtë zonë, ai u ndëshkua. Pas kthimit të tij në Qarkun e Korçës, Jorgua u akuzua për një rrethim që pësoi çeta “Morava” në Hoçisht. Menjëherë pas kësaj, ai u përjashtua nga partia, por siç ishte zakon atëherë, këto masa të rënda ndëshkuese nuk u bënë kurrë publike. Për këtë dinte vetëm Qarkori, shpesh edhe ai nuk informohej. Pra, në raste të tilla komunikimin e jepnim vetëm ne, anëtarët e Qarkorit. Unë konkretisht, për përjashtimin e Jorgo Plakut nuk di gjë. Ndaj, mendoj se vendimi i përjashtimit nga partia, i ka ardhur nga KQ i PKSH-së. Sa për faktin e vrasjes së tij, jam e informuar, sepse isha në të njëjtin grup kur po ktheheshim nga mbledhja e Komitetit Qarkor, që u zhvillua në fundin e vitit 1943, në Bakull, ku kishim bazën e furnizimit dhe të teknikës së qarkut. Në atë mbledhje merrnin pjesë: unë, Vaskë Koleci, që ishte edhe sekretari i Rinisë Komuniste, Koçi Xoxe, si i deleguar i Komitetit Qendror, Pandi Kristo, Petro Papi, Xhoxhi Blushi, dhe të tjerë. Kurse anëtarët e tjerë të Qarkorit nuk morën pjesë,, sepse ato ditë sapo ishte inaguruar Brigada e 4-tert Sulmuese, (30 dhjetor 1944) dhe ndodheshim me trupat. Kur po ktheheshim për në qytet, nëpërmjet rrugës Voskopojë-Vinçan,dhe hymë në fshatin Vinçan, na njoftuan se forca të shumta balliste ishin shfaqur në lagjen e poshtme të këtij fshati e po ushtronin kontroll. U kthyem nga rruga dhe shkuam përsëri në rrethinat e Voskopojës. Ndërkohë, për të kontrolluar territorin, se mos ndodhte e njëjta gjë, si edhe në Vinçan, shkoi Vaskë Koleci, Fatmir Gjata dhe Jorgo Plaku. Pas pak dëgjuam të shtëna, breshëri automatiku, apo mitralozi, që vinin nga drejtimi në të cilin kishin shkuar shokët tanë. Kur Vaska me Fatmirin u kthyen, na thanë se Jorgo Plaku ishte vrarë, pasi kishin rënë në pritë. Ata treguan gjithashtu se Jorgua kishte marrë shumë plumba në trup, dhe veç kësaj edhe disa plagë të rënda nga goditjet me sende të forta. Atë e gjetën me xhakoventon engleze gjysëm të zhveshur, gjë e cila krijonte përshtypjen e një kontrolli trupor. Nga të ftohtit e madh të atij dimri, trupi i Jorgos kishte ngrirë, dhe të nesërmen e varrosëm në Voskopojë. Unë dëgjova breshëritë që i dhanë lamtumirën e fundit, sepse isha nisur për t`u kthyer shpejt në Korçë. Më vonë mësova se J. Plaku u varros në Varrezat e Dëshmorëve në Korçë.

    Thuhet se Jorgo Plaku është vrarë nga forcat partizane mbas shpine gjatë Operacionit të Dimrit. Spitali partizan i Lavdarit dërgoi urgjentisht doktor Petro Canin me një infermiere, të cilët Jorgo Plakun e gjetën të vrarë, kurse dibranin Q. Disha, të plagosur. A dini gjë për këtë fakt?

    Unë di që ndihma e shpejtë ardhi menjëherë, por gjithçka ishte e kotë. Jorgua kishte vdekur. U godit para, apo pas shpine, nuk di gjë.

    Ka të dhëna që vrasjen e Jorgos pas shpine e ka pranuar vetë Enver Hoxha, pas arratisjes së gjeneralit Panajot Palaku në Jugosllavi. Ai ia ka thënë këtë gjë një anëtari të Komitetit Qendror të PPSh-së në mbledhjen e mëngjesit të Sekretariatit të KQ-së. Është e vërtetë kjo?

    Edhe mund të jetë, nëse kjo është thënë nga njerëz seriozë. Por mund ta deklaroj se s‘kam patur mundësi ta di. Në vitin 1956 unë kisha tetë vjet që isha dënuar.

    Gajtë luftës në vendin tonë gjetën strehë dhe ngrohtësi shumë familje çifute. Për këtë Shqipëria është dekoruar nga shteti Izraelit. A keni ditur ndonjë rast të tillë?

    Më kujtohet një rast shumë i veçantë dhe interesant nga koha e ilegalitetit në Korçë. Unë isha strehuar në një bazë të sigurt ku më shoqëroi shoqja jonë e mirë, Elektra Samsuri, gruja e diplomatit Dhori Samsuri, e cila kohë më parë ishte kthyer nga studimet në Francë. Ishte mbasdite. Shkuam diku në lagjen afër monumentit të Themistokli Gërmenjit, në rrugën “Papallambro Ballamaçi”. U vendosa në shtëpinë e një gruaje të ve, së cilës i kishte vdekur burri, inxhinier me origjinë çifute. Hymë brenda. Mua më thanë se duhej të banoja në katin e parë të shtëpisë, në mënyrë që të mos vihesha re nga fqinjët. Ditët po kalonin të qeta. Një paradite, kur e zonja e shtëpisë, që nuk ia mbaj mend emrin, doli diku jashtë për problemet e veta, ndoshta për të psonisur, unë dëgjova hapa të lehta sipër në katin e dytë. Mendova se mos ishin macet, por hapat lehtë-lehtë vazhdonin të dëgjoheshin. Menjëherë më shkoi mendja se mos ishte ndonjë provokacion. E zonja e shtëpisë u kthye pas disa orësh. Vendosa që ta pyes ballazi nëse isha e sigurt në shtëpinë e saj. Ajo m´u përgjigj: “Pa diskutim, po. Pse ka ndoshur ndonjë gjë që nuk shkon?!”. I tregova se si i kisha dëgjuar hapat e njerëzve në dhomën sipër meje. Ajo si e zenë në faj, e vënë në siklet nga këto që i thashë, më siguroi se nuk duhet të shqetësohesha. Në katin e dytë të shtëpisë, më sqaroi se ishte strehuar edhe një bashkëkombësja e saj çifute me të bijën, afërsisht 10 vjeçe. Pasi u njohëm me gruan çifute, mësova se ajo kishte ardhur nga Greqia së bashku me të shoqin dhe vajzën e vogël. Gjithashtu shokët tanë burrin e saj e kishin nxjerrë nga qyteti dhe e kishin çuar partizan në rajonin e Vithkuqit. Kur unë u interesova për të tek komandantët e forcave tona,, më thanë: “Ju pyesni për atë fakir fukaranë fatkeq që ka ardhur nga Greqia…. Unë buzëqesha dhe iu thashë se pikërisht për atë pyesja. Ky “fakir” na rezultoi se ishte një pronar i madh çifut që kishte në pronësi një fabrikë jo të vogël për prodhimin e çokollatave. Më pas nuk kisha as kohë dhe as mundësi të pyeja se kush ishte ky, edhe pse më vonë burri im ishte zëvendësministër i Brendshëm, anëtar i KQ të PKSH-së dhe i kishte të gjitha mundësitë që ta gjente. Kjo tregon se populli ynë i ruajti dhe i mbrojti çifutët dhe jam plotësisht dakord me librim e Dhimitër Kotanit ku flitet për bashkësinë çifute, e cila banonte në Shqipëri dhe e strehuar përkohësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por gjithsesi le të vazhdojmë.

