Pllake përkujtimore tek Drejtoria e Sipuneve…nga Tanush Kaso. .

a2

KUSH ISHTE DREJTORIA E SIGURIMIT TË SHTETIT
Sigurimi i Shtetit, u krijua më 20 mars të vitit 1943 dhe vazhdoi deri më 12 qershor 1991, kur u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK-u). Sigurimi kishte rreth 30.000 “punëtorë operativë” apo të ashtuquajtur “oficerë të Sigurimit”, të cilët në të vërtetë nuk ishin të tillë, sepse nuk kishin arsimin përkatës e nuk ishin specializuar për atë punë. Shumica me arsim fillor, që vinin nga lufta dhe nga “klasa punëtore”, u përkisnin profesioneve të ndryshme si çobanë bagëtish, teneqepunues (siç ishte Koçi Xoxe), këpucarë (si Pandi Kristo), etj.. Përzgjedhja e tyre bëhej kryesisht sipas besnikërisë ndaj Partisë dhe sipas shkallës së urrejtjes, të egërsisë e të pabesisë të përdorur ndaj shqiptarëve që mendonin ndryshe dhe që i quanin “armiq të popullit”.

FB_IMG_1458156637530

TANUSH Kaso..I dënuar politk.

Detyra e Sigurimit të Shtetit ishte që të

pengonte veprimtarinë antikomuniste për përmbysjen e “pushtetit popullor” dhe të shtypte kundërshtarët e regjimit të Enver Hoxhës. Oficerët e Sigurimit kishin statusin e një elite dhe gëzonin shumë privilegje, ashtu si edhe besimin e Partisë. Ata kishin liri veprimi, njëfarë “carta bianca”, për të përdorur çdo mjet e mënyrë djallëzore ndaj kundërshtarëve të regjimit, për të arritur qëllimet e caktuara. Sigurimi kishte degët e tij në të 26 rrethet e vendit. Ndërsa Drejtorinë qendrore e kishte në Tiranë, të vendosur në një ndërtesë trekatëshe me bodrume të thellë e të errët, që ndodhej në rrugën e Dibrës, pranë një selvie të lartë shumëvjeçare, e cila ishte bërë simbol i tmerrit për qytetarët e Tiranës. Shpesh njerëzit e Partisë dhe operativët e Sigurimit, i kërcënonin të rinjtë tiranas të pabindur, me shprehjen “Rri urtë se do të çojmë tek “selvia”! Kjo nënkuptonte Drejtorinë e Sigurimit, e cila ishte bërë e njohur si “shtëpia e krimit”, ku kryheshin tortura të egra, vdekjeprurëse.
Sigurimi i Shtetit ishte organizuar në seksione, që mbulonin kontrollin politik, censurën, regjistrat publikë, burgjet dhe kampet e punës së detyruar, trupat e Sigurimit të brendshëm, sigurimin fizik të udhëheqjes së lartë komuniste, kundërspiunazhin dhe zbulimin e huaj. Secili prej tyre kishte funksionin e tij të veçantë dhe të gjithë së bashku punonin për një qëllim: përdorimin e “diktaturës së proletariatit”, për mbajtjen në fuqi të regjimit komunist. Përmbi Sigurimin e Shtetit ishte vetëm Partia e Punës e Shqipërisë (ish Partia Komuniste) dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, i cili e kishte quajtur Sigurimin “maja e shpatës e klasës punëtore”.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u krijua në vitin 1946, në kuadrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sipas modelit jugosllav të UDB-së (Uprava Drzavne Bezbenosti). Deri në vitin 1948, kjo Drejtori, ashtu si krejt Sigurimi dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ishin nën varësinë e plotë të Jugosllavisë dhe drejtoheshin e kontrolloheshin nga këshilltarët serbë e malazezë. Nga ata merrnin urdhra, udhëzime e mësime se ku duhej ta drejtonin vëmendjen dhe goditjen, çfarë metodash hetuesie dhe çfarë lloj torturash duhej të përdornin. Kryesisht ata synonin goditjen e trurit të kombit, të intelektualëve dhe nacionalistëve që kërkonin Shqipërinë etnike, me Kosovë e Çamëri. Metoda e vetme e punës “zbuluese” të Sigurimit, ishte arrestimi i menjëhershëm i të dyshuarve, pa siguruar më parë provat dhe faktet. Ato -thoshin “këshilltarët”- sigurohen nga vetë të ndaluarit, gjatë hetuesisë dhe torturave.
Mbas vitit 1948, kur Enver Hoxha u divorcua nga Josip Broz Titua i Jugosllavisë, drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit e mori KGB-ja sovjetike e Stalinit. Këshilltarët sovjetikë të specialiteteve të ndryshme të zbulimit, ishin të pranishëm në çdo seksion e drejtori. Drejtoria e Sigurimit të Shtetit mbajti po atë emër, me të cilin e kishin pagëzuar