    Më 20 deri 23 tetor 1944 u mbajt në Berat Mbledhja e Dytë e Këshillit Antifashist. Pas dhjetë ditësh u zhvilluan punimet e Pleniumit të Dytë të KQ të PKSH-së, që në histori njihet si “Prapaskena e Beratit”. Sipas jush, meqënëse ishit pjesëmarrëse në këto veprimtari, a kishte me të vërtetë parapaskenë në Berat?

    Që në fillim do të thoja me bindje të plotë se nuk ka ekzistuar asnjë prapaskenë në të gjitha aktivitetet e Beratit. Në Pleniumin e Dytë u bënë analiza të plota të luftës në përgjithësi dhe të arritjeve e mangësive që ishin vërejtur gjatë aksioneve tona të jashtëzakonshme. Nuk përjshtohet fakti se pati kritika të ashpra për shumë personalitete të partisë, ushtrisë dhe organeve ekzekutive, që kishin lindur gjatë luftës. Midis të tjerëve, shumë ashpër, por jo qëllimshëm, u kritikua edhe Enveri, të cilin e zuri frika se mos e largonin nga detyrat. Enver Hoxha ishte i frikësuar edhe pas shumë vitesh të eliminimit të shokëve kryesorë të KQ dhe Byrosë Politike të PKSH-s. Ai i shpjegoi çështjet si i deshi qefi. Pra, Enveri, si të ishte specialist për gjithshka, pa dëshmitarët okularë kryesorë të luftës, shumë nga ngjarjet e LANÇ-it, faktet historike, aktorët kryesorë dhe fenomenet politike i interpretoi sipas oreksit të vet. Për shembull, duke shpjeguar luftimet, ose operacionet e brigadave, (një pjesë e madhe e komandantëve dhe komisarëve të tyre ishin ndëshkuar apo eliminuar fizikisht), nuk përmendeshin fare sikur të mos kishin ekzistuar. Veçanërisht, të njëjtën gjë ka bërë edhe me punimet e Pleniumit të Dytë të Komitetit Qendror të PKSH-së, i cili u mblodh në nënëtor të vitit 1944, pra vetëm 10-12 ditë pas zgjedhjes së Qeverisë së Parë Demokratike të Shqipërisë. Duhet theksuar se Enveri në këtë Mbledhje, mirë e bukur, ishte zgjedhur me unanimitet të plotë Kryeministër i parë i vendit, i dalë nga LANÇ-i si edhe Komandant Suprem i Ushtrisë me gradën gjeneral-kolonel, të dalë vetëm para gjashtë muajsh në Kongresin e Përmetit. Në Berat, u këmbëngul me të drejtë që të propagandohej në popull,edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, lufta jonë, që ishte jo e vogël. Gjithashtu u vendos që të propagandohej edhe figura e Enverit si udhëheqës i luftës, se nuk mund të luftohej pa udhëheqës. Gruaja e tij, Nexhmije Hoxha, së bashku me ne të tjerët, ishte zgjedhur delegate e Kongresit të Gruas dhe gëzonte shëndet të plotë. Në humorin e saj nuk reflektohej asnjë lloj shqetësimi për ato pseudoakuza që trillon Enveri. Ajo, ose rrinte me grupin e Rinisë Antifashiste që drejtohej nga Nako Spiru, ose rrinte me ne delegatët e Kongresit të Gruas. Pra, nuk kishte asnjë mendim që pas kësaj lufte të suksesshme të hiqej Enveri nga detyra e Sekratarit të Përgjithshëm të PKSH-së, rrjedhimisht edhe nga të gjitha detyrat e tjera.

    Përse veproi kështu Enver Hoxha?

    Jam e mendimit se ai më shumë sesa kishte frikë për vete, donte t’u fuste drithmat e frikës të tjerëve. Natyrisht, në atë kohë, Enveri nuk mund të kishte autoritet absolut gjë të cilin e kultivoi vetë edhe me ndihmën e lakejve që e rrethonin. Ai nuk e kishte fort te lehtë t‘u imponohej rretheve drejtuese të Luftës, sepse ata ishin po aq autoritarë, në mos më shumë se Enveri. Në Mbledhjen e Dytë të KANÇL-it, për herë të parë ishin ekspozuar të katër flamurët e vendeve aleate: Anglisë, BRSS, Amerikës dhe fqinjes sonë, Jugosllavisë. Unë e them sinqerisht se Koçi Xoxes, për shembull, pas organizimit të daljes heroike nga burgu i Tiranës, së bashku me 27 të burgosur të tjerë, iu uzurpuan detyrat e Sekretarit Oragnizativ të KQ të PKSH-së nga Liri Gega, e cila ishte e babëzitur për pushtet. Koçi Xoxe në këtë kohë më tepër u mor me detyra rutinë, si edhe me largimet e herë pas hershme në vende të ndryshme ku themeloheshin Brigadat Sulmuese partizane si: në Qarkun e Korçës, të Gjirokastrës, Vlorës e të tjera, sesa me strukturën organizative të partisë dhe forcimin e hallkave të saj. Por, Koçi Xoxe ishte praktik dhe për këtë uzurpim, as u ankua, dhe as u grind kurrë në Komitetin Qendror. Ai me lehtësi të madhe i gjente punë vetes. Kur Enveri endej i shkëputur nga lufta pyjeve të Martaneshit, dhe për këtë fakt të hidhur mban ende përgjegjsi, ndonëse ka vdekur, Koçi Xoxe dhe Grupi Operativ i Shtabit të Përgjithshm, organizonin luftën në jug të Shqipërisë. Ata thyen me sukses orvatjet e Operacionit armik të Dimrit, për rrethimin dhe asgjesimin e ushtrisë partizane në malësitë e Korçës, Oparit e Skraparit, ku dolën fitimtarë e më të fortë se kurrë nga dimri i ashpër e vdekjeprurës.

    I diskutueshëm është edhe emërtimi i Pleniumit të Beratit si Plenium i Dytë. Çfarë mendoi ju për këtë?

    Në Pleniumin e Dytë të Beratit, i cili në fakt nuk duhej të quhej i Dytë, ose i Tretë, ose i Parë, sepse Plenium të Parë në Mbledhjen themeluese nuk kishte. As në Helmës, në maj 1944, pleniumi në fakt nuk u mblodh. Pra, Pleniumi i Beratit duhej të quhej Plenium i Parë i vërtetë i Komitetit Qendror të PKSH-së. Në Helmës e them me siguri se nuk u mblodh kurrë KQ-ja, i cili tashmë kishte 15 anëtarë dhe pesë kandidatë. Domethënë edhe po të pranojmë atë që thotë Enveri, shumica e anëtarëve të KQ nuk është mbledhur kurrë, veçse në Berat. Në këtë konteks, u gjykua ashpër dhe pabesisht nga Enveri, Miladini e ndonjë tjetër: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi e tre delegatë të tjerë të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Delegacioni në fjalë, të gjitha udhëzimet për Mbledhjen e Mukjes, si edhe bisedimet me Ballin Kombëtar, të cilin e përfaqësonte Mithat Frashëri, i kishin marrë nga Byroja Politike e KQ të PKSH-së. Ndaj qëndrim i delegacionit nuk përbënte asnjë faj. Një çështje tjetër që u gjykuan në Helmës, ishte problemi i Gjin Markut, për të ashtuquajturin kompromis të Beratit, i cili nuk i shkaktoi absolutisht asnjë dëm Luftës. Unë do të thoja se në përgjithësi platforma e Mukjes ishte në harmoni të plotë me kërkesat e Kartës së Atlantikut. Së fundi, e theksoj se Pleniumi i Dytë ishte i pari Plenium që i zhvilloi punimet e tij në pragun e çlirimit të plotë të vendit dhe nuk kishte asnjë qëllim për ta goditur mbas shpine Sekretarin e Përgjithshëm, siç trillon Enver Hoxha. Në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist, unë u rizgjodha anëtare e tij,ndërsa në mbledhjen e Pleniumit të dytë u rizgjodha anëtare e Komitetit Qendror, ndonëse në fakt nuk pati zgjedhje. Të mos harrojmë se pati përjashtime jo të vogla. Nuk ka nevojë, besoj t’i përmen, sepse ato tashmë dihen. Unë u emërova punonjëse partie në Aparatin e KQ, për të cilin do të flas pak më poshtë.

    Për një kohë të gjatë punuat me organizatat e grave dhe të të rejave në Tiranë e Korçë. Në Berat do të zhvillonte punimet Kongresi i Parë i Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Çfarë ju kujtohet nga ky aktivitet?

    Gratë delegate nga e gjithë Shqipëria, po mblidheshin në Kongresin e tyre për herë të parë në histori. Atmosfera ishte shumë e gëzueshme. Pas shumë vitesh ndarjeje po takoheshim me shoqet e shkollës, të cilat tashmë ishin shndërruar në luftëtare dhe udhëheqëse të vërteta të luftës. Ato prej vitesh po luftonin në të gjithë territorin e vendit dhe po drejtonin luftime dhe aksione të rëndësishme. Shumë prej tyre dergjeshin kampeve të përqëndrimit dhe burgjeve të nazizmit si: në Prishtinë, Mathauzen, e të tjerë. Disa prej tyre kishin dhënë jetën në lulen e rinisë. Tashmë, ne e çmonim faktin e rëndësishëm se kishim Qeverinë tonë të re të dalë nga lufta. Nënkuptohet gëzimi ynë i papërmbajtur, se po çlirohej vendi nga okupatorët dhe po shkonte drejt përfundimit Lufta e Dytë Botërore. Kongresi i Parë i Gruas u mbajt në fillim të nëntorit të vitit 1944, nën parrullën “Për çlirimin e atdheut dhe për një Shqipëri të lirë dhe demokratike”. Në Kongres morën pjesë mbi 300 delegatë nga të gjitha zonat e vendit, të çliruara dhe të paçliruara, si edhe nga njësitë e ushtrisë patizane. Kongresi mes një entuziazmi të papërshkruar u përshëndet nga Komnadanti Suprem, gjeneral-kolonel Enver Hoxha e udhëheqës të tjerë të LANÇ-it. Aty, në Kongres, unë takova Nexhmije Hoxhën, shoqen time të klasës, Liri Gegën, Ollga Plumbin, Nebahet Bakirin, Lejla Myftiun, e të tjera. Me mua ishin edhe delegatet e Korçës si: Dhoksi Gërmenji, gruaja e mirë dhe e emancipuar e patriotit të madh Themistokli Gërmenji, Kleopatra Maliqi, komuniste e vjetër, nga të rrallat gra anëtare të Qarkorit, Sofie Ballauri, Dhora Konomi, e të tjera. Aty u zgjodh Presidentja e parë e BGASH-it, Ollga Plumbi, si dhe kryesia e tij, ku bëja pjesë edhe unë. Nga Berati, organet e qeverisë së re po përgatiteshin për të hyrë triumfalisht në Tiranë, që do të çlirohej dy javë më vonë, nga forcat e Divizionit të Parë Sulmues dhe brigada të tjera partizane. Nga Berati u nisëm copa-copa: ca me automjete e dikush në këmbë. Ju drejtuam urës së Rrogozhinës, e cila ishte hedhur në erë nga nazistët. Aty zakonisht punonte një **** për të kaluar njerëzit dhe kafshët matanë lumit. Në anën tjetër na prisnin automjetet e caktuara për këtë qëllim, që do të ndiqnin rrugën drejt Peqinit dhe Qafës së Krrabës, për të hyrë më pas në Tiranë. Le të mos harrojmë se gjatë gjithë kësaj rruge ishin zhvilluar luftime të ashpra me regjimentet gjermane që vinin nga Greqia dhe nëpërmjet territorit tonë do të largoheshin për në Gjermani. Nga dritaret e makinave vështronim kamionë dhe automjete të djegura, topa, karro ushtarake, kafshë të vrara, kuzhina fushore të shkatërruara, municione e materiale të tjera ushtarake të braktisura. Madje, nuk mungonin edhe kufomat e shumta të të vrarëve, të cilat dora-dora po evakuoheshin. Në Tiranë hymë nga Rruga e Elbasanit. Me të vërtetë, në kujtimin tim kjo ditë ka mbetur e skalitur, si dita më e veçantë e pasluftës. Tirana ishte çliruar. Tashmë prisnim me ankth të çlirohej e gjithë Shqipëria.

  5. Naxhije Dume: Ditët e mia si ministre e parë shqiptare

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Është e vërtetë se emërimi im im në këtë post ishte emocionues dhe i papritur. Mua më thirrën Koçi dhe Enveri, në shtëpinë e këtij të fundit, ku, siç e thashë më lart, zhvilloheshin zakonisht mbledhjet e Byrosë. Enveri më komunikoi se me vendim të Byrosë Politike isha emëruar ministër
    Në këto kushte të vështira për mua, por edhe për vendin, fillova punën e ministrit. Në këtë post qendrova vetëm gjashtë muaj, sepse pas Kongresit të Parë të PKSH-së u përjashtova nga Komiteti Qendror dhe u shkarkova nga detyra e lartë e ministrit
    Për të pestën herë, Naxhije Dume dëshmon autentikisht për gazetën. Në numrat e kaluar, ajo ka dhënë mendimet e saj për eliminimet e shumë personaliteteve të luftës dhe përplasjet në Byronë Politike të drejtuesve më të lartë partiakë. Pasi hodhi dritë mbi vrasjet e diskutueshme të anë-tarëve të Grupit Komunist të Shkodrës, Naxhija guxoi të tregonte edhe për të tjera vrasje, që po ashtu nuk u morën asnjëherë përsipër nga drejtuesit e luftës.

    Vrasja e Jorgo Plakut, ishte një tjetër histori tronditëse e atyre viteve. E vendosur të thotë gjithçka që di, 83-vjeçarja, kundërshtoi nëpërmjet fakteve historinë e luftës, shkruar nga sistemi i kaluar. Naxhije Dume është e vetmja dëshmitare okulare e Pleniumit të Dytë të KQ të PKSH-së, mbajtur në Berat, që ka kundërshtuar trillat e Enver Hoxhës se gjoja atje kishte një prapaskenë kundër tij. Në numrin e sotëm preken të tjera çështje interesante, ku më shumë rëndësi janë takimet e saj me Titon, në rezidencën e tij në Beograd. Biseda mes Titos dhe Naxhijes ka zgjatur një orë dhe të befason fakti se përse marshalli e ka pyetur nëse urreheshin në Shqipëri jugosllavët. Kulmi i tregimeve është emërimin i Dumes në postin e ministrit. Detyrën ia ka komunikuar Enver Hoxha, i cili vetëm gjashtë muaj më vonë do ta shkarkonte përsëri.

    Nga Berati, Qeveria e re u nis për në Tiranën e çliruar. Mund të na thoni atmosferën e kësaj feste?