jugosllavët; por, i çoi më tej metodat e spiunimit, të ndjekjes e arrestimeve dhe të hetuesisë e të torturave. Oficerët shqiptarë të Sigurimit, pa kurrfarë përgatitjeje të specializuar, ishin nën varësinë e plotë të këshilltarëve sovjetikë dhe shërbenin vetëm si çirakë të tyre, kryesisht për
përdorimin e dajakut dhe të torturave mesjetare. Veprimtaria e agjentëve dhe e operativëve të Sigurimit ishte trashanike. Megjithatë, arrestimet dhe dënimet me akuza të paqena ose të fryra, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, “për tentativë arratisjeje”, për “spiunazh”, etj., vazhdonin pa ndërprerje. Listat e të ndaluarve, të pyeturve dhe të dënuarve për motive politike, ishin gjithnjë në rritje. Kështu, në vitin 1987, kur shteti komunist drejtohej nga Ramiz Alia, numri i atyre që përndiqeshin si “të deklasuar, me përbërje dhe qëndrim të keq politik e shoqëror, të infektuar me ideologji reaksionare”, të cilët -sipas Sigurimit- “në rrethana e kushte të caktuara mund të zhvillonin veprimtari armiqësore e keqbërëse kundër Partisë”, kishte arritur shifrën rekord prej mbi 60.000 personash, të dyshuar e të regjistruar në “listat e vdekjes”.
Nga viti 1946 e deri më 1991, nëpër hetuesitë dhe torturat e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, kanë kaluar mijëra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të tjera të vendit tonë. Mund t’ju them se edhe unë me të ndjerin Uran Kalakulla, kryetar i grupit tonë antikomunist, kemi pasur fatin e keq të përballemi me ujqërit e Sigurimit të asaj Drejtorie, më 27 maj të vitit 1961. Mbas një arrestimi spektakolar në mes të kryeqytetit, për të futur panik tek qytetarët e tjerë, na dërguan me shpejtësi te ajo Drejtori, ku filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve tona. Por, nuk ia vlen të flas për rastin tonë. Sepse ato goditjet me grushta e shqelma nga kafshët e Sigurimit, kanë qenë si “përkëdhelje”, në krahasim me ato që kanë pësuar bashkëvuajtësit tanë të viteve të para, mbi të cilët janë përdorur të gjitha llojet e torturave, që nga korrenti në organet gjenitale, deri tek shkulja e dhëmbëve dhe thonjve me pinca, futja në fuçi me ujë të ftohtë, e të tjera. Të burgosurit e vjetër kanë treguar se njerëz të sfilitur e të gjymtuar nga torturat , liheshin në bodrum duke rënkuar deri sa jepnin shpirt.
Po shumë e rëndë ka qenë sidomos për gratë e vajzat, izolimi në mjediset e errëta të asaj Drejtorie famëkeqe, ku vepronin kriminelë e sadistë pa kurrfarë ndjenjash njerëzore. Të dëgjuar për poshtërsitë e tyre kanë qenë ndër ato vite Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova e disa të tjerë, të cilët kanë kryer edhe përdhunime të femrave të arrestuara. Nuk mund të përshkruhet dot, fati tragjik i një gruaje të pafajshme, e cila u arrestua në Burrel, për shkak se burri i saj, Xhemal Llanaj, ish-oficeri akademist, qe bashkuar me luftëtarët e lirisë të “Komitetit të Maleve”. Edhe pse ishte shtatzënë, e sollën të shoqëruar me policë, në rrugë këmbësore, nga Burreli në Tiranë. E izoluan dhe e torturuan në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit gjersa e çmendën. Ulërimat ngjethëse të saj dëgjoheshin nga kalimtarët dhe nga banorët e shtëpive të afërme. Por, kafshët e Sigurimit nuk shqetësoheshin aspak për gjendjen tragjike dhe britmat e asaj gruaje fatkeqe. Më pas, ashtu e çmendur e pa përkrahjen e askujt, pa strehim e pa ushqim, ajo u end disa kohë nëpër rrugët e Tiranës, derisa u gjend dikush që e dërgoi në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, ku edhe vdiq. Ndërkohë, djalit të saj, të lindur në ato kushte, i vunë emrin Shpëtim. Dhe ky tani është midis nesh, si një dëshmi e gjallë e asaj tragjedie të shkaktuar nga barbarët komunistë.
Ndër drejtorët e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përzgjedhur me kujdes nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë qenë Halim Xhelo, Qemal Balluku, etj.. Është pak si e çuditshme, po është e vërtetë, se bash ky ish-drejtor i asaj Drejtorie famëkeqe, Halim Xhelo, ashtu si ish-gjeneralë e kriminelë të tjerë të atij regjimi, u burgos si “armik i Partisë dhe i popullit”. Dhe mbas disa viteve të vuajtjes së dënimit, u vetëvra (ose e vranë) në burg.