    Hyrja e qeverisë së re në kryeqytetin e çliruar të vendit u shndërrua në një festë madhështore. Më kujtohet se bashkarisht me anëtarët e Qeverisë ishin edhe përfaqësuesit e forcave aleate. Ne përkohësisht u akomoduam në Hotel “Dajti”, në godinën e sotme të Universitetit të Tiranës dhe në disa nga vilat e boshatisura të ish-qeveritarëve, që kishin marrë arratinë. Ndërsa luftimet në veri të Shqipërisë vazhdonin, ndërkohë që trupat gjermane tërhiqeshin drejt Shkodrës dhe Kukësit. Tashmë, ushtira partizane Shqiptare, që numëronte 27 brigada, pra tre Koorpormata të rregullta, operonte në Shqipërinë e Veriut. Po luftohej për çlirimin e zonës së Shkodrës. Komiteti Qendror i PKSH-së u sistemua në pallatin e princeshës Sanije, e cila kohë më parë u martua me një princ turk, që hyri “dhëndër brenda”. Në Komitetin Qendror të PKSH-së, për çudinë e të gjithëve ishin emëruar dhe punonin: gjeneral-leitnant, Koçi Xoxe, Sekretar Organizativ i PKSH-së, unë, Manush Myftiu dhe Kiço Ngjela, anëtarë të këtij Komiteti. Gjithashtu, kishim një sekretare që kryente edhe detyrat e protokollistes, arkivistes, pra sekretare të përgjithshme. Pastruesja kryente edhe detyrën e korrierit. Nuk dinim nga t`ia fillonim. Nuk rrinim dot as në zyrë, sepse ishim çmësuar të punonim në tavolinë. Nuk komunikonim dot me telefon, se ishim mësuar ta bënim këtë me korrier. Nuk shtypnim dot shkresa, sepse ishim mësuar të komunikonim gojarisht. Mua më kujtohet mirë dhe isha disi e irrituar, sepse e ndjeja se së shpejti do të na robëronte burokracia, e cila më vonë do të bëhej problematike. Ndërkohë, vendosëm kontatktet e para me Komitetet Qarkore të rajoneve të Shqipërisë dhe të forcave të armatosura që luftonin në zonat e caktuara. Fillimisht, detyra të ndara strikt midis nesh nuk kishte. Të gjithë punën në Komitetin Qendror e drejtonte Koçi Xoxe. Në këtë kohë, por edhe më pas, Enver Hoxha punonte në shtëpi. Atje i bënte rregullisht mbledhjet edhe Byroja Politike, të cilat nuk kishin as kohë dhe as rend dite të paracaktuar. Ato, si rregull, zhvilloheshin sipas problemeve të çastit. (Të mos harrojmë se probleme të tilla në momentet e para të çlirimit të vendit dhe vendosjes së pushtetit të ri kishte pafund). Në Komitetin Qendror për problemet që duhet të merrnim në dijeni na fliste Koçi. Atëherë unë kisha edhe një problem tjetër jo pak të rëndësishëm personal, pasi isha vazhdimisht e sëmurë. Vuaja nga një sëmundje polmonare dhe e shtyllës vertebrale. Kjo sëmundje ishte edhe problemi kryesor për martesë, ndaj vendosa të mos e bëja një gjë të tillë, megjithëse dashuroheshim me Nestin. Madje, mendoja se mund dhe nuk duhej të lindja fëmijë, por Nesti ma shpjegoi se të dy së bashku do ta ndihmonim më mirë njëri-tjetrin dhe do t´i kalonin më lehtë vështirësitë. Nuk mund t`i rezistoja më këtij argumenti dhe u binda. Rreth sëmundjes dua të shpjegoj edhe diçka tjetër. Atëherë e kisha tepër të domosdoshme të ekzaminohesha dhe të kurohesha intensivisht. Nuk po gjeja kohë të martohesha dhe të sistemohesha në shtëpi me Nestin. Megjithatë ne u martuam e në shtator të vitit 1945 morëm në familjen tonë edhe nënë time. U martuam partizançe dhe u vendosëm në një shtëpi në Tiranën e Re. Fqinjët tanë ishin: familja e doktorit të luftës sonë, Ibrahim Dervishi, Vaskë Koleci, i cili ishte i pamartuar e të tjerë, të cilët nuk më kujtohen. Në këtë kohë morëm lajmin e gëzuar se më 29 nëntor 1944, u çlirua Shkodra dhe e gjithë Shqipëria. Kishim realizuar premtimin e madh që i dhamë popullit shqiptar, detyrën më madhore të LANÇ-it. Gëzimi ynë ishte i pamasë dhe organizuam me kolektivin tonë të vogël të KQ të PKSH-së një festë modeste. Ndërkohë Shqipëria po kremtonte anë e kënd fitoren.

    Ju jeni e para partizane shqiptare, anëtare e Komitetit Qendror që kini takuar marshallin Tito, në Beograd. Si e përjetuat këtë takim?

    Koçi Xoxe dhe shokët e tjerë më rekomanduan të nisesha menjëherë për në Beograd. Në ditët e para të dhjetorit 1944, së bashku me delegacionin e grave jugosllave, që ndodhej ende në Shqipëri, u nisëm me një aeroplan ushtarak bombardues “Dugllas” për në Jugosllavi. Aeroplani ishte i zhveshur, pra pa kolltukë ku mund të uleshim, i ftohtë si një frigorifer. Mbërritëm në kryeqytetin jugosllav dhe mbaj mend se menjëherë më nisën për në një klinikë që ishte shtetëzuar për nevojat e luftës. Mjeku, që do të më diagnostikonte dhe kuronte, ishte një profesor i dëgjuar. Pacientë të tjerë të klinikës ishin të gjymtuarit nga lufta. Mungonin medikamentet bazë. Ushqimet jepeshin me pakicë, të racionuara, sepse Beogradi ndodhej në krizën e pasluftës dhe produktet ushqimore mungonin. Pas diagnostikimit përfundimtar, profesori jugosllav më tha: “Për ju duhet kurim intensiv special me medikamentet më të mira të kohës, që ne, fatkeqësisht, nuk i kemi. Gjithashtu, trajtimi ushqimor duhet të jetë i veçantë, ç`ka edhe për këtë kushtet nuk i kemi”. Unë kisha me vete disa monedha floriri, të cilat m´i dha Koçi Xoxe nga kasaforta e tij, që ishin fonde të partisë. Dua të theksoj se ende në Tiranën e porsa çliruar nuk ishte vendosur administrata financiare, fletë-udhëtimet, dietat e të tjera “vogëlima”, që do t`i mësonim më vonë. Megjithatë, i dhashë një jugosllavi një monedhë floriri, i thashë ta këmbente në tregun e zi, që nuk ishte e lehtë, dhe të më blinte disa produkte të freskëta si gjalpë, mjaltë, djathë, mish. Për çudinë time jugosllavi më solli vetëm një kilogram gjalp, më ktheu paratë që i kishin mbetur dhe asgjë më tepër, duke më thënë se në treg nuk kishte asgjë. Ky ishte edhe “kurimi” im në Beograd. Ato ditë do të më priste edhe një surprizë e këndshme. Një gazetare më njoftoi se më priste në një takim zyrtar J.B. Tito. Në këtë takim më shoqëroi kryetarja e delegacionit jugosllav të grave, që kishte qenë në Kongresin tonë të BGASH-it në Berat, e cila quhej Olga, fatkeqësisht mbiemri nuk më kujtohet. Ky fakt më befasoi, sepse nuk e prisja. Shkuam në Rezidencën qendrore të Titos, diku në ish-pallatin mbretëror, me sa mbaj mend në lagjen “Dedinje”. Në atë kohë sapo vendosej në atë rezidencë Presidenca jugosllave dhe orenditë nuk ishin sistemuar akoma. Tito ishte i veshur me uniformën e marshallit. M´u duk një burrë i hijshëm, simpatik, i komunikueshëm. Tregonte se ishte mbi të 50-tat. Biseda u zhvillua në italisht. Ai më pyeti për luftën në përgjithësi, Kongresin e Gruas Antifashiste Shqiptare, çlirimin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Tito më transmetoi të fala për udhëheqjen shqiptare. E emocionuar, i fola në vija të përgjithshme dhe shkurt për LANÇ-in, veprimtaritë e fundit, emerimet në qeverinë e re, vendosjen e Pushtetit Popullor dhe konsolidimin e tij në të gjithë territorin e vendit etj. Por nuk mund të harroj kurrë një pyetje disi të çuditshme që më bëri Titua. “A na urrejnë shumë shqiptarët?”, tha ai. Unë me naivitetin tim iu përgjigja se kjo varej nga krahinat dhe e sqarova se në Korçë, larg kufirit me Jugosllavinë, nuk ekzistonte një kompleks i tillë. Ndërsa në zonat kufitare me ta kishte edhe mendime të tilla. I thashë se me sa dija forcat tona të Divizioneve të V-të dhe të VI-të, po luftonin në Kosovë, Metohi e po marshonin drejt Sanxhakut. Më pas Titua më pyeti se ku kisha punuar, çfarë kisha qenë më parë, si e kisha kaluar luftën dhe të tjera. Gjatë bisedës vura re se ai ishte i thjeshtë dhe nuk pozonte. Këtë takim nuk e mora si një favor që më bëhej mua, por si një bashkëbisedim të tij me të parën partizane shqiptare, pra si një takim simbolik. Nënkuptohet, për mua, ky ishte një eveniment i veçantë që më gëzoi pa masë, sepse e shihja që Shqipëria po njihej edhe në arenën ndërkombëtare. Ky takim i thjeshtë, që zgjati rreth një orë, mua më ka lënë mbresa të paharrueshme dhe gëzim të veçantë edhe për faktin, sepse gjatë luftës marshallin Tito, e takoi në selinë e tij të Shtabit të Përgjithshëm, burri im, Nesti Kerenxhi dhe Alqi Kondi. Pas çlirimit, unë, gruaja e tij, përsërita të njëjtën gjë, e takova Titon, por tashmë në Beograd. Një tjetër fakt që më ka mbetur në mendje është takimi me Miladin Popoviçin. Konstatova se ai nuk ishte më Miladini i mëparshëm. Me sa duket kishte ngënë kritika të ashpra. Miladini më pyeti me dashamirësi për Enverin dhe shokët e tjerë të Byrosë Politike, dhe sidomos më shumë u interesua për Liri Gegën. Pyeti kryesisht për shëndetin e tyre dhe se në ç`funksione partiake e qeveritare ishin caktuar. Me sa duket kishte marrë vesh zhvillimin e punimeve të aktiviteteve të fundit tona në Berat, por nuk më pyeti fare për to. Më pas, Miladinin e caktuan me detyrë në Kosovë, ku dhe e vranë me atentat, brenda në zyrën e tij. Mbaj mend se për këtë na ka informuar Ramiz Alia, i cili ishte Komisar i Divizionit tonë, që operonte në Kosovë. Ai ishte ndodhur në Prishtinë, pikërisht në vendin e atentatit ndaj Miladinit, menjëherë pas ngjarjes.

    Ato ditë në Beograd erdhi një delegacion zyrtar nga Shqipëria. A ju kujtohet edhe juve vizita e parë e zyrtarëve të lartë shtetërorë në Jugosllavi?

    Po. Në përbërje të delegacionit ishin Koçi Xoxe, si zëvendëskryeministër e Sekretar Organizativ i KQ të PKSH-së, dy anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PKSH-së; Sejfulla Malëshova dhe gjeneral-major Bedri Spahiu. Ky ishte delegacioni i parë zyrtar shqiptar që shokoi në Jugosllavi për të vendosur marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërpartiake. Po vinte Viti i Ri, kremtimet e të cilit ne i bëmë së bashku në Shkollën e Partisë në Beograd. Mua më bëri përshtypje edhe diçka tjetër. Kisha katër-pesë vjet që nuk e festoja Vitin e Ri, sepse ndodheshim në luftë dhe se si më dukej që e festoja tashmë në dhe të huaj. Pasi delegacioni në fjalë përfundoi vizitën zyrtare, së bashku u kthyem në Tiranë. U kthyem jo me aeroplan bombardues anglez, por me një aeroplan të rregullt transporti, komod dhe të ngrohtë. Në rastin më të parë i dorëzova Koçit, dinarët që më kishin mbetur dhe katër napolona flori, që m´i kishte dhënë përpara se të nisesha. Ai buzëqeshi, dhe i futi përsëri në kasafortë.

    Ju jeni e para ministre grua në ekzekutivin shqiptar të të gjitha kohërave. Kush ua komunikoi detyrën e re dhe si e pritët emërimin historik në krye të dikasterit të Arsimit?

    Nuk më ka shkuar kurrë mendja të flas me superlativa për veten time. Jo vetëm se nuk e kam natyrë, por pas një kalvari gati 60- vjeçar me ka humbur kënaqësia për të folur për vete. Është e vërtetë se emërimi im im në këtë post ishte emocionues dhe i papritur. Mua më thirrën Koçi dhe Enveri, në shtëpinë e këtij të fundit, ku, siç e thashë më lart, zhvilloheshin zakonisht mbledhjet e Byrosë. Enveri më komunikoi se me vendim të Byrosë Politike isha emëruar ministër. Në çast bëlbëzova një feleminderit dhe mendja gjithnjë më punonte se si do ta kryeja këtë detyrë kaq të vështirë. Më pas, kur e mblodha veten, i thashë E.Hoxhës se isha shumë e re dhe se ende e ndjeja veten nxënëse përpara profesorëve të mi, të cilët do t‘i kisha vartësa në Ministrinë e Arsimit. Enver Hoxha më tha: “Lëri ato se ke bërë universitetin e luftës. Ke drejtuar punë shumë më të mëdha. Tani nuk duhet të ngurrosh”. Gjithsesi, ngula këmbë të mbroja mosemërimin tim. I thashë se mund të gjendej një zgjidhje tjetër më e përshtatshme për atë detyrë. Enveri atëherë pyeti: “Si thua ti, kush mund të jetë?”. I përmenda emerin e Manush Myftiut. Për të më mbushur mendjen më siguroi që do të kisha edhe ndihmën e tij dhe të shokëve të tjerë. Kini parasysh në ç‘pozitë të vështirë ndodhesha. Sa emocione dhe ndrojtje kisha, sepse në atë ministri më parë kishte punuar Gjergj Kokoshi, shkodrani i urtë dhe me një kulturë të gjerë. Kishte punuar Sejfulla Maleshova e të tjerë, që mua më dukeshin më të zotë se unë. Megjithatë, më emëruan ministër të Arsimit dhe ia fillova punës nga njohja e strukturës oganizative, stafit që punonte në ministri dhe të tjera. Para meje në atë dikaster kishte punuar si zëvendësministër Fadil Paçrami, i cili pas Pleniumit të Tetë u dënua dhe ishte emëruar drejtor në Muzeumin Arkeologjik-Etnografik. Aty punonin specialistë të mirëfilltë të arsimit si: Siri Shapllo, Myzafer Xhaxhiu dhe shumë të tjerë. Duheshin kompletuar shkollat e mesme, e sidomos ato unike e fillore, me kuadro, literaturë, banka e materiale të tjera didaktike, të cilat mungonin thuajse krejtësisht. Vetëm në qytetet kryesore ekzistonin shkollat e rregullta.

    Po në fashatrat dhe lokalitetet e shumta të Shqipërisë, ç‘bëhej vallë?