A nuk duket fundi i tij, si një ndëshkim i vonuar nga Perëndia?!
Mund të thuhen e shkruhen shumë episode e ngjarje që lidhen me Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, bazuar mbi dokumente arkivore dhe dëshmitarë të besueshëm, që i kanë përjetuar ato.
Po për ta mbyllur bisedën tonë për sot, më duhet të kujtoj edhe një sfidë të fortë që i ka bërë Sigurimit të Shtetit, një hero i rezistencës antikomuniste. Ai quhej Tahir Prençi. Kishte kryer studimet ushtarake në perëndim dhe kishte shërbyer me detyra të ndryshme kudo që e lypte nevoja, edhe në Kosovë, në vitet ’40. Mbas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, kaloi jashtë shtetit dhe u aktivizua në veprimtarinë për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Ishte një radist i shkëlqyer. Si i tillë, u dërgua në Shqipëri nga Zbulimi amerikan, në vitin 1952, së bashku me Zenel Shehun, ish-oficer i mbretit Zog. Mbas pak kohe u zbuluan dhe u arrestuan. Sigurimi, nën drejtimin e specialistëve sovjetikë të zbulimit, nisi atë që do të quhej “Radio-loja”, duke i përcjellë zbulimit amerikan, me radio transmetuese, lajme të rreme e mashtruese. Mirëpo Sigurimi dyshoi se radisti Tahir Prençi, donte t’ua prishte lojën, duke sinjalizuar qendrën amerikane, për të vërtetën. Prandaj këtë e zëvendësuan me një radist të tyre dhe Tahirin e izoluan në Drejtorinë e Sigurimit, nën masa të rrepta sigurie, duke i zgjedhur me shumë kujdes rojet, nga më të besuarit. Mirëpo, me zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, Tahir Prençi e bëri për vete njërin nga policët që e ruanin, të quajturin Gani Rosa, nga Kavaja. Dhe bashkë me ‘të, mbasi u pajisën me armë automatike dhe sendet e nevojshme, u arratisën në drejtim të malit të Dajtit dhe dolën deri afër Martaneshit. Ndërkohë ishte dhënë alarmi në të gjithë Shqipërinë. Ata të dy ranë në pritën e parë, të cilën e kaluan mbas një përpjekjeje me armë. Në pritën e dytë, mbeti i vrarë trimi Tahir Prençi dhe u kap Gani Rosa. Kjo ngjarje, që hidhte poshtë “vigjilencën” dhe “pathyeshmërinë” e Sigurimit, u mbajt në fshehtësi të madhe. Vetëm mbas vitit 1990, një ish-oficer i Sigurimit, i asaj Drejtorie, e ka thënë të vërtetën e asaj ngjarjeje, në një libër të botuar prej tij.
Vendosja e kësaj pllake, vlen për të kujtuar e për të mos harruar ato që kanë ndodhur gjatë atyre viteve të vështira, të cilat vendi dhe populli ynë i kaloi në vuajtje dhe i izoluar nga bota e qytetëruar, shkaktuar kjo, nga ideologjia vrastare komuniste, tanimë e dështuar. Vendosja e memorialëve, e cila i shërben kujtesës kombëtare dhe rishkrimit të historisë, është edhe në përputhje të plotë me rezolutat evropiane për dënimin e krimeve të komunizmit. Vitin e kaluar, Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, i drejtuar nga z. Bilal Kola, bëri të mundur vendosjen e një memoriali në kampin famëkeq të Tepelenës, gjë që nuk e kishin bërë drejtorët e mëparshëm të këtij institucioni, dy prej të cilëve kanë kaluar fëmijërinë dhe një pjesë të jetës së tyre në atë kamp të vdekjes. Tani po ky Institut i të Përndjekurve, i ka drejtuar qeverisë, kërkesën e përsëritur nga ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, drejtuar qeverive të mëparshme, për ngritjen në sheshin qendror të kryeqytetit, ku ishte monumenti i diktatorit Hoxha, të një përmendoreje, e cila duhet të kujtojë qëndresën antikomuniste të popullit shqiptar. Të tilla përmendore janë ngritur vite më parë, në kryeqytetet e të gjitha vendeve ish komuniste të Evropës Lindore. Tek ne kjo nuk është bërë, jo për koston e papërfillshme financiare për një shtet, po për mungesën e vullnetit politik të shtetarëve dhe të politikanëve tanë.
Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, do të vazhdojë të kërkojë me këmbëngulje, në rrugë zyrtare e me mjete demokratike, nga çdo qeveri si dhe nga ndërkombëtarët, përmbushjen e detyrimeve morale dhe ligjore, që ka shoqëria dhe shteti shqiptar ndaj shtresës sonë, e cila -ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste- mbetet ende e paintegruar dhe e diskriminuar.

Lini një koment