    Atje shkollat duhej të sistemoheshin nëpër godina. Na duhej të emëronim arsimtarë vullnetarë me arsim shtatëvjeçar, sepse kishim mungesë të madhe kuadri. Dilte në plan të parë organizimi i kurseve kundër analfabetizmit. Nevojiteshin kurse të shumtë për kualifikimin e punonjësve të arsimit në përgjithësi, nëpunësit e shkollave dhe të seksioneve të arsimit, si edhe organizimi i botimeve masive të teksteve të reja shkollore, si në përmbajtje ashtu edhe në pikëpamje estetike. Kjo ishte një punë kolosale, e cila duhej të kalonte nëpërmjet aparatit të Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit, ndërmarrjeve të botimit, apo seksioneve të arsimit në rrethe. Kishte ardhur koha të mendonim për shkollën tonë të lartë kombëtare dhe si fillim krijimin e Institutit të Lartë Pedagogjik, Shtëpive të Pionierit e të Rinisë, rrjetit të gjerë të Vatrave të Kulturës, Muzetë e ndryshme, Bibliotekave, Institutit të Shkencave, Teatrit Popullor, Estradës së Shtetit, Lidhjes së Shkrimtarëve, që do të ishin bazat e Universitetit Shtetëror dhe Akademisë së Shkencve të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre institucioneve shumë të rëndësishme, që përmenda, kishin filluar të funksiononin, por ishin të pakonsoliduara. Kështu, në këto kushte të vështira për mua, por edhe për vendin, fillova punën e ministrit. Në këtë post qendrova vetëm gjashtë muaj, sepse pas Kongresit të Parë të PKSH-së u përjashtova nga Komiteti Qendror dhe u shkarkova nga detyra e lartë e ministrit…

  6. Naxhije Dume: Ditët e vështira nën survejimin e Sigurimit

    As/prof.dr. GJERGJ TITANI – LUAN KONDI

    Në të gjithë dokumentet e kohës të pas Plenumit, thuhet se ai është njolla më e zezë në historinë e partisë. Mua nuk më duket kështu. Sepse nuk ka pasur atëherë asnjë kontestim nga anëtarët e Komitetit Qendror. Nëse flitet se në Plenum u parshtrua nga udhëheqja jugosllave bashkimi i dy vendeve mbi baza federative, apo atmosfera e zhvillimit të punimeve të tij ishte shumë e rëndë

    Unë isha përgatitur të raportoja për aktivitetin e Ministrisë së Arsimit. Përpara se të fillonte seanca e radhës, Bedri Spahiu më këshilloi ta lija raportin për ministrinë dhe të flisja në Kongres përgjithësisht për kulturën. E kuptova. Sinjali ishte i qartë. Mehmet Shehu njoftoi se fjalën duhet ta merrja unë. Ndër të tjera, diskutova edhe për çështjet e partisë në Plenumin e Tetë, i cili ishte kritikuar rëndë

    Naxhija është e qetë dhe e mendon mirë atë që thotë. Kurrësesi nuk do që të ketë pasaktësi në deklarimet e saj, të cilat lidhen me historinë e luftës dhe pasluftës. Tashmë 83-vjeçare, Naxhija, mendon se i ka thënë të gjitha ato që i kishte mbajtur të fshehta për më shumë se 50 vjet. Në numrin e sotëm të gazetës, ajo kërkon të dëshmojë për një nga ngjarjet më të hidhura në jetën e saj, shkarkimin nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, por nuk harron të shprehet edhe për Plenumin e 8-të dhe të 11-të, ku u dënuan Nako Spiru dhe Koçi Xoxe.

    Disa vjet pas zhveshjes nga funksionet e larta, Dume do të punonte në Tiranë, deri kur filloi goditja e të piketuarve nga Enveri, pas Konferencës së Partisë së Tiranës, e cila mbahet mend si një nga fushatat më të egra të dëbim-internimeve dhe persekutimeve.

    Një Plenum i zi, sipas Enver Hoxhës, është dhe Plenumi i 8-të i KQ të PKSH-së. Çfarë ju kujtohet nga punimet e tij?

    Plenumi i tetë i KQ të PKSH-së mbaj mend se u mblodh aty nga muaji shkurt i vitit 1948. Në të gjithë dokumentet e kohës të pas Plenumit, thuhet se ai është njolla më e zezë në historinë e partisë. Mua nuk më duket kështu. Sepse nuk ka pasur atëherë asnjë kontestim nga anëtarët e Komitetit Qendror. Nëse flitet se në Plenum u parshtrua nga udhëheqja jugosllave bashkimi i dy vendeve mbi baza federative, apo atmosfera e zhvillimit të punimeve të tij ishte shumë e rëndë dhe ekzistonte një frymë diktati e persekutimi, si dhe format e lidhjeve politiko-ekonomike midis dy vendeve çonin në zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë, këto deklarime zyrtare ishin të pavërteta dhe i atribuoheshin apriori Koçi Xoxes. Përse ndodhte kjo? Koçi Xoxe ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, ndërsa kryeministër atëherë ishte Enver Hoxha. Xoxe ishte edhe Sekretar Organizativ i KQ të PKSH-së e anëtar i Byrosë Politike kurse Enveri ishte Sekretar i Përgjithshëm dhe anëtar i Byrosë. Mbi kë binte faji kryesor? Pse Enver Hoxha lejoi të ashtuquajturin voluntarizëm të K.Xoxes? Nënkuptohet, nëvojë për shpjegime të tepërta nuk ka! Enveri e akuzoi Koçi Xoxen për të ashtuquajturin fraksion në kokë të partisë. Unë pyes sot e qetë se kush është përgjegjës edhe për këtë? Përsëri është e kuptueshme dhe komentet janë të tepërta. Është thënë se në Plenum u krijua trualli i plotë për zbatimin e planit jugosllav të kolonizimit të Shqipërisë. Thua të jetë i vërtetë ky shpjegim naiv dhe keqdashës, për të mos thënë antishqiptar?! Thua se Jugosllavia mund të bënte me vendin tonë çfarë i deshte qejfi dhe jashtë kontekstit të ndërtimit të Evropës të pasluftës? Pas firmosjes të dokumenteve kryesore, të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Potsdam të Gjermanisë? Unë them se shpjegim më të mbrapshtë nuk mund të kishte dhe jam e bindur se historia e Shqipërisë do të rivlerësojë jo vetëm aktivitetin e PKSH-së, por edhe aktorët kryesorë të saj që janë dënuar padrejtësisht. Ndaj, nuk dua të zgjatem më, sepse siç e kam theksuar në këtë intervistë unë nuk marr përsipër të bëjë analiza të përgjithshme, ato le t‘i bëjnë historianët, sociologët, politologët, kulturologët etj.

    Çfarë mbani mend nga një tjetër Plenum i KQ i PKSH-së, ai i 11-të, i cili do të zhvillonte punimet 7 muaj më vonë?

    Plenumi i 11-të i KQ të PKSH-së si rrallë herë i zhvilloi punimet maratonike të tij, nga 13 deri më 24 shtator të vitit 1948. Do të thoja se ky Plenum ishte antipodi i Plenumit të Tetë. Në dokumenta thuhet se aty u vendos kthesa e madhe e PKSH-së, u likuiduan ndërhyrjet brutale të revizionistëve jugosllavë në punët e brendshme të partisë sonë si dhe veprimtaria armiqësore e Koçi Xoxes e grupit të tij. Po sipas këtyre dokumenteve, u likuiduan pasojat që nga Plenumi i Dytë i Beratit dhe deri në vitin 1948. Plenumi i 11-të thuhet se u dha fund të gjitha shtrembërimeve e gabimeve në vijën politike dhe organizative të partisë. Aty u dënua Titua dhe udhëheqja jugo-sllave për të gjitha “të këqijat” që na kishte bërë. U legalizua PKSH-ja, e cila vepronte në ilegalitet, nën emrin e Frontit Demokratik, filloi botimi i gazetës “Zëri i Popullit” dhe u thirr Kongresi i Parë i PKSH-së. Në këtë mënyrë Plenumi i 11-të, thonë historiografët e Enver Hoxhës, shënoi kthesën e thellë në jetën e partisë dhe të tjera si këto. Në këtë Plenum u vendos të hiqej rezolucioni antimarksist i Plenumit të Tetë e të tjera vendime të tij. Ç`kishte ndodhur, përse u armiqësua PKSH-ja me PKJ-në dhe Titon? Ndërkohë ishin prishur përfundimisht marrëdhëniet midis Stalinit dhe Titos, PK të BS-së dhe PKJ-së. Po zbatohej linja e ashpër staliniste kundër Titos dhe PKJ-së. Kjo linjë po reflektohej në letrat e posaçme politike që PK e Bashkimit Sovjetik i dërgoi PK të vendeve të Demokracisë Popullore, apo Informbyrosë, me seli në Bukuresht dhe që nxirrte organin e saj “Për një paqe të qendrushme, për një demokraci popullore”, ku PKSH-ja nuk përfaqësohej. Këto letra të KQ të BS-së, që janë quajtur letrat e ndritura të Stalinit të Madh, shënojnë skenarin e përgjakshëm e të përbindshëm të goditjeve zinxhir që nisën me Koçi Xoxe në Shqipëri, Trajço Kostov në Bullgari, Sllanski në Çekosllovaki, Rajhu në Hungari, Patrashkanu dhe Ana Pauker në Rumani, Shtajnenberg në RDGJ e që do të përfundonin me asgjesimin e Gomulkës në Poloni, të cilin Stalini nuk mundi ta lekuidonte, sepse vdiq në mars të vitit 1953. Të gjithë këta personalitete të mëdha janë rehabilituar në vendet e tyre, ndërsa Koçi Xoxe pas 56 vjetësh ende nuk është rehabilitur as juridikisht. Ky skenar, i cili u zbulua plotësisht pas punimeve të Kongresit të 20-të të PK të BS-së shënonte kulmin e kultit të individit të Stalinit në planin ndërkombëtar. Bëmat e tij në PK të BS-së ishin jo vetëm skandaloze dhe antihumane, por të përbindshme, për çka ne komunistëve shqiptarë na vinte keq. Ky është mendimi i thjeshtë, të cilin nuk kam mundur ta shpreh asnjëherë deri më sot, për kushtet në të cilat u ndodha. Mendoj se mund të ketë edhe njerëz që nuk janë në një mendje me mua, por ka ardhur kohë e mrekullueshme e pluralizmit, ku gjithësecili mund të shprehë mendimin e tij alternativ.

    Shatë vjet pas krijimit të saj, PKSH-ja po mblidhej urgjentisht në Kongresin e Parë. Sipas Enver Hoxhës dhe historiografëve të padukshëm të PKSH-së kishin ndodhur kaq përplasje, grindje, kritika të pafund, përjashtime, eliminime politike dhe fizike, prishje të mëdha marrëdhëniesh me partitë komunistë dhe vendet fqinje. Si i gjykoni ju këto?

    Unë po e nis përgjigjen time nga fundi. E quaj fatkeqësi të jashtëzakonshme dhe të dhembshme të gjithë këtë holokaust që ndodhi me PKSH-në, të cilën e kemi krijuar me shumë mund e sakrifica dhe ndjekur në rrugën e vështirë të luftës me shumë gjak e humbje shokësh e shoqesh. E quaj gabim fatal moslidhjen e PKSH-së me Partitë Komuniste evropiane, ashtu siç u bënë përpjekjet qysh në fillimet e krijimit për t‘u lidhur me këto parti. Fatkeqësi tjetër është eliminimi i pabesë i kryetarëve të grupeve komuniste nën pretekstin e mostrashëgimit të konflikteve të mëparshme. E kam quajtur vazhdimisht të padrejtë eliminimin e Zef Malës, Anastas Lulës dhe Sadik Premtes e qindra shokëve të tjerë, pabesisht ose pas shpine që ishin po aq të përkushtuar sa edhe ne të tjerët, për kauzën e komunizmit apo socialdemokracisë, antifashizmit, e çlirimit të vendit nga okupatorët e huaj. E quaj fatkeqësi gjithashtu trashëgimin e metodave sektare e terroriste ballkanike që u përdorën gjatë luftës e pas saj pa asnjë të drejtë nga udhëheqja shqiptare dhe këshilltarët jugosllavë. Kongresi i Parë mblidhej në vjeshtën e vitit 1948 si kurrë ndonjëherë më vonë, nga data 8 deri më 22 nëntor, pasi ishin zhvilluar konferencat e ashpra në qarqe. Në kongres morën pjesë 563 delegatë me të drejtë vote vendimore dhe 299 me të drejtë vote këshillimore. Në këtë kohë, partia kishte rreth 30 mijë anëtarë dhe 16-17 mijë kandidatë. Aty do të ligjëroheshin vendimet e Plenumit të 11-të si edhe kthesa që kishte marrë partia sipas kursit të ri stalinist. Ky kurs përputhej me dëshirat dhe orekset diktatoriale të Enver Hoxhës dhe do t‘i shkaktonte PKSH-së shumë dhembje të mëdha e të habitshme, ç‘ka krijoi një arkitip të çuditshëm të njeriut dhe intelektualit tonë. Rendi i ditës i Kongresit ishte mëse i zakonshëm dhe e veçanta e tij ishte votimi i asgjësimit të grupit të Koçi Xoxes dhe miratimi i kthesës që niste nga Plenumi i 11-të. Në Kongres u miratuan direktivat e planit dyvjeçar (1949-1950), politika e jshtme, që bazohej në internacionalizmin proletar, miqësinë me BS-në dhe vende të tjera të Demokracisë Popullore, vendosja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe miratoi statutin e partisë.

    Po me ju çfarë ndodhi në këtë Kongres, pasi, siç dihet, u përjashtuat nga KQ-ja dhe u shkarkuat nga posti i ministrit të Arsimit?

    Unë isha përgatitur të raportoja për aktivitetin e Ministrisë së Arsimit. Përpara se të fillonte seanca e radhës, Bedri Spahiu më këshilloi ta lija raportin për ministrinë dhe të flisja në Kongres përgjithësisht për kulturën. E kuptova. Sinjali ishte i qartë. Mehmet Shehu, që drejtonte atë seancë, njoftoi se fjalën duhet ta merrja unë. Ndër të tjera, diskutova edhe për çështjet e partisë në Plenumin e Tetë, i cili ishte kritikuar rëndë dhe mbaj mend se theksova që përgjegjës ishin të gjithë ata që e miratuan atë, sepse në Plenum nuk pati asnjë diskutim kundër rezolutave të tij. Kjo, me sa duket, nuk u pëlqeu krerëve dhe tingëlloi keq tek ata. Mehmet Shehu në çast tha: “Ta rrahim hekurin sa është i nxehtë, sepse konkluzionet që na shpall këtu Naxhija godasin bërthamën më të shëndoshë të Plenumit të KQ-së”. Këtu ai kishte parasysh Enver Hoxhën, Hysni Kapon dhe veten e tij. Fatmirësisht Nesti nuk ndodhej në Kongres, pasi ishte i sëmurë. Për Koçi Xoxen dhe të ashtuquajturin grup të tij, u morën masa drastike. Në këtë rrjedhë edhe mua më përjashtuan nga KQ i PKSH-së dhe më shkarkuan nga posti i ministrit të Arsimit, si përkrahëse të vijës së K. Xoxes. Nga partia nuk më përjashtuan që në ato kushte ishte një torturë më vete.

    Çfarë ndodhi më pas?

    Pas Kongresit më thirri Tuk Jakova, i cili ishte zgjedhur zëvendëskryeministër dhe Sekretar Organizativ i KQ të PKSH-së, detyra që më parë i kryente Koçi Xoxe. Ai ishte shumë i tronditur për atë që kishte ndodhur dhe me natyrën që kishte nuk mund ta fshihte një gjë të tillë. Me sa mbaj mend, mua m´u duk se Tuku u përlot. Ai më komunikoi se isha emëruar drejtoreshë e Muzeumit Arkeologjik Etnografik, që ishte në një ndërtesë me zyrat e Arkivit të Shtetit, ku më parë jetonte Jakomoni, mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Tiranë. Në muze më kujtohet se shefi i arkeologjisë ishte profesor Hasan Ceka, një punonjës i përkushtuar i arkeologjisë me një mendje mjaft të ndritur, më duket se ishte babai i Neritan Cekës, arkeolog po aq i talentuar sa edhe i ati. Kolegë të tjerë ishin Skënder Anamali dhe inxhinier Adhami, ndërsa shefi i Etnografisë ishte etnografi me përvojë Rrok Zojzi, si dhe Andromaqi Gjergji, një etnografe e re, e cila me kalimin e kohës u titullua profesoreshë dhe një nga specialistet me përvojë dhe e njohur në arenën ndërkombëtare. Babai i saj, një fanolist i përhershëm, ka punuar për një kohë të gjatë sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës së Korçës. Në shtëpinë e saj, në Korçë, gjatë kohës së luftës në ilegalitet të thellë jemi strehuar së bashku me Fiqret Shehun, e cila, siç jam shprehur edhe më lart, atë kohë ishte e përjashtuar nga partia.

    Deri atëherë kishte punuar në Butrint, Ugolini, ndërsa në Apoloni të Fierit kishte punuar Rei. Edhe unë merrja pjesë në kërkime e kontrolle sepse më tërhiqte puna e arkeologut. Profesor Ceka dhe R.Zojzi, që ishin miqtë e mi, më nxisnin për punë shkencore. Ata i kam pasur gjithnjë pranë dhe nuk e ndjeja gjithë atë të keqe që më kishte zënë. Andromaqi Gjergjin (George) e konsideroja si vajzën time. Një ditë prej ditësh më njoftoi Aleks Buda, që atëherë ishte drejtor i Institutit të Shkencave, se në Muze do të vinte për vizitë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu dhe një grup shoqëruesish të tyre. Unë i thashë profesor Budës që të mos i shoqëroja unë ata vizitorë, por ai këmbënguli në të kundërt. Profesor Ceka, Zojzi dhe unë i shoqëruam gjatë gjithë vizitës. Unë nuk komunikova fare me ta dhe mbaj mend se nuk më dhanë as dorën. Madje, u sollën sikur unë nuk ekzistoja fare. Mehmeti këputi me shpoti një mufkë: “Shiko se mos zini merimanga të gjithë këtu”. Kjo thënie e tij erdhi për faktin se në një qoshe pa një rrjetë merimange. Dua të theksoj se në muze atëherë nuk kishim pastruese. Kaq ishte edhe vizita madhështore e udhëheqjes më të lartë të partisë e qeverisë në Muze. “Orientimi i punës dhe i platformës së këtij muzeu, tha Enver Hoxha, duhet të jenë kërkimet në fushën e kulturës ilire”, çka ishte e drejtë. Në këtë kohë doli në pension Selim Shpuza, i cili ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Unë e zëvendësova atë. Në muze punova deri në vitin 1953. Në bibliotekë do të punoja edhe tre vjet të tjera, pra deri në vitin 1956, kur shpërtheu vala e goditjeve pas Konferencës së Partisë së Tiranës.

    Si shpëtuat pa u arrestuar pas kësaj konference, që u pasua nga një fushatë e egër goditjesh?

    Mbaj mend se organizata baze e partisë, ku bëja pjesë edhe unë, ishte së bashku me Muzeun Arkeologjik Etnografik, Institutin e Shkencave dhe Lidhjen e Shkrimtarëve. Ishte mbledhja e dytë që bënim nën frymën e Kongresit të 20-të PK të BS-së, e cila të themi të vërtetën po sillte një erë demokratizimi të veçantë. Kishte filluar lufta kundër kultit të individit, por, me sa duket, Enveri kuptonte me kultin e Stalinit, kultin e vet. Ishte dhënë udhëzimi që me të goditurit, pra me njerëzit që ishin ndëshkuar nga partia, të tregoheshin të kujdes-shëm. Në mbledhje erdhi Adil Çarçani. Ai në diskutimin e tij, pyeti fare pa takt se çfarë kishim biseduar midis nesh, pra unë Stefanaq Pollo, Selim Islami e të tjerë nuk kishim biseduar pak në këtë frymë, por ata u treguan të ndershëm dhe nuk denoncan asgjë. Adil Çarçani midis të tjerash m´u drejtua edhe mua me pyetjen: “Po ti Naxhije, ç`mendim ke për çështjet që po diskutojmë”. Unë i thashë se jetoja në Shqipëri, lexoja shtypin tonë dhe të huaj, dëgjoja radion dhe se nuk kisha ndonjë mendim të veçantë, veç atij që përputhej me vijën e Partisë. Gjithsesi, kjo dredhi nuk na shpëtoi as mua e as Nestin, por burgut i shpëtuam edhe këtë herë. E kuptuam shumë mirë që të dy, sepse po hidhte hapat një kalvar i ri dhe i gjatë.

    Si e rodhi jeta juaj më pas?

    U tranferuam në Cërrik, unë isha e papunë dhe Nesti në ndërtimin e rafinerisë atje. Pas kësaj shkuam në Elbasan. Unë punova drejtoreshë e bibliotekës, Nesti drejtor aty ku ishte. Pas arratisjes të Panajot Plakut, i cili ishte gjeneral-major, anëtar i KQ të PPSH-së dhe kryetar i Komisionit Shtetëror të Gjeologji-Minierave, Nesti shkarkohet nga detyra e drejtorit dhe emërohet përgjegjës i një ofiçine të vogël. Ndërkohë i shkroi një letër-ankesë Enver Hoxhës, i cili e thirri së bashku me sekretarin e Parë të Rrethit dhe i tha: “Po ne të kemi hequr, sepse dyshojmë se mund të arratisesh, si Panajoti”. Nesti sigurisht e kundërshtoi këtë mendim të tij, ndaj Enveri i tha të kthehej në detyrën që ishte. Pas pak u emërua zëvendës i Myqerem Fugës në Tiranë. Unë në këtë kohë punova në arsim. Në vitin 1961, duke qenë me pushime në plazhin e Durrësit, na vjen lajmi se Nesti ishte emëruar drejtor i Minierës së Selenicës në Vlorë. Në vitin 1964 pas një provokimi banal atë e përjashtuan nga partia. Në vitin 1982, pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadriut dhe grupit të tij, po për një rast të tillë banal, Nesti arrestohet, mbahet në hetuesi, për shumë muaj pa u kaluar fare në gjyq dhe më 13 shtator të viti 1983 kur kishte marrë fund gjithçka lirohet. Ndërkohë ai edhe unë kemi thirrur intensivisht nga hetuesia qendrore e Ministrisë së Bre-ndshme, që zhvillohej pranë Burgut të Ri, ose repartit 313 Tiranë. Ndërkohë mund të them se hetuesit Pelivan Luçi dhe Perlat Kasaj, gjithmonë të dy bashkë nuk më kanë keqtrajtuar kurrë, po ashtu edhe Sokol Koleka, i cili nuk binte poshtë për arrogancë e rrugaçëri. Hetuesit gërmonin e kërkonin për të gjithë ata që ishin projektuar për t`u arrestuar. Kështu vazhduam të jetojmë, brenda një tmerri të gjatë pafund, derisa u përmbys sistemi diktatorial dhe u shpërnda Komisioni famëkeq i Dëbim-Internimeve. Ne u kthyem në Tiranë, por vazhdojmë të jetojmë si emigrantë brenda shtetit tonë. Për ne, qeveria dhe shteti janë treguar shurdhëmemecë dhe të verbër.

 

Lini një koment